DHJETË VJET THIRRJE PËR SHTATOREN E
DEDË GJON LULIT
Dy fjalë për zotin Nikoll Camaj, Tuz,
një nga organizatorët e seminarit historiko-shkencor “Hoti ndër rrjedhat e
shekujve” i mbajtur në Rochester Michigan USA 23-24 nëntor 2013.
Nga KOLEC TRABOINI
Pa dyshim ishte një ngjarje e
shënuar dhe me vlerë seminari historiko-shkencor “Hoti ndër rrjedhat e
shekujve” i mbajtur në Rochester Michigan USA 23-24 nëntor 2013, sepse u mblodhën
studiues, historianë, gjuhtarë e të tjerë dhe folën për Hotin, megjithëse duhet
thënë se u ndje mungesa e shkrimtarit më të mirë të Hotit Anton Gojçaj si dhe Fran
Camaj e At Pashko Gojçajt.
Për Hotin gjithherë ke çka flet si kryevendi i Malësisë së Madhe kreshnike në histori. Si i Hot e përshëndes këtë ngjarje dhe i uroj për të mos mbetur veç në fushën e fjalëve por edhe të punëve.
Për Hotin gjithherë ke çka flet si kryevendi i Malësisë së Madhe kreshnike në histori. Si i Hot e përshëndes këtë ngjarje dhe i uroj për të mos mbetur veç në fushën e fjalëve por edhe të punëve.
Ajo çfarë kisha për t’i thënë njërit
nga organizatorëve kryesorë z. Nikoll Camaj mësues në shkollën e mesme në Tuz janë dy fjalë: një urim dhe një vërejtje
miqësore.
Urimi është se z. Nikoll Camaj
në fjalën e tij të mbylljes e ceku edhe problemin e ngritjes së një busti të
Ded Gjo Lulit atje ku ka rrugën me emrin e tij. Dhe kjo nuk është pak.U bëftë
ajo çfarë tha Nikolla.
Por zoti Nikoll Camaj, ndërkohë
nuk kish pse ta shfaqte këtë mendim si të tijin personal sepse kjo histori për
ngritjen e bustit të Ded Gjo Lulit nuk është e re e në ditë të sodit, ka mbi 10
vjet që është rrahur e rrihet në shtyp si të Tiranës por edhe në shtypin
shqiptaro-amerikan. U kish dashtë thënë të vërtetën të plotë dhe t’i linte nderin
e kësaj nisme gazetarit të "Zërit të Amerikës" dhe botuesit Gjek Gjonlekaj, që
nuk e pamë në atë tubim shkencor, i cili
i pari e ka nisur polemikën me botuesin e at'hershëm të gazetës
"Illyria" në New York, Ekrem
Bardha, i cili kishte inicuar në Tiranë, që në rrugën që mban emrin e Ded Gjo
Lulit, pas Muzeut Kombëtar dhe para restorant Piazza, ish pronë e tij, të vihej
monumenti i Trumanit. E kam mbështetur publikisht
Gjek Gjonlekën me shkrimin tim polemik të asaj kohe "Trumani apo Ded Gjo
Luli", që gjeti mjaft jehonë ndër
hotjanët e Amerikës. U kish dashtë të sqaronte se u bë debat dhe shqiptarët nga
Hoti në Detroit i kërkuan spjegime botuesit Bardha, i cili më pas në konsultë me
Ismail Kadarenë, e sipas sugjerimit të mënçur të shkrimtarit të madh, hoqi dorë
prej kësaj nisme. Madje Ekrem Bardha tregoi fisnikërinë e tij kur deklaroi se nëse
hapni fushatë për ngritjen e bustit të
Ded Gjo Lulit do të kontriboj me 1000 dollarë. Mirëpo edhe pse kam 10 vjet që e
ngre në shtypin e Tiranës dhe atë shqiptaro-amerikan, në biseda e intervista
madje dhe në takime në Tuz ku z. Nikoll
Camaj ka patur rastin ta dëgjonte, asgjë nuk ka nisur për realizimin e kësaj
nisme. Para disa muajve e takova
zotin Ekrem Bardha në Tiranë, në një promovim libri në Tirana Internacional ku gjëndej dhe presidenti shqiptar, e ja kujtova dhe Ekrem Bardha, si gjithnjë mirëdashës, madje shtoi po të vish në Detroit eja dhe tek unë.
Kështu i nderuar mësues i
gjimnazit të Tuzit Nikoll Camaj mirë do të ishte ta shpaloje më gjërë këtë temë
pa patur nevojë që në një auditor kaq të madh që u mblodh për Hotin të kalonte
si një mendim i thjeshtë që sapo të kishte lindur në kokë, si gjithë mendimet që kalojnë shpejt po aq sa
vinë, kësisoj padyshim që gjithçka vetëm tek
fjala. Shpresoj që kjo nismë 10 vjeçare me zanafillë në polemikën e Gjek
Gjonlekës, të ketë jehonë dhe busti i Ded Gjo Lulit të vendoset në rrugën me emrin
e Heroit.
Kolec Traboini
1 dhjetor 2013