![]() |
ERNEST LUIGJ ÇOBA -Nipi |
IDROMENO – I PËRVETËSUAR PËR NJË COPË BUKË INTERNIMI
Nga KOLEC P. TRABOINI
![]() |
KOL IDROMENO |
Ka misione e misionarë të çuditshëm në këtë botë të pleksur keq, siç e konsideronte Shekspiri, të cilët kinse duke kërkuar të nxjerrin prej historisë vlera, në deduksione e amulli vetanake nuk mungojnë të hedhin shkulmë terrine edhe mbi atë që ndrin e të bën krenar si komb. Dihet se gjithherë ka pasur nga ata që nga dëshira e ndezur shpirtpërvëluese për të hyrë në analet e historisë, ndërkohë në paaftësi të plotë të krijojnë, kanë ndjekur një tragë tjetër të kundërt me atë të krijimit. Janë përpjekur për të shtënë në hije atë që kanë krijuar paraardhësit apo bashkëkohësit e vet. Ai që dogji Romën quhej Neron dhe e vuri emrin në histori po aq të spikatun sa dhe perandorët që e ngritën lart emrin e perandorisë dhe e bënë të ndritshme atë. Zumë një emër rrënuesi, por historia na jep plot shëmbëllesa shekull pas shekulli, për të ardhur deri në ditët tona. Nuk i kanë shpëtuar kësaj dhune historike as emrat tanë të mëdhenj si Gjergj Fishta, e jo vetëm. Paradoksalisht edhe pse sistemet e dhunshme ndërrohen simptomat e përçmimit dhe përçudnimit të historisë e kulturës vazhdojnë. Ka një tollovi të madhe edhe ndër bashkëkohësit tanë, nga ata që kërkojnë të dalin e të bëjnë show mediatik me ide kinse të reja. Nuk do t’i hyja trajtimit të këtij aspekti sikur vitet e fundit të mos i ishin përveshur edhe Da Vinçi-t shqiptar, Kol Idromeno.
Një prej atyre që përpiqen thekshëm të bëjnë “zbulime”
në këtë siujdhesën tonë ballkanike është
piktori Mustafa Arapi, i cili në “Gazeta Shqiptare” të datës 1 qershor
2017, shkroi më të pabesueshmen në fushë të artit, kinse portretin e Motrës
Tone (nënën e Dadës sime Katrina Skanjeti -Traboini) nuk është vepër e Kol
Idromenos. Më vjen ta pyes me zë të lartë sa të dëgjojë edhe Kol Idromeno në
varr: Po kush e ka bërë, o Mustafa? Meqë i hyn valles çoje deri ne fund. Na
thuaj emrin e piktorit të aluduar, sepse emri Nikolla Idromeno në telajon ku
shfaqet mrekullia “Motra Tone” nuk qenka e mjaftueshme për ju. Për më tepër si është
e mundur që Kol Idromeno, ky personalitet kaq i madh i artit shqiptar, i paska
lejuar vetes të vërë emrin e vet poshtë veprës së një tjetri nga Italia, ku, e
theksojmë, nuk e dimë të ketë shkuar Antonia Skanjeti-Idromeno. Por edhe në
pastë shkuar nuk ka qenë e veshur me rrobe tradicionale shkodrane por europiane.
Ajo e kishte bashkëshortin intelektual italian, mësues dhe veshja e saj e përditshme
ka qenë allafrënga si në familjen prindërore, po njëjtë edhe në atë të martesës,
Skanjeti.
Jo vetëm e pabesueshme kjo pandehmë, por edhe e përzishme.
E përzishme për çdo dashamirës arti, aq më tepër për ne që jemi pak a shumë të
afërt me familjet Idromeno e Skanjeti, sepse Motra Tone para se pikturë ka qenë
një njeri.
E gjithë pandehma e këtij kritiku të vonuar është se
nga ana stilistike ndryshon portreti “Motra Tone” nga veprat e mëvonshme,
qofshin këto portrete apo kompozime. Po çfarë ka këtu për t’u çuditur. Ndryshe
prej çdo vepre tjetër, Motra Tone e mëvonshme, me veshje allafrënga, është dhembja e thellë e Kol Idromenos,
pikëllimi piskamë i vëllait për motrën e vdekur në moshë të re. Është vuajtje
shpirtërore që e ka shoqëruar për një kohë të gjatë. Këtë ndjesi humbëse nuk e
ka pasur Kol Idromeno në vitin 1883, kur datohet krijimi i portretit të parë, anipse
askush nuk e vërteton dot se ajo vepër nuk ka ardhur duke u përsosur në detaje
nga dora e piktorit edhe pas atij viti.
Që vuajtja e piktorit ka qenë e madhe e tregon fakti
se dekada më vonë ai krijon portretin e
dytë të “Motres Tone”. Mesa duket me
kërkesën e vajzave të saj që tashmë qenë rritur. Po ashtu ai krijoi dhe
portretin e babait të tyre, burrit të motrës Tone, Andrea Skanjeti. Trajtimi
dhe tonaliteti i të dy portreteve të bashkëshortëve është pothuajse i njëjtë.
Të kërkosh këtu shkëlqimin kromatik të portretit të vitit 1883 është si të
kërkosh të ngjallësh të vdekurin.
![]() |
MOTRA TONE 1883 |
Kol Idromeno më shumë se angazhim artistik, në
portretin me veshje allafrënga të Motrës Tone, ka pasur qëllim të krijojë
imazhin e saj, dhe meqenëse ajo nuk jetonte më, ai nuk mund t’i jepte atë
shkëlqim drithërues që ka portreti i vitit 1883. Nuk mendoj se kjo diference e
madhe stilistike e kualitative në përdorimin e ngjyrave e pasurinë e detajeve
ka të bëjë me venitjen e talentit të piktorit ndër vite, siç thonë skeptikët. Kurrsesi.
Përkundrazi është e shpjegueshme, gjithçka i nënshtrohet qëllimit për të cilin është
krijuar portreti në telajo. Ndërsa në veprën e parë këndojnë ngjyrat e tonet
janë të gëzueshme, sepse piktura është krijuar
kur Motra Tone ishte gjallë, në të dytën tonet janë serioze, madje diku-diku të
trishtueshme nga që figura e krijuar tregon portretin e një njeriu që nuk
jetonte më. Ishte pra një përkujtim e përshpirtje e nuk mund të kishte
shkëlqimin e veprës se vitit 1883. Prandaj na duket e pa arsyeshme dhe pa asnjë
bazë pretendimi se Motra Tone e vitit 1883
ka dorën e dikujt tjetër. Se pari duhet të kujtojmë se, tjetër ndjesi ka njeriu
kur këndon e tjetër kur përkujton amshimin, ani pse ai që i përjeton ndjesitë e
kundërta është i njëjti njeri. Edhe në trajtimin ngjyrave në telajo funksionon
kështu. Ngjyrat kanë ndjesinë dhe frymën e atij që krijon. E njëjta dukuri
qëndron edhe për vargjet poetike, por edhe për muzikën.
Lexojmë edhe pse nuk duam të besojmë: "Jeta e
vepra e tij janë shembulli i qartë se si lindin dhe veniten talentet
shqiptare". (Gazeta "Shqip" - Kolë Idromeno, i pari i tragjedisë
së pikturës realiste shqiptare - Eleni Laperi, 15 gusht 2017).
Qenka venitur Kol Arsen Idromeno, ky Da Vinçi
shqiptar, e zeza mbi të bardhë në gazetën "Shqip", me firmë e me vulë të studiueses në fjalë. Ky
po që është studim-zbulim me tronditë edhe mendjet më të kthjellëta. Por le të
vazhdojmë ta lëçisim edhe më tej zonjën Laperi, që të përpiqemi sadopak të
kuptojmë ku e ka pasur ngulmimin studiues që të konsiderojë Kol Idromenon
tragjikun e pikturës shqiptare. Pse pra na paska qenë Idromeno një piktor me
thelb tragjik?:
“I ati (Arsen Idromeno- shënimi im K.T.) e ndihmoi
djalin e tij të zhvillonte dhuntinë për pikturën, skulpturën, muzikën dhe
fotografinë, duke e ditur se ato nuk do ta bënin të pasur, duke mos e ditur se
e shtynte të birin në një jetë prej Ferri e Parajse.”, shkruan zonja Laperi.
Epo, mbase ajo nuk e di fare se kush ka qenë babai i
Kol Idromenos dhe çfarë dhuntish ka pasur vetë ai, dhe pikërisht për këto
aftësi të tij politeknike i mësoi të birit të gjitha mjeshtëritë, të cilat do
ta ndihmonin për ta përballuar jetën. Madje shumë punime që krijuan traditën e
arkitekturës të qytetit të Shkodrës, e që sot i admirojmë edhe të huajt, kanë
qenë të Arsen e Kol Idromenos. Vetë Arsen Idromeno ka qenë arkitekt.
Me ndërtimet që bënë baba e bir në qytetin e Shkodrës
kthyen paraqitjen e këtij qytetit nga orientale në oksidentale, me fytyrë e
frymë nga Europa, zhvillimi më i madh në këtë qytet bashkë me lulëzimin e
zejtarisë që e bënë qytetin më të njohur në Ballkan. Pra përafruan Shqipërinë
me qytetërimin europian, shprehje e të cilit në këtë rast është arkitektura. Të
krijosh një Europë të vogël në Shkodër të Shqipërisë së robëruar pesë shekuj, është
me të vërtetë një punë e madhërishme. Historia nuk ia jep çdo kujt këtë mundësi
e këtë lavdi.
Falë Arsen e Kol Idromenos, kur të huajt vinin në
Shkodrën e pas tërmetit shkatërrues vitit 1905 dhe rindërtimin të qytetit mbi
principe moderne, e ndjenin se ishin në Europë e jo në humbëtirat e Anadollit.
E njëjta ndjesi të krijohet edhe sot kur kalon në pedonalen që mban emrin e Kolës,
e cila në të vërtetë duhet të mbante emrin e atit dhe të birit, sepse ishte
vepër e përbashkët.
Dhe është e nevojshme të theksojmë se Kol Idromeno nuk
ka qenë i varfër, sikur kjo studiuesja kërkon ta shesë. Përkundrazi ka qenë një
familje në gjendje shumë të mirë, dhe Kola, i cili bënte çdo lloj punë që
përfshihet në artizanat, kishte të ardhura. Ne që jemi të afërt të rrethit familjar
nuk dimë të ketë vuajtur Kol Idromeno për bukën e gojës, në atë kuptim që kjo
zonjë e quan “ferr parajsë” të jetës së Kol Idromenos. Jeta e Idromenos nuk ka
qenë ferr, por një pasion i ndritur. Ka pasur fatkeqësi familjare me vdekjen e
djalit dy vjeçar, Zefit, si dhe motrës në moshë të re, por ai kurrë nuk është
mposhtur nga dhimbja. Kishte aq shumë pasione e punë sa nuk kishte kohë të
rrinte nëpër skena pikëlluese romantike siç e fantazon jetën e artistit Eleni
Laperi.
Fantazitë e kësaj zonje që shkruan në irealitet
vazhdojnë:
“Me Kolë Idromenon nis historia e tragjedisë së
pikturës realiste shqiptare në veçanti, në vazhdën e tragjedisë së kulturës
shqiptare në përgjithësi. Jeta e vepra e tij janë shembulli i qartë se si
lindin dhe veniten talentet shqiptare.”
Janë këto një retorike fjalësh pa ditur se kujt i
adresohen e për çfarë. Një mendim skematik për të shkuarën tragjike, se e
shkuara na qenka vetëm tymnajë. E kemi
vuajtur këtë mendësi gjysmë shekulli në mungesë të lirisë. Gjykime të tilla
nihiliste dhe kategorike nuk i shërbejnë askujt. As atyre që i kanë dhe i
shprehin. E vërteta është se shpesh herë
dritën e diellit më shumë se në qiell duhet ta kemi në mendje. Sado e shkëlqyer
të jetë drita ndodh që nuk arrijmë ta shohim. Pse e them këtë? Sepse të konsiderosh
Idromenon, përpara të cilit mahnitej i madhi Odise Paskali, në një dështak
tragjik është një guxim i çartun. Më të vërtetë është krejt e pa konceptueshme dhe
shkrime të tilla nuk meritojnë të kenë vëmendje e as të lexohen. Veç tundimi i
madh më bën të reagoj e të them se jeta e artistëve nuk është një terren ku mund
të fryjmë e shfryjmë egoizmin tonë,
qoftë ky profesional, studimor apo përsiatje vetanake jashtë vetkontrollit.
Pa shkuar një kohë e gjatë, që kur ka hedhur një shkul
terrinë e hije mbi talentin e Kol Idromenos, kjo zonjë e nderuar, Eleni Laperi
pra, del e flet ne media, për kë do thoni ju,
bash sak për meritat e Kol Idromenos, me atributin kjo zonjë si
"këshilltare e Ekspozitës" së Galerisë Kombëtare të Arteve figurative
Tiranë për Kol Idromenon. Dhe kinse ka zbuluar portretin e Monsinjor Dom Ernest
Çobës të punuar nga daja i tij Kol Idromeno. Monsinjorit, të cilit portretin ia
morën në Galerinë e Artit, por jetën ia shuan në qelitë e burgjeve të
diktaturës.
Kësisoj nuk ka pasur kurrfarë nevoje e gjë prej gjëje për
të zbuluar, sepse nipat e Monsinjorit janë gjallë dhe e kanë pasur Monsinjorin
dhe portretin e tij në shtëpi.
![]() |
DORËSHKRIM I DOM ERNEST ÇOBËS |
Kam qenë mjaft herë në atë shtëpi me Dadën Katrinë kur
isha fëmijë, kam në kujtesë mjaft detaje, çardakun, odën e xhamave, pusin në
oborr dhe ndonjë pikturë varur në mure. Një herë që kthehesha nga shkolla në
rrugën Gjuhadol, te cepi shtëpisë së Kol
Idromenos ku kishin hyrë pronarë të rinj, më kapi vështrimi shumë xhama të
thyer. Ishin xhama të hollë dhe të zinj, çfarë nuk kisha pasur rast të shihja
më parë. Mora disa prej tyre në dorë dhe vura re disa figura njerëzore si hije
nate, që m’u dukën të frikshme. Megjithatë mora njërën prej tyre, që ishte sa
gjysma e një fletoreje dhe e futa në çantë. Kur shkova në shtëpi gjeta Dadën
Katrinë që po gatuante. Më pa me duar të pista e më pyeti pse të janë nxirë
ashtu. I tregova xhamin e zi e të thyer. Më pyeti se ku e mora dhe unë i
tregova se kalova para shtëpisë së teze Orsolinës. Dada Katrinë u vrenjt dhe në çast e kuptova se u mërzit shumë. Ajo çfarë
ruaj në kujtesë janë fjalët: “Paskan shkatërruar odën e xhamave të dajës.”
Fjalë që tani më tingëllojnë akoma më pikëlluese se asaj dite kur, si harabel i
gëzuar kaloja në rrugën Gjuhadol, për të shkuar tek Dada Katrinë me një copë
xham të thyer të dajës së saj Kol Idromeno. Ishte një humbje që i kushton kohës
aq shumë.
Gjithësesi interesi për veprat e Kol Idromenos nga
Galeria e Arteve Tiranë kanë qenë menjëherë
pas hapjes së saj në janar 1954. Dhe meqenëse familja e Orsolina Çobës
ishte në gjendje jo të mirë ekonomike, me gjithë hezitimin, më së fundi pranuan
ta shisnin portretin e Motres Tone, nënës së Orsolinës, Katrinës, Milenës (nëna
e poetit Zef Zorba kjo e fundit) si dhe
dy motrave të tjera që ndodheshin në Kosovë. Në kujtesën time është e fiksuar
dita kur Dada ime Katrinë erdhi në shtëpi e solli një sasi paresh të cilat i
vuri në komo duke thënë “e kanë shitur
portretin e nanës Tone dhe më dhanë pjesën teme”. Ky detaj është familjar e mbase
nuk ka rëndësi, por gjithsesi pohon një të vërtetë, Galeria e Arteve Tiranë e
dinte se në shtëpinë e Orsolina Çobës ndodheshin dhe vepra të tjera të
Idromenos. Rin Andrakja, që mban emrin e dajës, Monsinjorit Ernest Çoba, me të
cilin shoqëroheshim në fëmini dhe në rini, më kujtoi së fundi tërë peripecitë
që kishin të bënin me portretin e dajës, por dhe familjen e vet.
![]() |
AUTORI I SHKRIMIT K.T. DHE ERNEST ANDRAKIA, 1970. |
Tani çfarë ka këtu për t’u përpjekur e stërmunduar se
kush është në këtë portret kur gjithçka flet për dom Ernest Çobën, martirin e
fesë katolike, i lindur në Shkodër më 16 shkurt 1913, i arrestuar më 29 prill
të vitit 1976, dënuar pa asnjë fakt me 25 vjet heqje lirie, vrarë me injeksion në
spitalin e burgut të Tiranës më 8 janar të vitit 1980.
Mbeten lapidare fjalët që iu thoshte gjykatësve
komunistë “E kam urryer, e urrej e do ta urrej komunizmin sa të kem frymë!”. Shënojani këto fjalë të martirit poshtë portretit që i bëri daja i vet Kol Idromeno, aty në Galerinë Kombëtare
të Arteve në Tiranë. Ai është një portret i identifikuar qëkur është krijuar në
vitin 1927.
Dhe për ta mbyllur, bash për këtë na venë punët mbarë
ne shqiptarëve, se kemi këshilltarë që bëjnë “zbulime” dhe një mjeshtrit të
madh si Kol Idromeno, që na ka dhuruar një “Xhokondë” shqiptare dhe një “Dasëm
shkodrane”, t’i vëmë në dyshim talentin.
O Tempera, o Mores!
![]() |
OBORRI I SHTËPISË |