PRISH E NDREQ, MORE MELEQ...
Nga KOLEC
P. TRABOINI
Me riardhjen e Sali Berishës në 2005,
vuri edhe telefona me epitetimin telefonat e stop korrupsionit, denonco. Mirëpo
nuk e këndoi gjatë këngën e luftës kundër korrupsionit sepse korrupsioni ja
kish marrë kalanë nga brenda prandaj dhe telefonimet qenë të pakuptimta. Ndaj i
mbylli duke i lëshuar dritën jeshile ekipit të çakejve të vet për të shqyer
krejt pasuritë kombëtare. Bënë katraurën rrufjanët e Sali Berishës sa ja kaluan
edhe atyre të Fatos Xhin Nanos, nëse ju kujtohet akoma ky emër, e ferrë në këmbë
nuk u hyri as atyre të ekipit tosist por
edhe këtyre të ekipit salist ndoshta prej pamundësisë apo paaftësisë të ekipit edist.
Drejtësia e këtij vendi me mentalitet tipik orjantal, i ka xhan hajdutët, pushteti
më nuk po i shan e nuk po ua përmënd më katastrofat që fundja populli i pësoi. Me këtë tarbjatin e ekipit të ri stoprrënimit
u mundova të vendos një foto ku tregohet një ndërtimi ri (ndërtimzeza thuaj),
jo në bregun e detit te jugut, as në gjirin e Lalzit që e kanë pronësuar
politikanët, pra hajdutët legalë, dhe ku
nuk bëhen rrënime për ndërtime pa leje, se marshalla këta derdimenët e politikës
janë konform me ligjet.
O i respektojnë këta ligjet që i hartojnë
vetë sipas qejfit, o askush, merre me mend, tjetri është dy metër deputet dhe
nuk i deklaron pasuritë. Pra bëjnë evazion fiskal pa ju dridh qërpiku, kur në
Amerikë për evazion fiskal shkon në burg qofsh edhe guvernator shteti apo
kongresmen. Këta tonët hiç fare, nuk u tundet postiqja. Këta e kanë shtetin si
rrake-take, lozin me të, popullin e kanë si kaloshinë, duan ja hipin, duan nuk
ja hipin. Por që të dalim atje ku e lamë, ka ende një faqe internetike “Stop
Rrenimit- dënonco”. Mirë kanë bërë që e kane sajuar por edhe pse u mundova një
orë të fus një foto nuk qe e mundur. Unë dërgo ajo spraps, sa desh më bllokoi
kompjuterin. Qënka si punë mushke italiane kjo faqe interneti - thashë me vete.
Se pse nuk qe e mundur nuk e di. Këta kanë hapur edhe faqe ku thuhet, apliko tani
për vend pune dhe aty të del një fushë e bardhë ku nuk mund të shkruash asgjë
sepse faqja është jashtë funksionit. Alibia gjëndet lehtë. Linja e
superngarkuar sepse aplikon e gjithë Shqipëria. Këtu janë të papunë të gjithë. Rri
e mendoj se Stop rrënimit të Durimit do të ishte një kapitull interesant por
kush ka durim nga qeveritarët të dëgjojë popullin. Se ja çfarë ndodh. Je në mes
të Tiranës dhe sheh si shtrohet në beton lulishtja publike pas Pallatit të Kulturës
aty përballë shtëpise ku banon poeti Dritëro Agolli. Ku nis e pyet se çfarë bëhet
këtu, shtrohet beton të thonë, a nuk e sheh, plasur i ke. More që është beton e
shoh por çfarë do të bëhët këtu. Parking më thonë, e ec më tej e mos na pengo
se e do padroni shpejt. Pyes një njeri që rri aty në stol para një ngrehine
fantazëm, çfarë do të bëhet kjo kioskë, i them. Ai i karrikes lëviz me nervozizëm,
por jo mor zotëri jo kioskë, do të bëhet kafene të rrinë njerëzia, të shlodhën.
A do të ketë edhe karrike pra kafene dimërore dhe verore, i them. Pooo, or ti,
ma kthen roja. Rri e vështroj atë katraurë që si rrobet e reja të mbretit nuk e
sheh askush. E them me vete, po ky kryetari i ynë nuk është ndonjë katundar pa
shije që partia e zbriti nga Qafa e Thanës dhe e Partia e bëri kryebashkiak. Po
ky është edhe çun Tirane more. Pastaj kthehem për nga nahija tjetër e
pushtetit, po mirë që u mbillka kanabis
në skërkat e Dugagjinit ku shkojnë e bitisen 2 elikopterë për 1500 rrënjë bime,
po këtë katraurën këtu kush e mbolli. Si e mbollën. Dhe pse nuk e sheh njeri
nga ata që çojnë elikopterët në Dukagjin? Mirë e bëri Bashkia se ky kryetari është
apo vimë apo shkojmë, pra është i ikur që tani e lëshon leje prej një të papërgjegjëshmi,
po pushteti pse nuk e ndalon. Pse hesht. Pse ben sehir me kryetarin, mire po i vë pranga kryeplakut se diku në mes
të maleve ai nuk i paska parë gjethet e kanabisit dhe nuk i ka denoncuar. Pse
nuk e rrasin në burg edhe kryetarin e bashkisë së Tiranës kur kafshon pronën
publike si ta kafshonte një simite me pogaçe Elbasani. Me siguri kanë gjetur
ndonjë modus vivedi se mbas një çerek shekulli gjoja i ka dalë i zoti. Po kur është
një lulishte publike të zotit nuk i lejohet të bëjë ndërtim, dëmshpërblehet ose
i kompensohet diku tjetër në një terren të lirë, por jo të ndertojë baraga në qëndër
të Tiranës. Po janë rrufjanë more ua gjejnë anën, këta bëjnë të firmosin edhe të
vdekurit që janë kalbur këtu e 50 vjet dhe kësisoj del prona e shpifet pronari.
Nga varri të ngrenë kur vjen puna të shqyejnë pronën publike. Ca thonë se në ca gjëra lëkurë përhinjturit
kur duan të çajnë kopenë dinë edhe ta ndajnë mes njeri-tjetrit. Për kafshimin bëhet
kompromis, ndërsa kurrë nuk bëhet
kompromis për goglat e dushkut parlamentar. Por ka edhe
ca individë që hanë me dy lugë. Mor ka kudo që hanë me dy lugë, është në modë, madje
unë di edhe njërin në ministri të qeverisë së re që hante gjithnjë me lugën e
Salës dhe titullari purpurant i ministrisë sa erdhi i dha një dorë. E zboi do
thoni ju? Jo more jo, e ngriti në detyre
drejtor drejtorie salistin e kalcifikuar. Sepse ku ka më të bindur se ai soj.
Se këta titullarët kanë një mendje të bukur për djallëzira, më mirë marrin si
kuadër një salist servil se sa një socialist kryelartë që të nxjerr probleme e
nuk të le edhe te fshish sipas qejfit. Kokëuluri rri si pulë, s’di të shoh, as gëk e as mëk nuk bën, ndaj e
kullandrisen si nuse fshati drejtor drejtorie. Nuk e kemi shpikur këtë mesele, është
e vërtetë e mbase vjen edhe dita ta themi se kush ministër apo ministreshë
punon me këtë lloj stili. Eh, more, sa gjëra ngjasin në këtë vend. Sa dengla
shesin në foltore. Çfarë të dëgjosh. Premtime e asgjë. Tollumbace politike.
Kanë edhe televizionet e veta ata që kanë uzurpuar Kinostudion ku çajnë defterin
politik. Realiteti është ky: kush ishte
pa punë nën Saliun mbeti i papunë edhe me këtë të riun. Po le të vazhdojmë si i
bëhet që këta në mes të Tiranës nuk e shohin karabinanë me llamarina, një lokal
që të kujton kioskat e qelbura anës Lanës dhe që i zhguli me rrënjë Edi Rama që
i lumtë. Po mirë për lumtën atje, po këtë
këtu pse nuk e ndalon, pse nuk i ve ruspat, pse nuk i ve sejmenet ta shoshitin
këtë mesele, kush ja vuri e si na mbiu në
mes të Tiranës betoni në lulishte? Por çfarë llogjike është kjo të shtrosh
beton në vend të barit, të zhgulësh drurët të bësh parking dhe kafene kioskë(tallave
thuaj) që vetëm pisllik do të krijojë. Ua fotografova po ku ta çoj?A thua kanë
dëshirë ta shohin. A thua bëjnë sikur nuk kanë parë gjë. Këta që shohin nga zyra edhe një gjeth
kanabisi diku në mes të honeve të Dukagjinit si nuk po e shohin binanë që e
kanë tek hunda. E pra këtu nuk ka nevojë për helikopter....mjafton një shetitje
aty ku bashkohet rruga e Barikadave me rrugën e Dibrës.
Nëse nuk e prishin por e lënë këtë
katraurë kafene parking në lulishte publike, do të thotë se qeverisja e re është
katandisur si ato që lyhen e përlyhen, na ruaj Zot, e si dalin në Pazar, tundu e shkundu që tua shoh bota sa të bukur e
kanë. Mjerisht të gjitha sistemet tona të tilla llazore pazari kanë patur tumllas...