22 November 2013

Televizioni Shtetëror...- nga Kolec Traboini

  Televizioni Shtetëror - e paguan publiku dhe e manipulon politika! 


Nga Kolec TRABOINI

Televizioni Shtetror  i mbajtur me paratë e taksapaguesve shqiptar është bërë një vend ku në vend të kulturës ushqehet mosdija në mënyrë të përditëshme. Punonjësit e saj janë përfshirë nga një rutinë  ku nuk gjen më asgjë interesante e të freskët që të mbajë gjallë kureshtjen e publikut për të cilin ajo ka detyrimet e veta si institucion buxhetor. Punët kanë ardhur deri aty sa ata që drejtojnë emisione e rubrika të vijnë e të drejtojnë një panel pa as njohurinë më të vogël në temen për të cilën bisedojnë. Kjo ndodh rëndomë.  Bëhen qesharakë kur pyesin, sepse siç thonë dëshërojnë të mësojnë diç më shumë për problemin. Dhe këtë e pohojnë “live” dhe me të drejtë shikuesi duke ngritur supet thotë me vete, kush e ka penguar  të mësojë pak më shumë sepse ai apo ajo një orë emision kanë, dhe ky emision është  veç një pjesë e punës si redaktor. Një drejtues emisioni duhet të jetë i mirë informuar  për problemin që sjell në ekran. Për atë problem duhet të shfletojë të konsultohet me liretaturë e specialistë paraprakisht.  Pra të përgatitet seriozisht.  Kësisoj mosdijesh  shfaqen shpesh për të gjitha fushat. E pyesin një autor në studio gjatë intervistës  për krijimtarinë letrare pa lexuar asgjë prej tij dhe është e natyrshme të notojë në sipërfaqe i gjithë emisioni.  Kjo ndodhi edhe në emisionin "Drejtpërdrejtë" ku u diskutua mbi asgjësimin e armëvet kimike. Të vetmin kompetent të ftuar, një specialist ish ushtarak i moshuar, i linin më  pak vend të fliste ndersa drejtuesja, arriti deri atje sa ti kërkonte  të thoshte  se si bëhet neutralizimi i armëve kimike (se në të vërtete,  tha ajo, unë dua të mesoj  nga që nuk di  gjë fare) sikur emisioni të bëhej pikërisht për të mësuar ajo e jo për të informuar publikun, apo sikur ajo të mos e dinte një ditë më parë se do ta zhvillonte atë emision.  Po kaq të vështirë e kishte kjo drejtuese të hapte faqet e internetit, të lexonte gazetat, apo të vinte në faqet tona në Facebook ku  kemi vendosur skemat  se si realizohet ky proçes teknikisht por edhe shkrime të përkthyera se çfarë thonë teknikët, ta zëmë Björn Arne Johnson , një kimist i cili ka punuar me armët kimike për më shumë se 30 vjet . Televizioni me këtë emision vetëm i fryjti akoma më shumë flakës së ankthit popullist që ndezin disa njerëz mbi rreziqet e supozuara me sikur kështu e sikur ashtu,  të sajuara pra,  në vend të mblidhnin një panel me specialistë kimistë e ushtarakë dhe ata me gjykimin e tyre edhe në bazë të përvojave të na thonin çfarë pasoja mund të kishim dhe me çfarë rreziqe do të përballoheshin.  Pasi që drejtuesja tregoi mosdijen e vet të plotë e mos përgatitjen serioze për një emision e problem kaq të ndjeshëm, kish organizuar edhe ardhjen në mes të emisionit  të një adoloshenti me kundragaz në dorë drejtpërdrejtë nga protesta përballë Kryeministrisë. Gjithçka në cektinë. Del nga një debat në  kufinjtë e një ore dhe asgjë nuk mëson.
Shumë pyetje shtrohen para këtij Televizioni që është majmur mirë dhe shkëputur tërësisht nga  qëllimi për të cilin duhej të punonte. A vazhdon ai ende edhe pas ndrrimit të Qeverisë  si një vegël qorre e segmenteve të zgjatura të politikës së mbrapsht të Sali Berishës sepse dihet që aty janë vënë të vegjetojnë, ata që kanë qënë itharët e ish kryeministrit e duan nuk duan do të vazhdojnë avazin e tij duke punuar me të njëjtën mëndësi.

Si mendon ky Televizion të dalë prej atij  pozicioni që në vend të përçojë kulturë përçon mosdijen, u bëne muaj nga ndryshimi i qeverisjes, a ka dalë ende nga tutela e vjetër dhe deri kur do të vazhdojë në pritje ky institucion i kushtueshëm? A po ripërtrihet ekipi që ai të mos jetë aq i rëndë sa të shpenzojë miliona euro dhe të jetë krejt i pashikuar, vetëm 3 përqind të shikuesve shqiptarë e ndjekin atë. Të kesh një të ardhur të mirë e të shkosh të drejtosh një emision pa asnjë përgatitje e pa pikë përgjegjësie kjo tregon se gjithçka në këtë Televizion Publik duhet reformuar. Së pari duhet lëvizur prej kësaj strukture të rëndë me njerëz të shumtë që vetëm marrin rrogat,  se ta zëmë çfarë i duhen këtij televizioni një repart, ta zëmë me afro 27 marangozë a thua si të ishte një fabrikë mobiljesh. A ka transparencë publike për shpenzimet e Televizionit Shtetror? Marrin para po a japin llogari për të mos u  bërë  ky institucion një thes i shpuar i financave shqiptare.  Ka një mungesë përgjegjësie totale në këtë institucion publik që nuk e ka ndjerë në asnjë sens ndryshimin që kërkohet në bazë të programit të kolacionit që fitoi zgjedhjet e 23 qershorit nën siglën "Rilindje".  Apo mendojnë se programi Rilindje ishte veç një logo, një sofizëm elektoral dhe se gjithçka mund të tejkalohet me disa arnime e mballoma e shko më tej.  Nuk besoj se do të mund të vazhdohet kësisoj sepse Televizioni Shtetror  është një barrë e rëndë jo vetëm për buxhetin e shtetit por se pari për taksapaguesit shqiptarë.
Një gjë që të bën përshtypje është se në konkurimin për në Këshillin Drejtues  të RTSH  janë 64 kanditatura, gjë e mirë kjo se ka mundësi përzgjedhje, por një vështrim i përciptë i listës të bie në sy se janë kanditatura 5 drejtorë instucionesh qendrore dhe një zëvendësministër, duke përfshirë ata të cilët sapo i kanë liruar vendet për shkak të rotacionit politik të pushtetit si rezultat i zgjedhjeve të 23 qershorit. Kjo dyndje e njerëzve që janë pjesë e skemave politike tregon se ky këshill është një gjah i mirë partiak dhe ky televizion publik do të vazhdojë të mbetet gjithashtu pre e politikës dhe publiku nuk do të ketë përfaqësuesit e vet ata njerëz që nuk janë nën sqetullat e politikës. I propozuar nga Instituti i Integrimit të Jetimëve Shqiptar  meqënëse i përkas kësaj kategorie, e shoh thuajse të pamundur vazhdimin e konkurimit kur ke para apo pas të tillë kuadro hijerëndë të mbështetur nga partitë politike.
Por kjo nuk ka rëndësi përpara faktit se edhe më tej janë gjithë gjasat e RTSH të vazhdojë të bëjë lojën e partive e fare pak të kryejë funksionin e vet publik e jashtë influencave të politikës ashtu siç duhej të ishte.

Gazeta SOT 22 nëntor 2013 f.15
NEXT-------->  Si e mundem Ameriken - satirë me politiko-ekologjikët-
http://traboini1.blogspot.com/2013/11/si-e-mundem-ameriken-nga-kolec-traboini.html