13 November 2015

Talibankultura e qeverisjes- nga Kolec Traboini




TALIBANKULTURA E QEVERISJES

Nga Kolec TRABOINI

E panë te gjithë kalimtarët në sheshin Skënderbe transportimin e ikonave shekullore shqiptare si të ishin dru zjarri në pyll. Kështu veprojnë vetëm talibanët. Po a nuk e kuptoni përse. Ky lloj transportimi është mënyra më e mirë për të thënë më pas se disa prej tyre, ato të Onufrit sigurisht, kishin humbur gjatë transportit nga pakujdesia e kishin ikur në drejtim të paditur. Në të vërtetë shkojnë në drejtimin e duhur, tek ai që i dëshironte e meqë koleksionisti nuk ia dha, u gjet një mënyrë ligjore për t’ia hequr, për t’i shtetëzuar(dhe mirë u bë që u shtetëzuan), dhe një mënyrë tjetër e stërholluar për t’i transportuar dhe rrugës, po qe e mundur, pse jo edhe të firojnë. Rreth 200 vepra, kush i numëron. Në Shqipëri gjithçka është e mundur
Drejtori i Galerisë së Arteve, një vegjetues klasik, në paraqitje si një fisnik i hijshëm spanjoll i shekullit të 16-të, i katapultuar nga emigracioni drejtor si me urdhër të peshkut të artë, i sheh këto skena të turpshme në institucionin e tij, të denjë këto për talibanët dhe nuk reagon se nuk qenkan në kompetencën e tij. Kushedi ku i ka kompetencat e humbura ky njeri. Të shohësh si shkatërrohen vlerat kombëtare, dhe të heshtësh kur populli të paguan t’i mbrosh, ty të faltë zoti, o drejtor. Vazhdo të drejtorosh se mirë e ke.  Je aty për të marrë rrogën dhe e merr dhe kjo është detyra parësore e bash për këtë je katapultuar nga Italia, se këtu në Shqipëri mesa duket  nuk kish djem e vajza që mund ta bënin atë punë. Djem e vajza të talentuar e të shkolluar që rrinë papunë e aplikojnë për vizë amerikane. E jo pak, por 200 mijë.
Por le t’i kthehemi asaj që jo vetëm i ka kompetencat të plota e të tepërta, por edhe urdhëron të kryhet ky vandalizëm kulturor. Kësisoj ministresh kulture, që ka të vetmen meritë apo siç thonë CV që ka përkthyer tre libra në shqip, dhe u katapultua edhe ajo si ministre, kur nuk e ka idenë e kulturës shqiptare, që kësisoj mos pastë as Afganistani. Po kjo nuk ka idenë as të etikës publike, del duke kërcyer me një këmbë si pula në dimër, e në një ditë pranvere në Kishën Ortodokse përpara kamerave e publikut thotë në ditën e Pashkës: Gëzuar Krishtlindjet! U tromaks mileti...u gajasën sorrat.... Po një ministër i tillë kaq profan duhet të kishte ikur nga sytë këmbët e me e pakta të jepte dorëheqjen, por nuk do as ajo e as kryeministri. Sepse Kryeministri i ka ministrat e vet jo shërbëtorë të popullit, por si apostujt e vet, dhe meqë e ka deklaruar disa herë punën e pagëzimit të vet si gjoja katolik, kush e di,  mbase e ndjen veten edhe Krisht. Punë mendjesh. Veç ky Kryeministër që rrejshëm e quan veten katolik, sepse nuk është krezmuar, që lajthitshëm thotë se kam qenë ndër të 300-tët e meshës së parë të fshehtë më 4 nëntor 1990 në Shkodër, as nuk ka fare gajle për marrëzitë që shprehin a bëjnë ministrat e vet. Ministrja e tij e shkallmoi pllakën përkujtimore të Kinostudios, por kryeministri edhe pse u bë gurgule në shtyp, nuk u tund fare. Vazhdo i tha, dhe teveqelëria vazhdon. U pa së fundi edhe me vandalizmin qeveritar kur ikonat trajtohen si dru zjarri. Kuku moj nanë!  Kryeministri ynë pretendon të jetë piktor dhe kur shkon me punët e qeverisë nëpër botë, shfrytëzon këtë mundësi për të hapur ekspozita me vizatimet e veta, që për mua nuk janë art. Le të thonë çfarë të duan kalemxhinjtë që i darovit se i thurin lavde. Janë si ushtrime liceistësh.  Puna më e mirë e tij është portreti i një vajze, që e ka bërë këtu e një çerek shekulli më parë, të tjerat janë merre-lere. Duke e mbajtur edhe më tej këtë ministresh mediokre në detyrë, kryeministri tregon se sa artist është në shpirt e sa po i çahet trapi për kulturën kombëtare. Por edhe me atë projektligjin që hartoi, që na kujton nenin 55  të Kodit Penal të diktaturës, ai e ka pas hallin veç të na mbyllte gojën, se vetëm kjo gojë na ka mbetur. Tentoi me kokëfortësi e do ta kish bërë mënxyrën me ligjin (fole-shpife burg), por u gjend Evropa që i thirri mendjes se ku po shkon ky njeri me këtë revan dhe i tërhoqi kapistallin fort. Kot tha në intervistë Kryeministri që nuk tërhiqet. Harro mushkë Valarenë se Ali Pashain e prenë. Në fakt u zbyth faqe gjithë shqiptarëve dhe urojmë mos qoftë e para e as e fundit kjo zbythje.
Tani natyrshëm lind pyetja. A do të dënohemi ne për shpifje, për këto që molloisim  apo duhet të shkojnë në gjyq këta pseudo ministra që e trajtojnë artin e kulturën shqiptare si të ishin talibanë të tërbuar?
E kam deklaruar dhe e deklaroj sërish, për mua kjo ministre është shkatërrimtare e kulturës dhe si e tillë nuk meriton të njihet e as të merret në konsideratë. Për mua Shqipëria nuk ka ministri kulture, por ka vetëm një tufë vandalësh që herë pas here shfaqin fytyrën e vet të vërtetë. Kaq shumë po i duron ky popull, por këta të qeverisjes së marrëzishme nuk po e kuptojnë se janë bërë jo për vezë, por për pras.

13 nëntor 2015