( SHENIM: Paraqes një shkrim që nuk e botojnë gazetat me shkakun se i kam sharë më shumë se duhet deputetët. Por kam bindjen se duhet ti kisha sharë edhe 100 herë më shumë sepse janë gjëja më bosh që ka ky vend)
“MUHAXHIRËT”
NË PARLAMENT
Sipas Konicës në 100 vjet
Nga
KOLEC TRABOINI
E vërteta
therëse që do të thoshte Faik Konica po të ngrihej nga varri do të ishte se, ne
s’kemi patur kurrë deputetë për të qënë,
por veç ca “muhaxhirë” në parlament në këto njëqind vjet, nga ajo rracë
bastarde që “Shqipërinë e shesin për një
pesëshe... Edhe bukën tonë hanë, edhe na lëshojnë….baltën e tyre përmi mësallë!”.
Përjashto
një kohë të shkurtër kur parlamentarë ishin burrat e mëdhenj të Kombit si
Gjergj Fishta, Fan Noli, Ndre Mjeda, Lazër Shantoja, Luigj Gurakuqi, Hasan
Prishtina, Zija Dibra (tre të fundit të vrarë nga Zogu) e do të tjerë, mbas
shuarjes së demokracisë e prej ardhjes përdhunshëm të diktaturës Zogiste, Shqipëria
më pas do të kalonte nën pushtime të huaja me deputetë kuislingë e krejt më pas
do të vendosej diktatura Enveriste, ku çdo gja mori fund në fushë të
parlamentarizmit si nocion demokratik.
Ta
thuash në fjalë të vërtetë e jo në rrena gazetash partiake a panele televizive
të shitura për një dhjetësh, një bilanc
i këtij 100 vjetori na sjell se ky mikroshtet si të ishte çifligu i një feudali
anadollak, me përjashime që dihen e jetëgjatësi të shkurtër, pra e tërë
shtrirja çfarë dominon në kohë historike apo aktuale është kurrgjë më shumë veç
ardhja, jo e trunit, dinjitetit e
personalitetit, por e llumit e kumit të
kombit. Sepse kombet i kanë edhe njërën edhe tjetrën, por në parlament duhet të
vinte më e mira. Aq më tepër që në traditën tonë kombëtare edhe në fshatin më të
humbur të këtij vendi, kurrkush nuk është rrekur që kur shtronte një sofër, të vinte në krye të vendit një keqot, a thënë
ndryshe budallën e fshatit. Mirëpo tek ne aktualisht kjo po ndodh. Ata që sot e nderojnë më pak këtë vend janë
deputetët, çfarë është krejt e natyrshme sepse edhe liderët e këtyre partive
klanore që stanojnë delet e veta në parlament, kanë sajuar ligje që veç një
Esat pash Toptani mund t’i sajonte që të sillte në Parlament sejmenët e vet.
Pik e shik siç i solli Zogu të vetët të kostumosur si kukulla parlamentare, pasi
zboi e vrau çdo liberal e demokrat, po ashtu në mënyrë të qindfishuar i vrau dhe i shfarosi Enveri kundërshtarët e
vet intelektualë, ndërkohë solli në parlament skotën e partisë, shumica vëllavrasës
e kriminelë që nuk e kishin për gjë t’i çanin kafkën madje edhe ish kolegëve të
vet, siç e pësoi i mjeri admirali çam Teme Sejko prej Mihallaq Ziçishtit e Co,
që ia tërhiqnin litarin në fyt derisa ia nxorrën frymën e jo në platon të
ekzekutimit, por gjatë lëvizjes në ndenjësen e makinës. Deputet qe viktima mjerë,
deputet faqezi dhe xhelati. Të tillë
katilë deputetë solli Enveri në parlament për afro 50 vjet.
Po më
pas viteve ’90-të të shohim çfarë ndodhi. Ajo çfarë nuk mund të besohet. Të zë
lemeria ta mendosh. Ish agjentët e Sigurimit, ish spiunët e shokëve, hafije të
fëlliqta që i urrenim edhe në kohë të diktaturës, sepse ishin më të zellshmit e
pushtetit, dilnin nëpër lagje për spiunlliqe, për të na i zbritur antenat e televizorit, apo
bënin mbledhje fronti ku të çanin menderen nëpër mbledhje. Ja kur na u bënë
deputetë. E kur këto kërma të sistemit që ngordhi e la pas sporie e bacile
kolere pafund, pra u vjetëruan, u doli kallaji, u tërhoqën apo hëngrën brrylat,
pra u brrylosën nga një skotë e re, që u pasurua sa hap e mbyll sytë , me dallavere, ryshfete,
fallsifikime, duke marrë pronat e të tjerëve, duke trafikuar drogë e mish të
bardhë a duke luajtur rolet e tutorëve
rrugëve të qyteteve të Europës. Kush ndonjëherë do të bëjë ndonjë investigim se
si u pasuruan e si na u bënë deputetë kjo skotë që kurrnjë vlerë sociale nuk
ka. Shihni CV-të e tyre. Ku janë
kontributet e tyre sipas parimit të Xhon Kenedit "Mos thoni çfarë bën
Amerika për ju, por çfarë bëni ju për Amerikën". Me një fjalë kjo debilëri
parlamentare çfarë kontributesh ka dhënë për Shqipërinë. Nuk është çudi të
nxjerrin ndonjë bukuroshe të kolme, zëdhënëse partie, që lëpihet e përdridhet
nëpër konferenca shtypi duke thënë se Maliqët u lodhën duke thurur ligje.
E si
rezultat kemi një parlament ku nuk ka më burra e gra që flasin për hallet e
popullit, po për kosheret e partisë, thjesht janë garda pretoriane e partive të
tyre, e kryetarëve që kanë në krye. Këtyre vipave e rripave, rrapave e trapave
që ca po na i quajnë edhe karizmatikë u është bërë lëkura shollë. Janë si ata viruset
që kanë fituar imunitet nga antibiotikët, pra kanë fituar rezistencë dhe janë
indiferentë ndaj shtypit. Shkruaj sa të duash ti, ata në udhë të mbrothësisë së
xhepave janë. E punojnë me shifra të mëdha, miliona Euro.
Këtyre
u duhet diçka më therëse se konstatimet
e thjeshta, diçka që të shpojë mish e kockë bashkë, koniciane a kafkiane
të thuash. E gjithë kjo prej humbjes së
durimit, prej mediokritetit të përgjithshëm dhe majmunllëkut shoqëror që na
rrethon e na zë frymën. Në këtë vend kështu duhet të jetë fjala sepse
delenxhijtë e politikës janë të pandjeshëm si buaj, satira e grotesku duhet t’u
heqë brakeshat mahmurrëve me mendësi
anadollake...
Duhet të
pasurojmë fjalorin, të mbledhim fjalë e zhargone popullore, nga të gjitha
dialektet, ku të jenë e ku të mos jenë, të marrim ca gjëmbaçë gomari e ca
hithra e t’i lyejmë me m... e t’ua hedhim deputetëve mbi kokat e lavdishme, se fatlumturisht
nuk kanë imunitet nga mutosja sepse, ata
në korrupsion mutosen përditë, nën retorika lavdimëdha për sukseset e mëdha që
Shqipëria ka pasë në këto 100 vjet. Se vërtet
po na qelbin sukseset. E në krahasim me tërë popujt e Ballkanit ne jemi më të
qelburit nga sukseset. Kundërmojmë fare prandaj dhe shtetet rreth e rrotull po
kqyrin të na kthejnë në WC e Ballkanit.
Nga “vitorja
në vitore do të vemi” - thoshte Diktatori që nuk e artikulonte dot bashktingëlloren
f, ashtu siç e keqlexonte zanoren y duke e kthyer në i, kur fliste në raportet e
pleniumeve të partisë për begatinë e krasitjen e pyllit, ndërkohë që priste
koka njerëzish. Por edhe sot e kësaj dite nga “vitorja në vitore” po vemi, çka
nënkuptohej dje edhe sot: nevojtore, e
plot begati pylli ( alla Dulle) që trumbetojmë, - e mesa shihen bathët (a bythët-
lexoni si të doni) prapë po këtë mender do të kemi. Këta nuk e kanë për gjë t’u
thonë jo vetëm kundërshtarëve, por edhe popullit - nuk keni çfarë na bëni, veç
na rruani trapin.
Më vjen
keq, por këta farë deputetësh që ricikluan banditët e vjetër buroistë e
komunistë, të cilët më së shumti i kishin baballarë natyrorë, dobiçorë apo dhe
shpirtërorë, sipas ritualit djalli ia lë frymën djallit, por ia merr shpirtin
njeriut. Shumica e tyre pra, jo vetëm që
nuk kanë kulturë, janë rrapa e trapa, skërmisin dhëmbët si qen të tërbuar, janë
inatçinj, injorantë me kapacitet të plotë, por edhe diplomat i kanë marrë
aforfe. Janë zagarë me diplomë fallso. Dhe zagarët që dinë të lehin më fort i
kanë të gjitha gjasat të jenë në krye të listave elektorale të partive që janë
bërë si prostituta në kryqëzime trotuaresh.
Këtyre soj
sorollopëve pra, nuk di t’ua kemi dëgjuar emrin a zërin, a t’ua kemi parë fytyrën
spitullaqe në kapërcyell të vitit ‘90-‘91. Më thoni diçka të kenë bërë këto
palo burra që t’i meritojnë ato ndere e ylyfere që u siguron për bythën e tyre
të bukur ky shtet që sot më tepër se kurrë i ngjan Zululandit konician...
Merita
e tyre është se dinë të jenë servila të atyre që kanë mbi krye dhe të rrjepin
ata që kanë përposhtë. Ah po, të jemi të drejtë kur flasim, këtë e bëjnë më së
miri. Por themelorja, të jenë funksionalë
në lehje prej zagarit besnik të partisë nëpër panele televizive idiote... me imunitet
të plotë deri në kafshim, qoftë dhe duke ua lënë protezat në mish kundërshtarëve
politikë.
Më kot
ankohet Brizhidë Bardo se në Shqipëri i vrasin qentë... Jo moj bukuroshe
parisiane, jo, nuk i vrasim se na duhen, madje i mbrojmë me policë e me truprojë, me
bodiguardë po e po. I bëjmë deputetë në Parlament! Ua krehim bishtat e qelbur
dredharakë, ua spitullaqim flokët e shpifura, u kashaisim të prapmet e palara, bëjmë kujdes për makeup deri dhe në estetikën
e lëkurës duke ua hequr në bythë e duke ua vënë në fytyrë, prandaj dhe kur
dalin në foltore parlamentare duken vërtet fytyrbythë.
Gjithçka për zagar-mercenarët, këtë soj rrace që nuk e di kush na e solli, prej
cilit skaj kontinenti erdhi e në derë na polli, sepse asnjë tipar shqiptari nuk
kanë. A ndoshta do të jenë lëng stërlëngu
i “Muhaxhirëve” e penës së burrit të
madh të kombit Faik Bej Konica qëndisur në “Albanian” e tij këtu e 100 vjet më
parë:
"Shqipërinë e shesin për një
pesëshe...Se të kishin ardhur për mall të Shqipërisë, duhej t’ishin kombëtarë
të nxehtë e miq të parë me né që luftojmë kundër të gjithve për të mbajtur lart
flamurin e kombësisë. Po, jo! Ata vijnë të bëhen spijunë të Qeverisë.
Tradhëtojnë, hedhin në burg Shqipëtarë, tallen me vendin tonë. Edhe bukën tonë
hanë, edhe na lëshojnë….baltën e tyre përmi mesallë! Të kishin pakë ment Shqipëtarët, nukë këmbejnë as një
fjalë me këta zgjebët. Të mos ish kombi shqipëtarë një komb i poshtër e i
ndyrë, i dërgojin muhaxhirët n’Anadoll, me një shkelm prapa!"
Po kush
ta bëjë këtë o i madhi Faik Konica? Populli është në gjumë. Nanuriset i mjeri popull nën llomotitjet
e përnatshme të gojëve të skërmitura që të kujtojnë dhëmbëhekurin e përrallës në
Teatrit të Kukullave. Po, kur flë populli, a fundja është zgjuar e voton si i
dremitur, ngjet si në përrallën e maçokut,
ku maçoku flë e minjtë e gjirizeve hedhin valle ashtu siç dinë ta hedhin ata
rrufjanë, madje duke sajuar edhe
vidioklipe: kaq më dhe e kaq të dhashë -Vjedhim
bashkë. Po ma fute të bëra gjëmën - brenda e jashtë. Se kanë pas vetes gjykatën
pra. Gjithçka në një sini, me shtet, me ligj, me qeveri. Me gjykatë e polici. Ja kështu parlamenti ynë hiqet
rrshqanë, mbushur plot me derdimenë në Tiranë, vipa, rripa e garipa, në këtë
feudoshtet me zgripa, po festoka 100 vjet. Pis milet!
Çfarë bën
presidenti në ikje Topi do thoni ju, po këshilltarët
me se merren, luajnë tavëll? Pse nuk dekretojnë titullin “Llapaqenët e Kombit”,
sepse të gjithë minjtë, breshkat,
hardhucat, macet dhe qentë metaforike duhen dekoruar. Fjalë e thënë punë e
mbaruar. Edhe Zoti e filloi nga fjala. Fjala që shpesh rrëshqet si ngjala. Fol
dhe ti se je Zot e Kryezot në këtë vend kryekot, ku, edhe kolltukun po kërkon
ta zërë një soj muhaxhiri pijanec, o
President!
Botuar në librin "Zhgenjimi i Ambasadorit Amerikan" faqe 105-109, Pantheon Books 2012.