O ME SORRËN O ME
KORBIN - RRUGË TJETËR NUK KA
Nga KOLEC TRABOINI
Sapo hoqa nga miqësia
ne facebook dhe e vura të rrijë bllok, në karakatinën që e kam quajtur 100 plus
1, një person, sepse, i paditur e i pa lexuar, pa me njohur aspak, meqë
kritikoj qeverisjen e keqe të Ramalliut më quan të Saliut. E kujt mua që kam bërë me qindra shkrime,
satira e humor, madje dhe një libër me skica e poemë ironike botuar në 1995,
"Rapsodi ushtore" në dy kapituj, Vrimat e Saçit, (skica) dhe
Kreshnikët e Demokracisë (poemë).
Pse, më pyesin dhe më tej, mos vallë ka qenë më e
mirë koha e Saliut se sa e Ramës? E kjo pyetje naive është si të thuash se nata
e djeshme ka qënë paksa më e errët se kjo e sotmja.
Ama të dyja kanë qenë
natë e jo ditë.
Po urithit pse i
duhet drita gjersa nuk ka sy të shohë e të dallojë nuancat e dritës. Errësira
për të është e mjaftueshme. Ashtu dhe për dritëshkurtrit në mendjet njerëzore,
errësira është dritë e shkuar drite.
Por që ka qenë
diktaturë koha e Salit të parë atë e di kushdo, madje edhe macja ime e di se
nuk guxonte të dilte përjashta të takonte ndonjë maçok se e ngordhnin me gurë
mitingashët e Salës. Edhe kryeministrin e sotëm, asokohe, e patën e rrahur vendçe, sepse kishte guximin të dilte e
fliste nëpër kafenetë e Tiranës, që ishin mbushur tumllas me spiunë të regjur,
të cilët nga komunistë të kuq u llangosen si shejtanët blu duke vazhduar të
bëjnë zanatin e vjetër të Judës! Edhe sot atë punë bëjnë, por pushtetin e Ponc
Pilatit tani e ka pikërisht ai që dikur qe pësuesi, viktimë e përdhosjes, baltosjes dhe e
përgjakjes.
Borxhin mbase s'ta
kthen, por hak pa marrë nuk lë shqiptari.
Unë asnjëherë nuk e
kam vënë në dyshim se në 27 vjet nuk kemi pasur demokraci të vërtetë por një
aliazh postkomunist, një shartim e përçudnim i pangjarë në Europë. Ndryshe si
do të na pllakoste kjo gjëmë që Ministri i Brendshëm i diktaturës të na bëhet
Kryetar Parlamenti?! Mbase në Afrikë ka ngjarë e ngjet kështu. Kjo tregon së
populli shqiptar është nën influencën e Sindromës së Stokholmit. Bëhet mik e
vëlla me atë që të vret, madje katandiset që ta mëshirojë xhelatin.
Shumë njerëz nëpër
media sociale me mendime bardhë e zi, ngatërrojnë e bëjnë lëmsh një gjë, kushdo
që kritikon atë që sot është në pushtet e quajnë Salist sepse janë me mendje të
kalçifikuar, rudiment i monizmit atrofik,
o me ne, o me armikun.
Pra ta presin shkurt
e s'ke ku vete, o me Ramalliun o me Saliun.
Po mirë more, po unë,
që nuk dua të jem me këta të dy plangprishës të Shqipërisë, si do bëj në këtë
alternative, o me sorrën o me korbin?
Atëherë, si tu kesh bërë
këtë pyetje, marrin flakë edhe më keq. Tua quash udhëheqësin, idhullin pa krye,
sorrë e korb, kjo është një thagmë e madhe. Gati të nxjerrin hanxharët e Ali
Pashës prej llagëmeve të mesjetës. Biseda
me ta është me të vërtetë një Vaterlo e asgjë
tjetër.
Jepni gjegje e
shtjelloni këtë teme me durim në mediat sociale se më ka gjetur një hall i
madh. Shumicës së miqve ju ngatërrohet litari i politikës nëpër këmbë e më fajësojnë
mua që, as timon e as tepsi e as litar nuk kam. Kam vetëm çelësat e shtëpisë
sime të kohës së monizmit. Një dhomë e një guzhinë, stil i vjetër dhe falë zotit
që nuk ma morën.
Ku Surrel bunkeri dhe
ku shtëpia ime. Po le ç’ta ngasim me tej. T’ia lemë Vetingut këtë punë. E që ua kam llafin, ta themi shqeto
fare, sos gomari që na ngordhi po nuk na
lënë rehat as mizat, të cilat në Shqipëri nuk guxojnë ta dhjesin portretin e
perandorit.
Mos o zot! Fytyrat, ndyrësisht të ndritura të udhëheqësve tanë, kurrsesi nuk duhen lejuar të dhiten nga mizat.
26 Prill 2018
______________ ☸ ________________
Mos o zot! Fytyrat, ndyrësisht të ndritura të udhëheqësve tanë, kurrsesi nuk duhen lejuar të dhiten nga mizat.
26 Prill 2018