14 October 2017

🔴 Hoti, një mit që krijoi historia - nga Sazan Goliku


🟥 HOTI, NJË MIT QË KRIJOJ HISTORIA

                                                Nga SAZAN GOLIKU
         

“Miti i Hotit”, i Kolec Traboinit është një libër-ese për një nga krahinat e Malësisë së Madhe ndër më të njohurat në histori. Dhe pse i lindur e rritur larg Traboinit, nga ku e ka prejardhjen, autori i librit asnjëherë nuk prajti duke shkruar shkrime të ndryshme rreth figurave e ngjarjeve mbresëlënëse të Hotit që ka qenë gjithmonë nderi e krenaria e mbarë Malësisë së Madhe. Kur mblidheshin burrat e maleve në kuvende, gjithherë vendosnin në krye të vendit një burrë nga Hoti. Del në krye i thoshnin Çun Mulës, del në krye Dedë Gjo Luli, del e priji kuvendit  Deli Meta. Po pse ky nderim kaq i madh. Pse kanë mbetur proverbiale fjalët e gojëdhënës popullore “Pushka e Hotit e dora e Zotit”. Që në fëmijërinë e tij autori ka dëgjuar rrëfime për madhështinë e trimërinë e Hotit dhe malësoreve hotjanë, çfarë e ka shtyrë të kërkojë edhe më tej për të kuptuar enigmën e lavdisë së kësaj treve me përmasa legjendare. Këndohej dikur nga populli i mbarë Malësisë dhe i Shkodrës “Nuk janë topat e Ulqinit, por janë djemtë e Traboinit”, vargje të krijuara në vitin 1878 kur Hoti e Gruda u ngritën me armë në dorë kundër vendimit të fuqive të mëdha për t’ia dhëne Hotin e Grudën fqinjëve të veriut. Topat e Ulqinit nuk ishin asgjë më shumë, por anijet angleze që duke qëlluar me topa brigjet i bënin presion shqiptarëve t i lëshonin pe Shqipërisë.
Libri “Miti i Hotit” merret me histori, por nuk shkruan histori, dhe aty ku e prek historinë, nuk e merr në kronologji, por ndalon në ato nyje e pikëtakime ngjarjesh nëpërmjet të cilave kërkon të përçojë ide a mendime mbi zhvillimet historike dhe bëmat e heronjve malësorë. Apo në ato raste kur kërkon të sjellë në vëmendje ngjarje e figura që mund të jenë edhe krejt të panjohura për lexuesit e pasionuar të librave me temë historike.
Një temë trajtese është edhe prejardhja e Hotit, ku polemizohet me një historian si dhe për disa saktësime për Flamurin e Deçiqit, i ngritur në një grumbull gurësh në Bratilë të Hotit me 6 prill 1911, por si mal, Deçiqit i takon Grudës dhe është pika dominuese mbi tërë fushën e Tuzit. Trajtohen edhe jeta e disa figurave historike, veçmas të familjes së Ded Gjo Lulit që u shua e tëra për Atdhe. Kësisoj Hoti shihet si një mit që e legjendarizoi trimëria e cilësia luftarake e malësorëve hotjanë, por që u dëmtua shumë nga ndarja  e Hotit nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër me 1913. Pas luftës së dytë botërore me krijimin e sistemeve komuniste në dy anët e kufirit, nisi në mënyrë sistematike platforma për rrënimin e mitit të Hotit, kësaj krahine me emër të madh në histori. Në libër sillen ngjarje e figura historike, një nga ato është jeta tragjike e luftëtarit nga Hoti Nikoll Gojçi, i cili në moshën njëzet e gjashtë vjeçare ishte emëruar Komandanti i batalionit të 3 të brigadës së I sulmuese, i cili tregoi trimëri të pashoqe në luftë për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë, por u vra tradhtisht prapa shpine nga komandanti i kësaj brigade Mehmet Shehu. Është po ky  gjakësor i cili me dorën e vet disa vjet pas lufte vrau edhe një hotjan tjetër, Kol Maçin e Hotit.
Megjithëse me volum të vogël, ky libër është mjaft i ngjeshur e i pasur me ngjarje e fate njerëzore. Në krye të gjithave është  një ese për historinë shkruar me ndjesi të thella dhe shpreh një dashuri të madhe për trojet e të parëve, me krenarinë  për lavdinë, por edhe me dhembje për fatin tragjik të shqiptarëve trima të Malësisë së Hotit të cilët kurrë nuk u përkulën sepse çdo bir a bijë e kësaj treve me bëma heroike ne histori kudo ku gjendën nëpër botë janë krenarë për të parët e vet, për fisin, rrënjët e degët e gjithherë i dëgjon të thotë, unë jam prej Hoti e Hoti është kudo ku ndodhëm unë e gjaku që rrjedh prej meje, duke mishëruar kësisoj thënien e pavdekshme të  shkrimtarit të madh arbëror Marin Barletit në vitin 1510, gjithsekush, shkon në rrjedhën e gjakut të kombit të vet. Duke pasur këto fjalë të arta që vinë prej shekujve si një udhërrëfyes për librin e vet të tridhjetë si autor, poeti dhe eseisti Kolec Traboini ka sjellë një vepër koncize me mësimin e madh se si një brez duhet të mbështetet fort të një tjetër. Kryekreje në këtë vepër eseistike mbi historinë e Hotit, këtë mit që e krijoi historia e u përpoqën ta rrënojnë sistemet absurde, të shfaqet fuqia mbresëlënëse e shëmbëllesës së të parëve te pasardhësit. 

Traboini i Hotit, 15 tetor 2017