21 August 2014

Na kanë krryer në gazetë...- nga Kol Shkodrani

NA KANË KRRYER NË GAZETË...
 “Shekulli”, 22 gusht 2014

 KOL SHKODRANI


E paska shfrytëzuar deputeti gazetën e vet për t'na sajdisur. Deputeti i Prrallamentit tonë Kombëtar. Oj-oj-oj...  Ky po që është lajm. Që nga kohët biblike një lajm i tillë “i mirë” nuk ish dëgjuar. Mirëpo deputeti i Prrallamentit na krreu. Për këte janë deputetët. Ti krrejnë punët. E çfarë është  berë nuk çbehët më. Palla që del nuk futet prap në mill pa fitore. Kështu janë punët kalorësiake.  Mirë ka bërë. Ky është një lajm e deli lajm për të treguar se si nuk bëhet gazetaria. Kjo tregon fuqinë që kanë ata që kanë pushtetin, kanë paranë, kanë prona të pafundme, janë milionerë e miliarderë kur në vitin 1990 ishin brekëgrisur si të gjithë ne të tjerët.  Për mua është një skandal mediatik. Për mua asnjë deputet që përfaqeson popullin nuk duhet të ketë gazetë personale për të manipuluar opinionin,  për të kundërshtuar e luftuar njerëzit e thjeshtë që nuk kanë asnjë mjet ku të shprehen, ku të mbrohen, që nuk i përkasin asnjë partie, e që mbrojnë interesat e popullit e jo të palikarëve të rinj që ja kanë hipur kalit nga bishti. Na e paska kënduar mirë deputeti. Mirë ka bërë. Ua ka ndezur bajgat dhe ca anonimëve që i bëjnë Hossanna! Rroftë Koço Kokëdhima !- thonë  itharët që i lëpihen kujdo që ka pushtet! Je mal i lartë-  i thonë. Ky  Traboini nuk është gjë përpara teje paçka se ka emër mali. Ky nuk gjen rehat e gricet me të gjithë palikarët e pushtetit, nga Bostoni në Tiranë. Çfarë nuk thonë sejmenet e deputetit. Edhe nëpër nevojtore publike dikur shkruanin më bukur se anonimët  e sotëm, e tani që ska më asnjë nevojtore publike, se i shitën kryetarë-leshët  e Bashkisë së Tiranës për pika karburanti,  laskandraqët nuk kanë ku të shprehin talentin ndaj  shkojnë e shfryhen në kollonat e gazetës së padronit. Bërrrr...tërë qelbësirëlleqët e kësaj bote.
Ani pse nuk kam gazetë, do e këndoj edhe unë këngën time, do e këndoj patjetër. Por mengadalë të na piqet zëri mirë. Pse të ngutemi, siç bën deputeti. Këtu jemi. Ai atje në maj e ne këtu poshtë.  Gazetë nuk kemi vërtetë por kemi Blog Internetik . Rroftë teknologjia amerikane, Rroftë Amerika se për këta faqezinjtë e kombit tim do të ishim sot pa zë fare. Dhe që ta themi hapur unë me Koçon e Qeparoit nuk kam asgjë personale, kemi gjëra që kanë të bëjnë me këndvështrimin dhe pozicionin ku ndodhemi, ai e sheh Atdheun nga lart ( shaluar), nga maja e pikaloit, unë e shoh nga poshtë. Dhe kur gjërat i sheh nga lart të duken të vogla,  e kur i sheh nga poshtë të duken të mëdha. Pastaj edhe ndryshojmë pakëz se pas shpatullave ai ka një rrap të gjysh stërgjyshit, siç e ka shënuar ne Wikipedia, katër breza në një rrap, goxha rrap, në bythë të cilit mund të kullandrisesh  me raki e të molloisësh histori, ndërsa  unë kam gjakun e tim eti atje në shkrepat e Malësisë në vendin që quhet Maja e Haramisë e ku trupi ju bë plagë nga plumbat për Atdheun.  Po këtu ndër palikarët e rinj ka një nëmë e ka një gjëmë,” kush punon për Atdheun e hëngërt dheu!”.
Ndryshojmë shumë vërtetë, prandaj dhe ai ka gjithçka e unë asgjë.
Kaq sa për aperitiv për ata që hanë e pinë nëpër Sheratona e ne jetojmë me 3 dollarë në ditë në këtë Shqipërinë e kusarëve e palikarëve,  krejt njësoj si me tallonat e Enverit. Na mori historia babam. Le tia themi:


ATA HANË NË SHERATONA

Ata hanë në Sheratona
ne na zë nata pa bukë
kjo Shqipëri s’qënka e jona
qënka vetëm për hajdutë
se janë kta që mbronë Fullanin
Cane seksin dhe shejtanin
ca boj-blu ca rjepa-kuq
popull shkreta rri gërmuq
mjer i varfëri, mjer Shqipëria
barkun thatë poshtë e përpjetë
mbet pa punë krejt rinia
por gjen punë kush seksin jep
s’pyet njeri per fukaranë
që prej skamjes vetën vret
rrofsh e qofsh, o deputet
që na krreve në gazetë
ku bën ligjin e Maliqin
vetë kadi, veli dovlet
janë kohë të vështira
plot ngatërresa molloira
që ti thuash do një jetë
do ti themi, mos ki dert:
- Ata hanë në Sheratona
ne na zë nata pa bukë
kjo Shqipëri s’qënka e jona
qënka vetëm për hajdutë
por ne s’ kemi ç’të humbasin
ndaj e ngremë zërin jehonë
s’është Atdheu i kusarëve
është Shqipëria jonë!

KOL SHKODRANI
22 gusht 2014