NJE AMANET QE S'E TRET DHEU
11 vjet më parë, me 7 gusht 2001 ra me tradhti prej
segmenteve të Shtabit të UÇK-së në bashkpunim me policinë sllavo-maqedone , në
një shtëpi të Gazi Babës kryetrimi i luftës së shqiptarëve në Iliriadë Komandant Teli -Lefter
Koxhaj, bashkë me luftëtarët e njësitit të tij “Teli-69”, Ndriçim Koxhaj,
Pajtim Roçi, Arben Bajrami e Abaz Beqiri. Edhe sot e kësaj dite kjo tradhti ka
mbetur enigmë por veç një gjë është e deklaruar që tradhtia ka ardhur nga segmentet
e Shtabit të cilët i sakrifikuan e tradhtuan djemt e masakruar nga frika se u dështonin
bisedimet që atë kohë zhvilloheshin në Ohër, çfarë përfundoi me vrasjen e djemve
natën në gjumë pasi i kishin helmuar dhe firmosjen e Marrveshjes së Ohrit, cila më shumë se paqen
gjysmake na kujton Tradhtinë e Madhe.
Komandant heroik Teli, ka mbetur i gjallë në mendjen e
zemrën e shqiptarëve
atdhetarë që mendojnë e punojnë për Bashkimin Kombëtar.
Lavdi të përjetshme djemve që luftuan për ideale të mëdha kombëtare. Ideali i
tyre le të vlojë në zemrat e të gjithë brezave të sotëm e të së ardhmes. Atdheu
është kudo ku flitet shqip, kudo u është derdhur gjak shqiptar, e kudo ku
pushojnë eshtrat e të parëve tanë.
Ky është amanet që s'e tret dheu...
Këtu keni një episod të luftës së Komandant Telit në
Haraçinë pjesë e një libri që po shkruhet.
K. Traboini,
6 gusht 2012
KOMANDANT TELI DHE FLAMURI NË HARAÇINË
Ngjarje e jetuar
Nga KOLEC P. TRABOINI
Një Flamur dhe një Hero.
Koha i solli të dy në Haraçinë në një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë
Çlirimtare Kombëtare. Beteja e Haraçinës i bashkoi edhe heroin edhe flamurin në
një simbolikë me dimensione kombëtare. Flamuri kishte një histori të gjatë
nëpër kryeqytetet e Europës. Heroi asokohe ishte ende fëmijë, ndoshta jo më
shumë se dhjetëvjeçar diku në fshatrat e Skraparit kur flamuri shqiptar me
shqiponjën e zezë dykrenare kish nisur të valëvitej në demostratat e
shqiptarëve nën thirrjet “Kosova Republikë”.
Në vitet `90 ndodhën
shumë ngjarje që do të shkruhen në histori. Me ardhjen e lirisë në Kosovë,
Flamurit i kishte ardhur koha të qëndronte në familjen Abazi në Haraçinë. Ishte
Flamuri i familjes, i krenarisë së saj si një vatër me tradita shqiptare.
Pranvera e vitit 2001
erdhi me luftëra në trevat shqiptare në Maqedoni. Jo vetëm njerëzit por edhe
flamuri si simbol i indentitetit kombëtar u përfshi në këtë luftë.
* * *
Në fillim në Haraçinë u
shfaq Teli me njësitin e tij special për të vëzhguar e pastruar terrenin. Më
pas erdhën trupa të tjerë të UÇK-së dhe Haraçina u shpall zonë e lirë.
Armiqtë u përpoqën disa
herë ta merrnin Haraçinën duke përdorur tërë arsenalin e ushtrisë. U përdorën
armët më moderne. Tanket dhe avionet u vërsulën si të çmendur mbi atë Haraçinë
që për nga shkalla e rezistencës po krijonte një legjendë. Ministri i
brendshëm, Lube Boshkovski kishte deklaruar se duhej t`i bënin gati një kafe që
ta pinte triumfator kur të mbërrinte në Haraçinë. Por ky ministër kriminel nuk
e piu dot kafenë në Haraçinë. Në vend të kafesë e pritën me plumba. Aq e madhe
ishte rezistenca e luftëtarëve sa nuk bënin punë as tanket e avionet.
Në një nga ditët e
luftimeve më të ashpra, Komandant Telit iu plagos luftëtari më trim në njësit,
Arben Bajrami. Sulmet e armiqve ishin të furishme dhe rrezikohej të çahej
mbrojtja. Për të shpëtuar situatën Komandant Hoxha i dha urdhër Telit që bashkë
me njësitin e tij të bënte një tërheqje taktike për të ruajtur forcat, por ai
nuk u tërhoq. Përgjigja e tij qe: - “Vetëm më sillni armatim se po mbaron. Nuk
i lë armiqtë të kalojnë veç mbi trupin tim”. Dhe armatimi erdhi. Madje erdhën
edhe disa forca të reja të freskëta nga njësiti Skënderbeu. Veç ta shihje
atëherë komandant Telin. I ngulur aty në llogore ai luftonte si një luan.
Shokët e tij e shihnin dhe nuk u besonin syve. Tek shihnin Telin që luftonte
atyre ju mbushej shpirti me besim. Atje ku ishte komandanti kishte vetëm
fitore. Ndërkohë që në frontin përballë duke e parë se nuk po përparonin asnjë
pëllëmbë tokë në Haraçinë kishte nisur paniku. Të vrarët ishin të panumërt. Por
as që mund t`i tërhiqnin trupat e të vrarëve sepse zjarri që lëshonte Teli dhe
njësiti i tij ishte i tmerrshëm. Dhe erdhi një çast kur trupat sulmuese që
kishin ardhur me aq pompozitet, sapo u përhap fjala se përballë në front kishin
Komandant Telin, i thërritën me zë të lartë njëri-tjetrit “"Begaj begaj
ide Zhica (Ikni, ikni se po vjen Teli").
Gjatë ditëve të
luftimeve kishte dhe situatë armëpushimi për tërheqjen e të vrarëve. Por ishin
të shumta edhe situatat e tensionuara kur predhat binin kamos si shi i metaltë.
Kaq i furishëm ishte sulmi i forcave qeveritare sa dikush hapi fjalë paniku
sikur luftëtarët e derrmuar kishin ngritur flamurin e bardhë për dorëzim.
Komandant Teli atëherë doli përballë ushtarëve të vet e u tha "Jo, nuk
jemi dorëzue e as dorëzohemi për të gjallë".
Komandant Teli kishte
parë në shtabin e improvizuar në një shtëpi një flamur, pikërisht flamurin e
familjes Abazi që kishte kaluar nëpër tërë Europën dhe në Luftën e Kosovës.
“Ky është territor i
lirë. Këtu do të valëvitet flamuri ynë kombëtar.”- tha komandant Teli. Dhe
urdhëroi komandantin e policise ushtarake të brigades 114 Jahi Vishticën, të
ngrinte Flamurin e kuq me shqiponjë dykrenore. Dolën Jahi Vishtica, Xhezmi
Nebiu dhe Baki Abazi dhe e vendosen flamurin. Gjatë gjithë ditëve të betejave
ai flamur qëndroi në ballë të Haraçinës.
Armiqtë që ishin
vendosur përballë e kishin halë në sy atë flamur dhe meqë nuk arrinin të çanin
frontin e mbrojtjes së luftëtarëve të UÇK-së, menduan të përdornin ndonjë
mënyrë djallëzore për t`ua ulur frymën luftarake. Nisën disa forca speciale me
qëllim që ta rrëmbenin flamurin e kuq me shqiponjën e zezë, pastaj atë rrëmbim
ta trumbetonin si një fitore, sikur shqiptarët ishin tërhequr në panik dhe
kishin lënë jo vetëm të vrarë, por kishin braktisur edhe flamurin kombëtar.
Ne realizim të planit
djallezor filluan të qëllonin me breshëri në distancë mbi flamurin. Qëlluan aq
shumë e pandërprerje dhe prisnin që me t`u rrëzuar flamuri nga shtylla, të lëshonin
forcat speciale për ta rrëmbyer. Një ushtar e njoftoi Komandant Telin se ç’ po
ndodhte në hyrje të Haraçinës: - “Armiqtë po duan të na rrëmbejnë flamurin.”
Djemt ushtarë të UÇK-së
u përpoqen disa herë por ishte e pamundur të afroheshe pranë shtyllës ku qe
vendosur flamuri për shkak të breshërisë së plumbave të forcave qeveritare.
Por erdhi një çast që
flamuri u shkëput dhe ra. Nderkohë Komandant Teli erdhi me një frymë në vendin
ku po luftohej për një flamur. Pa edhe disa forca speciale në frontin përballë
që nisën të përparonin drejt vendit ku kishte rënë flamuri. Atëherë ju tha
luftëtarëve të vet ta mbështesnin. Filloi një zjarr në të dy krahët. Nuk kish
më kohë të mendohej se çfarë duhej bërë. Nuk e pa të udhës të urdhëronte ndonjë
nga djemtë të shkonte të merrte flamurin në mes të breshërive të vdekjes.
I pa shokët në sy. Kish
një dashuri aq të madhe të Komandantit për ushtarët e vet. Jo ai nuk mund të
sakrifikonte asnjërin prej tyre. Shpëtimi, ushtari i tij trim që kish luftuar
në Kosovë dhe në Luginë të Preshevës ishte vetëm 21 vjeç, të tjerët po ashtu.
Si e vrojtoi terrenin me
kujdes krejt papritur, me një shpejtësi e shkathtësi që vetëm ai mund ta bënte,
Komandant Teli iu afrua shtyllës ku kish rënë flamuri. Shokët e njësitit nuk e
reshtën zjarrin për të mos i lënë armiqtë të qëllonin mbi komandantin. Në këtë
terren luftimi vdekja ishte e sigurt, por Komandant Teli nuk e kishte frikë
vdekjen.
Përmes plumbave që
vërshëllenin, me flamur mbështjellë pas gjoksit ai erdhi tek bashkluftëtarët.
Kishte djem luftëtarë që ju mbushën sytë me lotë. E përqafonin komandantin e
tyre dhe mendonin se ish njeri me flatra. Njeri që nuk e zë as plumbi pushkës
dhe as predha e topit.
Forcat qeveritare
përballë, kur e panë se flamuri tanimë ishte në duart e luftëtarëve të UÇK-së,
reshtën së qëlluari. Ishte krejt i kotë harxhimi i municioneve.
Përpjekje për t`u marrë
simbolin shqiptarëve kishte dështuar.
Tek e përqafonin
komandantin e tyre ushtarëte njësitit vunë re se flamuri kishte marrë disa
plumba. Armiqtë kishin dashur të vrisnin edhe Flamurin, por nuk mundën. As
Haraçinën nuk e morën dot, as kafenë nuk arriti ta pinte në këtë vend ministri i brëndshem i shtetit.
Në Haraçinë valonte
flamuri i lirisë, flamuri i shqiptarëve, simboi i shpirtit të tyre të
pamposhtur.
Për të mos dalë të
turpëruar në përpjekjen e tyre të dështuar armiqtë hapën fjalë me lajmin e
rrejshëm se vetë shqiptarët e kishin ulur flamurin në Haraçinë dhe në vend të
tij kishin vënë një flamur të bardhë kapitullimi. Mirëpo askush, madje as të
huajt, nuk besonin që kjo të kish ndodhur. Tani që forcat luftarake shqiptare
nga Haraçina e kishin fare afër Shkupin, u mor si një kërcënim serioz. Madje që
andej komandanda e UÇK-së deklaroi se nëse nuk do të tërhiqeshin forcat
qeveritare nga sulmet në Likovë e Mateç, do të bombardonin edhe aeroportin ku
kishin zënë vend avionet luftarakë qeveritarë.
Nuk shkoi shumë dhe
vëzhguesit e huaj vunë re se avionet luftarake qeveritare u ngritën e morën
rrugën për në aeroportin e Ohrit, larg zonës së luftimeve. Por edhe trupat
qeveritare u tërhoqen nga sulmet në zonen Likovë e Mateç, ku forcat e UÇK-së
ishin nën presion e të rrezikuara. Ultimatumi i luftëtarëve shqiptare kish bërë
efektin e vet në Shkup, por edhe qarqet diplomatike europiane u binden se
shqiptarët në betejën e Haraçinës kishin triumfuar, duke gjunjëzuar shtetin
megalloman që shpërfillte, shtypte dhe masakronte qytetarët e vet.
Të huajt bënë çfarë
ishte e mundur për ta shpëtuar shtetin që po gremisej në luftën etnike dhe bënë
presion mbi shqiptarët që të terhiqeshin nga Haraçina në shkëmbim të një
armëpushimi të qëndrueshëm por që kurrë nuk u respektua nga forcat qeveritare.
* * *
Mbas luftës, Flamuri me
shenja plumbash, që e mbrojti dhe e shpëtoi Komandant Teli, vazhdoi të qëndrojë
në familjen Abazi në Haraçinën heroike, atje ku u zhvillua beteja më e
lavdishme e shqiptarëve që tronditi themelet e një shteti megalloman.
Kur bëhen luftra vriten
e plagosen luftëtarët, por vriten e plagosen dhe flamurët.