Fotomontazh: Heroi Ded Gjo Luli dhe mësuesi kryengritës Palok Traboini në sfond të Flamurit të Deçiqit 1911. |
PREJARDHJA E HOTIT DHE
FLAMURI I DEÇIQIT
- Përkitazi me manipulimet historike-
Nga KOLEC PALOK TRABOINI
Gjithkush
në këtë botë mund të lajthisë. Mund të flasë pa përgjegjësi e duke anashkaluar
apo shkelur të vërtetat. Kjo rëndom është sëmundje e kohës ku jetojmë. Më së
shumti lajthit politika, lajthisin shtetarët kur tjetër flasin e kurrgjë në ato
që premtojnë nuk bëjnë. Nëse tek politikanët kjo edhe mund të pranohet, sepse
vjen rotacioni dhe bashkë me ikjen e tyre nga pushteti çdo gjë harrohet, në
disa punë e profesione të tjera lajthitjet kanë kosto të rëndë. Por, a është e
lehtë të kapërdihet lajthitja e historianëve, një fenomen që është vënë re që
pas vitit 1944 e në vazhdim dhe që për fat të keq vazhdon edhe pse kanë kaluar
dy dekada demokraci, anipse kohë e mjaftueshme për një reflektim të
përgjithshëm e heqje dorë nga stili i manipulimit mashtrues të historisë.
A
ka shkak që sot në kushtet e një lirie optimale të jemi ende skllevër të
mentalitetit të kaluar që historinë mund ta kullandrisin si e sa të duam.
Kushte nuk ka natyrisht, por mesa duket njeriu e ka më të lehtë të ndryshojë
botën se sa vetveten. Ne e kthyem këtë shoqëri në mjedis të lirë demokratik, po
a u kthyem vetë në demokratë të lirë në mendësi. Kjo është për t’u parë.
Nuk
e dimë si e pse, por historiani Romeo Gurakuqi në studimet e veta shkruan se
hotjanët e paskan pasur krye katragjyshin e vet një sllav, e se prej këtij
sllavi e paskan prejardhjen historike si fis. Mirë kur nuk thotë se dhënia e
Hotit Malit të Zi me vendimet e Londrës 1913 na qenka e motivuar me shkakun e
atij gjyshi fantazmagorik. Lexoni çfarë thotë ky historian:
“Hoti
e ka prejardhjen nga një farë Lazer Keçi, me babë sllav, i ikur nga Piperi prej
përndjekjes së turqve. Hoti megjithatë, si emër gjeografik, njihet në fakte që
nga Mesjeta.”
-
Referenca: Romeo Gurakuqi, “Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit
1911”, monografi, 2002, Shkodër, (në faqen 11, fusnota nr. 6).
Ky
është një deformim i dyfishtë e më i shëmtuari që mund t’i bëhet historisë së
një vendi, të një populli a të një krahine duke shitur të pavërtetat si të
vërteta.
Kushdo
që është me origjinë nga Hoti apo që jeton ende në Hot të vjetër apo të ri, e
di mirëfilli gojëdhënën e origjinës së vet. Por veç gojëdhënave, kushdo që merr
përsipër të shkruajë, kërkon edhe materiale të tjera historike apo arkivore.
Dëshmitë
më të hershme për banorët e Hotit janë aty rreth vitit 1330. Ndërsa diku në mes
1356 dhe 1362 pas pushtimit të Shkodrës nga Balsha I, shumica e njerëzve
indigjenë të Hotit e braktisën zonën e Malësisë dhe u vendosën në fushat e
Plavës dhe Limaj (afër Pejës, në Kosovë). Pas kësaj lëvizjeje, popullsia e
mbetur në Hot ishte vetëm rreth shtatë shtëpive. Shfaqja e Otomanëve në Ballkan
solli presione mbi popullsitë vendase në veri të Dalmacisë, të cilat nisën të
zhvendoseshin më në jug. Pas pushtimit turk të Hercegovinës në 1476, të
Arbërisë në 1478 dhe dorëzimin të Shkodrës nga ana e venedikasve në 1479, sipas
rrëfimeve gojore në Hot, një njeri i quajtur Keqa Preka dhe bijtë e tij u
zhvendosën nga zonat veriore në Hercegovinë drejt jugut. Njëri prej bijve, Lazer
Keqi u vendos në malin buzë liqenit të Shkodrës ku gjetën një popullsi që
fliste të njëjtën gjuhë si të tyren, pra gjuhën shqipe të gegnishtes. Dhe aty u
vendosën banorët e rinj të Hotit që janë edhe sot e kësaj dite.
Pse
historiani na e nxjerr këtë shpërngulje nga Piperi, një hapësirë tjetër gjeografike?
Mos vallë për ta nxjerrë sllave? Krejt e gabuar edhe kjo përpjekje sepse Piperi
është formuar nga një shqiptar arbëror, Pipër Keqi biri tjetër i Keqa Prekës, i
cili u vendos në atë vend që sot mban emrin e tij Pipër. Të gjithë këta fise
ishin katolike pa asnjë lidhje me sllavët çfarë vërteton të kundërtën e asaj që
shkruan historiani Romeo Gurakuqi, pra se banorët e sotëm të Piperit janë
shqiptarët e vjetër, të një fisi e vëllezër gjaku me hotjanët, por ndryshe prej
tyre nën presionin e fiseve sllave u konvertuan në ortodoks dhe humbën
etnitetin.
Po
pse historiani në fjalë nuk merr në konsideratë faktin se popullsia që po
rrudhej në shekullin e 15-të ishte shqiptare, kur dihet se shqiptarët jetonin
në tërë bregun Dalmat dhe ajo pjesë që mbeti, me përjashtim të Raguzës-Zarës në
Kroacinë katolike, më vonë u shkombëtarizua, kanë humbur gjuhën dhe fenë, por
në kujtesën e largët mbetën gjithnjë shqiptarë. Edhe vetë Mark Milani,
kryeministri i Malit të Zi, në dejet e veta kishte gjak shqiptar, anipse konsiderohet
“shqiptarvrasësi”. Nuk është aspak e besueshme që një popullsi tipike luftarake
si Hoti, krenare për shqiptarinë e vet, që për pesë shekuj nuk ndërroi etnitet
e as fe, të paskësh rrënjë historike si popull sllav. Nuk e dimë se ku i merr
këto të dhëna Romeo Gurakuqi, por dimë se kjo është fyerja më e madhe që i
është bërë Hotit e hotjanëve, që Fishta i madh me “Lahutën e Malcisë” i vuri në
piedestalin e kombit shqiptar, Ndre Mjeda po ashtu.
Si
është e mundur që kur mblidheshin krerët e shtatë Malësive ia linin kryet e
vendit një burri prej Hoti, kur ata qënkan një pjellë sllave. E përsëris: nuk
është e mundur, as mëndja më e sëmurë nuk mund ta shpërfytyrojë Hotin në këtë
mënyrë, duke e prekur në palcën e vet të shqiptarizmit. Masakrat që sllavët
kanë bërë mbi Hotin kanë qenë të panumërta. A e dinë historianët tanë se pse
hotjanët në shekullin e 19-të vunë në krye rubat e zeza? Pikërisht prej
masakrave që u bënë sllavët mbi djemtë e Hotit. Kujtojmë veç një emër vendi ku
ekzekutuan rreth 100 burra të Hotit, ai është Samoborri - një emër gjaku në
histori.
* *
*
Duke
qenë vetë një pinjoll i njërit prej atyre që bënë luftën për pavarësi, që morën
pjesë në kryengritjen e vitit 1911-1912 në Malësi të Madhe, duke qenë pra i
biri i atij që mësuesi Gjush Sheldia në shënimet e tij e cilëson “Mësuesi Palok
Traboini ka qënë sekretar i Ded Gjo Lulit” gjatë kryengritjes së vitit 1911,
gjithmonë i kam ndjekur me shumë vëmendje botimet historike, qofshin këto
libra, artikuj, dokumente të botuara, aq më tepër se në rastin tim e vërteta
kombëtare lidhet pazgjidhshmërisht me të vërtetën familjare. Në këto kërkime të
mia pasionante kam mundur të njihem me veteranë që i kanë bërë luftërat për
pavarësi, por edhe me historianë që shkruajnë mbi to. Rasti më ka sjellë gjithashtu
të njihem në Amerikë edhe me Gjergj Nikprelën, që ka botuar ndoshta studimin më
të plotë e më të mirë për kryengritjen e vitit 1911, kjo falë faktit se ka
arritur të shfrytëzojë mirë arkivin e shtetit malazez, çfarë përbën një prurje
të re në studimet historike. Edhe në atë libër, veç aspektit të përgjithshëm,
dokumentave origjinale që sjell, kam gjetur në disa vende përmendjen e emrit të
tim Ati, Palokë Traboini, si një prej njerëzve më aktiv në kryengritje, emri i
të cilit lidhet me një nga çastet më kulmore që shënohet edhe në historinë
kombëtare - ngritjen e Flamurit në Deçiq, më 6 prill 1911. Fakte të tilla mbi
veprimtarinë e Palokë Traboinit në kryengritje, si flamurtar, mësues, publicist
e poet e gjejmë tek shumë autorë duke përfshirë edhe dëshmi veteranësh
kombëtare apo dhe në fototekën Marubi, i cili në një fotografi ku kanë dalë një
grup malësorësh kryengritës, ndër të cilët Palokë Traboini, Mirash Luca, Gjok
Prela e tjerë, ka shënuar “Disa nga
luftëtarët e Deçiqit”. Nuk besoj se gjendet dokument më autentik.
Gjithashtu figura e këtij luftëtarit të Deçiqit, Palok Traboini, gjëndet edhe
tek Petraq Pepo, “Lufta për çlirim kombëtar 1878-1912-kujtime veteranësh”, Tiranë
1962 f. 446; At Donat Kurti, “Hylli i Dritës” nr. 11, 1937, f. 523; Gjush
Sheldia, “Arsimtarë të vjetër të Shkodrës
e në rrethe”, dorëshkrim, 3 qershor 1959; Gazmend Shpuza, “Në prag të pavarësisë”, New York 2000;
Gjergj Nikprelaj, “Kryengritja e Malësisë
e vitit 1911”, New York 2004, f. 123; Hamit Boriçi, “Reflekse në publicistikën e Palokë Traboinit” 2006; Fran Camaj,
“Ded Gjo Luli në poemën “Lufta e maleve” e Palokë Traboinit’, Konferencë
përkujtimore Tuz 2005; Gjovalin Shkurtaj, “Ne
bijtë e xhubletës” 2006; Prenk Gruda, “Mësuesi i parë nga Hoti i Burrave
kreshnikë”, ditar 25 prill 1940; Shkrime e kujtime nga Pjetër Pali, Andrea
Skanjeti, Mikel Prenushi, Palokë Prel Vuçetaj, Prenkë Uli, Gjergj Gjokë Shabani
e tjerë.
Anipse
përballë gjithë këtyre dëshmive që tregojnë se cili ishte flamuri i Deçiqit, si
erdhi e kush e solli atë flamur, në shkrimet e tij historiani Romeo Gurakuqi
vazhdon ta trajtojë historinë sipas disa skemave të vjetra të mohimit të së
vërtetës historike. Madje arrin deri atje sa nxjerr se flamurin që ka sjellë
prej Vjene përmes Dalmacisë Palokë Traboini e që ia ka dorëzue Ded Gjo Lulit,
pra flamuri që u ngrit më 6 prill 1911 në Deçiq, ta konsiderojë sikur ta kenë
punue terzinjtë e Krajl Nikollës të Malit të Zi. Le ta citojmë historianin:
“….
u njoftua nga Cetina se Gjon Gjo’ Kola,
terzibashi i Krajl Nikollës me punëtorët e vet, Kolë Jozën, Rrok Pultin dhe
Gegë Gurakuqin, ishin duke qëndisur një flamur të tillë shumë të çmueshëm.
Flamuri, pasi u ruajt për disa ditë në shtëpinë e Zef Jak Dajçit, duke u
shpëtuar ndjekjeve të autoriteteve malazeze, kaloi në duart e anëtarëve të
Komitetit të Podgoricës” .
Pasi
konstaton këtë, që nuk përjashtohet mundësia të jetë dëshmi e vërtetë në
vetvete, menjëherë shkruan për ngritjen e flamurit në Deçiq, çfarë çdo lexues
duke i besuar autorit nënkupton sikur ky flamur i terzibashëve të Krajl
Nikollës është ngritur në Deçiq. Një sofizëm i gjallë historik.
Ne
nuk e dimë se pse historian Romeo Gurakuqi e sposton vëmendjen nga Flamuri i
vërtetë e na çon në një tjetër drejtim. Ndoshta se ndër terzibashët e Krajl
Nikollës ka qenë edhe një farë Gegë Gurakuqi, ndoshta gjysh-stërgjyshi i tij e
ky po don ta fusë në histori në mënyrë të sforcuar duke shmangur protagonistët
e vërtetë të aktit të pashembullt në histori - ngritja e flamurit në Deçiq.
Atëherë
le të ndalemi së pari duke e vëzhguar atë flamur që quhet prej gjithkujt -
Flamuri i Ded Gjo Lulit e jo i terzibashve të krajl Nikollës të Malit të Zi. Ai
flamur sipas dëshmive të hotjanëve, por edhe dokumentave historike, ishte
krijuar në zemër të Europës me një porosi të veçantë. Kola, i biri i Ded Gjo
Lulit, kohë para se të fillonte kryengritja, kishte shkuar në Austri i dërguar
nga ati për të kërkuar ndihma e armatim në rast të një kryengritje. Atje është
takuar me Alardo Kastriotin, spanjoll, pretendent si vazhdues i gjakut të
Kastriotëve e që ka bërë një punë të madhe për përhapjen e idesë së
shqiptarizmës në qendrat europiane. Dikush mund ta ketë konsideruar aventurier,
Konica në fillim e kishte mik për kokë e më pas e braktisi, gjithsesi
porosi-pagesa për flamurin është bërë prej Alardo Kastriotit si dhuratë për
malësorët.
Ded
Gjo Luli kishte plot flamuj që mbaheshin në një shtëpi që quhej magaze në
Skoraq të Hotit në shtëpi të Preç Prekës,
siç dëshmonte veterani Zef Marash Daka me 25 maj 1962, por donte një flamur që
të ishte i punuar atje ku punoheshin tërë simbolet e shteteve e mbretërive, pra
sipas thënieve të malësorëve veteranë të kryengritjes “tu date me shej mes tanë
kombeve të Europës”.
Që
këtu kuptohet mënçuria e atij plaku të urtë kreshnik. Deda kishte dashtë me
pritë të vinte flamuri e masandej të fillonte kryengritja. Por flamuri s’po
vinte dhe kryengritja u nis. Pas dy-tre ditësh ka ardh lajmi se flamuri i
porositun ishte nisur nga puntoria e Vjenës për në Malësi, por dileni e
priteni. Ded Gjo Luli ka nisur për ta pritur në Dalmaci sekretarin e vet,
mësuesin Palokë Traboini që kishte lënë shkollën në Prizren e ishte rreshtuar
në rradhët e kryengritësve dhe dinte disa gjuhë të huaja. Palokë Traboini e ka
sjellë në Hot dhe ia ka dorëzue Ded Gjo Lulit. Po në të vërtetë ai ka sjellë tre
flamuj. Ja si shkruhet në librin e studiuesit Petraq Pepo botuar në vitin 1962:
“Palok Traboini në 1911 kishte kthye prej
Austrisë e tre flamujt që kishte pru prej andej i kishte nda kështu: njënin Ded
Gjo Lulit, tjetrin Ujkës së Grudës e të tretin Prel Lucës së Trieshit.”(
Profesor Petraq Pepos "Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878-1912",
Tiranë 1962, faqe 446-447).
Historiani
Romeo Gurakuqi as nuk e shtron çështjen se cili është flamuri që u ngrit në
Deçiq, çfarë është historia e tij, por e kapërcen dhe gjithçka kuptohet sikur
flamuri i terzibashëve të Krajl Nikollës qënka ai që populli e quan “Flamuri i
Ded Gjo Lulit”. Kushdo që ka sy të mprehtë di të dallojë se flamuri që është
fotografuar nga Marubi nuk është një flamur i bërë nga terzinjtë e krajlit të
Malit të Zi, nuk është artizanal, por i fabrikuar, madje dhe shtiza është e
derdhur bashkë me zogjtë metalikë të larë me ar, që i rrinin flamurit në
shtizë.
Mendoj
se nuk është mungesa e vëmendjes, e aftësisë për ta përcaktuar atë flamur, por
dëshira për ta anashkaluar të vërtetën e për të na afruar qasje të pavërteta.
Nëse
donte ky historian të gjente burimin e vërtetë të këtij flamuri, shumë mirë
mund të lexonte dëshmitë e veteranëve, por edhe poemën historike me afro 1700
vargje, që vetë Palokë Traboini pat shkruar pas kryengritjes, kur ishte mësues
i gjuhës shqipe në Prizren në fund të vitit 1911.
Tue
krisë pushka shpat e n' shpat
gjimojnë
malet lak e n' lak
nji
djalë Hotit vjen prej larg
pa
pikë frymë prej Dallmacis,
Dedë
Gjo Luli ku e kish nisë
me
pru flamurin e Shqipnis.
(Ky djalë Hoti ishte vetë
autori P.Traboini, shënimi im K.T.)
N'log
të Kishsë kur djali a kapë
dy
flamurë n' erë ka hapë,
dy
flamurë kuq e zi
qindisë
n' ar për bukuri.
Aty
at-herë Kolë Dedë Gjo Luli
njenin
flamur n' bli e nguli
prej
të gjithve me u soditë.
pala-pala
tue valvitë.
N'
kambë u çuen në shej nderimit
të
tanë djelt e Traboinit;
kërset
pushka prej gëzimit,
gjithkah
hapet brohorija:
“Rrnoftë
flamuri e rrnoftë Shqipnija,
orën
çuet e ka Malsija!”
Dedë
Gjo Luli u çue n' kambë,
tjetrin
flamur ja u ka dhanë
djelve
t' Hotit e u ka thanë:
“Çonju
tash, djelt e mi,
me
deke sot për flamuri
se
i erdh dita ksaj Shqipni.
Në
Deçiq ja u due n' ket dite
flamurin
n' majë me e ngritë.
...................................................
Shpejt
u lshuene djelt petrita
e
s' ba, drue, dhetë dekika
n'
kulm Deçiqit me iu njitë
ku
flamurin e kanë ngritë
tue
këndue e pushkë tue qitë
prej
gazmendit t' asaj ditë.
Të
mos harrojmë se ai që i shkruante këto vargje ka qenë vetë luftëtari që e ka
sjellë atë flamur përmes Dalmacisë siç e thotë në kapitullin e fundit të
poemës, e jo përmes kthinave të sarajeve të Krajl Nikollës që na sugjeron
historiani Romeo Gurakuqi. Nuk e dimë nëse ka dijeni historiani në fjalë se për
këtë akt heroik me flamur, sekretarin e Ded Gjo Lulit, Palok Traboini,
veteranët e kryengritjes 1911 banorë të Hotit të Ri e kanë propozuar për ta
dekoruar në vitin 1962, 13 vjet pas vdekjes, propozim që ka shkuar në Kuvendin
Popullor por diktatura ja mohoi, dhe mjerisht në kohë të demokracisë në vend që
të vlerësohet, anashkalohet e mohohet pikërisht nga historianët dhe pastaj per
rrjedhim edhe nga shteti.
* *
*
Jo
më shumë se disa ditë më parë, një historian malazez po fliste në kanalin
televiziv TV 5 Monde dhe pyetjes së gazetarit francez se nga çfarë popullsie
përbëhet aktualisht Mali i Zi, ai ju përgjigj: “Gjysma e popullsisë është
sllave e gjysma otomane”. Mohoi faktin se atje ka shqiptarë. Sikur ky historian
malazez të kishte lexuar librin e Romeo Gurakuqit “Kryengritja e Malësisë së
Mbishkodrës 1911” padyshim do ta citonte duke thënë se këtë e pohojnë edhe vetë
historianët shqiptarë.
Është
krejt e natyrshme që gatimi i historisë në atë mënyrë që flamurin e Deçiqit e
paskan punuar terzibashët e Krajl Nikollës, apo që fisi i Hotit na paska qenë
as më pak e as më shumë, por pjellë e një burri sllav, të jenë aq të
mirëpritura në qarqet akademike të pansllavizmit agresiv, të cilët urrejnë e
mohojnë çdo gjë shqiptare dhe kërkojnë motivime sado të pabesueshme për dominim
historik.
Ah,
këto lajthitje historianësh, po na nxjerrin pa taban!
Shënim: Autori i shkrimit është
biri i mësuesit kryengritës Palok Traboini-Gojçaj, i cili i ngarkuar nga Ded
Gjo Luli, përmes Dalmacisë solli në Hot flamurin që ishte punuar në Vjenë
posaçërisht për Kryengritjen e Malësisë së Madhe, flamur i cili
është ngritur në Deçiq më 6 prill 1911.
Nga libri: Romeo Gurakuqi, “Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911”, monografi, 2002, Shkodër, (në faqen 11, fusnota nr. 6) ku flitet për prejardhjen sllave të Hotit. |