27 October 2013

Për kolegen gazetare Zenepe Luka - nga K.Traboini

Zenepe Luka 1978


PËR KOLEGEN GAZETARE ZENEPE LUKA

 Nga Kolec TRABOINI

Kam patur në shkollën pedagogjike "Ndrec Ndue Gjoka" në Tiranë një shoqe klase nga Librazhdi. Ishte një nxënëse e urtë dhe e sjellshme, e zellëshme në mësime dhe rrinte gjithmonë në bangën e parë.  Mendonim se ajo do të dilte vërtetë një mësuese shumë e mirë.  Kishte dhe një shoqe të ngushtë shkodrane, Esmanë që këndonte aq bukur në mbrëmjet e shkollës “Bishtalecat palë e palë” sa na bënte ta këndonim të gjithë. Ishim në një moshë që gjërat na dukeshin të trëndafilta, ani pse diktaturë kishte shumë  hare në jetën tonë shkollore të cilën i kujtojmë jo pa nostalgji. Por edhe mësuesit tanë  Pjetër Elezi e Hajro Babameto, Vangjeli Çomora e Jolanda Xhomo- Pogu,  Liri Dodbiba e  Arqile Moisiu, Ismail Sharofi e Liri Bellova, mësuesin e vizatimit Qamil Grezda,  e që të mos harroj kujdestarin e konviktit Ndriçim Lako babain e artistit te njohur Bujar Lako.
Por koha e solli që as Zenepja, as Esmaja dhe as unë të mos  bëheshim mësues.  Do të mirrnim një udhë tjetër. Vite më vonë rasti e solli që të isha me Zenepen në të njëjtin fakultet e në të njëjtën degë, atë të gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Por ishim në kurse të ndryshme. Më kujtohet një rast kur Zenepja më dha për të lexuar një libër me tregime me kopertinë të grisur. Unë shkruaja tregime e ajo jo pa qëllim ma dha atë libër pa kopertinë e pa emër autori.  
- Lexoje, -më tha - por me kujdes. Janë tregimet e Bilal Xhaferrit.
I kam lexuar ato tregime të vëllimit  "Njerëz të rinj, tokë e lashtë" me një frymë dhe sigurisht fshehur në mes të librave të tjerë sepse autori ishte i arratisur e anatemuar. Dhe nuk ishte pa rrezik të kaloje dorë në dorë librin me tregime të një "armiku" siç e konsideronin aso kohe, aty nga viti 1972. Ndoshta Zenepja e ka harruar këtë rast,  por unë nuk e harroj kurrë. Ishin dhe mbresat dhe emocionet e fuqishme që përftova nga leximi i librit që ma bëri atë moment të paharruar. Nuk ishin vetëm tregimet historike  si “Purpuranti” por edhe rrëfimet, pjesë të jetës së vetë autorit kur ishte punëtor rruge në kthesat e Gjegjanit,  të cilat i sillte me realizëm dhe poetikë në të njëjtën kohë. Si verior që isha,  vija re se  askush asokohe  nuk i përshkruante  aq bukur e me aq dashuri  mjediset e njerëzit malësorë.  Madje më shoqëronin gjithnjë ato thirrjet që lëshonin fëmijët në përshkrimet e tij  buzëmbrëmjeve aty në lartësitë e luginat ku bashkohen Mirdita me Pukën. I isha shumë mirënjohës shoqes sime të fakultetit për atë libër aq më tepër se edhe unë sapo kisha dorëzuar librin tim me proza të shkurtëra dhe jetoja me ankthin e krijimit.
Tashmë që kanë kaluar aq vite,  Zenepa Luka është bërë një nga gazetaret më të mira shqiptare, një gazetare shquar e guximëshme dhe ne bashkënxënësit dhe bashkëstudentët ndjejmë kënaqësi për çdo sukses të saj.

Kolec Traboini
28 tetor 2013

NEXT: Revansh perandorak nëe Ballkan, në këtë link:

http://traboini1.blogspot.com/2013/10/revansh-perandorak-ne-ballkan-nga-kolec.html