🟥 NIKOLLË GOJÇI
Komandanti i batalionit partizan që u
vra tradhtisht nga Mehmet Shehu, 1944.
[Faqe nga libri "Miti i Hotit"]
Nikollë Gojçi u lind në Traboin të Hotit
në vitin 1918. Ishte i biri i Mark Ujk Gojçaj. Fëmijërinë e kaloi në
vendlindje, por duke qenë një fëmijë i zgjuar, i ati Mark Ujka vendosi ta
shkollojë djalin e tij të vetëm. Nikolla mbaroi studimet e mesme dhe më pas ato
universitare në degën ekonomike. Gjatë kohës së studimeve njihet me një vajzë
malazeze e quajtur Milena, me të cilën krijoi familje. U vendos në Tuz ku ishin
edhe prindërit e tij. Më pas u përpoq të gjente një punë, por në atë kohë ishte
tepër e vështirë që një shqiptar të punësohej si ekonomist edhe pse i kishte mbaruar studimet me rezultate të
shkëlqyera. Ai u revoltua edhe për faktin se të tetëmbëdhjetë shokët e tij me
të cilët mbaroi studimet u sistemuan në profesionin e ekonomistit dhe vetëm për
të nuk afrohej punë. Ata të gjithë ishin sllavë dhe ai ishte i vetmi shqiptar që
mbaroi studimet e larta në degë ekomonike.
Nikolla nisi ta shprehte kundërshtinë e
tij dhe shumë shpejt nisën ta ndiqnin e përgjonin autzoritetet jugosllave.
Gjendja iu bë e padurueshme. Mund edhe ta vrisnin. Miqtë e këshilluan të
shkonte në Shqipëri, anipse ajo ishte e pushtuar nga fashistët italianë. Në
Shqipëri kishte tre motrat e martuara. Pashka ishte martuar me Kol Tomën në
Bajzë të Kastratit, Terezja në Trush, ndërsa në Tiranë kishte të martuar motrën
tjetër Vitoren me Luigj Gjurën. Ndenji disa kohë në Bajzë, pastaj shkoi në
Tiranë duke menduar se atje kishte mundësi më shumë. Tirana i pëlqeu. Në
Shqipëri ndjehej mirë edhe pse gjendja nuk ishte fort e qetë. Edhe në Tiranë u
përpoq të gjente një punë në profesionin e vet të ekomonistit, por qe e
pamundur. Në këto kushte ai nuk shihte rrugë tjetër veç të punësohej si milic.
Kështu në vitin 1942 gjendet në radhët e milicisë, por duke qenë se kishte
diplomën e ekonomistit pas pak kohe e caktuan financier. Shumë shpejt u lidh me
të rinjtë antifashistë në Fier. Pasi mori paratë e forcave të milicisë dhe ua
dorëzoi njësiteve guerrile, u inkuadrua në forcat partizane. Që këtu nis rruga
e tij si çlirimtar. Ndër aksionet që bënin ai shfaqi cilësi shumë të mira
luftarake. Mbi të gjitha ishte trim dhe rroku simpatinë e bashkëluftëtarëve të
vet. Emri i tij u bë i dëgjuar edhe nga Shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë
Nacional Çlirimtare. Kur u formua Brigada e Parë Sulmuese, në gusht 1943,
Shtabi i përgjithshëm e caktoi me detyrën e Komandantit të batalionit III. Në
luftimet që u bënë në Vithkuq ai tregoi
trimëri të pashoqe. Partizanët e batalionit të tij krenoheshin me
komandantin e vet. Nikoll Gojçi tregoi trimëri në të gjitha luftimet që bëri
brigada e Parë Sulmuese, në Pogradec, në Xhyrë, në Qafën e Krrabës etj.
Ajo çfarë ish partizanët kujtonin deri
vonë, sepse shumë prej tyre nuk jetojnë më, është se Nikoll Gojçi i donte shumë
luftëtarët e njësisë së tij partizane. Luftonte jo vetëm në front kundër
armikut, por edhe për dinjitetin e bashkëluftëtarëve të tij. Ky komandant trim
që kishte ardhur nga trojet shqiptare jashtë Shqipërisë, përkatësisht nga
Malësia e Hotit, e njohur në histori për luftra kombëtare e trimëri të pashoqe,
iu kujtonte të gjithëve emra të mëdhenj në histori. Admirimi i tyre shtohej.
Por natyra i kishte falur Nikollës jo vetëm shkathtësi dhe zgjuarsi, por edhe
bukuri. Një luftëtar i hijshëm, fjalëartë, i ditur, me të cilin kishin dëshirë
të rrinin të gjithë. Kjo kishte rënë në sy të ambiciozëve të Shtabit të Brigadës.
Një kuadër partizan, Llambi Shkodrani, që merrej me sigurinë e shërbimin e
fshehtë në Brigadën I sulmuese, në një bisedë ka pohuar se si i ka ardhur pranë
komisari i Brigadës dhe i ka kërkuar t’i thotë një fjalë me besë që të mos e
marrë vesh askush. Llambi Shkodrani e ka pranuar atë bisedë. Komisari i ka
thënë atëherë se dëshiroj të di se sa larg ka shkuar në miqësinë e tij me
partizanen Dh. komandanti i batalionit Nikoll Gojçi. Sipas asaj që pohon Llambi
Shkodrani, ai nuk kishte pranuar t’i përgjonte. Të paktën kështu e thotë ai,
por e vërteta nuk dihet nëse e ka bërë apo jo atë përgjim dhe çfarë i ka thënë
komisarit të Brigadës. Sipas Llambi Shkodranit, komisari i Brigadës I më pas i
ka thënë lëre nuk ka gjë, por kjo bisedë të mbetet midis nesh. Nuk dihet nëse
këtë bisedë komisari e ka bërë edhe me komandantin e Brigadës. Qëndrimi i Mehmet Shehut, që është lëshuar
egërsisht ndaj Nikoll Gojçit, tregon se ka pasur një konspiracion në shtab për
eliminimin e tij fizik. Pra kjo dëshmi ishte një sinjal se disa kuadro nuk e
shihnin me sy të mirë as suksesin e Nikoll Gojçit në luftë, por as dhe
simpatinë e madhe që kishin shokët e shoqet e tij partizane. Prandaj përdorën
si mjet shpifjen. Po sikur të ishte vetëm kjo mbase punët nuk do të rridhnin aq
tragjikisht në jetën e Nikoll Gojçit, komandantit trim të batalionit të tretë.
Dihet se çfarë karakteri të ashpër kishte Mehmet Shehu, komandant i Brigadës së Parë, çfarë tërbimi i
hipte dhe si i trajtonte kolegët. Njeri i rrëmbyer me instikte vrastare,
megjithëse me cilësi luftarake të shkëlqyera. Mehmet Shehu mendohet të jetë
konfliktuar në ndonjë rast me Nikoll Gojçin edhe për çështjen e trajtimin të
partizanëve të batalionit të tretë, të cilët Nikolla i merrte nën mbrojtje në
çdo rast të shpërthimit të Mehmet Shehut.
Po edhe kjo mbase do të mund të kalohej.
Fatkeqësia e Nikoll Gojçit ishte se e kishin caktuar në një formacion të madh
partizan ku ligjin e bënte jugosllavi Dushan Mugosha, me pseudonimin e luftës
Sali Murati dhe i thirrur me emërtimin Çalamani, me shkak se çalonte. Edhe
Nikoll Gojçi, edhe Dushan Mugosha, vinin nga i njëjti vend, por Nikolla as
donte t’ia hidhte sytë, sepse Mugosha kishte një karakter të keq. Nikoll Gojçi
nuk e dinte se ligjin në shtabin e brigadës e bënte jugosllavi dhe se Mehmet
Shehu si komandant bënte çdo gjë që i thoshte ai, i dërguari i Partisë Komuniste
Jugosllave. Dhe as që mund të mendonte se Shtabi i Përgjithshëm i LANÇ kishte
lëshuar për shtabin e brigadës një dokument sekret ku autorizohej Dushan
Mugosha të merrte pjesë në të gjitha veprimtaritë dhe madje edhe në
vendimmarrje. Kjo do të ishte katastrofë për luftëtarin Nikoll Gojcaj. Dushan
Mugosha përzihej edhe në punët e kuadrove, madje në një bisedë i kishte
sugjeruar Nikoll Gojçit që të linte brigadën dhe ta dërgonte në brigadat
proletare Jugosllave si kuadër, sepse duhej të mobilizoheshin shqiptarët e
Jugosllavisë në formacionet partizane. Nikoll Gojci nuk e pranoi ofertën
tinzare të Sali Murat-Çalamanit duke i thënë se ai do të luftonte në
formacionet antifashiste shqiptare për çlirimin e Atdheut, sepse Shqipëria
ishte dhe atdheu i tij. Trim e kryelartë si malet shqiptare asnjëherë Nikoll
Gojçi nuk u përkul.
Dushan Mugosha, Mehmet Shehu dhe disa të
tjerë tashmë po përgatisnin kurthe vrastare për trimin e Hotit. Natyrisht nuk
ishte fare e lehtë se nuk kishin asnjë shkak, aq me tepër se kuadrot e brigadës
komandoheshin nga Shtabi i Përgjithshëm i Spiro Moisiut. Pa lejen e Shtabit nuk
mund të bënin asgjë. E megjithatë kazani i shtrigave të Mehmet Shehut e Dushan
Mugoshës punonte. Duhet të vinte fundi i shtatorit dhe fillimi i tetorit 1943
kur Mehmet Shehu ndërmerr një veprim që nuk ishte në detyrat e tij. Ai dhe
shpura e tij kishin vendosur ta pushkatonin Nikoll Gojçin, për t’i dhënë kështu
një goditje çdo aspirate të shqiptarëve që kishin mbetur jashtë Shqipërisë dhe
shpresonin për bashkim kombëtar. Kjo ishte në thelb antikombëtare dhe të parët
që do ta pësonin do të ishin atdhetarët shqiptarë që e dëshironin bashkimin e
trojeve shqiptare pas Luftës II Botërore. Në pamundësi ta pushkatonte menjëherë
Nikoll Gojçin, sepse do të përgjigjej para Shtabit të Përgjithshëm që e kishte
bërë emërimin e tij, Mehmet Shehu në koordinim me Dushan Mugoshën vendosën
shkarkimin e tij nga detyra. Në një libër me dokumente të Mehmet Shehut,
vëllimi i I, faqe 127, është botuar letra që ai i dërgonte Shtabit të
Përgjithshëm më 6 tetor 1943, në të cilën kërkonte degradimin dhe largimin e
Nikoll Gojçit e disa kuadrove të tjerë. Në propozimet e tij thuhej: “Komandanti
i batalionit III të Brigadës I N. G. të hiqet prej detyrës së tij dhe të mos i
besohet asnjë detyrë në radhët e brigadës. Arsyeja është se N.G. sillet aq
ashpër me partizanët dhe e shton ashpërsinë e tij, sa që është transformuar në
një tiran mbi partizanët, sado që shtabi i brigadës i ka tërhequr vërejtje
shumë herë dhe ka bërë çmos që ta sjellë në rrugë të mbarë. Në vend që të
përmirësohet në të kundërtën është keqësuar çdo ditë e më tepër. Një arsye
tjetër është se N.G. ka lënë përshtypje në shumicën e partizanëve të brigadës
të mos jetë i sinqertë karshi moralit partizan. Në vendin e N.G. si komandant i
batalionit III propozojmë të emërohet Gjeli Argjiri.....”. Çuditërisht Mehmet
Shehu dokumentin që në origjinal ka emrin e plotë të Nikoll Gojçit, e boton
vetëm me iniciale. Kjo fsheh të vërtetën mbi komandantin Nikoll Gojçi. Por
çfarë thonë për këtë ish partizanët e Brigadës I Sulmuese? Ata në dëshmitë e
tyre kundërshtojnë çdo akuzë, çfarë të krijon bindjen e plotë se për Nikoll
Gojçin u përdor arma e shpifjes, para se të përdornin ekzekutimin tradhtisht
prapa shpine si e kishin zakon komunistët gjatë luftës. Tofik Dushku, Lezhë,
ish partizan i Brigadës I, deklaroi:
“Nikoll Markun e kam njohur si komandant i zoti e luftëtar trim, i sjellshëm me
shokë e gojëmbël me partizanët. Një natë na e zhdukën e askush s’mori vesh përse.
Më vonë është përfolur se e ka pushkatuar Mehmet Shehu”. Nuçi Tira, Pogradec,
ka deklaruar: “Nikoll Mark Gojçin e kam njohur në katundin Vithkuq kur u formua
brigada I sulmuese me urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm. Nikollën e prezantuan
komandant të batalionit III, e këtu e kam njohur atë. Komisar i batalionit u
emërua Faik Zaimi. Unë kam qenë zëvendëskomisar kompanie e në shtator u emërova
zëvendës komisar i batalionit III. Nikolla dhe Faiku janë shkarkuar nga
përgjegjësia nga fundi i muajit shtator 1943... Faiku u tha se mbetet partizan
i thjeshtë po në batalionin tonë, ndërsa për Nikollën u tha se transferohet, po
se ku transferohet nuk u tha.
Në vend të tij u emërua Gjeli Argjiri
dhe komisar Gaqo Shoshua. Kur brigada kaloi në rrethin e Vlorës, aty u fol nga
partizanët se Nikollën e kanë pushkatuar, por si e qysh nuk u fol më”. Aleko
Gusho, Pogradec, ka deklaruar:
“Kur u formua Brigada I, kam qenë
komandant skuadre në kompaninë e dytë të Batalionit III. Komandant batalioni
kam patur Nikoll Gojçin.... e shkarkuan bashkë me komisarin Faik Zaimi, të
cilin e lanë partizan të thjeshtë në skuadrën time, kurse për Nikollën nuk di
asgjë ku shkoi e çfarë u bë me të... Pas shumë kohësh ndigjoj të flitet midis
partizanëve të batalionit e të brigadës së Nikoll Gojçi ishte pushkatuar, por
nga kush e përse e ku, askush nuk di gjë...”.
Shtabi i Përgjithshëm i LANÇ menjëherë
pas marrjes së letrës që kishte dërguar Mehmet Shehu, kthen përgjigje që
komandantin e batalionit III, Nikoll Gojçi, ta përcillnin në Shtabin e
Përgjithshëm për t’u shqyrtuar çështja, sepse shkarkimi nuk ishte në kompetencë
të komandës së Brigadës por të Shtabit të Përgjithshëm. Por Mehmet Shehu nuk
kishte ndërmend ta dërgonte Nikoll Gojçin në Shtabin e Spiro Moisiut.
Përkundrazi e dërgoi në një terren ku mund ta kishte më të lehtë qëllimin e vet
ogurzi. Edhe pse kjo mund t’i krijonte probleme në rast të ndonjë ballafaqimi
me Shtabin e Ushtrisë, ai e largoi Nikoll Gojçin nga Brigada. Nga disa
partizanë thuhet se u transferua në formacionet partizane të qarkut të Vlorës
ku Mehmet Shehu kishte besnikët e vet. Madje Nikoll Gojçi ka marrë përsipër
organizimin e mbrojtjes së Borshit në luftën kundër gjermanëve, të cilën e kreu
me sukses. Edhe në çetat partizane të Vlorës ra në sy për trimëri dhe shpirt
luftarak. Ca kohë Nikoll Gojçi mendoi se gjeti veten mes shokëve të luftës. Por
as Mehmet Shehu dhe as Dushan Mugosha nuk e kishin harruar qëllimin e vet
ogurzi. E motra e tij, Vitore Lulgjuraj, e cila ka jetuar deri vonë, ka pohuar
se Nikolla ka ardhur në Tiranë për disa ditë i maskuar dhe ka shkuar sërish në
Vlorë në ditët e para janarit të vitit 1944. Të dhënat thonë se kur brigada I
shkoi në Kuç të Vlorës, shtabi i Brigadës mori njoftime për zhvillimet në këtë
rajon dhe u treguan për Nikoll Gojçin që kishte shfaqur një trimëri të pashoqe
në mbrojtjen e Borshit nga gjermanët. Atëherë Mehmet Shehu, i ngulitur në idenë
e tij vrastare, mendoi se i erdhi koha për ta eliminuar me fshehtësi Nikoll
Gojçin. Dërgoi njoftim që ta sjellin Nikollën në Kuç të Vlorës, ku ishte
vendosur shtabi i Brigadës I.
Por brenda kësaj porosie u dha edhe
urdhri sekret, gjatë rrugës pushkatojeni dhe mbajeni të fshehtë vendin. Askush
nuk duhet të merrte vesh as vendin e as rrethanat e ekzekutimit të tij. Kur i
thanë Nikoll Gojçit se do të shkonte në Shtabin e Brigadës I u gëzua, sepse
mendoi se do të takonte shokët e vet partizanë dhe ndoshta shtabi kishte
vendosur ta merrte sërish në Brigadën I. Kjo do t’i kthente edhe dinjitetin e
tij si komandant. Por gëzimi iu pre në mes me t’u nisur. Një nga dy shoqëruesit
e ka pohuar se e kishin marrë detyrën për ta vrarë gjatë udhëtimit. Madje e ka
treguar me pikëllim, sepse Nikolla ishte një partizan trim e komandant që
ngjallte kudo admirim. Si mund të vritej ai farë djali, fisnik, shtatlartë,
buzëgaz, një malësor i vërtetë i Veriut për të cilët kishim dëgjuar shumë e
shumë herë, ka thënë veterani në pendesë të thellë në rrëfimin e tij. E
megjithatë nuk mund të mos e zbatonin urdhrin.
Diku në një shteg i thanë Nikollës të shkonte përpara se seç kishin për
të fjalosur bashkë shoqëruesit.
Ata që e shoqëronin menduan se do ta
kishin më të lehtë motivin e vrasjes nëse komandant Nikolla do të tentonte të
ikte. Por Nikoll Gojçi nuk ishte nga ata që ikte. Nuk ua dha mundësinë që të motivonin ndërgjegjen
vëllavrasëse. Shkoi përpara pa e kthyer kokën pas. Ai nuk besonte kurrë se
shqiptari qëllon shqiptarin pas shpine. Kjo ishte e paimagjinueshme për një
malësor, për një trim, për një shqiptar. Por ishin kohë të tjera. Komunistët
sollën të tjera zakone në trojet shqiptare. Vrasjet pas shpine. Dhe ata kështu
bënë. Qëlluan mbi shokun e luftës. Një zog në qiell nuk e qëllon njeriu ashtu.
Si u siguruan se kishte vdekur para se ta shtynin në një rrëpirë, u kujdesen
t’i merrnin gjithçka që iu ndodh me vete. Aty gjetën dhe një fotografi të një
nuseje të re me një djalë të vogël për dore. Zefi i vogël ishte rritur në
mungesë të babës të cilin nuk do ta shihte më kurrë. Pasi kryen punën vllavrasëse, shoqëruesit,
nuk lanë asnjë shenjë të identitetit të tij, që kur ta gjenin fshatarët ta
varrosnin pa e ditur kush ishte.
Krisën e ikën për t’i çuar lajmin Mehmet
Shehut se detyra u krye. Hiena u qetësua megjithëse kishte pasur një dëshirë të
çmendur që ta vriste me dorën e vet. Siç do të vriste me dorën e vet, vite më
pas, një tjetër burrë Hoti, Kol Maçin, i cili i kishte ndihmuar e shpëtuar
forcat partizane të Mehmet Shehut në Malësinë e Madhe duke i nxjerrë nga
rrethimi që u kishin berë kelmendasit e Prenk Calit. Padyshim që ekzekutimi i
Nikoll Gojçit e gëzoi edhe kriminelin e antishqiptarin Dushan Mugosha, Sali
Muratin, çalamanin jugosllav i cili e urrente Nikoll Gojçin dhe nuk donte që
një partizan e komandant nga Hoti, që Jugosllavia e kishte brenda territorit të
vet, të ecte në karrierë. Trojet shqiptare të pushtuara dhe shqiptarët e
Jugosllavisë duheshin mbajtur sa më larg nga Shqipëria, e sa më pak lidhje të
ishte e mundur. Vrasja e Nikoll Gojçit, veç intrigave të tjera ishte edhe për
këtë shkak, shuarja e çdo shprese se shqiptarët do të mund të bashkoheshin një
ditë. Ky ishte misioni përçarës e vëllavrasës në mes shqiptarëve i Dushan
Mugoshës gjatë luftës në Shqipëri. Familja, prindërit, e shoqja Milena që ishte
bashkë me djalin e vetëm të saj Zefin (Zvanko) dhe as motrat nuk e morën vesh
fatin e Nikoll Gojçit. Ata mendonin se Nikolla vazhdonte të ishte në radhët e
forcave partizane. Çlirimi i Shqipërisë u solli shpresë se do ta shihnin të
kthehej pranë njerëzve të dashur. Por kaloi një vit në ankth e pritje e asnjë
shenjë prej tij nuk po jepej. Babai i Nikollës shkoi në Tiranë, takoi edhe
shokët e djalit me të cilët Nikolla kishte luftuar në Brigadën I, por asnjeri
nuk dinte gjë. Në këto kushte Mark Ujk Gojçi vendosi të bënte një njoftim në
gazetën “Bashkimi” datë 30 mars 1945, ku u botua ky njoftim që po citojmë:
“Janë të lutur gjithë ata që e kanë parë
dhe e njohin Nikoll Markun (Gojçin) nga Hoti, banues në Tuz, më parë komandant
i batalionit III të Brigadës I Sulmuese të Ushtrisë N.Ç.SH. në fillim të vitit
1944, me dhanë informata mbi shëndetin dhe vendndodhjen e tij. Mark Ujk Gojçi,
banues në Tuz, kalues dhe bujtës pranë Luigj Gjurës në Tiranë, Rruga “Gjon
Muzaka” Nr.52. Shumë nga shokët e luftës të Nikoll Gojçit e lexuan këtë
njoftim, e lexuan edhe ata që e kishin ekzekutuar, por askush nuk foli sepse
kështu kishte qenë urdhri i Mehmet Shehut dhe Dushan Mugoshës. Me siguri që
edhe komisari i Brigadës e dinte fatin e Nikoll Gojçit, por as ai nuk foli. Të
gjithë kishin bërë pakt me djallin, pa e ditur se edhe vetë do ta pësonin pak a
shumë me të njëjtën mënyrë. Komisari i Brigadës bëri karrierë të lartë, por më
pas u dënua nga Enver Hoxha dhe e lanë të vdiste në burg nga një apendiciti
akut. Vetë komandanti Mehmet Shehu erdhi një kohë që vrau veten. Mizoria e
Mehmet Shehut nuk njihte kufi.
Një kushëri i Nikollës, Gjok Pjetër
Gojçaj ka dëshmuar se Mark Ujk Gojçaj, ka kërkuar dhe e ka takuar Mehmet Shehun
në vitin 1947 dhe e ka pyetur për të birin. Mehmet Shehu sapo ka mësuar se
ishte babai i Nikoll Gojçit është prerë në fytyrë dhe i ka thënë : “Mos e
kërkoni djalin tuaj se është tradhtar, ka dezertuar në Greqi e atje e kanë
vrarë shokët tanë...”. Mehmet Shehu me këtë rast donte të fshihte gjurmët e
krimit të vet. Kjo qe tepër e rëndë për Mark Ujk Gojçin, i cili nuk mund të
pranonte se i biri ishte vrarë si tradhtar. Ngulmoi të takonte shokët e
Nikollës me të cilët kishte luftuar, por të gjithë i thonin fjalët më të mira.
Nikoll Gojçi nuk kishte tradhtuar dhe nuk kishte shkuar kurrë në Greqi. Por
brenga mbeti brengë për familjen, miqtë e mbarë Malësinë e Hotit. E shoqja kur
e mori vesh se Nikolla nuk jetonte më, ra në dëshpërim të thellë dhe nuk shkoi
shumë e vdiq në moshë të re. Djalin e rritën prindërit e saj.
Pikëllimi e vuri përposhtë edhe Mark Ujk
Gojçin që vdiq me brengë në zemër në vitin 1968, kurse e ëma në vitin 1972. Siç
shkruan Kol Gjok Camaj nga Lezha, Mark Ujk Gojçaj sa qe gjallë u përkujdes për
rritjen e nipit të vet. E dërgoi në shkollë të lartë ku mbaroi Universitetin e
megjithatë në fatin e të atit, edhe atij, jugosllavët nuk i siguruan punë.
Prandaj mori rrugën si emigrant në Suedi, ku ka punuar kuzhinier. Zef (Zvanko)
Gojcaj u martua dhe ka dy femijë, një djalë e një vajzë. Me brengën e tij, por
edhe të nënës si dhe e të gjyshit e gjyshes që vdiqën në pikëllim e zemër të
copëtuar, i biri i Nikoll Gojçit e
kishte një amanet familiar. Ai
duhej të mësonte të vërtetën mbi babain. Para vitit 1980 erdhi në Shqipëri dhe
qëndroi te halla e vet Vitore Lulgjuraj. Dhe në rrethin familjar e bisedoi
dëshirën që kish që të dëgjonte me veshët e vet çfarë do të thoshte Mehmet
Shehu, atë kohë kryeministër, që kishte qënë komandant i brigadës I S. Në familje këtë kujtim përvelues e bisedoi
edhe me Nasho Jorgaqi që e kishte të familjes, sepse shkrimtari ishte martuar me
vajzën e motrës së Nikoll Gojçit. Nasho Jorgaqi tregon se për t’u takuar direkt
me Mehmet Shehun zyrtarisht ishte e pamundur. Atëherë mendoi që takimin e
djalit të Nikoll Gojçit me Mehmet Shehun ta realizote nëpërmjet Fiqiret Shehut,
gruas së Mehmetit të cilën e njihte. Nasho Jorgaqi bashkë me Zef (Zvanko)
Gojçin e takuan Fiqiret Shehun. Ajo pranoi se e kishte njohur Nikollën. Dhe se
do të bisedonte me Mehmetin në shtëpi e do ta pyeste vetë e do t’ju jepte përgjigje. Në takimin e dytë me Fiqiret
Shehun, ajo i tha Zef (Zvanko) Gojçit se babai i tij nuk është tradhtar dhe nuk ka asgjë që e
rendon figurën e tij për këtë. Kështu me tha Mehmeti. Por problemi i tij ishte
se shoqërohej me partizanet e brigadës dhe kishte rënë në sy për këtë. Asgjë
tjetër kishte thënë Mehmet Shehu dhe Fiqiret Shehu pat shtuar se e vërteta
është se Nikolla ishte një djalë simpatik dhe vajzat partizane e pëlqenin
shumë. Dhe kështu për këtë u bë ajo që u bë ndaj tij. Por asgjë që të cilësohet
politike apo armiqësore nuk ka për Nikoll Gojçin. Gjithsesi Zefi u qetësua, por
brenga mbeti, sepse asgjë zyrtarisht për rehabilitimin e babait të vet nuk u
bë. Mund të shtojmë se në asnjë dokument të shtabit të përgjithshëm, dhe në
asnjë botim mbi Brigadën I sulmuese Nikoll Gojçaj nuk është konsideruar si
tradhtar.
Edhe në botimin që ka përgatitur Ndreçi
Plasari kur Mehmet Shehu ishte gjallë, nuk konsiderohet tradhtar dhe as nuk
thuhet se është ekzekutuar, por thjesht se është vrarë në luftë, por pa u
konsideruar dëshmor. Mehmet Shehu nuk guxonte ta bënte këtë cilësim si
tradhtar, sepse shtabi i përgjithshëm dhe vetë Enver Hoxha mesa duket e dinin
krejt skenën se si është vepruar për eleminimin e komandantit të batalionit III
Brigadës I Sulmuese, por bënin kompromise duke i mbuluar krimet njeri-tjetrit.
Pas vetvrasjes së Mehmet Shehut dhe cilësimit të tij si tradhtar, një grup
veteranësh shprehën dëshirën që të rehabilitohej figura e komandantit trim
Nikoll Gojçi, sepse ishte viktimë e Mehmet Shehut, por udhëheqja e lartë, nuk
pranoi sepse nuk donin të zbuloheshin krimet e përbindshme që bëheshin brenda
radhëve të formacioneve partizane. Kështu
luftëtari trim Nikoll Gojçaj edhe sot e kësaj dite ruhet në kujtesë me imazhin
e një luftëtari partizan trim që e vranë pas shpine komunistët, pasi shpifën në
mënyrën më të ulët dhe pa e treguar kurrë as vendvarrosjen e tij. Por gjithsesi
Nikoll Gojçi mbeti një legjendë e gjallë, një figurë që meriton nderim e
respekt për karakterin, dinjitetin, qëndresën dhe shpirtin luftarak, tipar që e
fitoi në mes të malësorëve të Hotit i shfaqi deri në fund të jetës së vet
heroike. Dhe ishte vetëm 26 vjeç.
Nga libri “Miti i Hotit” Kolec Traboini Pantheon Books 2017, faqe 90-107
Nga libri “Miti i Hotit” Kolec Traboini Pantheon Books 2017, faqe 90-107