FAQJA
E BARDHË E HISTORISË /Vështrim/
(Kolec Traboini, Miti i Hotit, Tiranë 2017)
(Kolec Traboini, Miti i Hotit, Tiranë 2017)
Nga ANTON GOJÇAJ
Kolec Traboini shpërtheu si krijues pas
rënies së sistemit monist. Është autor i rreth 30 veprave letrare. Spikat në
lirikë dhe publicistikë. Një apostull i fjalës së lirë dhe i kulturës
demokratike. Vepra e tij më e freskët, “Miti i Hotit”, tipologjikisht paraqet
një përzierje diskursesh (diskursit historik, publicistik, letrar). Të gjithë artikujt, ose kapitujt, mund të
cilësohen si ese, përveç njërit që është reportazh. Fija që i lidh kapitujt
është tematika e Hotit dhe hotjanëve.
Mite në shkencë quhen rrëfimet e lashta
për hyjnitë dhe shejtnitë para së gjithash greke, por jo vetëm greke. Ky libër
nuk bën fjalë për hyjni greke as iliro-pellazgjike, por flet për disa figura
luftëtarësh të shquar malësorë, gjegjësisht hotjanë. Fjala “mit” këtu përdoret
në kuptimin e lavdisë, në vend të saj mund të qëndronte “legjenda”, ose
personalitete të lavdishme nga Hoti…
Në epokën tonë (aktualisht) pëlqehet më
shumë demitizimi, deheroizimi... Zëra të ndryshëm, në media, nga foltoret, në
libra, theksojnë nevojën për “çmitizimin” dhe deheroizimin e personalitete të
caktuara, deri edhe të kryetrimit (ndër)kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeu.
Dhe nuk ndalen vetëm me të.
Traboini u bie ndesh rrymave të çastit,
të cilët kapërcejnë nga njëri ekstrem në tjetrin, deri dje ishin adhurues të
mëdhenj të të njëjtëve heronj, deheroizimin e të cilëve e kërkojnë tani me
ngulm. Këto rryma përfaqësohen nga intelektualë dhe kuazi intelektualë që
zhurmojnë në kor, si t’i dirigjonte dikush, të njëjtat refrene të mësuara
përmendësh, të kopjuara nga qarqe perëndimore, por që (atje) janë thënë e
thuhen në kontekste për shumë arsye të papërputhshme me realitetin tonë. Puna
ka ardhur deri aty, sa individë të caktuar siç është Koleci, duke rrezikuar që
dikush t’i marrë për donkishotë të cilët kanë humbur sensin e arsyes, ndjejnë
detyrimin t’i kundërvihen kësaj tendence duke shkruar një apologji të llojit të
vet. Një apologji e tillë është “Miti i Hotit” i Kolec Traboinit dhe në
perspektivën e “frymës apologjike” e kam përjetuar edhe gjuhën dinamike,
nganjëherë glorifikuese, që zbardh dhe analizon bëmat e hotjanëve të njohur
gjatë shekujve. Qëllimi apologjik i veprës e përligj ligjërimin panegjirik.
Mitin e Hotit hotjanët e krijuan me
gjak. Ai nuk i përket vetëm një prijësi apo vetëm dy-treve prej tyre,
megjithëse është një praktikë e përbotshme që lavdia t’u vishet prijësve.
Vërtetë, vlerat e një fisi, bashkësie, vendi, maten me arritjet e bijve dhe
bijave më të mirë, ashtu siç maten bjeshkët për nga majat më të larta. Mirëpo,
pjesë në atë lavdi duhet të ketë edhe shumë luftëtarë të tjerë, tashmë të
harruar, heroizmi dhe vetëflijimi i të cilëve u pushtua nga heshtja dhe u
mbulua nga sintezat përgjithësuese dhe relativizuese të historive zyrtare, të
cilat gjithmonë diktohen nga interesat e kohës të rrymës që mban pushtetin.
Ky libër nuk synon edukimin e
kreshnikëve të rinj sipas kallëpit të moçëm. Epoka e luftëtarëve ka ikur.
Kreshnikët e sotëm armë e kanë librin.
Ajo që dhemb është shpërfillja,
keqinterpretimi dhe nganjëherë shpërfytyrimi i heronjve të Hotit në debate dhe
tryeza shkencore dhe kuazi-shkencore. Me këtë libër autori sikur porosit:
jepuni kreshnikëve çka u takon kreshnikëve! Një vend të dinjitetshëm, si faqja
e bardhë e historisë kombëtare.
Vlera e këtyre eseve nuk qëndron te
datat e sakta dhe te citimi i dokumenteve zyrtare apo i literaturës historike.
Këto të fundit janë krehur dhe përshtatur (lexo: manipuluar) shpesh, sipas nevojave të qarqeve me pushtet. Megjithatë,
shembujt, të dhënat dhe sqarimet që jep autori janë interesante dhe të
qëndrueshme. Ai shpesh nxjerr sinteza të ndjeshme dhe të paanshme, si psh.:
“Shteti komunist e ka vlerësuar Dedë Gjo Lulin, por në një anë e vlerësonte në
anën tjetër gjithë familjen e fisin e tij e persekutoi në mënyrën më të egër e
më çnjerëzore.” (f. 51)
Figurat me të cilat Koleci e hartoi
“Mitin e Hotit” janë personalitete historike, prej mishi e gjaku, me biografi
reale dhe të mirënjohur për pjesëtarët e fisit të tyre por edhe të kombit në
kohën kur ata vepruan. Emrat e tyre vështirë i gjen në tekstet historike apo në
enciklopeditë kombëtare të autorëve të cilët më shumë sesa shkencëtarë të
mirëfilltë janë burokratë servilë, të cilët duke u ikur “fytyrave” dhe
ngjarjeve të vërteta i bëjnë lëmsh të
gjitha. Jo gjithmonë nga padituria, por edhe nga smira. Do të ishte shumë më
keq, e ka indicione se kjo po ndodh, që kështu veprojnë me një mision të
caktuar akoma të mbajtur pas kulisave, për t’u përgatitur terrenin ideologjive
të caktuara të cilat presin pjekjen e kushteve për të dalur në mënyrë të hapur.
Heronjtë e tij kanë karaktere dhe ideologji të ndryshme, Dedë Gjon Luli është
tribun popullor, Nikoll Gojçi partizan e komunist, kurse Gjelosh Luli antikomunist.
Por të gjithë e ndoqën me pasion dhe me konsekuencë idealin e vet, me çmimin e
jetës.
Stili i autorit nuk është i një
opinionisti anemik, të dashuruar në vetveten. Karakteri i tij nuk i duron
dhelpëritë intelektualiste, të cilat shpesh të vetmin qëllim e kanë bishtërimin
e së vërtetës. Retorika e Kolec Traboinit është e rreptë dhe provokuese. Ai jo
vetëm mbron, por edhe godet. Jo vetëm konteston, por edhe hulumton. Edhe kur
priret kah subjektivizmi, jep argumente e veta me një logjikë sa racionale aq edhe
burrërore. Është një polemist i lindur, që t’i kujton polemistët tanë klasikë,
F. Bardhin, Gj. Fishtën, F. Konicën etj.
Ky libër vlen të lexohet. Atë duhet
kuptuar dhe konsideruar si një gurë me peshë në digën parandaluese kundër
ideologjive të reja që duan të shpërfillin historinë reale për të vendosur një
paradigmë të re historike, që mbështetet mbi fabrikimin dhe falsifikimin e
historisë. Ky libër është homazh për Hotin dhe hotjanët kudo që janë, e në
veçanti për ata që sakrifikuan veten, e ndonjëri edhe gjithë familjen, për
atdhe e liri.
Traboini i Hotit, 15 tetor 2017
Traboini i Hotit, 15 tetor 2017
Koha javore nr. 787, 26 tetor 2017, f. 20-21, Podgoricë.