16 November 2021

🔴 Byk-Kultura bën Panairin e Librit - nga K. P. Traboini


BYK - KULTURA  BËN   PANAIRIN E LIBRIT
Nga K. P. Traboini

 
Në vitin 1991 sapo kisha shkuar emigrand në Greqi ku gjëja e parë që më ra në sy ishte pazari i madh i Monastiraqit në qendër të Athinës ku gjeje edhe qumësht dallendyshe, siç i thonë, kur disa qindra kilometra në perëndim shqiptarët nuk kishin as bukë. Më bëri përshtypje gjithashtu një nga rajonet me të vjetra pranë kodrës Likavito, Kolonaqi, ku kishte me dhjetra librari ngjitur prane njëra-tjetrës dhe shtëpi botuese plot e, me qe jemi tek librat, veçanërisht Panairi i Librit në Athinë. Ky panair zhvillohej në natyrë në dy anët e rrugës aty tek Pallati i shqiptarit që punonte për Greqinë, Vasil Zhapa, por grekët i thonin Zapio.
Bashkia kishte vendosur banake e rafte këto të mbuluara dhe dukeshin si dyqane portative. Ishte një gjë e bukur ti shihje këto shtëpiza libri, disa metra larg njëra-tjetrës dhe nën krahët e pishave.
Kisha menduar se edhe në Tiranë, në dy anët ku është bulevardi "Dëshmorët e Kombit" mund të bëhej mrekullisht kështu. Dhe duke e venë qëndrën e Panairit në një vend aq domethënës, tek busti i Naim Frashërit. Po he thomëni kush ta bëjë? Erioni i Bashkisë që na sjell 2 orë ujë në ditë, më keq se në kohë të diktaturës. Apo uzurpatori i shoqatave botuese, Petrit Ymeri që si ai Armand Duka i Federates së Futbollit, i kanë kthye këto institucione në tokë të zanun.
Kanë zënë rehat në Pallat të Kongreseve, ku njerëzit mblidhen (pa dasht të ofendoj njeri) si minjtë. Dhe Corona Virusi i pamëshirshëm bëhet zot i situates duke marrë jetë njerëzish. Po ku pyesin  këta që përmendëm, apo dhe folkloristi i foltoreve me Kojrillen e tij greko- amerikane, të cilët as duan të dijnë se përditë vdesin njerëz. Dhe meqë pushteti hesht, ministresha e Shëndetësisë mban fjalime, mund të konsiderohen edhe këto bashkëpunetorë në krim. Por edhe SPAK-u që bën një sy qorr e një vesh shurdh, nuk është i pafaj; është i kapur nga politika për zverrku mesa duket.
Po le të shkojmë me tej. Edhe Panairi i i sivjetëm i Librit do të zhvillohet nëpër ëndrrat delirante të organizatorëve që nuk lexojnë asnjë libër që botohet në Kosovë dhe Shqipëri dhe kanë kurajon të ndajnë çmime për kë të duan e si të duan. Janë bërë çmimet si simite. Konsiderojnë sukses me bla-bla në media një panair inekzistent dhe ndajnë çmime. Një sharlatanizem i tillë nuk guxonte te behej as ne diktaturë ku gjithsesi komisionet e vlerësimit ishin të detyruar ti lexonin veprat që autorët paraqisnin. Por këtu nuk ka konkurim. Këtu sundon byk-kultura. A e patë si u laurua me kurora dafinash poeti që frymëzohet nga maja e pikaloit në Angli. E do ta çojë përpara poezinë në Shqipëri e Kosove nëpërmjet facebookut. Por edhe atje nuk i gjejmë dot poezitë e laureatit. Është krijuar një grupim që manipulon gjithçka nëpërmjet miqve e tarafit. Këtu nuk konkurojnë vlera. Këtu parakalojnë si turma amorfe pa indentitet antivlerat që bëjnë ligjin e Maliqin si kudo edhe në fushën e artit. Frederik Rreshpja i njohu më mirë se askush këtë lloj brumi batak dhe prej tyre hoqi kalvarin e poetit të kryqëzuar burgjeve te komunizmit vetëm pse tha "Po pse more, me veprën e 19 (të Enver Hoxhës) do bëheni poetë". Dhe rioshët e poezisë e dëgjuan dhe e spiunuan. Dy burgje beri Frederik Rreshpja e tani nuk është në te gjallë. Ndërsa poetët që u bënë me veprën 19 të Enverit nën sqetull, vazhdojnë të lazdrohen në opinionin publik pa u ngopur kurrë me lavdi. Paradoks i kohës të cilin mjerisht po e përjetojmë.
Dhe qershia mbi tortë: Një panair me denoncuesen e poetëve të ekzekutuar, në podium. Lavdia e Memurreve të Byk-Kulturës. Mirë ka thënë, në mos gaboj Friedrich Nietzsche, në ferr nuk gjen më djaj. Të gjithë kanë ardhur në tokë. 
Dhe thonë se komunizmi ka ngordhur. Jo besa. Vemjet janë gjallë.
 
© k. p.traboini 2021

11 November 2021

🟩 DJALË TROPOJE, nga K. P. Traboini


DJALË TROPOJE
-Për shokun e bankës në pedagogjike, Shkodër,
Zeqir Lushaj (1949-2021)

Nga K. P. TRABOINI

Me mbarimin e shkollës pedagogjike 2 vjeçare në Tiranë, Ministria e Arsimit nuk pranoi të na pajiste me diplomat e arsimtarit dhe na rekomandoi të ndiqnim shkollat Pedagogjike në rrethe.  Mua me një grup shokësh e shoqesh na caktuan në Shkodër. U paraqita në shkollë dhe u regjistrova në vitin e tretë. Klasa ku më caktuan kishte mësuese kujdestare Emine Oktrovën. Dija se ajo ishte bashkëshortja e regjisorit të njohur të teatrit “Migjeni”. Kur u gjenda në klasë mësuesja po lexonte emrat në regjistër për tu njohur me secilin nxënës. Pasi thirri emrin tim, më tha të ulesha në një bankë me Zeqirin. Unë nuk e dija kush ishte Zeqiri. Vështrova përreth dhe me ra në sy një djalë i qeshur, i cili ngriti dorën duke më treguar se do të isha shok banke me të.

Ka qenë e njohur ndër nxënësit e shkollave të mesme se shoku i bankës ishte disi më i afërt se sa bashkënxënësit e tjerë. Pasi u ula, Zeqiri më dha miqësisht dorën e më tha “Jam Zeqir Lushaj prej Tropoje” e unë ja ktheva “ Jam Kolec Traboini nga Hoti”. As e kisha idenë nga binte Tropoja se kisha qenë dy vjet në Tiranë, kisha shkuar edhe në Korçë tre muaj, në Shëngjin tek kushërinjt e mi vllaznit Pjetër e Ndoc Ujka, por në asnjë qytet tjetër. Kështu u bëra shok me Zeqirin. Ajo çfarë më pëlqente tek shoku i bankës ishte natyra e tij e çiltër. Ai nuk nxehej kurrë, nuk fliste ashpër e nuk mbante mëni edhe kur ndonjë i binte në qafë. Se adoleshentë ishim e frynim erë. Madje e kalonte gjendjen me një buzëqeshje të sinqertë. Që në njohje i thashë “djalë Tropoje” të cilën ai e priti mirë. Por në klasën tonë në shkolle Pedagogjike në Shkodër nuk kishim vetëm Zeqir Lushën nga Tropoja. Mbaj mend se ishin edhe katër djem të tjerë nga Tropoja, Frrok Vuka, Rifat Hajdarmataj, Halil Gjoni dhe Sadri Ponari, por mua më pëlqente që vetëm Zeqirit ti thosha “djalë Tropoje”. Ajo çfarë ruaj në kujtesë është së një herë që Zeqiri shkoi në Tropojë, na solli gështenja. Gështenja kishte edhe Shkodra andej nga Reçi, por gështenjat e Tropojës ishin më të mëdha dhe u shkëlqente lëkura. Vija re se ndër biseda herë pas here me fliste për vendlindjen. Këto biseda më së shumti bëheshin kur ishim në konvikt. Dimri, bora, pranvera, Shkëlzeni, Maja e Hekurave, Maja e Fushave, Sopoti, Grija, Dragobia, Valbona, ajri i pastër, gështenjat, por edhe arrat, pa harruar kumpirat, se kështu u thoshte patateve.Një prej atyre ditëve që po fliste me pasion për Tropojën më tha: “Kur të mbarojmë vitin mësimor e të vemi me pushimet e verës, do të marr në shtëpinë time të rrish tërë verën në Tropojë e do të bindesh sa e bukur është. Dhe më tej më pyeste: “Do të vish?”. “Po!”, - ja ktheja,- “do të vij”. E kisha ndare mendjen, do te shkoja sa të vinte vera. Mirëpo përpara verës ishte dimri, po afronte dhjetori kur pa pritur më thirrën në Degën Ushtarake Shkodër. Nuk e dija përse. Sapo hyra në ndërtesën e Degës Ushtarake vura re një grup djemsh të rinj që prisnin në korridor. Na thirrën brenda një e nga një dhe gjëja e parë që na thoshin ishte “zhvishu”. Një doktor ushtarak na vizitonte e thoshte “i aftë”. Si mbaruam vizitat na thanë se për dhjetë ditë do të shkonim ushtar. Madje na caktuan edhe datën.Kuptohet dëshpërimi im. Do të ndahesha nga shkolla dhe shokët për të shkuar kush e di se ku. Më vinte keq se kësisoj më prishej edhe ëndërrimi të bëhesha mësues.“Kështu, djalë Tropoje”,- i thashë shokut tim të bankës Zeqir Lusha kur ndamë!- “Por ti mos u mërzit se unë do të vij në Tropojë kur të mbaroj ushtrinë, veçse ti mbaje fjalën.”U ndamë të përmalluar. Por ndodhi ajo që nuk pritej. Më vunë në kamion me një grup rekrutesh shkodranë e drejtë e në Tropojë. “Eh, more Zeqir Lushaj”, - thashë kur u gjenda në Tropojë në mes të dimrit e ku bora binte deri në brez, - Si ma ndolle kështu, o djalë Tropoje!”I shkrova një letër duke i thënë se të gjitha ato bukuritë që më ke thënë, o djalë Tropoje, më dolën “të vërteta,... por ke harruar të më thuash se këtu të ngrijnë veshët e të dridhet mjekra”.Dimri ishte i gjatë, madje një herë na ra borë edhe në mes të majit. Por kur erdhi vera, vërtetë vendi kishte një bukuri mahnitëse. Bjeshkë, ajër i pastër e i freskët, qiell i kaltër, bari i blertë dhe lulet, luginat e malet që të shoqëronin kudo. Kur isha në shkollë në Tiranë vuaja nga morthi i këmbëve dhe duarve, më ënjteshin sa më bëheshin gjak. Por për dy vjet në Tropojë nuk e njoha më morthin, madje nuk mu shfaq kurrë më. Tropoja kishte një të ftohtë e borë të shëndetshme.
Djalin e Tropojës nuk e pashë më. Duhej të kalonin vite që ta takoja. Kur vazhdova studimet universitare e takova shokun e bankës, ai tashme ishte student në Institutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve.
Të dy u emëruam në Tiranë, unë në Kinostudio dhe ai në gazetën “Zëri i Rinisë” e kësisoj takoheshim herë pas here. Kishim edhe një shok të përbashkët gazetar, Tonin Shtjefnin me të cilin Zeqiri e bashkonte puna. Pastaj ndodhi emigrimi. Me gjithë atë nuk u harruam. Ishte dhe në Amerikë, por vendosi të kthehej në Shqipëri dhe zgjodhi si vendbanim Shëngjinin. Këto ditë nëntori Zeqir Lushaj ishte shtruar në spital i infektuar me Covid, sëmundje që i mori jetën.
Paç dheun e lehtë shoku im i bankës, djalë Tropoje, Zeqir Lushaj! 
 
11 nëntor 2021