24 April 2013

🟥 STANDARTIT T’I HIQEN BRAKESHAT- nga Kolec Traboini


STANDARTIT T’I HIQEN BRAKESHAT



Nga KOLEC TRABOINI

Në shkrimin, me titull “Të ribotohen “Rregullat e drejtshkrimit” të përmirësuara”,  botuar  në “Gazeta shqiptare” me 18 prill, Prof. Gjovalin Shkurtaj parashtron idetë e tij në jehonë të këtij kaosi ku jemi në fushë të gjuhësisë dhe të përpjekjeve pa sukses të gjuhëtarëve dhe akademikëve për t’i vënë Standartit ca paterica të drunjta. Punë e lodhshme kjo dhe pa dobi.  Ma shumë po duket si një luftë humbëse që edhe më tej Standarti të përdoret  si mjet përçarës e mbisundues i një dialekti mbi një tjetër edhe pas dy dekada të çlirimit prej totalitarizmit e  imponimit të dhunshëm  si në çdo fushë të jetës edhe atë të gjuhës. Nuk ka një mendje vërtet të kthjelltë e të shpëtuar prej hijeve të së kaluarës që të mos e kuptojë që vendosja e toskërishtes në bazë të Standartit është bërë prej dyshes Hoxha-Shehu dhe marionetave të tyre Kostallarë e kompani, e për të kuptuar këtë na vjen në ndihmë një studiues i madh, i dënuar dy herë dhe tërë jetën burgjeve të diktaturës. Kisha me thanë se a po i kujtohet emri i Nikollë Dakës prof. Gjovalin Shkurtit? Gjithë titujt që marrin profesorati i sotëm përpara fushës së dijevë të Nikollë Dakës, po duken qesharake. E tash kurrkush nuk po e kujton. Nikollë Daka ka shkruar bash atëherë kur mblidhej Kuvendi i Drejtshkrimit duke theksue se po bahej një krim e përçudni me dialektin gegë. Pra ja  që paska patur opozitë që  sado të heshtur e të shtypur të kenë qënë, i kanë dalë kundra ende pa u imponue këtij Standarti. Por pse bëjmë kinse nuk i dëgjojmë ende sot e kësaj dite zërat e tyre kundërshtues.
Ndaj qëndrimit të profesor Gjovalinit që rreh më shumë nga pozicioni i gjuhëtarëve konservatorë me prejardhje prej trevës  ku e kishte terrenin  korparmata(lexo çetat) e Hysni Kapos, do t’i thosha se le ta bëjnë të tjerët avokaturën e asaj ngrehine, por jo ti i nderuar profesor Shkurtaj. Aq ma tepër që ai Standart nuk mund të  përmirësohet duke u mballosur me do arna të vjetra nga rekuizitat e vjetra të gjuhësisë politike, por do parë më shumë kujdes baza në të cilën është ngritur. Kryekreje do pranuar se gegnishtja është parë ligsht. Gegnishta ka qënë si Hirushja e përrallës të cilën e fshihte shtriga për të mos dalë në pah bukuria e vajzës se hirit. Nuk e di si e pse, por  profesorin Shkurtaj, që ështe verior, jemi prej të njëjtës malësi, unë e shihja me shumë shpresë si një faktor për të sjellë një frymë konstruktive për të hapur arkapijat e gjuhësisë, duke ndikuar tek gjuhëtarët e Enver Hoxhës që t’i heqin brakeshat Standartit. Përkundrazi profesor Shkurtaj në disa artikuj një pas një, po shfaqet jo thjesht i përmbajtur, po kisha me thanë krejt i frikësuem nëse i hapet rruga gegnishtes. Po prej kujt ka frikë? Prej gjuhës me të cilën është mëkue në djep? Jo për atë Zot. Të vërtetës nuk ka askush shkak t’ia ketë frikën. Vihet re se profesor Shkurtaj po u lëshon pe më shumë sesa duhet atyre që konsiderohen konservatorë në këllëf, të ngujuemve në llogoret e bunkerët e monizmit ku vazhdojnë të këmbëngulin në mendimin që toskërishtja duhet të mbizotërojë edhe tutje,  se gegnishtja është e varrosur si kauzë një herë e përgjithmonë. Dua të theksoj se tek po shkruaj këto rreshta jam duke u përpjekur të përdor bash atë standart ku gegnishtja mjerisht thuajse mungon fund e krye, se kështu na kanë gatuar e uniformizuar në shkolla e univesitete. Ngushtësisht veç këto mjete te paka kemi në dispozicion. Por këtu nuk është thjesht nevoja ime për ta pasë të pranishme gjuhën e mësuar bashkë me qumështin e nanës,  por se, nëse ne e anashkalojmë si çështje mungesën apo praninë e gegnishtes në Gjuhën Letrare Shqipe, na do të jemi një degë e thame gjuhësore në trung të kombit. Si Profesor Gjovalin Shkurti edhe unë jam për një standart, por jo bash ky Standart i thatë e pa lëng jete. A nuk po e kuptojmë se na është tha gjuha? Edhe metaforikisht, por edhe realisht na është tha. Na u tha gjuha tue folë e shkrue për një problem të madh që akademikët bajnë ç’bajnë dhe e minimizojnë si një çështje e dorës së dytë. Na u tha gjuha edhe në kuptimin që gjuha shqipe në atë bazë fjalori që kemi është si një lis në vjeshtë që po i lëshon gjethet një e nga një. Po  për kë punojmë kështu?! Ne nuk pranojmë njëri-tjetrin. Ka shumë urrejtje për të folmen e gegnisë. Po pse? Standartin që natyrisht duhet ta kemi, gjuhëtarët ta mbështesin ku të duan, por ama një standart i hapur e jo i mbyllur, jo bunker, ku të lejohen të hyjnë edhe trajta toskë e gegë e përdoruesi të marrë variantin që i pëlqen pa ba ndonjë thagmë. A pranojmë të themi kryetar sipas trajtës gegnishte krye,  por nuk mund të themi sipas trajtës toskë kokë-tar, kokë-ministër, kokë-bashkiak...  e ashtu si ranë-ranishtë, kësisoj pse të mos pranohen edhe të tjera zgjidhje. Kthimi i nr, rotacizmi i famshëm, apo aë ka pas kohën e vet historike,  por jo në tërë trevat shqiptare, vetëm në një të tretën. Atëherë pse po bëhet ligj ky fenomen. Mbushur gjuha shqipe me gërmen ë sa me të çmënd, e kudogjendur vend e pavend. Sipas profesor Gjovalinit trajta e ligjësuar nënë mund të korigjohet me një kompromis zbutje, pra të kthehet në nenë, dhe kësisoj të anashkalohet trajta e madhërishme Nanë! Më falni për këmbënguljen, por jam mëse i bindur për sa po theksoj: nuk besoj se  gjen fjalë ma të bukur në gjuhën shqipe sesa trajta gegë e fjalës nanë. Pse duhet t’i ikim asaj trajte. Pse ka frikë profesori prej nanëlokes që u dashka ba e quajt nenëloke?! Po a është më mirë të shkruhet bërë apo ba, që në çdo pikpamje kjo e dyta tingëllon ma e bukur. Një trajtë e shkurtër, tejet konçize, sepse gjuhët gjithnjë përsosen duke shkuar drejt lakonizmit të shprehjes. Pse nuk shkohet madje edhe ma tej, ta pasurojmë gjuhën shqipe edhe me trajta të folme nga Diaspora se kemi Arbëreshët, për të cilët profesori ka ba studime të admirueshme. Po kemi Arvanitët. Pse po kemi frikë me e trajtue edhe temën e tyre? Ç’punë ka gjuhësia apo edhe historia me konjukturat politike në marrëdhënie me shtetet e tjera?! Apo siç i lamë grekët të na marrin fustanellën t’i lëmë ta shuajnë edhe të folmen arvanite të cilën ne nuk e njohim dhe as e marrin në konsideratë fare në planet akademike. I kemi braktisur degët e trungut tonë. Mjerë ne! Kemi ba një tradhti. Dhe vazhdojmë të vetradhtohemi si komb. Pse duhet arbërorët tanë ta ndjejnë veten të huaj në këtë farë standarti që është fund e krye dialekt i një treve të ngushtë gjuhësore. Madje këta kostallarianët edhe fjalën gegni na e thonë gegërisht. Nuk e di ku e kanë gjetë këtë trajtë të përçudnueme? Po a është më e bukur shprehja në këtë pleqëri apo pleqni. Pleqëroje këtë punë apo pleqnoje këtë punë. E para merret si fjalëformim, sikur pleqtë bëjnë roje dhe ka gërmen lodhëse ë. Gjithçka flet për të dytën, por gjuhëtarët e bunkerëve preferojnë veç të folmen poshtë Vjosës.
Mendoj se profesor Shkurtaj duhet të jetë më solid në mbrojtjen e të vërtetave gjuhësore gjithhapsinore sepse vjen prej trevës sonë të gegnishtes dhe e njeh bukurinë e saj, por  ia di vlerat edhe pasurisë së të folmeve të diasporës. Të mbrojë kauzën e hapjes së Standartit të kalçifikuar me prurje të reja. Duke prekur këtë problem  profesor Shkurtaj thekson: “Sigurisht, edhe ajo që vjen prej dialekteve, kur pranohet në standard duhet t'u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar.” – Bukur profesor, ngado që ta sjellësh elokuente kjo shprehje, por si do t’i përshtatet gegnishtja e Buzukut, Bardhit, Budit, Fishtës, Mjedës, Migjenit, Camajt, Zorbës toskërishtes, pra të shkojë si delja në shtrungë. Nuk është kaq e thjeshtë. Si mund të futet një kreshnik në djep. Eshtë edhe disi tejet vonë për t’ia kthyer në llastik shtyllën kurrizore Gegnishtes Letrare e për ta rrasur në ndonjë sënduk. Dhe çelësin e sëndukut ta mbajnë kostallarianët. Nuk është e qartë pra se kush prej dialekteve a të folmeve, duhet t’i përshtatet rregullave të drejtshkrimit, toskërishtja apo gegnishtja sepse përzgjedhja është thjesht një toskërishte letrare dhe është quajtur paradoksalisht, por edhe me në mënyrë diabolike Standart. Po njënjtshëm  siç u imponua  pushteti i Enver Hoxhës,  por falë zotit kemi shpëtuar prej fantazmës, anipse me keqardhje konstatojme se falë profesorëve të tij duhet t’i heqim pasojat e ideologjisë së tij.
Përtej kësaj, kush po punon që të mos shuhet ajo pasuri gjuhësore e gegnishtes letrare? Askush. Madje qëllimisht i lihet kohës që Standarti të quhet punë e kryeme e 70 përqind e shqiptarëve, po citoj Primo Shllakun, të na shfaqen me një të folme qesharake në përpjekje titanike për të theksuar toskërishten që si sapuni për djathë na shitet për Standart mbarkombëtar.
E dëgjova me vëmendje një  intervistë të akademikut Rexhep Qosja që foli ma së shumti për politikën. U torturua profesori nga Prishtina  duke dashtë me kenë elokuent në standartin e Kostallarit. Punë e lodhshme gjithsesi, e panatyrshme e megjithë respektin  që ruaj  për profesor Qosen më krijoi një shije jo të mirë në koloritin gjuhësor, sepse profesori nuk kish ardhë prej Gjirokastre po prej Prishtine.
Shtrohet edhe çështja se ku do t’i gjejnë krijuesit të lindur në Gegni  morinë e fjalëve karakteristike gegnishte, që mund të jenë në sasi po aq sa ato toske e besa ma shumë në trojet shqiptare, kur nuk botohet asnjë fjalor i Gegnishtes Letrare dhe as në FGJSH. Nuk futen veç me përjashtime sa thue që ma shumë gjen turqizma dhe sllavizma sesa fjalë me burim prej gegnishtes. Eshtë normalitet apo çmenduri që po lihet të shkojë dam gjithë kjo pasuri e madhe gjuhësore kombëtare. Kemi njëzet vjet që kërkojmë një fjalor të Gegnishtes Letrare e nuk po e gjejmë. Thonë është botuar një fjalor i Dom Nikollë Gazullit, por nuk gjendet kurrkund. Mos vallë ata që mbrojnë Standartin e mbledhin dhe e djegin duke të kujtuar inkuzicionet ndaj mendimtareve të mëdhenj? Shih pra koicidencat, gjuhëtari i madh Dom Nikollë Gazulli është pushkatue bash prej atij që u ba edhe babë edhe kumbar i Kongresit të Drejtshkrimit.
Me letërsinë gege ka fillue jetën e vet të shkrueme gjuha shqipe apo po e harrojmë Buzukun gegë e po shpikin ndonjë Buzuk toskë?! Ti themi gjërat siç janë e larg sofizmave. Standarti është thjeshtë toskërisht e gjasat, siç  po duket bathët,  janë që përdhunshëm edhe me tej ky Standart i standartizuem  kështu do të mbetet, mollë sherri si gjithçka tjetër e sajuar mbrapsht në këtë Shqipërinë tonë,  e kjo nëse nuk do të dimë se si ta rikonstrukturojmë shtëpinë e gjuhës në atë mënyrë që të jetë e natyrshme e jo imponuese e me heq dorë një herë e mirë  prej qëndrimit të fanatizuar. Më vjen vërtet keq, por jam i detyruar të them se megjithë respektin për profesor Gjovalin Shkurtaj,  edhe si malësor,  bij të xhubletës që jemi - siç më shkruan në një letër,  jam i detyruar të them me bindje të plotë se: këtij soj Standarti ku  gegnishtja gjendet e përjashtueme nuk i bën punë asnjë lloj viagre. Eshtë punë e kryeme. Në mos sot nesër do t’i bien kambanat. Amen!


17 April 2013

🟥 Atavizmat historike nuk e pengojnë dot zhvillimin e gjuhës - nga K. P. Traboini


ATAVIZMAT  HISTORIKE


Një shkrim i rinovum për shkak të aktualitetit të problemeve mohuese të Gegnishtes Letrare që për 50 vjet, pa da,  asht mbajt përdhunshëm në karaktinën e kostallarianëve si peng për prosperitetin tonë.

Nga KOLEC TRABOINI 
  
 - Atavizmat historikë të mbetura trashigim nga koha e mallkuar e diktaturës nuk mund të na ndalojnë që t’i japim oksigjen Gjuhës shqipe me gegnishten tonë, duan apo nuk duan memushët apo çuçkarët e një kohe mjerane pa lavdi që tashmë ka mbetur pas.

Një gjâ(gegnisht) – apo një gjë (toskërisht) nuk e kuptova teksa  po lexoja gjuhtarët që reaguan për një puç që qenka bërë  nga Akademitë e Tiranës dhe   Prishtinës, të marra së bashku. Ku është Puçi dhe çfarë konsiston me fjalën puç?! Mos vallë u duhet spjeguar gjuhtarëve dhe Media-Bumit të Tiranës se puçet bëhen për të marrë një pushtet e për ta zotëruar atë e jo për të ndryshuar rregullat në një fushë të shkencës, sepse gjuhësia është shkencë.  Po as kryetarin e Akademisë nuk e rrëzoi njeri.  As drejtorët e degëve të Albanologjisë s’i luajti.
Si mund të bëhet Puç në një kuvend akademik?!  Së pari këta gjuhëtarë, që po i bien kambanave të alarmit, u kish dashtë të mësojnë se çfarë ka ndodhur e pastaj ta merrnin shtruar ta spjegonin pa patur nevojë t’i thërritet terminologjisë militare të Enver Hoxhës. Se fjalën puç  tek ai e kemi dëgjuar më shpesh kur nisi likujdimin shokëve të vet të luftës e të fitoreve (lexo-krimeve mizore).
Gjuhtari Memishaj në gazetën Shqiptarja.com, në ditën e parë të korrikut 2012 e tani në prill 2013  në "Gazetën shqiptare" të njëjtës qemane i bie dhe shqipëruesi i romanëve  dhe i "Mukut të vogël" Shpëtim Çuçka. I pari  shkruante me indinjatë se këta akademikët gegë po na bëjnë gjëmën, duan ta bëjnë normë të GJLSH fjalën “dborë” në vend të fjalës “dëborë”, do të vendosin fjalën “drrasë” në vend të “dërrasë”, “kombtar” në vend të “kombëtar”( vërtetë hall i madh ky, po shtoj unë, se do të pengohet zhvillimi ekonomik i vendit pa gërmën e me dy pika në rrashtë në fjalën kombëtar) e të tjera torotisje si këto. Ndërsa ky Çuçka pa indentitet, si i shprehet me të drejtë Primo Shllaku, ky Çuçkë që nuk e di prej kah vjen në këtë botë shqiptare, na e paska  inatin e një mushkë me gegnishtën letrare, asëll asëll, me shkodranishten letrare të Buzukut dhe Camajt, të cilët i përgojon si një brrac, pa respekt e në mënyrën më ordinere me një sarkazëm që vetëm një përkthyes vulgar mund ti përdorë. "Të shpallet gjuhë letrare shqipe shkodranishtja" ironizon ky njeri i ngulfatur në mëllefe. Ky Çuçkë që i fryn zjarrit të luftës e ndasive si të ishte dishepull i Enver Hoxhës, na paska qënë edhe ambasador në Rusi e Itali e tani po don ti verë kufirin te thana gegnishtës letrare me urrejtje diabolike për shkrimtarët gegë. Eh more Çuçkë, e dimë mirë ku fle lepuri i urrejtjes tënde për shkodranët. I kemi ditur që tridhjet vjet ma parë. Eshtë urrejtja e partisë të cilës ti i përket. Shtoi kësaj dhe urrejtjen tënde personale. Histori të vjetra, që ne shkodranët i dimë, ato janë  si plagë lufte që gjejnë rast e infektohet. Plagë e vjetër  kusure të reja. Qofshin harruar!  Amin o Çuçkë!
 Po le të kthehemi tek Gjuha Standarte qe e keni kyçur në sirtaret-varr të Kostallarit, në bunker thuaj. Po gjeni një zgjidhje për këtë mosmarrveshje të madhe more të mençurit tanë të gjuhësisë dhe përkthyesisë. Mos përdorni po deshët as fjalën “dëborë” (toskë), as fjalën e propozuar (gegë) “dborë”, por zgjidhni të thjeshtën e të bukurën fjalën “borë” dhe ta përdorim të dyja palët e të mbeten të kënaqun, se të lumtur s’bëhet fjalë. Ka plot shembuj pa patur nevojë të konfliktohemi. Nëse kërkojmë brenda  gjuhësisë gjejmë zgjidhje, nëse vazhdojnë të kruhemi sikur kemi zgjeben, kurrë nuk do të merremi vesh.  
Pse ky hendek i madh në mes të gjuhtarëve. Pse disa e bëjnë kauzë mosndryshimin dhe qëndrojnë në llogoren e Enverit, të tjerët me dëshirën e revanshit lëshohen yrush të shkruajnë e këndojnë gjuhën vetëm në dialektalë. Pse të mos shtrohen e të bisedojnë se çfarë është më e mirë e më e bukur në këtë gjuhën tonë, të mblidhen në një kuvend si burra të ditur,  por i hedhin benzinë zjarrit, si politikanët edhe këta duke krijuar konflikte të paqena. Gazetarucët po gati se duan tema të reja, paçka se këto acarime krijojnë dëme të mëdha pikërisht atëherë kur gazeta i ka harruar se ka shpikur një konflikt të ri me puçiste në fusha të tjera.
Pa le kur krahu konservator i mosndryshimeve të përjetshme  ma mburrin Androkli Kostallarin që ka qënë një shërbëtor besnik deri në shpërfytyrim i klikës së Enver Hoxhes dhe tmerri i intelektualëve të vërtetë që i terrorizonte. Nëse këta profesorë që thërrasin për ca puçe, nuk kanë durim e aftësi të ulen e të komunikojnë me kolegët e tyre që mbrojnë një ide tjetër e janë për ndryshime, le të ikin e të shkojnë ku të duan. Ai që ndryshimin e konsideron regres e jo progres nuk ka vend në asnjë institucion kombëtar. Fundja Gjuha është e popullit e jo e gjuhtarëve. Ata thërriten për të ndihmuar e jo për t’u konfliktuar. Ne që e përdorim, e shkruajmë përditë gjuhën e bukur shqipe nuk duam as luftë e as imponim, na pëlqejnë gegnishtja e toskërishtja dhe gjejmë te dy dialektet kryesore pasuri të pafundme,  aq sa fjalori problematik i hartuar nga Akademia e Shkencave na duket mjeran, sepse ka lënë jashtë me mijëra fjalë të gegnishtes. Në përçudnimin e FGJSH e konsiderojmë një krim, ashtu siç u bë krim me gegnishten në kongresin famëkeq të drejtuar me dorë të hekurt personalisht nga diktatori.
Aq më tepër duke qenë me origjinë veriore ne nuk mund të lejojmë të mohojnë pasurinë e gegnishtes, sepse pa të dalim një gjuhë pa taban, pa peshë.
Gjithkush në botë rreket ta shtojë pasurinë e jo ta pakësojë, këtë e bëjnë veten gjuhtarët që kanë mentalitetin e kalcifikuar të Enver Hoxhës që jugu ta sundojë Veriun, siç predikoi për 50-vjet në të gjitha fushat e jetës, që nga ato kuadrovike, ato ideologjike, politike ushtarake dhe gjuhësore. Thënë hapur Enver Hoxha e ka deklaruar, por këta e fshehin, se do të flitet gjuha e fitimtarëve. Ne e fituam luftën, thoshte diktatori në rrethe të mbyllura, kuadrot tona drejtojnë dhe gjuhën tonë do të flasin të gjithë, duan apo nuk duan.  
Dhe a e dini cila ka qenë kënga që është kënduar e vallëzuar nga çobenjtë partizanët në Fush-Çelë në Shkodër, në fundnëntorin 1944-ës dhe në 1945-ën. Lexojeni në një ditar të Prenk Grudës (dëshmitar okular) “Ditari i një zemre të lëndueme”; fjalët e këngës janë:  “Kur e futi toska këmbën, mira ja q... gegën nënën, lule sofo lule djalë!” Dhe Klika e Enver Hoxhës ashtu ia bëri Shkodrës e Malësisë, dhe kur mbaroi punë me Veriun, ia bëri edhe gjithë Shqipërisë, duke na kthyer në një popull me një fat mjeran. Kështu ia bëri nënën edhe gjuhës, paçka se Rexhep Qosja e mbron atë kongres ku pati rastin të shohë gjithë Byronë Politike të KQ të PPSH, e ku ngriti dorën dhe ai në shenjë miratimi. Ai nuk mbron kauzën e Enverit, por nga sedra i vjen turp të pranojë se ndaj gegnishtes është bërë një krim. Nuk ka çajre pa e pranue këtë krim, sepse herët a vonë krimet e kriminelet dënohen, të paktën moralisht.
I dimë, të gjitha i dimë. Por nuk duan t’i kujtojmë. Madje duam edhe t’i harrojmë, por ama na lini, na krijoni hapësirë, që këtë pasuri të madhe me emrin - Fishta, Mjeda, Migjeni, ta sjellim e ta përbashkojmë në gjuhën letrare dhe jo ta anashkalojmë e ta hedhim.
 - Atavizmat historikë të mbetura trashigim nga koha e mallkuar e diktaturës nuk mund të na ndalojnë që t’i japim oksigjen Gjuhës shqipe me gegnishten tonë, duan apo nuk duan memushët apo çuçkarët e një kohe mjerane pa lavdi që tashmë ka mbetur pas.

Botuar në gazetën "Tirana Observer" 10 Korrik 2012

__________________________

Mesazh nga Lek Pervizi,
Bruxelles Belgique:

 Te lumte Kolec !
Nje nderhymje shume e drejte. Gegnishtja asht tradhtue dhe ata intelektuale gege qe kane ngritun doren per aprovimin e diktatit gjuhesor do kishte qene mire,qe, pavaresisht se jane shprehun me “amin o hoxhe” (sa mire kjo thanje popullore qe perkon me emnin e diktatorit),sepse e kishin, shpaten te varun mbi koke, por kur jane kthye ne shtepite e dhomat e tyne te vazhdonin me levrue gjuhen e nanes dhe te historise gjuhesor shqipe qe vjen prej shekujsh e ruejtun ne gegnishten me Martin Luterat shqiptare, si Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi deri te letraret e medhej si Fishta, Mjeda dhe Migjeni, ky i fundit u pranue (çudi) sa per sy e faqe nga vete gjuhetaret dhe shkrimtaret komuniste, por hodh ne koshin e plehrave pas kongresit famekeq, pse shkruejti gegnisht. Patjeter se po te kishte qene gjalle, do te kishte perfundue te zalli i Kirit si intelektualet e tjere shkodrane, por Zoti nuk desh ta çonte deri ne ate pike, dhe e mori ne qiell qe te vazhdonte te shktruente atje, po ne ate gegnishte te shenjte, per çdo shqiptar me mend, por jo per ata qe nuk kane fare tru shqiptari, se pershembull Kolec Topalli yne, shkodran den bab den, dhe shpi patriotesh, me baben te torturuem e te burgosun e t’internuem bashke me nanen e motren ne kampêt e Tepelenes e te Savres se Lushnjes. Po a ka ma turp se me mohue gjuhen e nanes e te babes e te gjysheve e stergjysheve shekullore qe kane folun e shkrue shqipen gegnishte? Te lumte Kolec, biles je tregue shume i bute e i aresyshem, dhe nuk di se ku qendron shamja ne shkrimin tand. Kritika nuk asht shamje. Rrofsh!

01 April 2013

🟣 SKËNDER SHERIFI- PROMOVIM POETIK ME MINISTRA - nga K.P. Traboini


SKENDER SHERIFI- PROMOVIM POETIK ME MINISTRA

Të gjitha ankimimet e Skënder Sherifit shkuan kot, u shkrinë si kripa në ujë. Nuk ja përbuzën pomovimin siç paragjykoi drithërueshem dhe anatemoi poetët shqiptarë në një intervistë në gazetën "Nacional" të djelen që shkoi për te cilet tha se : asnjë nuk ma ka lërë një gjurmë të thellë dhe definitive në sensibilitetin dhe shpirtin tim si poet.  Mirëpo ndodhi çudia për tu çuditur Brukseli e Tirana bashkë. E nderuan me superlativa aq sa nuk ja mbanin këllqet. Dhe e dini kush foli në promovim. Vetë Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë Aldo Bumçi, u pasua në foltore nga Ministri i Kulturës RS Visar Zhiti,  i treti foli dekani i Fakultetit Filologjik Shezai Roka, dhe natyrisht drejtori i Institutit Albanologjik Adrian Marashi. Mund të kenë folur edhe të tjerë por meqë mbledhsia u kthye ne një koncert balerinash si tek "Fiks fare"e zgjati shumë, si mora një kopje të librit "Silenzio" dola nëpër rrugët plot gjallëri e drita mbrëmasore tiranase. Mu fiksua mendimi se poezia më shumë qe jashtë ne rrugë se sa në sallën Black Box të Universitetit te Arteve të Tiranës ku muzika me tone maxhore të bënin të buçisnin veshët.
Thashë me vete, vallë kush gjeni poetik i botës ka pas lumturinë të flasin në promovimin e librit me vjersha të kohës së adoleshencës dy ministra dhe dy titullare në rang akademik.
Po poetët ku ishin? Të thjeshtët e të urtët poetë të cilët e urrejnë bujën e protokollet shpesh shpifanake.
Mesa duket Skënder Sherifi ka ditur të krijojë lidhje me hierarkinë e pushtetit por nuk po arrin të krijojë lidhje me poetët, ata që ndjehen të braktisur dhe jashtë vemendjes institucionale anipse krijojnë art të vertetë. E për më tepër libri "Silenzio" ishte fund e krye në gjuhën frenge dhe është e natyrshme që poetët e Tiranës ta ndjejne veten ngushtë. Përse do të flasin?! Ata janë dashnorë të zjarrtë të gjuhës shqipe. Nuk rrekën pas marrakendjeve tunduese të botës duke patur të bukuren e të emblen gjuhën shqipe këtu...

K.Traboini
4 prill 2013

SKËNDER SHERIFI I “DËRGON” POETËT SHQIPTARE ME STAZH NË TIBET
.....por u lë shteg edhe për në  Konia  të Turqisë në ndonjë teqe dervishësh.
Skënder Sherifi, poeti shqiptar me banim në Bruksel, i cili ndodhet në Tiranë për promovimin e librit tij në frengjisht "Silenzio", të cilin do ta paraqesë më 4 prill në ora 19:00 në Akademinë e Arteve, ka dhënë një intervistë në gazetën javore "Nacional" në të cilën krahas të tjerave ka fshikulluar shkrimtarët shqiptarë duke i vënë një sërë epitetesh. Nuk duam të hyjmë në diskutimin nëse këto perifrazime negative qëndrojnë apo nuk qëndrojnë, por ky mllef është i pazakontë dhe tregon se në mes poetit Sherifi dhe poetëve shqiptarë (qoftë edhe të ashtuquajtur) mesa duket ka një hendek të madh moskuptimesh si nga pikpamja e metodave krijuese apo dhe të vlerësimit të punës së tij ( z. Sherifi). Citojmë:
"…. janë tepër të murosur, të burgosur, dhe të kufizuar brenda botës së tyre... pos që janë supër arrogant, me deliriumet e narcizismit dhe të madhështisë së supozuar të tyre, me postura teatrale, me lloqe, me gjykime e paragjykime morale, me fiksime...".
Skënder Sherifi fshikullon rreptë  e pa mëshirë krijuesit shqiptarë në fushë të letrave duke i vënë para alternatives: o të shkojnë të bëjnë stazhin në Tibet ose nëse nuk kanë këllqe deri atje, të paktën në Konja të Turqisë në ndonjë teqe dervishësh. Kështu mendon e pohon Sherifi. Në këto kushte a do të shkojnë vallë poetët shqiptarë në promovimin e librit të Skënder Sherifit i cili është botuar në frengjisht (gjuhë të cilën poetët shqiptarë mbase nuk e njohin) apo do të preferojnë të qëndrojnë në "Silenzio"-n turko-tibetiane, me mendimin se ky mllef i poetit nga Brukseli, Skënder Sherifi, është një përpjekje tjetër për alibi, për të justifikuar indiferencën dhe mungesën e interesit në paraqitjen e librit të tij me poezi të shkruara në moshën 16 apo 17 vjeçare?!
Në këtë përcjellje u përpoqa të mos shfaq një mendim timin në këtë fshikullim të poetit nga Brukseli,  por gjithsesi do t’i kisha bërë një pyetje Skënder Sherifit, sa i njeh ai poetët shqiptarë, me kë takohet, a i fton për një kafé, a krijon miqësi me ta kur vjen në Tiranë, Prishtinë a Shkup, a i fton në Bruksel,  a kërkon librat e tyre, a e ka lexuar të paktën Frederik Rreshpen, RIP,  pse jo edhe poetët që ende falë zotit i kemi gjallë e krijojnë përditë. Nëse Sherifi nuk ka interes për poezinë shqiptare si autorët shqiptarë po kanë ambicjen me e lexue Sherifin. Eshtë e vërtetë që poeti Sherifi duhet të gjejë një mjedis të ngrohtë mes poetëve shqiptarë, të vlerësohet si një zë shqiptar në perëndim, ndërsa për dëshirat deri të pa cak për të qënë në krye të elitës shqiptare të poezisë janë vetëm sforcime, në krye del poezia nëse është poezi. Brrylat dhe tarafet janë sa kohë jemi gjallë, po më pas me largimin e arkeotipit, poezia përfaqëson vetveten.
Pra le t’ia lemë kohës krijimin  e hierarkisë, a thënë ndryshe, piramidën e artit poetik të letërsisë shqipe.

Kolec Traboini
1 prill 2013

 Pasazh nga intervista e Skënder Sherifit:
….krejt të tjerët mu dukëshin herët apo vonë, pas një momenti, super të formatuar, të kufizuar, dhe gati karikatural... sikur që më dukën edhe sot në Shqipëri, me përjashtim të disa personaliteteve, sikur ka qenë dikur Jusuf  Vrioni, dhe sot miku im I ngushtë zoti Artan Fuga! Pyetja është se nga vjen tërë ky kornizim, formatim, shablonizim, karikaturim, bunkerizim i individëve...? Edukata e tyre... mbyllja ekstreme... sistemi shoqëror e politik? Por është evidente, edhe te autorët më eminent që i kemi! Të merr mali pasi që ti takojsh me e shijuar parfumin e lirisë totale të vërtetë, me ikur në një Bjeshkë dhe me u mbushur oksigjen! E vërrejë direkt që janë tepër të murosur, të burgosur, dhe të kufizuar brenda botës së tyre... pos që janë supër arrogant, me deliriumet e narcizismit dhe të madhështisë së supozuar të tyre, me postura teatrale, me lloqe, me gjykime e paragjykime morale, me fiksime, diçka e pa besueshme, që të rëndon në dialogë dhe të plumbosë çdo gjë pikë së koti. Ndoshta me i dërguar në ndonjë stazh në Tibet ose në disa Teqe dervishës në Konja të Turqisë, e kapin pakë botën me një vizion më të lirë dhe më humanist, e pastrojnë pak a shumë qenien dhe shpirtin e tyre, nga të gjitha këto helme dhe toksina të pa nevojshme, dhe super të dëmbshme për krejt neve si shqiptar.
Interesant, pra unë në jetën time nuk e kam ditur se çka është inati ndaj tjetrit, nuk kam xelozuar askënd, nuk kam gjykuar askënd... Vetëm kam mujtë me thanë: ky person, ose ky artist më ka prekur mua personalisht në shpirt, dhe ma ka lërë një gjurmë me veprën e tij, apo jo... pikë! Dhe e kam shpjeguar sepse me argumente personale!
Dhe siç e afirmova disa autor shqiptar më kanë interesuar, dhe i kam lexuar me dëshirë dhe kuriozitet. Nganjëherë, më kanë prekur siperfaqësisht në një moment të caktuar... porse asnjë nuk ma ka lërë një gjurmë të thellë dhe definitive në sensibilitetin dhe shpirtin tim si poet... sikurse më kanë lërë gjurma të fuqishme disa autor, filozofë kineastë, muzikant, piktor e skulptor botëror. Pra ky është realiteti im subjektiv, siç e kam përjetuar unë vetë si njeri dhe si shkrimtar, pikë! Porse në të njejtën kohë, unë i respektoj artistat dhe krijuesit shqiptar për kontributin e tyre në historinë e artit dhe kulturës kombëtare, nuk i mohoj, as nuk i denigroj fare, e kanë vendin e tyre që duhet respektuar në familjen tonë dhe brenda kufijve tonë. Porse unë kam dalur prej lindjes jashtë familjeve, dhe kam përqafuar botën dhe kozmosin me kohë, dhe kam kritere dhe vizione krejt të tjera. Unë e kam një pozicionim të thjesht, logjikë, dhe të argumentuar, të lirë dhe pa inate të dëmshme ndaj askujt. I kam përjetuar, konceptuar, dhe praktikuar gjërat ndryshej, dhe pikë! Kështu që dëtyrimisht dalloj nga krejt të tjerët, çka është normale dhe bile banale. Kurse tani për të folur në lidhje me qendrimin e botës intelektuale e artistike shqiptare në Tiranë, ndaj meje: ka disa çudira e absurditete gati komike... Globalisht frankofonet e kryeqytetit, pedagogët e katedrës së frëngjishtës nuk më vinë fare në promovime të veprave të mia, edhe pse unë i thirri sistematikisht si dëtyrim moral ndaj tyre ?
As nuk më ftojnë kurrë... as që më propozojnë diçka si tip intervenimi ekstra në fakultet me studentat e tyre ? Pse ? A ju duket juve ky qendrim normal ? Pra ka diçka për mua patologjike në këtë qendrim debil e totalisht ilogjik. Pastaj bota krijuese shqiptare, do të thotë shkrimtarët, poetet, romancieret shqiptar që krijojnë në gjuhën shqipe, thuaja as ata nuk më vinë realisht në promovime, edhe pse i thirri shumicën prej tyre çdo vitë. Bile ma patë tërhequr vëmendjen mbi këtë realitet tragji-komik miku im Artan Fuga, duke më thanë: « por pse nuk të vinë... a i ke thirrur apo jo ? » pastaj i thoja: « po miku im, i kam thirrur, porse nuk kanë dëshirë për të ardhur ? është problemi i tyre! Nëse është nevoja, mund t’ua këshillojmë, dhe ofrojmë gratis, edhe nondi psikologë, ose nondi hoxhë, ose priftë, për t’ua përpunuar pak shpirtin e tyre! «Por e marrë atë punë me lehtësi dhe me humor, duke ju thanë : faleminderit për interesimin aq fisnik të juajnë ndaj veprës ime ; dhe po formuloj një lutje, që ishalla ju falë, dhe ju përmirëson zoti, aq sa është e mundur, se po më dhimbi jashtë mase! » Por mua në realitet më intereson Rinia si publik prioritar, pra gjeneratat e sodit, dhe aq më tepër ato që do vine, deri kah vitet 2050...Atyre dhe natyrisht mbarë kombit, ua kam destinuar AMANETIN tim letrar dhe shpirtëror si shqiptar universal e kosmopolit, si atdhetar, dhe si Poet! Nuk ka shumë rëndësi sinqerisht, se çka mendon nomenklatura ose establishmenti artistiko-letrar zyrtar i Shqipërisë, apo i Kosovës për mua. Mua m’intereson rinia e sodit edhe ajo e ardhshme, pikë. Nuk jam pjesë e atyre autorëve artificialisht të fryrë, të reklamuar, dhe të mbivlerësuar me mbështetjet e kanaleve shtetërore, institucionale, me ministritë, lidhjet, fondacionet, klanet, rrjetat e interesave reciproke, cirkuset komiko absurde të çmimeve... nuk është fareterreni im! Siç më thoshte Rugova, me siguri koha e ime do vinë mes vitëve 2030-2050, e jo tani!
Pastaj dikur patjetër me kritere super profesionale dhe të pa diskutueshme, do ti kapin gjeneratat e reja të asaj kohe që do vinë, të formuar nëpër Sorbonë, Oxford, Cambridge e universitete tjera të famshme, me doktorata në letërsi moderne, në kritikën bashkëkohore, dhe me provojen e tyre të pasur në Metropolat e mëdha ku luhet kultura botërore... vjen si diçka evidente e natyrale, një rishikim dhe rivlerësim riguroz, dhe shkëncor mbi baza dhe kritere serioze, çdo veprimtari artistike... dhe pastaj shifem shumë qartë, vlerat, dhe çka do ngelët në kujtesën historike letrare, kinematografike, pikturale, etj... Në një moment herët apo vonë, do të dominon e vërteta reale e objektive mbi vlerat, dhe jo mashtrimet, manipulimet, uzurpimet, dhe lloqet e ndryshme që dikur nuk do pinë më ujë askund. Porse tani nuk jemi ende në atë shkallë, as nivel, fatkeqësisht për neve! Kosova e viteve 76-80 e ka pasur nivelin mjaft korekt dhe interesant në art e kulture, dhe shumë më të zhvilluar dhe modern se Shqipëria, sidmos në poezi dhe teatër, pikture dhe sculpture, dhe kritika ishte në nivel nëper gazeta dhe revista të specializuara. Si Rilindja, si Fjala, etj... është e vetmja period ku kam pasur komente interesante mbi veprën time, bile një tentative shpjegimi dhe dekodimi, me një analyze interpretative personale të kritikit, me vend apo pa vend, por me argumentet e ti... Kurse prej vitit 80 dhe deri sot pra 33 vite, nuk e ke një kosovar që ka thanë diçka interesante mbi veprën time. Mund të them gati njësoj edhe për Shqipërinë, ku pos disa komenteve interesante, por tepër gjenerale e globale, të Artan Fugës, Edmond Tupjes, dikur në fillimet e vitëve 90, Moikom Zeqos, Jusuf Vrionit... jam present që 23 vite në Tiranë, me një vepër që ende për mua, ngelet në vitin 2013, e pa deshifruar, dekoduar, analizuar, interpretuar, studiuar, skanuar nga të ashtu quajturt specialista, kritikë, analista, doktora të letërsisë moderne, etj... Pra kam pasur dëshirë me mësuar diçka origjinale nga një studiues serioz shqiptar mbi veprën time... Nganjë here e pyes vetën : a e kanë lexuar me koncentrim maksimal, dhe a e kanë kuptuar sensin e saj? Nuk jam fare i sigurt.

Fragment nga  “Nacional”  nr. 192, 31 mars - 7 prill 2013

_________________________________

 SKENDER SHERIFI
FEMRA E ËNDRRAVE TË MIA
 
Kushtuar Simone de Beauvoir,
dhe Fatima Ben Bazar
 
Femra e ëndrrave te mia,
Ndryshon si moti në muajin prill,
Ka te gjitha pamjet e mundshme,
Vishet me mijëra ngjyra gjithë trill,
Gabimet e saj janë si bastet e Nohës,
Hartohen me kalimin e kohës!
E lehtë si një mace bardhoshe,
E egër si një tigër laraman me push
Më popullon vetëdijen aq ëmbël,
Agimeve të diellosura gjer në muzg.
Nimfë sensuale në muzën e një parajse,
Në çdo çast fluore, me forma të tjetërsuese,
E zgjedhon foljen “ të dua “ në trajta të skajme,
Kohëve të mendimit, me kërcime tutje.
E lirë si një zogushe, fluturimit të pacak,
E dehur në ajër mali dhe ujë burimi,
Qesh deri në vdekje e s’ndalet aspak,
Dhe loton pas puthjes nga gëzimi!
Kjo femër pa emër krakon në kokën time,
Si një sfinks magjepsës e gjigand egjiptian,
Mistike si një kujtesë inkase dhe acteke,
Perandorisë blu të qiellit të bukur mbi oqean,
Gjer në vdekje e dua këtë femër,
Këtë krijesë mistike si yll në zhdukje,
Bëhet për mua e pakapshme, e ethur,
Sikurse në kohën e Dukës se Germantes,
Dhe idealistët në të gjashtëmbëdhjetin shekull.
 
Janar 1975, në një metro të Brukselit

KAM ZJARR PËR TË JETUAR
Kushtuar: James Dean
 
Kam të papërballueshmin zjarr për jete në shpërthim,
Një plagë me dhimbje të kuqe që kërkon liri e shërim!
Përjetësisht i çmendur në një dashuri pa fund e pa skaj,
Digjem nga miliona flakë në klithmat e një bebe të pafaj.
Pa lindur akoma, si një filiz mes lulesh plot shkëlqim,
Nuk mundem të vdes pa krijuar ëndërr në amshim!
Sizif i panjohur në misterin fat-krisur plot mallëngjim,
Promete i zjarrit të dhuruar në mallkimin divin.
Rrëmbyer nga dallgët e çmendura të idilit në tërbim,
Përmbytem e notoj, ngrihem mes dallgëve në rebelim!
Udhëtoj, Odise në dete pafund dhe në kontinente vlere,
Shpirti im bëhet i lehtë e sublim, fluturimit nëpër etere.
 
Janar 1972, në një Park të Brukselit

__________________________

 
🟥 KOMENT NGA RESHAT SAHITAJ, KOSOVË🟥

Asnjëri në botë nuk shkon të studiojë gjuhen frënge apo angleze jashtë 
Francës , Belgjikës, apo Anglisë ose Amerikës e diaspora e jonë dërgonte 
studentët e dështuar në Kosovë pikërisht për ta studiuar gjuhën
frënge ose anglishten... Njeri prej këtyre studentëve nga Brukseli 
që studioi në Prishtinë, ka dy vjet na paraqitet ne media të Tiranës 
dhe Prishtinës si shpëtimtar i poezisë shqiptare dhe novator i një 
stili të “ri” poetik, stilit të “ri” të të folurit hundor, stilit të “ri” 
debatues e madje ka filluar të mësojë Tiranën dhe Prishtinën 
edhe si duhet ecur, si duhet... Të folurit hundor, kompleks i 
inferioritetit Pse ky farë “poeti i famshëm” e gënjen opinionin tonë 
duke folur sikur të ishte rritur me disa personalitete të njohura të 
filmit, muzikës dhe literaturës franceze e kurrë deri tash gazeta 
“Le Monde”, “Le Soir” nuk ia ka cituar madje as emrin?!
Është e vërtetë se emri i tij është përmendur në gazetën “Nr 1 Belgique” , 
por kjo është një fletushkë që shërben për shitblerje dhe shpërndahet 
falas, siç janë dy a tri të tilla edhe në Prishtinë. Pse e mashtron 
opinionin shqiptar se ka biseduar intimisht me legjendën e gjallë 
Gerard Depardieux , kur ky aktor njihet si tepër rëndë, saqë 
kur është fjalosur me djalin e tij nuk i ka folur kurrë, madje edhe 
kur u shtri në shtratin e vdekjes. Me Depardieux ky farë 
“shpëtimtari” ynë nga Brukseli ka mundur të bisedojë sa për 
ta bërë ndonjë foto, siç vrapojnë fansat e tjerë.
Pse ky “poet” në Kosovë e në Tiranë na paraqitet me të folur hundor?! 
Jam i bindur se stil i tij i të folurit hundor pas veti ka kompleksin 
e inferioritetit dhe tani me një folur të tillë dëshiron të na paraqitet 
si njeri që jetën e ka kaluar vetëm me francez dhe se është i ndikuar 
nga ajo gjuhë. Të folurit e tij hundor është fals, siç është edhe tërë 
jeta e tij, sepse unë njoh francez që e flasin shqipen, por jo me një të 
folur hundor. Njoh fëmijë tanë që kanë lindur në Francë dhe flasin 
shqip, siç 
flasin tërë shqiptarët natyrisht me një aksent të dobët, por simpatik. 
E ky farë poeti ynë e ka deformuar edhe shqipen, edhe frëngjishten 
për ta krijuar stilin e tij të imponohet me lehtë medieve të Prishtinës 
dhe Tiranës. 
Po të ishte kaq i njohur në Francë dhe në Belgjikë, mendoni se 
do të ketë aq kohë sa të sorollatët rrugëve dhe televizioneve tona?!
Poezi kushtuar E. Kusturicës nga Skender Sherifi Përmes 
medieve e nënçmon letërsinë në Tiranë dhe Kosovë, duke 
harruar se këtu është atdheu Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, 
Rexhep Qosjes, Ali Podrimjes, Esat Mekulit, Xhevahir 
Spahiut e shumë e shumë poetëve e krijuesve të tjerë të njohur. 
Si është e mundur që një poet që ka korrur suksese evropiane 
(siç deklarohet ai ne media) të humbë kohë me ne në Tiranë dhe 
në Prishtinë?!
Si është e mundur që redaktorët e medieve tona i japin aq hapësirë 
pa e verifikuar asnjë thënie të kritikës letrare të Perëndimit kur 
sot me internet bota është afër dhe çdo gjë verifikohet. 
Si është e mundur që redaktorët tanë i japin hapësirë “poetit “ 
që para dy vjetësh i kushtoi poezi Emir Kusturicës, 
bashkëpunëtorit më të afërt të Milosheviqit?! Pas tërë djegieve, 
vrasjeve, masakrave që Milosheviqi bëri në shqiptarë, poeti ynë 
gjen kohë t’i shkruajë poezi me admirim Emir Kusturicës, 
kundër të cilit edhe intelektualët francezë u ngritën kur ai po 
emërohej kryetar i Jurisë në Festivalin e Kanës, sepse ai njihet 
si përfaqësuesi më i fortë i luftës diplomatike të kriminelit 
Milosheviq kundër shqiptarëve. Apo redaktorët tanë e kanë 
harruar gjakun e derdhur të familjes Jashari, gjakun e luftëtarëve 
të UÇK-së, gjakun e bijve invalidë të luftës, e gjakun e mijëra 
të humburve që familjet ende i kërkojnë?!! Apo ndoshta jemi 
në kohën kur duhet të kultivohet bashkimi-vëllazërimi i sistemit 
të Milosheviqit! Unë nuk po kuptoj asgjë në këtë kohë turbullirash 
ku antivlerat na servirohen si vlera.

Reshat Sahitaj
Kosova Sot,  17 gusht 2009