TAKIM ME AMBASADORIN ARVIZU
Në promovimin e fondacionit “Ivanaj” nga Drita Ivanaj, shqiptaro-amerikane me banim në New York, rasti m’u dha të takoj ambasadorin amerikan Alexander Arvizu e të zhvilloj me të një bisedë të shkurtër.
I thashë Ambasadorit se kisha shkruar një libër “AKT NOW”- sipas idesë së tij për ndryshimin e gjendjes në Shqipëri, përkitazi “Zhgënjimit Ambasadorit Amerikan”, pjesërisht edhe në anglisht dhe ia kisha dërguar në Ambasadë.
- E kam marrë –tha z. Arvizu, pastaj vazhdoi- ti qenke autori? - Dhe nisi të buzëqeshte lehtë.
- Shpresoj ta keni lexuar- i thashë ambasadorit.
-E kam lexuar natyrisht. Ju faleminderit për librin, por...- e ndërpreu fjalën duke me parë me një vështrim të thellë e të zgjuar...- por është pak i ashpër - dhe buzëqeshi në mënyrë kuptimplotë.
-Po, – i thashë, - i ashpër është sepse unë nuk i besoj politikës dhe politikanëve të sotëm, më duken jashtë kohe.
Pastaj bëmë një fotografi dhe i shtrënguam duart përzemërsisht njeri-tjetrit. I thashë se ishte kënaqësi takimi me Ambasadorin e shtetit tim në shtetin tim. Edhe ai shprehu kënaqësinë e tij për këtë takim.
Kolec Traboini 29 nëntor 2012