05 April 2018

Flamurin e Deçiqit 107 vjet më parë e solli në Hot Palok Traboini




FLAMURIN E DEÇIQIT E SOLLI NË HOT PËRMES DALMACISË PALOK TRABOINI SI SOT 107 VJET MË PARË

Më 6 prill 1911 u ngrit flamuri shqiptar në  Deçiq. Është pikërisht ky flamur në fotografi që historianë poturexhinj dhe lakadredhës të politikës e anashkalojnë jo pa qëllim. Qe ti japin mundësi vetes te sajojnë histori te paqena, ta zëmë siç sajon përralla historiani i politikes se djathte, deputet ne listën e Shkodrës, që thotë se ky flamur është punuar nga terzinjtë e Krajl Nikollës. Ky është mashtrim. Se edhe flamurët na i paskan bërë Krajl Nikolla. Aq më tepër se gjyshi i vet a ndonjë kushëri i tij me mbiemrin Gurakuqi, punonte te sarajet e Krajl Nikollës dhe duan ta vendosin në histori përdhuni. Por histori me histeri nuk shkruhet. Ky flamur është porositur nga Dedë Gjon Luli i cili dërgoi në Vjenë të birin Kolën kur u bë porosia dhe pagesën e ka bërë Alardo Kastrioti. Por kur erdh puna për ta marrë atë flamur, lindi një problem se Kol Ded Gjon Luli nuk shkonte dot se ishte komandat ushtarak i trupave të Hotit që kishte filluar luftën kryengritëse. Atëherë Deda dërgoi për ta marre atë flamur sekretarin e vet Palok Traboini(1889-1951) / familja Çeku nga ku është edhe dëshmori Gjon Ujk Çeku/ fisi Gojçaj /dhe Palok Luc Çeku( Traboini) e solli atë flamur në Hot, te Kisha, dhe ja dorëzoi Ded Gjon Lulit. Deda urdhëroi djemtë luftëtarë ta shpalosnin në një pikë të lartë dhe u vendos në një grumbull gurësh ne Bratilë të Deçiqit, më saktë aty ku bashkohet Hoti me Grudën.
Bashkë me fotografinë e Flamurit Marubi ka ruajtur edhe një foto shumë të rrallë, një grup luftëtaresh që i ka shënuar Luftëtarët e Deçiqit.. Ne atë fotografi janë Palok Traboini, që solli flamurin, Mirash Luca i Kastratit dhe Gjok Prel Çeku e disa që nuk i njohim e nuk i identifikojmë dot, që edhe ky Gjok Prela me vonë është vrarë në luftë kundër  forcave esadiste. Po këta historianet e sajuar, as fotografitë nuk i marrin si dokumenta. madje as poemën me 1700 vargje që Palok Traboini ka shkruar po atë vit që u bë kryengritja e cila është e botuar tre herë. Është poeme historiko-epike me ngjarje e persona reale. As kësaj nuk ja hedhin sytë se duan vetëm rrena që të kenë mundësi të manipulojnë historinë. Ti sajojnë ngjarjet ndryshe.
Sipas një zbulimi të fundit në Arkivin e Shtetit është gjetur nga Nikoll Loka viti i saktë lindjes së Palok Traboinit, më 29 mars 1889 si dhe janë gjetur vitet dhe vendet ku ka shërbyer si mësues, në Shkodër e rrethina, në Kosove dhe në trojet shqiptare në Mal të Zi. Dihet që Palok Traboini që në moshë të vogël është rritur në Shtëpinë e Motrës Tone dhe është martuar me të bijën e saj Katrina Skanjeti -Traboini.
Shkrimet e Palok Traboinit, poema dhe publicistika e botuar në vitin 1910, tek gazeta “Bashkim” e Dom Ndoc Nikës,  janë mbledhur të gjitha në një libër të veçantë dhe janë botuar nën titullin "Flamuri në Deçiq" 2012 ku autor i librit është mësuesi Palok Traboini.

Kolec Palok Traboini
6 prill 2018




HISTORIA DHE E VËRTETA NUK MUND TË VARROSEN E AS TË DIGJEN

Impresioni im për datën 6 prill 2018



Herët a vonë kombi shqiptar ja kthen mirënjohjen bijve të vet që dhanë ndihmesë që Shqipëria të bëhej, ani pse shumë pushtetar e lakejt e tyre kalemxhinj vetëm e fshehin me qëllime të liga që atdheu të mos këtë histori.
Dy herë gjatë diktaturës është propozuar nga populli që Palok Traboini të dekorohej për kontributin si luftëtar e flamurtar, si sekretar i Dedë Gjon Lulit dhe mësues i shkollës shqipe që në vitin 1908 dhe i dhjetëra shkrimeve atdhetare në gazetën "Bashkimi" të Dom Ndoc Nikës në Shkodër, por Kuvendi Popullor i kohës se diktaturës e ka lënë në sirtar dëshirën e popullit, veçmas Hotit të Ri dhe Barbullushit ku janë inicuar propozimet.
Por koha e bëmat historike nuk mund te qëndrojnë gjatë në sirtar. E vërteta del në diell. As pandehmat e turpshme manipulatore të kryeministrit Rama që fantazon në zyrën e tij ( nxitur në këtë fantazi habitore nga Nikua i Korçës, një historian amator) se Flamurin e Deçiqit ua paskan sjellë malësoreve në Hot dy përmetarë mërgimtarë të humbur nëpër kaza e vilajete. Kësisoj pandehmash e kthejnë historinë në grotesk, pi raki e trego histori, sikur të ishte historia hiq e vish poture turkoshake.
Por këto lakadredhje nuk të çojnë tek e vërteta por tek mashtrimi si vazhdimësi e atyre që me ta marrë pushtetin në 1944, Flamurin e Deçiqit që e ruanin meshtarët katolike në selinë e tyre e rrëmbyen, komunistët ishin ne veprim me jakobinizmin e tyre vrastar, meshtarët i pushkatuan dhe flamurin e Deçiqit e dogjën, se për ata historia fillonte aty e atë çast.
Por historia dhe e vërteta nuk mund të digjen e as të varrosen kurrsesi sado që përpiqen sharlatanët që veç hije bëjnë mbi dhe.

Kolec Palok Traboini
6 prill 2018


____________ ____________