NGA TRABOINI I
HOTIT VJEN NJË KËNGË PËR ATIN TIM
Marash Zef
Gojçaj erdhi nga Traboini i Hotit në Tiranë në përurimi e shtatores së Dedë Gjo
Lulit. U takuam e u gëzuam bashkë edhe me atë edhe me të birin e Zef Metit, i
cili ka qenë nga bashkëluftëtaret e tim ati në kryengritjen e vitit 1911. E
dija se unë isha i vetmi pinjoll luftëtarësh kryengritës sepse ka kaluar kohë e
gjatë, por ja që ishte edhe Palok Nicaj, i biri i Zef Metit. Në disa kujtime veteranësh të pavarësisë thuhet se Zef Meti ka pas një zë që
ngrinte malet peshë kur këndonte në gëzim të flamurit të Deçiqit në 1911, por edhe
grykëholla i këndonte bukur.
Në atë gëzim të
shtatores së kryetrimit të Malësisë Dedë Gjo Luli, Marash Gojçaj ma la në dorë një
CD. Kur të mbarojmë ceremoninë e shtatores, më tha do të shkojmë ta dëgjojmë
tek makina që e kishte parkuar tek Tirana Internacional. Katër burra të Hotit u
futëm në makinë e dëgjuam një këngë me lahutë. Palok Nicës,djalit të Zef Metit,
ju mbushën sytë me lot. Gjithë këto
histori mi ka treguar baba jem më tha. Po fliste për ngjarjet që përmendeshin në
tekstin e këngës të shkruar nga Marash Gojçaj e kënduar me lahutë nga Prëtash
Nilaj. Edhe unë isha i emocionuar aq shumë sa nuk po dija si ta falenderoja
Marash Gojçin e Prëtash Nilajn. Ishte një këngë për babën tim, Palok Traboini.
Besa mi ka pre krahët
kur ka ndrrue jetë, atëbotë kam qenë 5 vjeç,
i thashë Marashit, e tash ti po ma sjell në këngë e po më duket se është gjallë. Më mbeti mendja
tek ky akt i bashkëhotjanit tim, njeri me shpirt të madh. Ja pra që edhe
nëse ne i harrojmë prindërit tanë prej shukullimave të ditës, kur ata kanë bërë
diçka të mirë e me vlerë për këtë komb i kujtojnë të tjerët, sepse mirësia që ka
pasur ndokush, cilësitë që ka mishëruar, i kthehen edhe i vdekur në dhe në qoftë,
madje edhe sikur gjysmë shekulli të mos jenë më ndër të gjallët. Po i vdekuri qenka
më i gjallë se i gjalli ndonjëherë. Populli nuk i harron kurrë bijtë e vet që janë
përkushtuar për këtë komb, për tokën e lirinë e shqiptarëve.
Tani unë biri kam
në dorë këngën për atin tim Palok Traboini. E këtë gëzim me patjetër do ta ndaj
me miqtë e mi, me shqiptarët atdhetarë, idealistët kombëtarë, me tim bir e time
bijë, e me të gjithë bijtë e bijat e Shqipërisë kudo ku ndodhen. Mirënjohje për
çdo kënd që bën një mirë për tjetrin. Paçim fatin e madh të përjetojmë
bashkimin e kombit tonë, ëndrrën e shqiptarëve brez pas brezi.
Kolec Palok Traboini
28 nëtor 2015
https://youtu.be/gpUCAhH1ogc