21 July 2016

🟢 Kurdët një popull martir i pamposhtur- nga Kolec Traboini




KURDËT NJË POPULL MARTIR I PAMPOSHTUR              
- Kurdistan people must be free /Independent State for Kurd's -

Nga KOLEC TRABOINI

Tragjedia nuk ju nda kurrë popullit të Kurdistanit. Ishin aty para se të vinin hordhitë vrastare osmanët, turqit e sotëm. I shërbyen perandorisë si një nga popujt më luftarakë bashkë me shqiptarët. Patën edhe ata fatin e shpërbërjes se shqiptarëve por më keq akoma sepse nuk arritën të krijonin shtetin e tyre.  E ndanë në disa shtete popullin e Kurdistanit, 20-25 milionë në Turqi, po aq në Siri, Irak, Iran e gjetkë. Asnjë herë nuk e pushuan luftën për pavarësi, ani pse mbi ta është ushtruar dhunë e terror i paparë. Mjerisht shteti shqiptar as dhe një here nuk e ka shprehur simpatinë për këtë popull trim e martir me shkakun se kemi pasur shumë jeniçerë edhe pasi janë shporrur turko-osmanët nga trojet tona. Një dashuri dhe flirtim pervers deri ne përdhosje duke na konsideruar popull vëlla me vrasësit tanë ne pese shekuj. Marrëdhëniet e mira në mes shteteve siç e kërkon koha kur jetojmë, në paqe e mirëkuptim nuk duhet të na kushtëzojnë e të mos respektojmë aspiratat e popujve për liri.
Duam nuk duam turqit janë pushtues në Kurdistan. Populli kurd ka të drejtën të jetojë i lirë në trojet e veta, në atdheun e vet. Ai popull ka karakteristika krejt të tjera nga turqit dhe këta ushtrojnë një dhunë të egër dhe shtypin çdo aspiratë lirie. Aq i shfrenuar e dhunues është pushtimi sa kur një deputet kurd po shpaloste gjëndjen e popullit të vet, deputetet turq thirrën që ta kapin, ta nxjerrin jashtë dhe ta pushkatojnë. Por deputeti kurd më gjithë kërcënimet se do ta vrisnin në vend, u tha  se ju mund të më vrisni se unë një jetë kam e jeta ime nuk ka rëndësi, por nuk mund të vrisni e zhdukni popullin tim, i cili është këtu në këto troje para se të vinit ju dhe mongolët. Edhe kryetari i Parlamentit thirri të vritet. Atëherë deputeti kurd tha,  ju jeni pushtues dhe do të keni fatin e çdo pushtuesi që u merr lirinë popujve. Ju më kërcënoni të më vrisni sot mua, por ju vrisni përditë me bomba popullin tim, gra e fëmijë e mbillni kudo terror se jeni pushtues e vrasës.
Po cila është historia e Kurdistanit, këtij populli luftëtar që aspiron lirinë e vet? Pas rënies së Perandorisë Osmane, shtetet e mëdha vendosën ta ndanin Kurdistanin në disa pjesë për të kënaqur orekset e tyre me trupin e një kombi. Ishte Traktati i Lozanës  më 24 korrik 1923 tepër fatal për kurdët, të cilëve makinacionet e shteteve të mëdha i lanë pa një shtet të vetin. Në Konferencën e San Franciskos 1945, përfaqësues të Kurdëve paraqitën kërkesën për njohjen e territoreve të veta dhe të një shteti kurd. Po kjo nuk u bë.
Në vitin 1983  provinca e Kurdistanit në jug të Turqise  u vendos nen një regjim të hekurt ushtarak në përgjigje të veprimtarisë së Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit. Lufta guerrile vazhdoi që nga viti 1980 e deri ne vitin 1990,  gjatë të cilave me dhjetëra mijë banorë u larguar dhe mijëra fshatra u rrafshuan me tokën.  Numri i të vrarëve dhe të ekzekutuarve ishte i panumërt. Shifrat të tregojnë një tablo rrëqethëse e të përgjakshme. Më shumë se 20 mijë kurdë u vranë dhe  vendbanimet e tyre u shkatërruan, nën një terror të paparë. Jo vetëm aq, por turqit arritën deri atje sa të bënin edhe embargon e ushqimeve në zonat e banuar nga Kurdët në vitin 1983. Si mjet lufte u përdorën veç armëve e makinerisë moderne ushtarake edhe uria.
Tërë kjo mizori ka pasur qëllim ta shkombëtarizonte dhe ta zhdukte rrënjësisht popullsinë e Kurdistanit sepse gjithherë Turqia ka pasur frikë se Kurdët e pjesës së Irakut do të nxisnin e frymëzonin kurdët e jugut të Turqisë për të fituar pavarësinë e për tu bashkuar në një shtet të përbashkët. Pikërisht kjo frikë i shtynte që krahas reprezaljeve e masakrave mbi kurdët e Turqisë, të bënte një luftë të madhe diplomatike, por edhe veprime ushtarake që kurdët e Irakut të mos kishin asnjë të drejtë dhe të mos e  fitonin pavarësinë e tyre. Por me hyrjen e amerikanëve në Luftën e Irakut rrethanat u ndryshuan. Autonomia e kurdëve e fituar në vitin 1992 në veri të Irakut u konsolidua. Interesant është se në vitin 2010 US Raport, ka shkruar se ka të gjitha gjasat që Kurdistani do të bëhet shtet nga viti 2030. Por ndodhitë me krijim e shtetit ISIS dhe pjesëmarrjen e kurdëve në krahun e Irakut dhe Shteteve te Bashkuara  krijonte një mundësi për krijimin e shtetit të Irakut mbase më shpejt nga parashikimet.


Populli i Kurdistanit tani është më i ndërgjegjshëm se kurrë sepse nuk mund edhe më tej të  jetojë në shtypje e robëri dhe duhet të luftojë për lirinë e vet. Është karakteristike se djem e vajza të reja përditë e më shumë po radhitën në formacionet luftarake kurdistane në Irak dhe në Siri, por edhe në territoret e pushtuara nga Turqia. Ndaj tyre është treguar një gjenocid i paparë edhe nga regjimi i Sadam Hysejnit duke përdorur armët shfarosëse kimike. Ata tani janë ndër luftëtarët me të vendosur e të angazhuar ne luftimet kundër shtetit Islamik( ISIS), i cili ka shpërthyer në një mizori të paparë kundër njerëzve që i përkasin kulturave apo religjioneve të tjera. Sukseset e luftëtarëve kurdistanë duke përfshirë edhe gratë e vajzat e janë të dukshme. Ato kanë krijuar formacione e marrin pjese direkt në luftime me të gjitha llojet e armëve.  Sipas agjencive të lajmeve ata janë të armatosur më së miri nëpërmjet lidhjeve me njësitet  amerikane që veprojnë në Irak e te cilët kurdët i konsiderojnë tashme aleate. Edhe me mijëra vajza të Kurdistanit janë përfshirë në këto forca që quhen  Peshmerga, që ka kuptimin e qëndresës deri në vdekje. Ato janë luftëtarë të forcave ushtarake  të rajonit të Kurdistanit,  pjesa që ndodhet në Irak e cila e ka fituar autonomin në 1970.  E konfirmuar sërish në vitin 2005 kjo autonomi.
Admirali amerikan në pension James A. Lyons, përfaqësues ushtarak i Amerikës në OKB, në një shkrim të tij në “Washington Times” me titull “A kurdish Opportunity” shkruan : “Në mënyrë të qartë, është koha që të mbështet në mënyrë  të gjithanshme, duke përfshirë edhe atë ekonomike, një komb sovran kurd. Ky do të jetë një tjetër aleat i fortë, i besueshëm e demokratik kështu Shteteve të Bashkuara në këtë rajon do të jetë të mirëpritura, dhe kjo ka një vlerë të madhe strategjike.”
 Pas ngjarjeve të stisura me grushtin shtetin në Ankara e Stamboll dhe dhunës së egër që po ushtron shteti në mënyrë absurde,  çfarë të kujton diktaturat më të egra në histori,   agjencitë e lajmeve shkruajnë se Ushtria Amerikane po ngre pesë baza ushtarake në Kurdistan, rajoni autonom në veriun e Irakut. Me këto që bën Taip Rexhep Erdogani me dëshirën e çmendur të krijojë perandorinë e re osmane, ka gjasat që Turqia të shkërmoqet dhe populli i Kurdistanit të fitojë më së fundi lirinë e vet në tërë territoret e veta kombëtare.
Nëse e duam lirinë tonë, nuk mund të mos e duam dhe lirinë e të tjerëve,  ndaj të mos heshtim por të përkrahim çdo popull të shtypur në aspiratat e vet të lirisë.

© Copyright K.Traboini