25 March 2013

NJE TAKIM EKOLOGJIK



NJE TAKIM EKOLOGJIK

Kur po shihja gazetat në sheshin "Willson" vura re se një njeri po më shihte, kthej kokën e dalloj ekologjistin Sazan Guri. Nuk jemi takuar kurrë veç e kam parë shpesh në intervista e panele televizive që mbron një kauzë të drejtë. Mirëpo gjithmonë më është dukur se ai ju flet njerëzve që nuk duan të dëgjojnë, si ti predikosh një kasapi mos pre qëngja sepse shkatrrimi ekologjik këtu është në sistem.
I zgjatëm dorën njëri tjetrit e meqë nuk dija çfarë ti thosha, më erdhi ndërmënd veç një shprehje:
- I nderur Sazan Guri, jemi shumë mirë me realizimin e planit 100/100 për intervista e panele televizive, kam parasysh edhe ish bashkëstudentin tim në Universitet Gëzim Tushi për sociologjinë, por përveç suksesit mediatik në terren nuk kemi kurrgjë. Kashtë e byk.
Ekologjisti as qeshi e as u vrejt por më pa me një vështrim që nuk shprehte asgjë. Mbase nuk priste ti flisja ashtu. Ishim përballë gazetave të shumta me problematika të "mëdha", ndërsa rreth e qark sheshit "Willson", kundërmonin plehrat dhe makinat e panumërta villnin tym të zi.
Kjo fotografi fakton se takimi ka ndodhur, nuk ka qënë i rremë dhe as problemi ekologjik nuk ka qënë butaforik anipse në fushatën zgjedhore ne do të dalim me parulla si jemi vendi më i pastër në botë...Jemi a s'jemi?!

Kolec Traboini
Tiranë, 22 mars 2013

21 March 2013

Kur poezia shkelet me këmbë si lulet / Traboini

KOLEC TRABOINI

KUR POEZIA SHKELET ME KEMBE SI LULET



Të paktën një ditë në vit Mediat duhej të flisnin për poezinë pikerisht me 21 mars të çdo viti që është dita e saj ndërkombëtarish e njohur. E kam fjalën për poezinë e vertetë e jo surogatot pa shije që të kujtojnë bejtexhijtë e shekullit të 18 a më përtej. Ta zëmë si ndodh që në librari nuk i pranojnë librat me poezi. E akoma më tej si ndodh që poezia nuk shitet. E megjithatë e kërkoj Sadri Ahmetin nëpër librari e nuk e gjej. Kërkoj Frederik  Rreshpën e nuk e gjej. Viktor Qurku askund. E rri e mendoj pse...e po vetes i përgjigjem:
Nuk i blejnë poetët as të "mëdhej" e as të "vegjël" qofshin,  me shkakun se ka një lukuni vargjeshkruesish të cilët mendojnë e se mund të shkruajnë poezi pa lexuar asnjë rrjesht.
Sikur vetëm këta që bëhen ndoshta 5 mije vetë në Shqiperi e Diasporë të blenin një libër të një autori serioz, poezia nuk do të binte në tokë e nuk do të shitej nga bukinistët në trotuarët a bordurët e parkut “Rinia”. Këta soj shkruesish që duhej të ishin kontigjenti i parë blerësish nuk duan tia dinë fare se poezia nuk të vjen në prëhër ashtu kot, se poezia është një kërkim e mundim e për më tepër përjetim emocional e jo indiferencë për çfarë ndodh rreth teje. Por ata e kanë zgjidhur rrugën, shkruajnë pa fund, e gjithshfarë soj naivitetesh pa kripë edhe duke e ditur se në të vertetë janë të destinuar të harrohen, botojnë pa ju dridhur qërpiku se ka edhe plot botues që miklohen prej parave të shkarrashkruesve. Duhet thënë se kjo kategori kanë mendimin  se me para bëhësh gjithçka në Shqipëri. Këta soj i kanë gjetur lidhjet me Televizionet madje depërtojnë edhe tek  TV Publik, bëjnë  zhurmë mediatike , darovisin ndonjë pseudokritik teveqel  për ti laskandruar në gazeta. Këta harrojnë apo bëjnë sikur harrojnë që kushdo që ka pasion poezinë para se të shkrujë duhet të lexojë, duhet të kuptojë e shkallë shkallë të nis të ndjej se pa përjetim emocional nuk mund të krijosh asgjë me vlerë. Eshtë si puna e polenit apo dhe aromës së luleve....kur themi lule pa aromë pësojmë një ndjesi thatësire e boshëllëku.
Nuk i duam ato lule sado të bukura në ngjyrë qofshin dhe i konsiderojmë thjeshtë si lule për varreza. Dhe tjetra, kur flitet për poezinë duhet folur me fjalë të thjeshta, ai që është i madh në poezi është mendimi, ndjenja, dhe figuracioni...e jo bubullima e fjalëve që rrëzohen si gjethe në vjeshtë.
  Për poezinë mund të flitet shumë e pafund se problemet e krijmtarisë janë të mëdha në këtë vënd ku arti shihet si handikap social, por lakonizmi duhet të jetë jo vetëm një mënyrë shprehje kur shkruhet poezia, por edhe kur flitet për të, që ajo të mos u thojë pseudokritikëve e recensuesve me pagesë – ej, ku shkoni aq larg, më lodhët, unë nuk jam ajo për të cilën shkruani me aq emfazë, nuk jam tollumbace me ngjyra, që të më fluturojë  era në qiej, jam e thjeshtë si lulja e parë që del në pranverë e që mjerish shumë kush më shkel me këmbë pa dhimbje.


05 February 2013

KUSH ESHTE GAZETARI? - nga Kolec Traboini

KUSH ESHTE GAZETARI?

Nga KOLEC TRABOINI

Po shihet një tendencë e frikshme për të manipuluar median e futjen e saj nën kupola partish, duke i mikluar gazetarët e lirë e të pavarur edhe me mandatin e deputetit në parlament. Nuk është se shohim ndonjë gjë të keqe në ardhjen e mendimit të lirë të shtypit edhe në organin ligjvënës, por diç tjetër përbën shqetësimin tonë profesional si gazetarë të pavarur. Dihet që tendenca e çdo ekzekutivi (të paktën tek ne kjo bëhet e hapur kjo) është pra futja në dorë e atyre pushteteve që konsiderohen të tretë dhe të katërt, rrjedhimisht të drejtësisë dhe atë të medias dhe këto bëhen për të siguruar një dorë të fortë në qeverisje, për të mos pas kundërshtim çfarë në të vërtetë përbën rrezik për lirinë e fjalës e të mendimit dhe mundësi reale për keqpërdorim të pushtetit.
Nga ana tjetër nëse do ta konsiderojmë të pranueshëm kthimin e parlamentit krejt ngjashëm me një panel bisedash televizive me ato çka shohim përnatë plot mediokritete, që nuk kanë të bëjnë në asgjë me gazetarinë profesionale, atëherë do të thosha mjerë ne se nuk na ka mbetur asnjë shpresë.
Kam qënë e mbetem kundër mercenarëve partiakë të pashkolluar në parlament (ku duhet të shkonte mendja e kombit), por dhe gazetarët militantë (shumica të ngjajnë si kapterra ushtrie) që i lëpijnë këpucën shefit të madh të partisë, nuk mund të konceptohen kurrqysh si parlamentar.
Gazetari do të thotë dinjitet, personalitet, integritet, të jesh vetvetja edhe kur je pro apo edhe kur je kundër në një çeshtje, të dish të bësh opozitë ndaj kundërshtarëve por edhe ndaj të tuve. Ky është gazetari. Të kesh kurajo pra edhe kur e di se do të luftojnë e mund të mbetësh i vetëm. Gazetar do të thotë të mos kesh frikë. Ata llapgjatët e partive nuk janë kësisoj gazetarë. Gazetar është ai që mbron një çështje kombëtare apo sociale në publik dhe më tej gazetari është siç e vlerësonte në kohën e tij shkrimtari i madh francez Emil Zolai, si kamina që djeg dru përditë, pra në ideal të mendimit të lirë e për të vërtetën djeg shpirtin e vet.
Tani më thoni a janë kështu llapgjatët e televizioneve që mbllaçisin steriotipe paneleve groteske, o për llogari të njërës ose tjetrës parti, e nuk e çajnë me nderën për popullin e kombin e vet.
Jo për atë Zot nuk mund të jenë gazetarët kështu. Janë thjesht papagaj mercenarë të demagogjisë, të sofizmit, të interesit, të mashtrimit e pse jo dhe të hajdutërisë politike.
I madhi Thomas Jefferson thoshte: “Po të më lihej mua të vendos nëse ne duhet të kemi një qeveri pa gazeta apo gazeta pa qeveri, unë nuk do të hezitoja për asnjë çast për të zgjedhur këtë të fundit.”.
Në fund të fjalës gazetaria nuk mund të jetë shërbestare servile e politikës, por udhërrefyese e saj, ndaj nuk duhet ta nëpërkëmbë këtë mision që i ka ngarkuar historia. Deri në këtë dinjitet duhet të ndjehet gazetari.

Botuar në gazetën "Tirana Observer",  7 shkurt 2013

04 February 2013

Po vjen Alfred Peza...- nga Kolec Traboini

PO VJEN ALFRED PEZA...

Nga KOLEC TRABOINI


Na japin lajme disi të bujshme se po vjen Alfred Peza.  Po ku ka qënë ky Alfred Peza që paska ardhur?! Nuk mund ta kuptojmë kushtrim politik mediatik ngase këtë Alfred Pezën e shohim përnatë me figurë dhe me zë në ekranin e vogël që po zmadhohet dukshëm tashmë duke na pushtuar mendjen e qënien. Ky këtu ka qënë. Ai që mungon këtu e që ne dëshirojmë të ishin  janë elementë të rinj nga populli e jo nga rutina e përditshme mbrëmasore tiranase.
 
Nuk shihet kurrfarë ardhje nëse me këtë  kuptojmë një risi në radhët e partisë më të madhe opozitare në vend. Fakti që merret tjetri nga një studio televizive e reklamohet me të madhe si prurje (dhe vetë Peza deklaron me pompozitet: “Dua të kontribuoj sadopak për të rilindur Shqipërinë” sikur të ketë patur ndalesa e pengesa  për ta bërë këtë punë edhe jashtë sqetullave të partisë), e gjitha kjo tregon se ka një shkëputje të madhe PS nga terreni. Të na falin, por kjo të kujton ata xhambazët që ia mprehin dhëmbët kalit kur duan ta shesin për kal të ri. Sepse kjo histori mund të vazhdojë deri në grotesk kolektiv mediatik në thirroret:
“Po vjen Koço Kokëdhima”, “Po vjen Anila Basha”, “Po vjen Blendi Fevziu”,  “Po vjen Çim Peka” “Po vjen Adrian Thano”,  “Po vjen Rudina Xhunga”, “Po vjen Sokol Balla”, “Po vjen Roland Qafoku”. Po vjen e kush s’po vjen... Po populli ku është.
Të vjen në kujtesë një film i real-socit ku pyetet “A është prifti popull?” e për analogji në rastin tonë do do të përgjigjeshim, gazetarët shkrimorë e pamorë popull janë, por hallet e popullit në shpinë nuk i kanë. Se e dimë mirë jo vetëm çka flasin e shkruajnë, sikur jetojnë në një shtet tjetër, por edhe sa paguhet njëri e tjetri drejtues panelesh televizive. E këtu flitet për mijra euro e jo kacidhet që marrin pensionistët, që thënë të drejtën, shumica prej varfërisë kanë shpresë tek e majta që duhet të ketë një program social më të ndjeshëm ndaj realitetit absurd që kemi.
Kjo lojë kuintash pa vizion është një gabim i madh që mund t’i kushtojë shtrenjtë forcave të majta. Frika është se veprimet  e fundit duke nxjerrë si show politiko-mediatik ardhjen e disa figurave të lodhura mediatike (gjoja të pavarura deri më tani) e duke i shitur si risi në PS, kjo tregon se kryesia e partisë e pranon botërisht se tërë strukturat drejtuese në qendër janë lodhur, janë në kauzë shterëse e ndoshta edhe humbëse.
Një mësim i madh i politikës për sukses brenda dhe jashtë partisë është se nuk mund t’i nxjerrësh drejtuesit  dhe deputetët nga sqetullat, nga aparatçikët servilë, qoftë edhe nga studiot e  TV e kthinat e gazetave dy hapa pranë selisë së partisë, apo tek drekon në Sheraton e Rogner, ndërsa votën t'ia kërkosh popullit diku larg teje.  A thue populli që jeton kudo në këtë hapësirë shqiptare me plot halle mbi shpinë,  e jo vetëm në qendër të Tiranës, nuk ka djem e vajza që dinë të qeverisin? Mos vallë u dashka t’i zgjedhin njerëzit veç për faktin se dinë të flasin bukur? Se dinë ta lidhin kollaron. Se dinë ta kruajnë zërin...  Përtej kësaj mendoj se një deputet nuk shkon në Kuvend për të qënë thjesht një megafon politik, as fanti spathi nën mëngën e shefit,  por për të sjellë ide për ndryshimin e kësaj gjëndje mjerane ku ndodhemi, ku qeverisja nuk do t’ia dijë se varfëria  tashmë shfaqet si një kërcënim i madh për ekzistencë.
Duke qënë gazetar nga profesioni nuk e mendoj kurrë gazetarinë si një apologje partiak, si një lugë e vogël për të përzier kafenë që do të pijë ai i madhi fare, apo një lëpirje këpuce në korridoret e partisë. Gazetari nuk është tellall i dikujt tjetër, por shprehës i bindjeve të veta në mënyrë të pavarur dhe solide. Prandaj kemi të drejtë të pyesim nga u katapultuan këta gazetarë në parti në prag të zgjedhjeve, kur deri dje betoheshin e përbetoheshin e për më tepër mburreshin për pozicionin e vet të pavarur në gjykimin apo demaskimin çështjeve apo aferave korruptive. Tani papritur i shohin nën sqetull të partisë që mendohet të vijë në pushtet. Kaq e vështirë është të kuptohet se pse?
Këta gazetarë nëse kanë personalitet të lartë, që nuk ua vëmë në dyshim, duhet jo të kapeshin pas kindave të palltos së shefave të partive, por të kishin kurajon e dinjitetin të dilnin kandidatë për deputetë të pavarur nga asnjë krah politik. Dikush mund të thotë se kjo nuk mund të ndodhë sepse është ndarë elektorati si plaçkë tregu tek Gabi. Gjithsesi ai që është një gazetar i vërtetë e jo marionetë politike lufton që kjo të ndodhë, që forca të pavarura të mund të vijnë e të sjellin zërin e tyre ndryshe nga politikat steriotipe e të manipuluara ligsht siç ndodh në Shqipëri. Ne për kësisoj gazetarie kemi nevojë. Me llafeollogë partish jemi ngopur.
Më vjen vërtet keq kur shoh se Opozita shfaqet e lodhur e pa vitalitet apo që mbahet  pas figurave të konsumuara (si ai partiaku i lartë ish-kuadro i diktaturës,  që shkruan në një dramë marroke se Shën Maria është një kuçkë - çfarë e lemerisi elektoratin në Korçë dhe nuk e di se me çfarë do të përfaqësohet kjo parti në atë qytet ku popullsia është prekur në sedër), apo kur opozita përpiqet të kapet pas fijeve të kashtës gazetareske dhe nuk shkon në terren, apo të kërkojë e të gjejë plot djem e vajza të reja brenda e jashtë Shqipërisë, të shkolluar në perëndim deri dhe në  Amerikë  po qe nevoja, të cilët do të mund të sillnin një frymë të re, një imazh të ri në politikë dhe në qeverisjen e këtij vendi ku zotëron kaosi, jo vetëm politik por edhe ekonomik, siç po jep sinjale tronditëse falimentimi i qendrës tregtare gjigande City Park, inaguruar me pompë qeveritare jo më shumë se tre vjet më parë.
Por më shumë se për opozitën më vjen keq se ka shumë njerëz që shpresojnë të ndryshojë gjendja, por kur shohim se ju afrojnë ca fytyra të konsumuara deri në rraskapitje stresuese në shtyp apo televizion, edhe ajo pak shpresë ju fashitet. Këtu kemi dhe një problem tjetër madhor;  e gjithë Media shqiptare është zaptuar nga politika, pozita dhe opozita dhe nuk ka më asnjë organ vërtet të pavarur, asnjë hapësirë lirie. Prandaj ikin gazetarët si pelivanët nëpër sqetulla partish. Ne kështu po shkojmë drejt një politizimi të shoqërisë deri në atë shkallë sa të humbasë mendimi i lirë dhe i pavarur, dhe si në një lojë shahu gjithçka ta përcaktojnë shefat e partive. Demokracia kështu degradohet, lind një strukturë sunduese e ngurtë  e gjithpërfshirese  për t’i lënë vendin despotizmit partiak që derivon edhe në atë shtetëror.
E fundit që desha të them është thjesht një pyetje retorike:  A ka ndonjë mënyrë tjetër më dëshpëruese për ta vrarë shpresën e për të shkuar drejt humbjes?!


Botuar në gazeta SOT, 5 shkurt 2013:

http://www.sot.com.al/opinione/po-vjen-alfred-peza
"Po vjen Alfred Peza" botuar në gazeta "SOT", 5 shkurt 2013

Copy and WIN : http://ow.ly/KNICZ
"Po vjen Alfred Peza" botuar në gazeta "SOT", 5 shkurt 2013

Copy and WIN : http://ow.ly/KNICZ