Nga Kolec P. Traboini
Çeshtja Pilinçi, si doli, nga erdhi, kush e solli, nuk është e lehtë për tu trajtuar, por hamendësime mund të bëhen. Duhet të jetë një grup shqiptaro-amerikanë që kanë biznese e të ardhura dhe kanë gjithashtu influenca. Ata interesohen për zhvillimet politike e ekonomike të Shqipërisë dhe të Kosovës, por gjithnjë kujdesshëm e në mënyrë të padukshme, jashtë vemëndjes se mediave të Tiranës dhe Prishtinës. Ata kanë vëzhguar në vazhdimësi sjelljen e deklarimet e gjithsecilit faktor politik nëpër vite dhe kanë një pasqyrë të qartë të gjëndjes së punëve të shqiptarëve në Ballkan.
Mesa duket janë nga ata që e kanë mbështetur Berishën nëpër vite, por e shohin se tashma e ka të vështirë, për të mos thënë të pamundur ardhjen me partinë e tij në qeverisje. Edhe "Non Grata" ti hiqet, Berisha e ka të humbur betejën për pushtet. Është i tejkaluar.
Dy a tre vjet më parë ky grupim lobistesh shqiptarë përtej oqeanit u përpoqën të ndikonin në skenën politike shqiptare në favor të krahut kinse i djathtë, por që operonte me dogma të majta, sepse asnjë çatmë të së djathtës nuk la komunizmi në Shqipëri. I shfarosi pa mëshirë. Jo vetëm si ideologji, por edhe si strukturë, madje deri dhe biologjikisht komunizmi u përpoq ti zhdukte pasardhësit e shtresave ish të pasura të mbetur trokë në vitin 1990. Çfarë mbijetoi u degdisën nga sytë këmbët nëpër botë sepse u ndërtua një platformë kinse demokratike që pasardhësit e mbramë të shtresave të pasura të mos merrnin asgjë, kështu të mbetura pa bazë materiale vetzhdukeshin. Kontributin themelor në këtë zhdukje e dha ligji 7501. Ky ligj konsakronte krijimin e një shtrese të re ku pronat do ti gëzonin jo ata që i kishin deri në ardhjen e murtajës së kuqe, por të trashëgimtarëve, të zbatharakëve të vitit 1944 që morën pushtetin dhe e ushtruan me dhunë gjysmë shekulli. Dhe ata pak që vetëm si emërtim quheshin të djathtë, ikën nga Shqipëria.
I vetmi vend në botë ku një pakicë e papërfillshme e të djathtës tradicionale shqiptare mbijetoi, ishte Amerika.
Të paktë, por veçse influenca në Shqipëri ishte fare e vogël dhe e pandjeshme. Merret me mend kur ulësh të analizosh ngjarjet e vitit 1990. Kjo pakicë në Amerikë më shumë ja ndjente nevojën e konsultimeve me kreun e regjimit në rënie, Ramiz Alia, se sa kishin interes dhe te merrnin pjesë në zhvillimet politike në Shqipëri. Duke mos e njohur terrenin e realitetin shoqëror në atdhe, u arrit deri atje sa diktatori në rrënim Ramiz Alia ju serviri skemën politike, madje ju afroi dhe emrat e liderëve të së ardhmes, të gjithë pjesë e nomeklaturës komuniste që mund të ndërronin ngjyrat e kostumit apo pardesyve, por konstrukti, trupëzimi, mentaliteti ishte i njëjtë, brumë komunist. Kësisoj e djathta mbeti vetëm fjalë, e më së shumti fjalë në erë. E majta po trashëgimtare e partisë komuniste terroriste shqiptare. Se si mund të ishte i djathtë tradicional një njeri që shiste tre banane në rrugë? Si mund të ishte konservator një tjetër që nuk kishte as shtëpi e as katandi. Fillikat. E mos o Zot, si mund të ishin të djathtë ish sekretarët e Partisë komuniste apo kuadrot e lartë të saj. Si mund të ishin të djathtë spiunët e Sigurimit të shtetit që na u bënë ministra e deputetë të Partisë kinse të djathtë?
Por fatet e kombeve jo rrallë i vendosin ata që për atë komb asgjë nuk dinë. Kësisoj lobi shqiptar në Amerikë, hija e Diasporës së viteve deri në 1920, bashkëpunoi me diktatorin komunist për kalimin e pushtetit në duart e po ish komunistëve ku ish të përndjekurit bënin rolin e ornamentit dekorativ. Dhe me tragjikja në popullin shqiptar asnjë nga kriminelët e komunizmit nuk u dënua, madje morën edhe mirënjohje civile dhe pensione të veçanta.
Kohëzgjatja plot eksese e Berishës në pushtet, rroposja e Nanos, deri në ardhjen e Edi Ramës, që vjen e nuk di të ikë, e vuri sërish në moto diasporën shqiptare të Amerikës e cila në tre dekada flinte e nanuriste, por në gjendje paniku kur u erdhi zgjimi. Veçmas pas daljes nga pandemia e përbotshme që tkurri popujt e solli plot pasoja edhe nder shqiptarë.
Tabloja sinoptike e politikës shqiptare ishte në kaos. Një parti socialiste që sundonte solide në qeverisje të turbullt, ku qeveritarët deri në rangjet më të larta, zevëndëskryeministri, vidhnin sa fshehur aq hapur, shpallja non grata e eksponentit kinse karizmatik Sali Berisha, një opozitë që luftonte me vetveten si Don Kishoti me mullinjtë e erës, deri në rrethimin e selisë e vërshimin e verbër e marrëzisht të dhunshëm, e partisë blu që të kujtonte betejat mesjetare. Shto luftën groteske për vulën ku u përfshinë si në qorrsokak edhe gjyqtarët mediokërr, kjo tablo i vuri në panik dhe lobin shqiptaro- amerikan, që ishte dhe ai, në një dozë sado të pakët, kontribues në krizën politike shqiptare. Veçmas në katrahurën e asaj që në fasadë shënohej si e djathtë e në thelb ishte e mbetet parti klan.
Berisha duke qenë një njohës i mirë i psikologjisë së turmave, arriti të shkatërrojë marionetën, të cilit i vuri epitetin tallës "brava" që vetë e kish krijuar, rimori kreun e partisë me vulë e kusur e, anipse elektoratin gri nuk e bindte dot, arriti të krijojë rreth vetes një skalion servilash të devotshëm e të dobishëm.
Papritur në Tiranë, nga përtej oqeanit u shfaq shqiptaro-amerikania zonja Evi Kokalari, nga një familje patriotësh gjirokastrit, me njohje të mira në rrethin republikan në Washingtin DC dhe New York. Ajo u rradhit në krah të Sali Berishës, kësisoj duke ndezur shpresën se me ardhjen në pushtet e të djathtës konservatore në Amerikë, do ndryshonte dhe qëndrimi ndaj politikanit Berisha që vuante "Nongratën" e tij por kusuret i hiqte partia. Prania e saj ndikoi deri diku në "triumfin" e Sali Berishës mbi të vetët dhe djalin shpirtëror "plangprishës" Lulëzim Basha.
Por ky solidaritet i të ardhurës nga Amerika ishte një behar i shkurtër në skenën politike plot ambicje dhe stërkamca. Rritur dhe edukuar në shkollat amerikane ajo nuk mund të përshtatej me metodat bizantine të "karizmatikut" të djathtë, që më shumë se sa potencialet intelektuale preferonte sejmenët e bindur e kryeultë që e shihnin si babazot e perëndi. Gjithçka që ndodhi në këtë prishje mund të klasifikohet si Casus Belli "Këlliçi". Shqiptarët, që u pelqen të thonë gjërat troç shprehen "për të çarë një trung duhet një pykë" - dhe pyka u gjet, ani pse emrin e ka si armë e kohës së osmanëve.
Belind Këlliçi humbi garën për kryetar Bashkie i Tiranës ndërsa aktivistja Evi Kokalari veç e avancoi platformën e saj për të bërë më konservatore të djathtën në Shqipëri, megjithëse ishte jashtë forumeve të PD. Në paraqitjet e saj në mediat publike ajo u shpreh se Berisha duhej të tërhiqet e ti dorëzojë asaj vulën e partisë. A shihet kjo si një rrezik nga kryetari aktual i partisë PD ku sundon që 35 vjet. Nuk dihet, sepse Berisha nuk është shprehur për këtë, e anashkalon sikur asgjë nuk ka ndodhur, sikur Kokalari nuk ekziston.
Po cili është qëndrimi i lobit shqiptar në Amerikë që kurrë nuk ka ndenjë indiferent? Nuk kemi asnjë indicje, por disa gjëra duhen nënkuptuar.
Në këto rrethana nga Amerika erdhi dhe u shfaq si krah i djathtë konservator Prof. Pëllumb Pilinçi. Nuk ishte i panjohur. Ishte nga një familje e madhe, i lindur e rritur në qendrat e internimeve famkeqe të komunizmit, i arratisur nga Shqipëria, ai ishte kthyer në vitin 1990 për të ndihmuar në zhvillimet demokratike. Kish qenë në rrethin e shqiptarëve të Amerikës që kishin ndikuar për ardhjen e krahut të Berishës në pushtet në mars 1992.
Më pas nuk ishte parë më. U rishfaq në vitin 2025 në turne nëpër Shqipëri menjëherë pas zgjedhjeve të marsit ku PS e Edi Ramës fitoi me shumicën 83 deputet. Ky rezultat mesa duket e tronditi lobin shqiptar në Amerikë, njëkohesisht ndikoi tek ata edhe shpartallimi elektoral i PD të Sali Berishës.
Në këto kushte a është Pëllumb Pilinçi dërgesa politike kartpostale e lobit shqiptar drejt Tiranës? Guximi me të cilin shprehet Pilinçi, kurajo për të demaskuar politikën e qeverisjen 34 vjeçare pa kursyer as Ramën e Berishën, as median televizive, as gazetarët që na u kthyen në pasunarë, as avokatët e gjyqtarët, ndërkohë duke mbeshtetur vetëm SPAK-un, tregon se shqiptaro amerikanët e kanë humbur durimin dhe e kanë orientuar të mos ketë mëshirë e të mos ketë frikë se është i mbrojtur dhe mbështetur financiarisht.
Akuzat që bën Pëllumb Pilinçi janë aq të rënda e kërcënimet aq të mëdha sa, po ti bënte një tjetër do të përballej me gjyqin. Përballë oratorisë me akuza të Pilinçit kanë rënë squk si Rama ashtu edhe Berisha. Ata nuk flasin. Pilinçi trimërohet. Ka partinë "Shpresa", shpalli dhe qeverinë e vet në Vlorë. Asnjë televizion nuk i jep takimet e fjalimet e Pëllumb Pilinçit, por në media elektronike është më i preferuari në shikime dhe pëlqime, çfarë është tregues se ka elektorat të mundshëm dhe interes publik. Nuk mungojnë edhe përshëndetjet e njerëzve që e kanë humbur shpresën tek kjo skemë politike me klane e tarafe familjare, ku pasuria kombëtare përvetsohet dhe parat e taksapaguesve shqiptarë vidhen shpërdorohen masivisht.
Po pse kjo heshtje mediatike, pse nuk reagon asnjë nga ata që i akuzon aq rëndë, mos vallë as nuk e shohin dhe nuk i dëgjojne ato që thote Pilinçi në intervistat e përnatëshme në median e tij elektronike? Nuk besoj se nuk e ndjekin, madje e ndjekin ne shumë vemëndje. Ja t'ju jap një rast e gjykoni vetë. Në një nga fjalimet e tij në Vlorë, Shkodër e Korçë, Pilinçi tha se nuk ka nevoje të kemi një parlament të madh në një shtet të vogël e me popull të varfër. 100 deputetë në parlamentin shqiptar do të ishin të mjaftueshëm.
Nuk shkuan veç pak ditë dhe kryeministri shqiptar përsëriti pikë për pikë mendimin e dhe argumentin e Pellumb Pilinçit. Kryeministri tha shprehimisht shifren 100 deputetë do të ishin të mjaftueshëm. Po pse nuk e tha kryeministri këtë gjë gjatë fushatës se zgjedhjeve, apo kohë më parë kur në media është folur dhe është sugjeruar, por ka bërë veshin e shurdhër. E ndjekin Pilinçin me veshë ngrehur e sy të shqyer, por enigmë mbetet se si është e mundur ku këta bajlozët e politikës së sotme shajnë e shilojnë këdo që kanë përpara, por përballë Pellumb Pilinçit heshtin. Pse vallë?
Pellumb Pilinçi me bodyguardë si presidenti amerikan, me Limuzinë të shtrenjtë, padyshim që është i programuar, i orjentuar dhe i financuar mjaft mirë. Ne shqiptaro amerikanët e dimë se Prof. Pellumb Pilinçi, me një rrogë sado të madhe ta ketë, nuk e përballon gjithë këtë paraqitje të kushtueshme për të bërë efekt në publik. Aq më tepër që u pa në zgjedhjet e fundit se cili ishte fati i partive të vogla, qëndrimi i elektoratit ndaj partiçkave me xhepa të çpuar. Këto partiçka në mungesë të antarëve nëpër listat zgjedhore vunë familjet e tyre, me daje e teze, me krushka e mushka, duke krijuar një grotesk e komedi zgjedhore që gajasi shqiptarët dhe i ktheu zgjedhjet në farsë.
E mëtej, a ka shanse që gjithë këto arrestime që thotë Pellumb Pilinçi të realizohen, a ka burg në Shqipëri që i zë të gjithë këta hajdutë. Ma do mendja se jo. Por një efekt e bën. Lobi shqiptaro- amerikan punon me koncepte e stil amerikan që shohin perspektivën, nuk rrekën pas suksesit të vogël e të menjëhershëm. Duke parë se një parti e majtë, trashigimtare e partisë komuniste diktaturë, zgjidhet për të katërtën herë rradhazi në pushtet, të shqetësuar nga kujtesa historike e partisë shtet, nëpërmjet formacionit modest shqiptaro-amerikan "Shpresa" duan ti kujtojnë atyre që kanë pushtet absolut se nuk ka sundim të përjetshëm dhe nëse abuzoni me pushtetin çdo gjë do t'ju rrjedhë nëpër duar si ranë e nxehtë. Shëmbëllesa në botë të rrënimit të pushteteve që degradojnë ka plot. Më së fundi Nepali dha një shëmbull lemeritës duke djegur gjallë në zjarr e ekzekutuar qeveritarët sepse i kishin humbur lidhjet me popullin, vidhnin dhe shpërdoronin pasuritë kombëtare kur populli vuante edhe për bukën e gojës.
Mesazhi që përcillet nëpërmjet Pilinçit me dënime drastike për këdo që nga pozitat e pushtetit përvetëson pasuri, që bëhet promotor i korrupsionit qeveritar e administrativ, nuk është për të mos u marr në konsideratë. Populli shqiptar që sodit pa reaguar, vërtetë është i qetë, por kur i shkon thika në asht e zë dallga dhe ngrihet për lemeri. E dimë të gjithë vitin katastrofik 1997, por qeveritarët duhet ta dinë më mirë se kushdo, se një vit me pas për të shpëtuar kokën u veshën burrat me fustane grash e krisën e ikën në Maqedoninë e Veriut. Vrimë e miut 300 grosh.
Ka një thënie e gjeneral Napoleon Bonaparti kur po hynte triumfator në Paris dhe Fusheja i tha dil e përshendete popullin francez madhëri, se shiko si po të brohorasin. Napoleoni ja ktheu: Kështu do të brohorisnin edhe sikur mua të më çonin për t'më prerë kokën në gijotinë.
Edhe këtë duhet ta dinë qeveritarët që lazdrohen madhnueshem në pushtet e qeverisje. Piliçi vjen nga Amerika dhe ua sjell ketë mesazh në të gjitha parashtresat e veta se si e mendon ai qeverisjen në Shqipëri. Andaj mos u çudisni që asnjë nga udhëheqësit e
"mëdhenj" në këtë vend të vogël, nuk thotë asnjë fjalë, asnjë gazetë nuk shkruan, asnjë televizion nuk i jep intervistat e tij të përnatëshme ku u kujton vjedhjet që kanë bërë dhe burgun ku do të përfundojnë.
I natyrshëm ky bojkot, në shtëpinë e të varurit nuk kujtohet litari, aq më tepër se Pilinçi po ua vërvit litarin parasysh. Populli i vuajtur nga politika është skeptik, por lobi shqiptaro-amerikam që përtej oqeanit dëshiron të japë sinjale shprese duke i trazuar ujrat e qelbura të moçalit politik të Tiranës.
