LAVDI TRANGUJVE TANË KOMBËTARË
Kolec P. Traboini
Rrinë e na flasin me orë të tëra nëpër televizione për meritat që kanë shefat e tyre politikë në ardhjen e demokracisë e në transformimin e Shqipërisë sikur të kishim hipur në maj të pikaloit.
A ka njeri të më shpjegojë një gjë, po flasim për beteja në Termopile, në Çanakala, në Albulenë, në rrethimin e Shkodrës 1478 ku qëndresa zgjati 10 vjet apo për kaosin e vitit 1991-1992 ku, se kush po përpiqej të kapte një copë tokë, një fabrikë a uzinë, por më shumë një kolltuk në qeverisje. Mos vallë na kish pushtuar kush e duhesh luftuar për çlirim? Dhe duhej trimëri për ta përballuar? Po, po, na kish pushtuar dallgëdia. Po ku kishin qene këta trima që si dy tufa çakejsh, ish komunista, ish spiunë, a bij të kuadrove të lartë të nomeklaturës, të llangosur kuq e blu luftonin për kolltuk, ku gjeja e parë që do bënin ishte të vidhnin popullin e vet. E vlerësoj vështrimin shumë realist në përshkrimin e luhatjeve të personalitet të një figure qëndrore të viteve 90, por në kushtet e sotme të një mediokrriteti e agresiviteti të turmave duhet me të vertetë kurajo për të artikuluar të vërtetën, aq më tepër bëhem konfuz kur shoh të shkruajnë në komente trim ky e trim ai. Po me se, e çfarë kriteri përcaktohet trimëria.
Se kështu me yrysh e hovada, budallai më i madh duhet të jetë trimi më i madh në këtë vend. Dhe kësisoj trimash që e vrasin tjetrin se, "me pe vëngër" ka plot. Jemi vendi i trimave. Vendi që u këndon hajdutëve të piramidave financiare.
Kur flasim për ndryshime të mëdha historike nuk ndahen cilësitë, as lavditë, siç ndajmë tortën për ditëlindje. Trimëria e mençuria shkrihet e treten në një, pa arritur të kuptohet ku fillon njëra e ku mbaron tjetra. Si nuk ju ngrit një lapidar mendjes në këtë vend, ku shitet aq shumë e ka aq pak? Prandaj në 1991-1992 dhe më pas nuk di të ketë pasur trima kjo tokë. Ju veç tregoni përralla të lavdishme televizive. Lufta është bërë kaçakshe, me çeta e klane, hajdutështe dhe mendja flinte gjumë. Pa le kur përdorin dhe termin "karizmatik". Të mjerët ne për mjerimin ku kemi rënë, ku luftojmë për mbijetesë e pjerdh-flasim për ideale të mëdha dhe trimëri heroike rrugaçërore.
Më falni po unë jam shumë skeptik si për trimëritë ashtu dhe karizmen e liderëve sharlatanë dhe pupetave të tyre që e shkatërruan këtë vend. Çfarë kishin më shumë vende si Bullgaria e Rumania që u bënë antare të BE e ne pas dere që 32 vjet. Si nuk na ndihmoi sadopak karizma e liderucëve tanë që i pomponi nëpër asamble apo tollovi foltoresh?
Lavdi trangujve tanë kombëtar! Krenar për mediokrriteti kolektiv që fluturon me pras aty ku nuk thuhet.
Ndjesë për mënyrën "trimërore" të shprehjes, por thashë të bëhëm një herë "trim" dhe unë,... e mendjen e vura në gjumë.