10 November 2014

I vetmi i fituar në vizitën e dështuar në Beograd është Edi Rama/ nga Traboini


I vetmi i fituar në vizitën e dështuar në Beograd është Edi Rama

Vizitë e padëshëruar nga serbët por e dominuar moralisht nga shqiptarët. Tashmë Rama me këtë përplasje në Beograd në mbrojte të pavarësisë së Kosovës, padyshim që e fitoi mbështetjen e popullit shqiptar të Kosovës dhe Preshevës. Kryeministri Rama ishte ai që fitoi në këtë vizitë dhe çdo shqiptar ka shkak për tu ndjerë krenar për qëndrimin dinjitoz ani pse asnjë rezultat pozitiv kjo vizitë nuk pati dhe mund të konsiderohet një dështim dypalësh. Por një krenari që nuk ka të bëjë fare me diplomacinë.

Nga Kolec TRABOINI

Kam qënë që kjo vizitë të mos bëhej sa kohë që gjendja ishte e tensionuar pas asaj që ndodhi më 14 tetor në Stadiumin "Partizani" i Beogradit sepse e parandjeja se në situata të kokave të nxehura  vështirë është të kesh një rezultat pozitiv në marrëdhëniet në mes dy shteteve me konflikte shekullore. Dhe me atë çfarë po shohim del se më shumë u tensionua situata në këto marrëdhënie të tendosura, e natyrshme kjo me vende që kanë pikëpamje të kundërta. 
E parë në planin diplomatik kjo vizitë po të mos bëhej nuk është se do të dëmtonte ndonjë gjë,  se ja ku jemi aty ku ishim , asnjë të re nuk solli në uljen e tensionit. Pra diplomatikisht kjo vizitë është një dështim dy palësh. Por siç është një dështim dy palësh sa i përket përmirësimit të marrëdhënieve ndërballkanike po aq e dobisjellëse rezulton në planet e brendshme elektorale populiste të dy dy liderëve, atij shqiptar dhe atij serb.
Ndjesia e publikut si andej dhe këndej është se udhëheqësit e tyre u treguan dinjitoz, nacionalist të kënaqshëm. Njeri ua përplasi në shtëpi të tyre faktin tronditës për psikikën serbe,  se Kosovën e keni humbur përjetë, ndërsa pritësi  e deklaroi hapur se përjetë nuk heqim dorë nga Kosova. Pyetja e parë që lind është, pse u mblodhën, mos pikërisht për ti treguar botës konfliktin e madh serbo-shqiptar apo për të thënë se po përpiqemi që këtë konflikt ta zbutim sa të jetë e mundur më shumë. Se edhe në diplomaci funksionun mënçuria popullore se në shtëpinë e të varurit nuk kujtohet litari. Në pikpamje diplomatike është dështim dypalësh sepse serbët nuk duan ndonjë lidhje me shqiptarët dhe e dëshërojnë dështimin. Presidenti i shtetit serb ikën se nuk do ta presë kryeministrin shqiptar. A nuk u vunë re se edhe protokolli e tregonte këtë mungesë dëshire, flamurët shqiptar të kufizuar në pritje në aeroport, ekzekutohen hymnet e vetëm një flamur serb përpara të cilit  fotoreporterët e fotografojnë Edi Ramen duke ju përkulur, madje edhe në konferencën e shtypit, kundër çdo praktike vendosën një pod, që kryeministri shqiptar të fliste nga podi me stemen e shtetit serb. Me siguri këto janë venë re nga Edi Rama, që nga brenda do të ketë bluajtur mendime të trazuara me jo pa ndikim në ato që do të fliste në konferencën e shtypit.
Pra në këtë sens megjithë brohorimat mbështetëse prej publikut nacionalist apo mbështetësve personalë që nuk dinë dhe as duan të dinë çfarë është diplomacia politika në të dy këto vende,  kjo vizitë më mirë të mos ishte bërë. Dhe megjithatë mirë që u bë. Të paktën  shtetarët politikanë ua thanë njëri tjetrit hapur mendimet që kishin, pa pikë diplomacie, hapur si ne stadium. Një përqasje tipike. Si e orkestruar që vijushmëria e përplasjes  të ishte  thuaj njëlloj.   Serbet pasues të kryeministrit Vuçiçi janë sa të pizmosur aq të kënaqur se u deklarua dhe një herë se Kosova është Serbi. Pra të dy palët nuk patën as taktin më të vogël diplomatik të mos i preknin çeshtjet e nxehta, ti anashkalonin apo bënin sikur nuk ekzistojnë. Po fundja mirë bënë. Por edhe të thuhet që është një vizitë pozitive nuk ka pikë arsye. Nuk mund të konsiderohet rezultative një vizitë thjeshtë për një firmë të kalimeve të kufirit me kartë indentiteti të qytetarëve të dy vendeve. Kjo marrëveshje mund të firmosej nga zevëndës ministrat pa asnjë shpenzim e pompozitet. Gjithësesi në plan të brendshëm të dy kryeministrat  punuar në interes të karrierës së vet në përpjekje për të fituar mbështetje. Kryeministri serb i mbetur në befasi nga deklarimet e hapura të kryeministrit shqiptar u mundua të mos i shkiste dheu nën këmbë në elektoratin mbështetës dhe bëri dhe ai deklarimet e veta,  por dhe u kujdes që të mos i jepte dorën kryeministrit shqiptar para kamerave televizive pas konferencës së shtypit.
Nuk kemi shumë interes të analizojmë se çfarë fitoi e humbi kryeministri serb Aleksandër Vuçiç sepse e kemi thënë dhe më parë, Shqipërisë nuk ka çfarë i duhet Serbia, që as kufitare nuk e kemi siç thuhet krejt kot në shtyp apo komunikimet e funksionareve tanë, mirëpo dikujt në Shqipëri i duhet Serbia dhe vazhdojnë të insistojnë në drejtim të Beogradit.  Por mund të themi se Edi Rama me qëndrimin e vet fitoi shumëçka përtej imazhit diplomatik. Si në rastin e dronit në fushë të futbollit Shqipëria u dënua por fitoi moralisht aq shumë sa është e papërfillshme shuma 100 mijë euro, po kështu Rama në Beograd fitoi shumë ani pse në plan shtetëror e marrëdhënie dypalëshe nuk pati asnjë përparim.
 Fitimi i Kryeministrit shqiptar i cili në këtë rast i shkon postulati romak cezarian “Veni, vidi, vici- erdha pashë fitova” është sepse për herë të parë në historinë e marrëdhënieve tona dypalëshe një kryemistër shqiptar pati kurajon e krenarinë tu flasë serbëve në shtëpinë e tyre si i barabarti në mes të barabartëve se koha e mosdëgjimit të shqiptarëve ka mbaruar, se shqiptarët guxojnë tashmë, janë një faktor në Ballkan tashmë. Kjo përbën histori. Kryeministri shqiptar fitoi mbështetje në krahinën e shqiptareve brenda Serbisë, Preshevë, por kryesorja më shumë se sa në Shqipëri dhe Preshevë fitoi në Kosovë ku dihej se popullariteti i tij ishte i vogël ndërsa i Berishës shumë i madh. Tashmë Rama me këtë përplasje në Beograd në mbrojte të pavarësisë së Kosovës,  padyshim që e fitoi mbështetjen e popullit shqiptar te Kosovës dhe e nxorri jashtë loje Berishën  që tashmë me çfarë u pa në qëndrimin e familjes Berisha në lidhje me incidentin në fushën e futbollit më 14 tetor 2014 në Beograd,  konsiderohet si një lob serb në Tiranë.
Kryeministri Rama ishte ai që fitoi në këtë vizitë dhe çdo shqiptar ka shkak për tu ndjerë krenar për qëndrimin dinjitoz ani pse asnjë rezultat pozitiv kjo vizitë nuk pati dhe mund të konsiderohet një dështim dypalësh. Por një krenari që nuk ka të bëjë fare me diplomacinë sepse diplomacia nuk ka të bëjë me ndjesitë që përjetojmë  si qytetarë të një vendi por së pari marrëdhënie që sjellin zhvillim ekonomik e ku përfitojnë të dy palët.
Të paktën të dy palët e mësuan se kush vazhdojnë të jenë, edhe pas 15 vjetëve të ndarjes përfundimtare të Kosovës nga pushtimi serb, se plagët e të shkuarës i kemi ende të pashëruara mirë dhe duhet shumë kohë që marrëdhëniet dypalëshe, tashmë të kushtëzuara me qëndrimin e kundërt për Kosovën, të vihen në rrugë të mbarë. Europa mesa duket kërkon që ne, shqiptarët e serbët të gjejmë vetë rrugën e mirëkuptimit, por e vështirë do të jetë pa përkujdesjen e diplomacisë euro-amerikane.

Gazeta Sot, Tirane  12 nëntor 2014 f. 16
I VETMI I FITUAR NË VIZITËN E DËSHTUAR NË BEOGRAD ËSHTË EDI RAMA
 
Gazeta Sot, Tirane  12 nëntor 2014 f. 16