RTSH - MEDIOKRITETI NË PANTHEON
Nga Kolec P. Traboini
RTSH është një televizion parazit që konsumon si lubi paratë e shqiptareve. Nuk e shohim fare sepse ka emisione të dobëta dhe mungon kultura e dijet, intervistojnë pa ditur asgjë për krijuesin që intervistojnë dhe biseda bëhet banale fund e krye, .... deri tek pyetja sa të dashur ke pasur në jetë. Neveri. Dalin e flasin për filmat e kohës së komunizmit ca që nuk e kanë idenë e filmit e kanë kurajon e thonë "Isha e re dhe i shihja filmat dokumentar". Kësisoj meqë i ka parë konsiderohet si specialiste e filmit. Çfarë mediokriteti. Pa le asnjë problem i rëndësishëm në jetën e qytetareve nuk trajtohet. Problemet e nivelit të jetesës, pensionet e rrogat e vogla, ushqimet e ilaçet që përditë shtrenjtohen, madje dyfishohen. Indeksimi i rrogave e pensioneve shtyhen në kalendat greke. Kur bëhet indeksimi më 3 % pensionistin e ka lënë zemra. Se helbete na servirin domate, speca e pjeshkë me helm dhe nuk dimë të këtë bërë ky kinse televizion publik një investigim. Po për bukën me grurë nga Serbia a ka një investigim? Po vaji, po djathi, po qumështi...me këto duhej të merrej televizioni publik sepse për këtë derdhen miliona euro nga taksapaguesit shqiptarë.
Dhe është bërë ky farë Televizioni vend çokash, vend punë për tarafet familjare e politike, e tralala muzikë e valle. Pa pikë interesi. Pa pikë përgjegjësie, pa pikë turpi.
Ky televizion shtetror ( kinse publik), edhe po të mbyllej nuk do prishte punë sepse nuk ka interes, nuk ndiqet. Më mirë do të ishte të kthehesh në televizione të vogla publike lokale, por jo kombëtare. Dhe shpenzimet marramendëse do të uleshin. Buxhete marramendese kur jemi vendi më i varfër në Europë. Tmerr!
Pa le kur marrin rrogat në RTSH dhe ndërkohë marrin dhe programe shtesë me financime, rrogë mbi rrogë 50 milion lekë për 14 orë punë, paguaj o popull, niveli i programeve shumë i dobët madje antiedukativ. Po kush të lë more në televizione publike në Amerikë të drejtosh emisionin me shalë jashtë duke i treguar brekët të intervistuarit, a të pyesësh për jetën intime private pa asnjë interes publik, e hahahaa si histerike. RTSH për injorancë e banalitet ja kalon edhe televizioneve private.
Televizion ku mediokrriteti e banaliteti janë në Panteon.
A ka kush të argumentojë pse duhet ky Televizion kinse publik shqiptar dhe pse duhet të paguajmë me përdhuni. A ka ndonjë ligj që e mbron qytetarin nga pagesat e dhunshme kur ti nuk pranon të jesh konsumator i mediokrriteteve e banaliteteve të zyrtarizuara nga Parlamenti, ky sovran me deputetë delirantë që nuk e dinë ku e kanë kokën?
-----------------------------
Autori i shkrimit ka qenë kineast për 16 vjet në Kinostudio.