30 December 2014

🟣Intervistë dhe foto e At Gjergj Fishtës me autografin e tij / Kolec Traboini



NJË INTERVISTË E GJERGJ FISHTËS NË SHTYPIN ITALIAN
Nuk dihet nëse është përkthyer e botuar ndonjëherë në Shqipëri

Në një takim disa vjet më parë me mësuesin Kel Vuji, veç bisedave për mësuesinë dhe malësinë tonë të përbashkët, Hotin, ra fjala edhe për At Gjergj Fishtën. Më kishte sjellë një fletë reviste në të cilën At Gjergj Fishta kishte dhënë një intervistë për një periodik italian. Mësues Keli e kishte ruajtur atë intervistë nëpër vite e për të mos u pikasur e kishte grisur fletën e fshehur diku mes librash, por nuk e dinte nëse ajo ishte përkthyer më parë në shtyp dhe a ishte e njohur prej studiuesve. Ajo fletë e printuar me cilësi të dobët, ka të shënuar pak gjëra që të mund të përcaktonim vitin apo diç tjetër, sidoqoftë në fundin e fletës shënohet emri i intervistuesit Ugo Cangiano dhe shënimi “Arti Lettera e Storia”. Nuk e dimë gjithashtu nëse ky emërtim është emri i revistës apo thjesht rubrika që mbulonte redaktori Cangiano.
Gjithsesi duhet të ketë qenë një revistë voluminoze sepse shënohet numri i faqes 319, kjo, nëse revista ndiqte si kriter rendin faqor për çdo numër të ri. Nuk dimë as nëse ishte revistë mujore, tremujore apo vjetore dhe çfarë vitit i përket. Gjatë kërkimeve emri i Ugo Cangiano del në një botim si redaktor i “Letrat e viteve të dhimbshme” të Giovanni Ruffini; Romë: botuar në “Antologjinë e re” në 1 tetor 1938. Pra kemi të bëjmë me një redaktor të letërsisë italiane. Ajo çfarë dimë e mund të na ndihmojë indirekt në përcaktimin e kohës kur është dhënë kjo intervistë është fakti se At Gjergj Fishta është zgjedhur akademik i Italisë më 3 qershor 1939, me ç’rast ishte si detyrim për anëtarësi që të qëndronte gjashtë muaj në Itali duke dhënë konferenca të ndryshme ndër institucionet e artit, kulturës dhe universitete. Prandaj mendohet se kjo intervistë është marrë në verën e vitit 1939, me shkakun se në fund të intervistës Ugo Cangiano shkruan se At Fishta në qëndrimin e vet të gjatë “në Itali, do të vizitojë luginat tona alpine” dhe është e natyrshme që këtë intervistë ta ketë dhënë pikërisht në këtë kohë.
Intervista e botuar titullohet “Atë Fishta në punë”, dhe krahas përgjigjeve, At Gjergji, gjen rast e citon edhe një fragment nga vepra e vet e re, e cila ende nuk kishte parë dritën e botimit, duke shprehur shpresën se me t’u kthyer në atdhe do ta botonte poemën melodramatike “Jerina ose mbretnesha e luleve” , që në të vërtetë si botim i veçantë do të shtypej vetëm post mortem në Shkodër, 1941. At Fishta e nis intervistën duke folur për një punë që kishte në dorë, tragjedinë “Hajria” dhe shpjegon elementët tragjikë të personazhit në një ngjarje të jashtëzakonshme gjatë pushtimit osman. Hajria vret burrin e vet, sepse ky e kishte prerë në besë vëllaun e saj, pra kunatin e vet.

“- Prej kohësh po punoj me një tragjedi dhe një poemë melodramatike.- nis intervistën Atë Fishta. - Tragjedia, të cilës i kam vu emnin “Hajria” zhvillohet në periudhën e sundimit osman. Një gru martohet me një malësor i cili tradhton lidhjet e gjakut dhe për një grusht florinj ia shiti armikut kunatin kryengritës. Atëherë gruaja për të vu nderin në vend e vrau burrin e akoma ma tepër edhe djalin e vet ferishte për të mos mbet në jetë fara e tradhtarit.”

Por më gjatë At Fishta në intervistën e tij, ndalon në paraqitjen e veprës së vet ende të pabotuar “Jerina ose Mbretnesha e luleve” dhe shtysën pse e ndërmori krijimin e kësaj vepre lirike. “Më e randësishme për mue, – thotë Fishta, - asht poema melodramatike që pritet me dalë së shpejti nga shtypi. Titulli i saj asht “Jerina ose Mbretnesha e luleve”. Fishta thotë në intervistë se poemën melodramatike e ka shkruar në përgjigje të një shkrimtari sllav Vladam Georgevic, i cili kishte thënë se shqiptarët nuk dinë të shkruajnë poezi për gratë.
“Dhe unë, frati, - thekson At Fishta, - shkruajta këtë poemë ku naltësohet bukuria femnës në formën e saj ma të pastër, sipas tradicionit popullor; sepse tek na ma së shumti grues nuk i këndohet për dashuni, por për bukurinë e saj. Dhe vazhdon: “Subjekti asht i thjeshtë. Lulet një ditë ju rebeluan mbretëreshës së tyne, trandafiles, dhe vendosën të zgjedhin një tjetër lule në krye. Por disa prej tyre propozojnë për të zgjedh mbretëreshë bijën e njeriut që quhej Jerina, e bukur si një hyjneshë. Zanat, që janë fuqia e gjallë në poezinë popullore, janë ftu të marrin pjesë në zgjedhjen që do të bahet nga tre kangëtarët e bukurisë: Homeri, që i këndoi bukurisë që shkaktoi luftën, Dante, që i këndoi bukurisë hyjnore, Petrarka, që i këndoi bukurisë njerëzore dhe harmonike. Kori, të cilin e kam trajtue nga tradita popullore, - vë në dukje At Fishta, - bashkon episode të ndryshme. Meqë po më kërkoni, edhe pse nuk asht në natyrën teme, me kënaqësi po ju citoj një pasazh të këtij kori. Po ju lexoj, intermexon e parë, atë ku lulet celebrojnë bukurinë e Jerinës:”
Fishta i reciton në italisht fragmente nga vepra lirike. Për faktin se lexuesi e njeh tashmë këtë vepër në origjinal nuk po bëjmë përkthimin por, po citojmë nga libri “Jerina ose mbretnesha e luleve”, botimi shqip pikërisht po ato vargje.


LULET

Kush e ka ballin si hana?
Kush e ka synin si dielli?
Kush e ka shtatin si Zana?
Kush e ka gazin si Prilli?

KORI

Ika'i Vashë,emnit Jerina
N'at Shqypni le, si prendvera,
Si ajo voesa mbi kodrina,
Si ajo Lulja qi i vjen era.

Duka e sajë si drita e agimit,
Fjala e sajë shkon tue ferfllue
Porsi flladi n'mes t'blerimit,
Ku rrinë Zanat tue mrizue.

Kahë t'i bjeri ajo ndoj vendi:
Si flamuri n'ballë t'ushtris:
Gëzon landa, guri e shpendi,
Nieri i falet Perëndis.

Si lum nana qi e ka rritun,
Si lum ajri qi asht tue e mbajtun,
Si lum rrezja qi a tue e shndritun,
Si lum toka qi asht tue e bajtun!


LULET E MALEVE

Oh rrnoftë!
E aj Zot prej qiellit,
Qi i fali mendt e kthiellta,
Q'i a shtroj ftyrës Drandofillet

E i ndezi m'ballë dy diella,
Aj rrugën i a shtroftë para
E i priftë gjithmonë ka' e mbara.
Përpara sajë potera

U shuftë, edhe duhija;
Çilët edhe e butë pranvera,
Kahdo t'i bjerë hija.
Për te çilshin zymbylat!
Për te knofshin bylbylat.

Intervistuesi Ugo Cangiano shkruan se At Fishta na përmend këngë të tjera të poemës së tij që planifikonte për t’i përkthyer në italisht. Ai shpreson që ta botojë në gjuhën shqipe me kthimin e tij në Shqipëri, pas një qëndrimi të gjatë në Itali, gjatë së cilës do të vizitojë lugina tona Alpine. Pastaj do të kthehet në Shkodër ku do të rifillojë punën e tij të dyfishtë fetare dhe të poetit. Ugo Cangiano e mbyll intervistën me këto fjalë: “- Puna –asht e randë – na thotë At Fishta duke u ndarë, - por qëllimi asht i bukur: të nep paqe dhe kënaqësi për shpirtin”.
At Fishta u kthye në Atdhe nga fundi i vitit 1939, ndërsa gjatë vitit 1940 u përkeqësua nga gjendja shëndetësore, sëmundjes së zemrës iu shtua dhe një e ftohur në mushkëri dhe mbylli sytë më 30 dhjetor 1940 pa arritur të shohë botimin e librit të vet lirik “Jerina ose Mbretnesha e luleve” për të cilin kishte një përkushtim të veçantë. Ndërsa tragjedinë “Hajrija” nuk e dimë a e ka përfunduar dhe a e ka parë dritën e botimit. Duhet të shtojmë se fotografia e përdorur në shoqërim të intervistës është e njohur ndër botime të ndryshme, duhet të jetë e vitit 1939 kur është pranuar akademik, por fotoja që është botuar në revistën italiane ka edhe firmën e At Gjergj Fishtës, çfarë e bën atë të veçantë, aq më tepër që nuk dimë nëse At Fishta të ketë shpërndarë fotografitë e veta me autograf veç rastit në fjalë.

©️Kolec P. Traboini

 
 


L

30 dhjetor 2014



KATËR INTERVISTA NGA KOLEC TRABOINI