12 November 2013

Antiamerikanada panikndjellese e ekologjiko-politikës- nga Kolec Traboini





Antiamerikanada panikndjellëse e ekologjiko-politikës


 Nga  Kolec TRABOINI 


Shtrohet një pyetje e thjeshtë; Pse po tundohen kaq shumë ekologjiko-politikët në rastin demontimit të armëve kimike që ende nuk ka marrë asnjë përfundim, kur po këta ekologjistë kanë vegjetuar kur Shqipëria është e mbushur me plehra në çdo fshat e qytet, në çdo lumë e në çdo përrua. Nuk i pamë para kryeministrisë kur ishte kryeminister Sali Berisha, njeriu i pushtetshëm që shtypte çdo vullnet të lire,  që e hiqte këmbëzën pa ju dridhur qerpiku mbi popullin. Ndoshta me alibinë se të vrasësh njerëz nuk është një problem ekologjik. O Tempera, o Mores! 
Nuk protestuan fare, nuk pipëtinë kur miku i tyre Berisha i Gërdecit, pa pyetur askënd (pyeti ndoshta vetëm ministrin e mjedisit, bashkgërdecasin Fatmir Mediu), në marrëveshje të fshehtë me agjentin ndërlidhes se tij me serbët, Damir Faslliç, solli nga Serbia lëndët kimike dhe i asgjësoi në Mjekës. Pyetja del mos ndoshta se kimiket e Serbisë janë më pak të dëmshme se ato të Sirisë kur dihet se të dyja këto vende nga Rusia i kanë marrë. Apo se ne rastin e parë ndërmjetës ka qënë Faslliçi me një thes me para (e të demontuar nga shqiptarët këto kimikate),  e në rastin e dytë rekomandimi vjen nga amerikanët të cilët sigurojnë se do t’i bëjnë me teknologjinë e teknikët e tyre e me sigurinë më të lartë. Diçka loz këtu me këtë antiamerikanadë, diçka që ka lidhje me segmentet e klanit të Zemunit të Sali Berishës që i intereson sa më shumë kaos për t’u kthyer sërish si hiene që ndjen erën e gjahut e gjakut.
Amerikanët nuk janë profanë në teknologji, por përkundrazi e udhëheqin botën në teknologji e në çdo aspekt tjetër dhe nuk është ajo që po shpifin agjenturat serbe të infiltruara e kamufluara nëpër demonstrata të njerëzve të thjeshtë të cilët janë alarmuar me të drejtë, sepse janë nën presion të një paniku që ushqehet përditë intensivisht, por edhe për faktin sepse askush nuk po dëshiron t’u shpjegojë se sa i vogël a i madh është rreziku. Aq më tepër që  çdo veprim bëhet nën kontroll e jo si në fabrikën e çmontimit të municioneve të klanit Berishë-Delijorgji, e në këtë rast është fjala për Berishën e ri, për të cilin fort pak po flitet, por gjëmën e ka bërë të madhe sa për  një bombë atomike.
Duhet bërë e qartë në publik sa përfitim e sa humbja mund të kemi dhe të përgënjështrojnë tërë këto legjenda  sikur gjoja disa po duan t’i zhdukin shqiptarët të cilat janë të gjitha shpifje me qëllim që në mes të Shqipërisë dhe Amerikës të krijojnë ftohje e situatë të pazakontë. Vetëm një qorr nuk e sheh të vërtetën se tërë ky panik është përhapur me qëllime të caktuara që Shqipëria të humbë sigurinë, qetësine,  statusin e krye kreje të humbë të vetmin aleat të vertetë të saj dhe çeshtja shqiptare pa këtë mbështetje të humbë një herë e përgjithmonë në Ballkan. Sa shpejt harruan se pa Amerikën, Kosova edhe sot e kësaj dite do të ishte Serbi, por disa shohin endrra me sy hapur, sikur gjithçka e bëmë vetëm ne me një grusht djem heroikë, duke harruar se heroizmi nuk është kushti i vetëm i një fitoreje të tillë të madhe siç ishte liria e pavarësia e Kosovës. Prandaj të mos harrojmë. E të mos nxitojmë.
Një mediokritet të pashoq shfaq edhe Media, madje deri dhe Televizioni Publik Shqiptar, për të cilin kam një shkrim të veçantë  duke e konsidderuar atë si një dështim total mediatik. Ai television po bëhet promotor i panikut tek na sjell në panele të drejtperdrejta njerëz me kundragaz sikur të ketë shpërthyer Lufta e Tretë Botërore. Mendoni efektin psikologjik në popull. Njerëz të tillë që krijojnë të tilla situata të frikshme në publik, që nxisin erën e antiamerikanizmit as meritojnë të punojnë nëpër institucione shtetërore dhe pa hezitim u duhet treguar se janë të padënjë për pozicionet që mbajnë si buxhetorë.
Jam i bindur se ata pseudoekologjikët fantazorë, që i shohin ujërat e vdekura prej pisllëqeve e heshtin, nuk do tu përgjigjen pyetje që u vumë në krye të shkrimit. As që do të marrin mundimin të kuptojnë se është njëqind herë më pak i dëmshëm shkatërrimi i armëve kimike në kushtet e një teknologjie të lartë nën drejtimin e specialistëve amerikanë, sesa djegia e plehrave dhe materialet plastike në çdo rrugë e shesh të Shqipërisë. Por këto pseudo ekologjiko-politikët janë të inçizuar si ingranazhe metalike që vertiten veç në një kahje dhe është krejt e kotë të përpiqesh t’i sqarosh nëpërmjet specialistëve kimistë kompetentë,  të cilët të japin sigurinë e një proçesi teknologjik nën kontroll të plotë e pa asnjë pasojë në mjedis. Atyre ekologjiko –politikëve nuk i intereson të dinë si realizohet një teknologji e sofistikuar moderne, por si krijohet një kaos e si t’i vënë flakën e alarmit njerëzve të thjeshtë që me të drejtë janë të shqetësuar sepse ndodhen nën një tymnajë mediatike që më shumë se kujtdo u sherben ujqërve të politikës.

nëntor 2013