20 November 2025

Ahmed Zogu - Ora e Shqipnise, Vjenë 1928 - nga Dom Lazër Shantoja

 
ORA NDER VALLE
Lahuta e Ipsilonit.
Nga Dom LAZËR SHANTOJA

 
AHMED ZOGU
___________
 
N'at Belgrad n'Jugoslavi
Kishin ndollun tre zotëni,
Dy kopukë, nji faqezi,
Dy pak pleq, nji krejt i ri:
Ahmed Zogu, beg nga Mati,
Halit Rroj, Musa surrati.
 
Ahmed Zogu qi n'kohë t'Mbretit
Kish luftuë kundra alfabetit
Per me i qitun nji namë vedit.
E q'at hera pat xanë filli
T'shndrisë nder ne sikur shndritë dielli.
Por sa kje Ahmedi i ri
Kishte mësuemun ne Tyrki
Me bozë n'zgrrof, me mëni ne gji
Per shqiptar e per Shqipni.
Si kje rritun nder sulltana
Kethej ne Mat tu baba e nana
Nder kubure e nder tagana,
Nder mauzerre e nder pistole
Nder sherbtore t'reja e rrole.
T'ishte lypun nuk ish gjetun,
Mos t'kish folë nuk ishte pvetun.
Ky jo vetem t'tanë bajrakut,
T'tanë Shqipnisë i pat ardhë hakut,
E kudo qi u lyp trathtia
Aty i dajti edhe mjeshtria.
Por si flamurin kah Vlora
E pat ngrefë e Ismajlit dora
La Zogolli bjeshkët jetike,
E ra n'fushen politike
Me i qitë nderë Arbnisë kreshnike.
E na doli ky zog djalit
N'dorë me flamur t'idealit.
Prore Zogu çetës patrjote
Per Shqipni i predikote,
Per programe e piligrame,
Per liri dhe punë me fame,
Si shqiptari per vatanin
Per nji plesht ka djegë jerganin.
Atjé n'Ljushnje afer Beratit
Atdhetarvet begu i Matit
U premtonte shum punë t'mëdhana:
Kryegjytet do t'jetë Tirana,
T'huejt do t'jenë veç dragomana.
Italjanët nder vende t'ona
Mund t'dergojnë veç makerona.
Do t'ja çilte aj vetë ma s'mirit
Atdheut t'onë dyert e avenirit
Prej ranës s'hjedhun n'Urë t'Vizirit.
E u besoshin fjalvet t'tia
Patrjotët n'Lushnje... e Shqiptaria
Ç'at ditë s'pau veç se dit t'këqia.
 
Por shka Zot-ka Zogu sot
Qi n'a â vra - e nuk ban za?
A dro mbetun ka pa t'holla
S'i dha mjaft Pasiç Nikolla?
Ja i punoj t'ngratit rreziku
S'e kan pritë si pritet miku?
Njaj Pasiçi plak bujar
E ka mbushun plot me ar,
E ka shti per itibar
N'Hotel Bristol n'pat te par.
Pritë e ka Jugoslavia
Sikur priten miqt te shpia,
Edhé i auto n'dispozitë
I ka dhanun me shetitë:
Mandej sa per dallavere
Ka Jak Koçin, djalë me ndere....
Por ç'ka sot as vetë s'e di,
U flet kështu pleqvet per bri:
Po ndigjoni, o burra t'mi,
Shka kem'pritë sot ka qillue,
Jugoslavēt me kan premtue
Te rrzoj Nolin me m'ndihmue.
Zogu doret me na pështue
Vonë e vonë kem' per t'a xanë,
Fjalë i moçmi si e ka lanë.
Si t'ja baj as un s'e di,
Duen Vermoshin ne Malci,
Shen Naumin ne Toskēni,
Nuk mund t'këthejmë ndryshej n'Shqipni!
Kenka thanë prej Perendie
Këto dy vende me i ba flie.
T'bardhes kohë qi ka me ague
A ju, burra, u kjosha true!
Per njatê qi vranë e këthillë
Me m'a mbajtë ju sot nji këshillë.
Amanet un jam t'u lanë
Me m'a mbledhun partinë t'tanë
Qe prej Shkodre derë n'Tiranë,
E prej mejet me ju thanë,
Mos me u xanë as mos me u nga,
Mos me u vramun vlla me vlla,
Ushtar serbi m'ep uha...
Fjalen t'eme t'a ndigjoni,
Rrugen para mue m'a shtroni
Pse do t'vi si Napoleoni
T'i këcej Shqipes mbaje froni.
Edhé i fjalë due me ju thanë:
U là t'lirë permbi shkodranë
Qi t'ja u merrni gjaqet t'tanë,
Sidomos Klerit me i sha
Qi n'Shqipni mos t'çojë krye må.
Per shkodranë mohamedan
Gjënje vetë ju ndoj derman!
 
Kështu tha Zogú e në kambë u çue
Me ba' rrugë ishte shterngue.
Muer nji çehre krejt mizore,
Muer nji gotë konjakut n'dore,
E n'dy gota miqve u qet
Prej nji xhezes pak sherbet,
S'pinë alkol si baba Mbret!
Lamëtumirë! o shokët e mi,
Shpejt do t'shifemi n'Shqipni,
Ku me mbytë kem' Kler e Klikë,
Ku tash ngrefim Republikë,
Ku per s'shpejt, po u thotë Ahmeti,
Do P'triumfojë Legaliteti!
 
Po, Zot, Zogu ka' â tuj shkue
Qi Bristolit i asht largue
Qi n'stacjon asht tuj shpejtue
Detektivët e kan rrethue?
 
Zogu n'Diber fillë asht nisë,
Ke Aqif Lleshi me konisë,
Ke Aqif Lleshi trim dai
Qi lau vllan ne Peshkopi
Vllan qi Zogu i vrau n'trathti.
(Vall! ç'me i bamun kësajë Serbi!...)
 
N'muej t'dhetorit si kaprolli
N'Diber ra Ahmed Zogolli,
Edhé gjet t'Aqifit n'shpi
Njat Gilardin mjekerr-zi.
 
„Mirë se t'gjejë, o Aqifi i jonë"
Po i thotë Zogu i patenzorë.
„Mirë se vjen, o t'u ngjatët jeta"
I a këthen shpejt njaj Aqif shkreta.
„Po Belgradin pse e ke lanë,
Gjith ky ngut shka don me thanë?
A por koha erdh me shkue
N'Tiranë Nolin per me rrxue?"
 
"Po, me ndihmë t'Jugoslavisë
Do t'i futna mbrendë Shqipnisë,
Ata hora duem me 'i dëbue
Qi n'qershor na panë luftue.
N'Belgrad kjeçë e sot kam ardhe
Ke njaj plaku faqebardhë
Qi e njeh vetë ti prej ç'kah motit,
E m'ka dhanë besen e Zotit,
Se mbas sodit-n'tokë t'Kastrjotit
Ka me ećë veç fjala e jonë,
N'taft t'Shqipnisë ne Serbët na done!!!
Çoju fjalë pra krenve t'vendit
T'mblidhen t'tanë ne log t'kuvendit
E mos t'marrë aspak merzia,
Napoljona kam me mia.
Neser lufta ne Shqipni
Do t'kersasë n'kufi n'kufi.
 
Kështu tha Zogu e duel me shkue
N'komandë t'Serbit m'u këshillue.
Kual e topa me gatue.
 
Aqif Lleshi thotë nji fjalë:
Madhi Zot, ty ťkjosha falë,
Nder dy punë njana do t'dalë:
Ja se i shkojmë Serbit n'ushtri,
Ja se luftë kem'me Shqipni.
E baftë Zoti si asht ma marë
Perherë Dibra å kenë e parë.
Po u çoj fjalë tash krenve t'vendit
T'dalin sandte n'log t'kuvendit:
Aty punët kem' me i peshue
Si n'Tiranë må shpejt me shkue. 
 
 
Botuar në gazetën e financuar nga Hasan Prishtina "Ora e Shqipnise "Vienë, 20 mars 1928, nr. 5. Percjellë në faximile nga Pjetër Logoreci Vjenë.
___________________________
Më 5 mars 1945 u pushkatua martiri i Kishës shqiptare në erën komuniste, i Lumi Dom Lazër Shantoja. Bir i traditës katolike të Shkodrës., u rrit dhe u formua, si njerí e si meshtar, në Institutin Papnor të qytetit të tij e në universitetin e Insbrukut të Austrisë. Zu rrënjë e hodhi shtat në traditën e klerit katolik që kishte patur rolin parësor në ruajtjen, kultivimin dhe përforcimin e identitetit kombëtar e të kulturës së shqiptarëve, në qindvjetorët e gjatë të pushtimit osman. / Simbas Vatikan Newsë
 
Përg. Kol Shkodrani
🔰Pantheon Info.®️

16 November 2025

Byk kultura e Panaireve dhe manipulatorët e letërsisë


BYK KULTURA
e panaireve dhe manipulatorët e letërsisë

Çdo mes nëntori kinse u organizohen panaire të përvitshëm të librave nëpër ëndrrat delirante të organizatorëve që nuk lexojnë asnjë libër që botohet në Kosovë dhe Shqipëri dhe kanë kurajon të ndajnë çmime për kë të duan e si të duan.

Mjedisi i mbyllur ku mblidhen shfaqet si një hapësirë të kontaminuar ku mund të gjesh si njerëz të çdo lloj kategorie madje edhe të sëmurë, të griposur, me Covid 19 plus, por edhe të gjitha llojet e mikroorganizave dhe mikrobeve e qe edhe stina i stimulon.
Kam parë mjaft vite panairet e librit në Athinë. I bënin panairet në natyrë, me kioska druri në gjithë bulevardin dhe në Parkun e pallatit të Zapios / Vasil Zhapës nga Labova e Gjirokastrës. Po ku ka më bukur se natyra, kioska druri nën hijen e pishave. Po edhe në Tiranë shumë bukur do të bëhej në dy anët përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe sheshit "Skënderbej".
Do kishte një pamje krejt tjetër, nuk do të përballeshe me erën e rëndë, me avuj e pluhur dhe një pisllëk i paparë.
Por e mira do të ishte të ndryshonte mjedisi i Panairit, por dhe të zhdukesh prania e organizatorëve fytyrat e të cilëve janë bërë bajate. Siç janë bërë bajate në politikë, në Parti, në administratë e qeveri. Siç është bërë bajate fytyta e kryetarit të FSHF ashtu dhe e kryetarit të Botuesve që ka thuaj 30 vjet që bën pazar me qeverinë, si në tregun e perimeve, merr e shet dhe diferencat e çmimit të shitblerjes ja fut xhepit. Di Rexhepi ku është ku del leku e ku është xhepi. E merr Pallatin e Kongreseve toptan dhe e shet me metra. Dhe fiton, dhe ankohet se nuk po fitojnë aq sa mendojnë.
Organizimi krejt bajat.Nuk konkurrojnë autorët, por shtëpitë botuese, dhe ata i ndajnë çmimet si simite. Një vit ti e një vit unë. Nuk është konkurrim i hapur që autorët indidualisht të paraqesin veprat e tyre. Konsiderohet sukses me bla-bla në media një panair inekzistent dhe ndajnë edhe çmime. Çmime për vepra që nuk i ka lexuar kurrkush por janë përzgjedh simbas interesave të botuesve. Një sharlatanizem i tillë nuk guxonte të bëhej as në diktaturë ku gjithsesi komisionet e vlerësimit ishin të detyruar ti lexonin veprat që autorët paraqisnin vetë. Por këtu nuk ka konkurim. Demokracia punon me zbythje. Këtu sundon byk-kultura. A e patë si u laurua me kurora dafinash poeti që frymëzohet nga maja e pikaloit në Angli. Apo si ju dha çmimi për librin e mushkës një politikani që mban në një dorë bakllavanë e politikës e diplomacisë e tjetren kadaifin e letersisë (lesh fort i ëmbël për taraf e miqësi). E këta do ta çojnë përpara letërsinë në Shqipëri e Kosove që.më së shumti punojnë të ndarë e përçarë. Mirë atëherë na pengonte serbi, po tani kush na pengon. Po këtu zgjidhet fiktivisht Laureati i Poezisë. Nuk përfshihen poetet nga Kosova. Këta punojnë si komunistet në Mukje. Kinse luftojmë për atdheun dhe e kemi halë në sy njeri tjetrin. Ky kaos i organizuar nga argatët e administratës shtetërore na shtynë që në një event letrar në Gjakovë rreth 80 krijues të bëjnë një peticion për zgjedhjen e poetit me një veprimtari krijuese 60 vjeçare si Laureat i Poezisë për vitet 2026- 2027 si dhe Duajen i letërsisë shqipe mbarë kombëtare.
Ne nuk heqim dorë nga kjo zgjedhje e krijuesve dhe intelektualëve të Gjakovës, por me pjestarë nga gjithë Kosova, dhe nëse zonja Alda Bardhyli zgjedh ndonjë pupet të politikës ne nuk do ta njohim dhe do ta deskrititojmë zgjedhjet nga aparatçikët lakej të politikës.
Shqetësimi që mbartim si krijues është se është krijuar një grupim që manipulon gjithçka nëpërmjet miqve e tarafit. Këtu nuk konkurojnë vlera. Këtu parakalojnë si turma amorfe pa indentitet antivlerat që bëjnë ligjin e Maliqin si kudo edhe në fushën e artit. Frederik Rreshpja i njohu më mirë se askush këtë lloj brumi, këtë lloj takëmi, sepse prej tyre hoqi kalvarin e poetit të kryqëzuar burgjeve te komunizmit vetëm pse tha "Po pse more, me veprën e 19 (të Enver Hoxhës) do bëheni poetë". Dhe rioshët e poezisë së kënetës së Tunës në Lezhë e dëgjuan dhe e spiunuan. Dy burgje bëri Frederik Rreshpja e tani nuk është në të gjallë. Ndërsa ata që u bënë poetët me veprën 19 të Enverit nën sqetull, vazhdojnë të lazdrohen në opinionin publik pa u ngopur kurrë me lavdi. Paradoks i kohës të cilin mjerisht po e përjetojmë.
Dhe qershia mbi tortë: Një panair me denoncuesen e poetëve te ekzekutuar në podium e në komisione ku jepen çmime e zgjidhen Laureatët e Poezisë. Duhet ta pranojmë se ka pasur edhe shkrimtarë spiunë të cilëve u thurin lavde si të ishin pastërtorë me krahë engjëlli. Nxin qielli nga të zezat që i bëjnë njeriut.
Në ferr nuk gjen më djaj. Të gjithë kanë ardhur në tokë. Dhe thonë se komunizmi ka ngordhur.
Jo, qe besa.Vemjet janë gjallë.


©️ Kol Shkodrani
@highlight

Lewis Albanese - një hero i Amerikës



LEWIS - LUIGI ALBANESE
27 prill 1946 –1 dhjetor 1966
Një hero, i nderuar me Medaljen e Nderit të Ushtrisë Amerikane.

I lindur në Vinçenca, Veneto në Itali, Luxhi Albanese në moshë të vogël erdhi megjithë prindërit në Amerikë duke u vendosur në Seatle, shteti Washington. Mbaroi shkollën e mesme në vitin 1964, fillon punën për kompaninë Boeing e më pas u rekrutua në ushtri më 26 tetor 1965.
Pas trajnimit në gusht 1966 dërgohet në Vietnam.
Më 1 dhjetor 1966, ndërsa ishte në patrullim në Provincën Binh Dinh, toga e ushtarakut Albanese po përparonte nëpër një terren me bimësi të dendur, kur ata u qëlluan në befasi nga një zjarr intensiv me armë automatike nga një distancë e afërt. Ndërsa anëtarët e tjerë të grupit manovronin për të sulmuar pozicionin e armikut, ushtaraku Lewis Albanese u urdhërua të siguronte krahun e majtë të togës. Por papritur, krahu i majtë u qëllua me zjarr të dëndur nga shumë luftëtarë armiq të vendosur në një transhe e të maskuar mirë. Duke kuptuar rrezikun e afërt për shokët e tij nga ky zjarr, Luis Albanese hapi bajonetën e armës së tij dhe u zhvendos duke u pozicionuar në trashe. Veprimi i tij e detyroi të heshtë zjarrin e snajperit, duke i mundësuar togës të rifillonte lëvizjen drejt pozicionit kryesor të armikut.
Ndërsa toga vazhdoi të përparonte, zhurma e të shtënave të dendura vinte nga krahu i majtë dhe një betejë e ashpër pasoi në transhenë në të cilin kishte hyrë ushtaraku Albanese. Fortifikimi ishte në të vërtetë një kompleks i organizuar mirë i mbrojtjeve armike të projektuara për të hedhur zjarr shkatërrues në krah mbi forcat amerikane që sulmonin nga pozicioni kryesor.
Ushtaraku Luis Albanese, duke mos e marrë parasysh rrezikun për veten, përparoi 100 metra përgjatë fortifikimit dhe vrau gjashtë nga snajperët, të cilët ishin të armatosur me armë automatike. Pasi i mbaruan municionet, ushtari Albanese u plagos për vdekje kur u përlesh dhe vrau dy ushtarë të tjerë armik gjatë luftimit të ashpër trup më trup.
Veprimet e tij me trimëri të pashembullt shpëtuan jetën e shumë anëtarëve të togës së tij, të cilët do të kishin rënë pre e zjarrit të snajperëve nga transheja dhe i mundësuan togës së tij të përparonte me sukses kundër një force armike me epërsi të madhe numerike.
Heroit Luis Albanese ju akordua Medaljen e Nderit, e cila iu dorëzua familjes së tij në Pentagon më 16 shkurt 1968. Ai është varrosur në Parkun Memorial Evergreen - Washelli dhe Shtëpinë e Varrimeve në Seattle, Washington. Emri i tij gjendet në Panelin 12 E, Rreshti 131 i Memorialit të Luftës së Vietnamit.
Në vitin 2014, në qytetin e tij të lindjes Cornedo Vicentino i provincës Vicenza, Veneto, në veri të Italisë, një rruge i është vënë emri i Luis - Luigi Albanese.
Në motivimin e dekorimit të tij ndër të tjera thuhet:
"Heroizmi i jashtëzakonshëm dhe përkushtimi suprem i Ushtarit Albanese ndaj shokëve të tij ishin në përputhje me traditat më të mira të shërbimit ushtarak dhe mbeten një nderim i lartë për veten e tij, njësinë e tij dhe Ushtrinë Amerikane."

Përg. Kol Shkodrani
Pantheon Inf. ®️
🔰Burimi Web.




02 November 2025

SHËN MAKSIMI🔴Shënjtori shqiptar i Rusisë ®️Traboini Film

SHËN MAKSIMI🔴Shënjtori shqiptar i Rusisë ®️një film dokumentar nga Kolec Traboini për shënjtorin shqiptar të Rusisë i emërtur Shën Maksim Greku (1475- 21 janar 1556) me emër lindje Mihal Trivoli - Artioti nga Arta e Çamërisë. Shënjtor në dhe të huaj - në Atdhe nuk e kujton askush. E vërteta stigmë e shprehjes biblike: "Nuk bëhesh profet në vendin tënd!" . Shkrimin e kam botuar qe ne 1998 ne gazeta "Koha jone". Ka edhe referenca. Madje edhe ne nje enciklopedi ruse në vitin 1900 shkruhet se është shqiptar. Edhe gjermanët në burimet e tyre thonë është shqiptar. Enciklopedia Trekani gjithashtu. Një historian grek i referohet, por nuk thotë kombësinë e tij. Vërtetë nuk thotë se është shqiptar, por as se është grek. Arta ka qenë qytet me shqiptaro/ arberor dhe sundohej nga princërit shqiptar Loshaj dhe Shpata. Nuk ka qenë qytet grek asnjëherë. Që nga viti 1449 kur u pushtua nga Turqit e deri pas 1881 kur ju dha Greqise nuk ka qenë grek kurrë. Ky Mihali e mori vete mbiemrin Greku nga që përkthente shkrimet e shenjta nga greqishtja e vjetër. Dhe nuk ka qenë orthodoks siç pretendohet nga grekët konsiderohej ideja fe-kombësi. Po si i bëhet se ai dhe prindërit ishin katolikë. Nëna quhej Irena. Madje është bërë prift katolik së pari në Itali, ndihmes i priftit të famshëm Girolamo Savonarola 21 shtator 1452 – 23 maj 1498, që Inkuzicioni e dogji në turrën e druve në Firence. Mihail Artioti tepër vone, për shkak të kushteve të jetës u bë orthodoks në fë, murg, , por kjo nuk ja ndrronte etnitetin. Tani kur ndonjë shqiptar me nihilizëm thotë se është grek, çfare do thone greket. E keqja jone është se jemi vetmohues në çbërje e jo në bërje. Ky është thelbi i të vërtetës historike që na sjell në këtë katastrofë kombëtare. Behuni shqiptarë të mire. Se paku mos i mohoni paraardhesit tuaj iliro-arbëror.

Hemingway - jeta përtej letërsisë



🟣 ERNEST HEMINGWAY
Travajat e jetës përtej letërsisë
21 korrik 1899 –2 korrik 1961

Ai i mbijetoi katër rrëzimeve ajrore, dy luftërave dhe pa miqtë e tij më të ngushtë të vdisnin. Pastaj u ul pranë një makine shkrimi me duar që i dridheshin - dhe e rijetoi jetën në shkrime.

Ernest Hemingway mbahet mend si një nga gjigantët e letërsisë - një fitues i Çmimit Nobel, një mjeshtër i prozës së rrallë, një njeri që dukej i patrembur. Por ajo që shumica e njerëzve nuk e dinë është se akti i tij më i madh i guximit nuk ishte mbijetesa në luftë apo gjuetia e luanëve në Afrikë.
Ishte ngritja nga shtrati çdo ditë kur mendja e tij i bërtiste të ndalonte.
Thyerja filloi herët. Në vitin 1918, vetëm tetëmbëdhjetë vjeç, Hemingway po shërbente si shofer ambulance në Luftën e Parë Botërore kur një predhë mortaje austriake shpërtheu pranë tij. Shrapnel ia shqyeu këmbët. Ai mbante në dorë një ushtar italian të plagosur në atë kohë dhe refuzoi të ndalej, duke u zvarritur të dy para se të rrëzohej dhe ai.
Ai kaloi muaj në një spital në Milano, duke iu nënshtruar operacioneve të shumta. Ata nxorën 227 copëza shrapnel nga trupi i tij. Disa fragmente do të mbeteshin të ngulitura në mishin e tij për pjesën tjetër të jetës së tij - plagë të vërteta që mbante çdo ditë. Por plagët e padukshme u thelluan.
Ai u kthye në shtëpi nga lufta, krejt ndryshe. Makthet e mundonin. Zhurma të papritura e bënë të dridhej. Nuk mund të flinte pa dritë ndezur. Sot, do ta quanim sëmundja PTSD, i mbetur me trauma pas luftës. Në vitin 1919, këtë pasojë nuk e quanin asgjë - dhe prisnin që ai të vazhdonte përpara.
Kështu që ai bëri atë që bëjnë shumë prej nesh: vazhdoi. Shkroi.
Por jeta vazhdoi të shtonte rëndesë mbi supet e shpirtin e tij. Në vitin 1928, babai i tij - duke vuajtur nga diabeti dhe rrënimi financiar - i mori jetën vetes me një pistoletë të Luftës Civile. Hemingway e mësoi me telegram. Ai ishte atbotë vetëm njëzet e nëntë vjeç.
Vite më vonë, ai do të shkruante: "Ndoshta do të shkoj dhe unë në të njëjtën mënyrë."
Aksidentet erdhën më pas. Në vitin 1954, ndërsa ishte në safari në Afrikë, Hemingway i mbijetoi dy rrëzimeve ajrore në dy ditë rresht. Aksidenti i dytë ishte katastrofik - ia këputi mëlçinë, shpretkën dhe veshkën, i shtypi rruazat dhe shkaktoi një tronditje të rëndë. Gazetat ndërkombëtare në fakt e botuan nekrologjinë e tij. Bota mendoi se ai kishte vdekur.
Ai i lexoi nekrologjitë e tij nga një shtrat spitali.
Lëndimet nuk u shëruan kurrë plotësisht. Ai vuajti nga dhimbje kronike për pjesën tjetër të jetës së tij. Dhimbje koke. Probleme me shikimin. Humbje të kujtesës. Duart e tij dridheshin kur shkruante - e vetmja gjë që e kishte shpëtuar gjithmonë.
Megjithatë, ai vazhdoi.

Ai fitoi Çmimin Nobel në Letërsi po atë vit, në vitin 1954. Por kur erdhi koha për ta pranuar atë në Stokholm, ai ishte shumë i lënduar për të udhëtuar. Në vend të kësaj, ai dërgoi një fjalim të shkruar dhe në të, shkroi diçka të sinqertë dhe të bezdisshme:
"Të shkruarit, në rastin më të mirë, është një jetë e vetmuar... Ai e bën punën e tij vetëm dhe nëse është një shkrimtar mjaftueshëm i mirë, duhet të përballet me përjetësinë, ose mungesën e saj, çdo ditë."
Vetmia ishte mbytëse. Tre nga miqtë e tij më të ngushtë - F. Scott Fitzgerald, James Joyce dhe Ezra Pound - ose vdiqën të rinj ose ranë në çmenduri. Martesat e tij u shkatërruan, njëra pas tjetrës. Luftimet me dema, safari dhe aventurat më të mëdha për të cilat ai u bë i famshëm? Ato shpesh ishin vetëm që ai të ikte nga e vërteta më e qetë dhe më e errët: nga ndjesia se ai po mbytej.
E megjithatë, përmes të gjithave, ai shkroi. Kur trupi i tij e braktisi, ai shkroi. Kur mendja e tij e tradhtoi, ai shkroi. Kur çdo arsye për të hequr dorë u grumbullua si gurë në gjoksin e tij, ai u ul në atë makinë shkrimi - duart i dridheshin, shikimi i turbullt - dhe ai shkroi. Ai prodhoi disa nga veprat më me ndikim në letërsinë e shekullit të 20-të:"Dielli lindpërsëri", "Lamtumirë Armë", "Për kë bien kambanat", "Plaku dhe Deti". Histori për guximin, humbjen dhe mbijetesën. Për njerëz të thyer që bëjnë më të mirën që munden.
Ai shkruante për veten e tij.
"Bota i thyen të gjithë," shkroi ai në "Lamtumirë Armë".
Por ja e vërteta e hidhur rreth historisë së Hemingway-t - pjesa që është e pakëndshme por reale:
Ai nuk fitoi në fund. Ai u mund pasi kishte rezistuar gjatë.
Në vitin 1961, në moshën 61 vjeç, duke vuajtur nga depresioni, paranoja dhe pesha e akumuluar e një jete të tërë traumash, Ernest Hemingway i mori jetën vetes.
Dhe këtu do të ndaleshin kaq shumë letra frymëzuese që i vinin. Këtu rrëfimi bëhet "shumë i errët" për t'u ndarë. Por ja pse historia e tij ka ende rëndësi:
Për dyzet e tre vjet pas asaj plage të parë lufte, Hemingway vazhdoi. Përmes dhimbjes që do të kishte shkatërruar shumicën e njerëzve, përmes humbjeve që shtoheshin vit pas viti, përmes një mendjeje që punonte në mënyrë aktive kundër tij - ai vazhdonte të shfaqej. Ai vazhdonte të krijonte. Ai vazhdonte të përpiqej të mbijetonte duke i dhënë njerëzimit gjëra të bukura. Ai nuk uli kokën të vajtonte. Kësisoj , pavarësisht nga fundi, ai nuk pranoi të dështonte. dhe kjo është një heroizëm.
Sepse çështja nuk është se jeta të garanton një fund të lumtur. Çështja është se çfarë bëjmë ne në mes - në mes të rrëmujshëm së përditshme, të pafundme, shpesh herë të padukshëm.
Hemingway na tregoi se qëndrueshmëria nuk ka të bëjë me mosthyerjen në asnjë rast. Ka të bëjë me atë që bën ti me copat e thyera të jetës. Është, që të ngrihesh nga shtrati kur gjithçka dhemb dhe ndjen veten të mbaruar por jo të mposhtur. Është të krijosh diçka kuptimplote edhe kur ndihesh krejt bosh në jetën e përditshme. Është të përgatitësh për të nesërmen, edhe kur nuk je i sigurt se do të ketë një ditë tjetër.
Dhe po - ndonjëherë është edhe të kërkosh ndihmë. Është të njohësh kur pesha është shumë e madhe për ta mbajtur i vetëm. Ky është mësimi që Hemingway nuk mundi ta përqafonte plotësisht, që ne duhet të mësojmë nga historia e jetës së tij.
Problemet me shëndetin mendor nuk të bëjnë të dobët. Trauma nuk përcakton vlerën tënde. Dhe mbijetesa - madje edhe lloji i çrregullt, i papërsosur, që mezi mbahet - është një akt i thellë guximi.
Hemingway dikur shkroi: "Guximi është një virtut nën presion."
Por ndoshta guximi i vërtetë është më i thjeshtë se kaq.
Ndoshta është vetëm kjo: të zgjohesh nesër dhe të provosh përsëri tallazet e jetës.
Hemingway e bëri këtë për më shumë se dyzet vjet. Ai la pas vepra që vazhdojnë të prekin miliona. Ai na tregoi se si duket të vazhdosh të krijosh edhe kur je duke u shkatërruar.
Dhe në luftën e tij - në luftën e tij shumë të vërtetë, shumë njerëzore - ai na dha leje të pranojmë tonën, nëse na ndodh të bëjmë edhe ne si ai. Të luftojmë për jetën edhe kur kjo duket e pamundur.
Jeta e Hemingway është po aq e madhërishme sa vepra e tij.


🟣 ERNEST HEMINGWAY NË PARIS

Ernest Hemingway u shpërngul në Paris me gruan e tij Hadley, menjëherë pas muajit të mjaltit të tyre në vitin 1921. Atij i kishin thënë disa miq në Shtetet e Bashkuara se Parisi ishte qendra e shkrimeve avangardiste.
Për Hemingway, Parisi ishte i favorshëm për të menduarit e qartë dhe sipas Noel Riley Fitch, ishte një vend i mirë për të për të mësuar zanatin e të shkruarit. Ndërsa ecte nëpër rrugët dhe sheshet e Parisit, ndjenja e tij për këtë bënë që lidh fort me artin e tij.
Jeffrey Meyers e përshkruan të riun Hemingway si një djalosh të butë, reflektues dhe ndonjëherë edhe mjaft të pafajshëm kur u largua nga vendi i tij për në Paris.
Hemingway ishte i dehur nga romanca e jetës bohemiane në Paris. Apartamenti që ai mori me qira për herë të parë në rrugën Cardinal-Lemione ishte i mjaftueshëm dhe i plotësonte standardet e jetës amerikane, por gjithësesi çifti i sapomartuar donte që me paratë e tyre të kalonin në një kohë sa më gjatë. Gjithashtu, ata preferuan të udhëtonin dhe të kalonin ndonjë pasdite në garat e kuajve sesa të shpenzonin para për qira.
Në vitin 1922, Hemingway mori me qira një studio të vogël për të shkruar në 39 rue Descartes, ku poeti francez Paul Verlaine kishte jetuar 25 vjet më parë.
Dhomën e katit të fundit e dha me qira për 60 franga në muaj dhe e gjeti një vend të këndshëm për të punuar. Aty ishte një oxhak që e mbante ngrohtë në dimër dhe shpeshherë i hidhte në zjarr lëvozhgat e portokallit ose aty kur ishte i uritur piqte gështenja.
Nga dritarja, ai shikonte çatitë e Parisit dhe vetëm kjo e mbante të motivuar për të shkruar. Në këtë dhomë të lirë, Hemingway shkroi tregime të shkurtra për fëmijërinë e tij në Michigan, SHBA.
Në kujtimet e tij, "A Moveable Feast", Hemingway përshkruan se si shqisat e tij zhvilloheshin edhe më shumë kur ai ishte i uritur: "Ti ke uri shumë po nuk hëngre mjaftueshëm në Paris, sepse të gjitha dyqanet e bukës kishin gjëra kaq të mira në dritare dhe njerëzit hanin jashtë në tavolina në trotuar, në mënyrë që të shihje dhe të nuhasje ushqimin".
Kur kishte hequr dorë nga gazetaria dhe nuk shkruane asgjë që dikush në Amerikë do të blinte, duke shpjeguar se në shtëpi se po drekoje me dikë, vendi më i mirë për të shkuar ishte Kopshti i Luksemburgut, ku nuk shihje dhe nuk ndjeje asgjë për të ngrënë deri në Place de L.Obsevatoire në rue de Vaugirard.
Hemingway studionte shpesh piktura në muzeun e Palais du Luksemburgut dhe shikimi i pikturave të Cézanne-it, në veçanti, e ndihmoi atë të shkruante më mirë.
Teksa studionte veprat e Cézanne-it, ai kuptoi se shkrimi i tij kishte nevojë për më shumë dimension. Nuk mjaftonte thjesht të shkruante fjali të thjeshta.
“Mësova ta kuptoja shumë më mirë Cézanne-n dhe të shihja me të vërtetë se si ai bënte peizazhe kur unë isha i uritur. Dikur pyesja veten nëse edhe ai ishte i uritur kur pikturonte.”
Hemingway besonte se uria e tij ishte e shëndetshme për shkrimet e tij gjatë këtyre viteve të varfërisë që jetonte në Paris.
Gertrude Stein ishte një figurë e shquar në lëvizjen avangarde në Paris dhe ajo pati një rol të rëndësishëm në qarqet letrare të Parisit. Pas një dite shkrimi, Hemingway e vizitonte shpesh në apartamentin e saj në 27 rue des Fleurus për të biseduar me të dhe për të kërkuar mendimin e saj për disa nga tregimet e shkurtra që ai po mendonte të botonte.
Ai u takua për herë të parë me Stein kur ajo ishte në të dyzetat dhe në "A Moveable Feast", ai përshkruan pamjen e saj fizike:
“Zonjusha Stein ishte gjigante, por jo shumë e gjatë dhe ishte shumë e bëshme si një grua fshatare. Ajo kishte sy të bukur dhe një fytyrë të ashpër gjermano-hebreje që mund të ishte edhe Friulano, dhe më kujtoi një fshatare të Italisë veriore me rrobat e saj, fytyrën e saj dhe flokët e saj".
Në çështjen e parave, Stein e këshilloi Hemingway-in se do të bënte shumë më mirë nëse do të blinte piktura në vend që t'i shpenzonte për të blerë rroba në modë. Ajo i tha atij: "Bli rrobat e tua për rehati dhe qëndrueshmëri dhe do të kesh paratë e rrobave për të blerë piktura" Në vitin 1925, Hadley dhe Hemingway ndoqën këshillën e saj dhe blenë një pikturë të quajtur "Ferma" nga Joan Miró.
Ishte Gertrude Stein ajo që e bindi Hemingway të hiqte dorë nga puna e tij si gazetar dhe të përqëndrohej në karrierën e tij të shkrimit.
Libraria "Shakespeare and Company" ishte një vend grumbullimi për shkrimtarët në atë kohë. Pronarja, Sylvia Beach, kishte idhull James Joyce dhe arriti të botonte librat e tij.
Sylvia Beach e lejonte Hemingway të blinte libra me kredi dhe ajo shpesh shfaqte shqetësim kur mendonte se ai nuk po hante mjaftueshëm. Ajo prezantoi Hemingway me Joyce në 1922 dhe ata shpejt u bënë miq.
Joyce e frymëzoi Hemingway-in se si ai mund ta perqendronte punën e tij vetëm në gjërat thelbësore dhe gjithashtu se si ai të përdorte fuqinë e sugjestionit në shkrimet e tij.
Lokali "Shakespeare and Company" ishte në 11 rue d'Odéon.
Është libraria më e lakmuar për të huajt në Paris.
Shkrimi nuk ishte diçka që i erdhi shpejt Hemingway-t. Ishte një “sfidë e përhershme” që nuk mund të mësohej; ishte diçka që duhej mësuar përmes praktikës së gjatë dhe të mundimshme.
Meyers përshkruan se si Hemingway e shihte shkrimin si një "luftë të ashpër konkurruese për çmimet letrare, në të cilën bashkëkohësit përballeshin me mjeshtrat e njohur".
Ezra Pound dhe James Joyce ishin miqtë e vetëm të vërtetë të Hemingway midis shkrimtarëve që ai takoi në Paris. Kur Hemingway u takua për herë të parë me Ezra Pound, ai sapo kishte përfunduar redaktimi e " The Waste Land" të T.S. Eliot. Ashtu si Hemingway, Pound ishte i përkushtuar ndaj shkrimit të tij dhe ata u bënë miq të përjetshëm.
Hemingway i konsideronte me dyshim shumë nga artistët e tjerë amerikanë që frekuentonin kafenetë pariziane. Ai besonte se ata ishin artistë pozues, të kënaqur vetëm duke folur për veprat e tyre të ardhshme, duke mos hedhur kurrë një fjalë në letër.
Ai e niste ditën në "Bar Select:, duke ngrënë mëngjes para se të shkruante.
Në vitin 1922, e shoqja Hadley humbi të gjitha dorëshkrimet e tregimeve të shkurtra të Hemingway-it kur do ta takonte atë në Lozanë për një festë. Ata i vodhën në stacionini e trenit në Gare de Lyon. Për një kohë, Hemingway mendoi se nuk do të shkruante kurrë më dhe kjo lidhje ishte një goditje katastrofike për martesën e tij.
Pasi u kthye në Paris, Hemingway vendosi se ndoshta kjo ishte koha për të shkruar një roman. Ai përshkruan në "A Moveable Feast" se si zgjodhi të duronte sa më gjatë që të ishte e mundur për ta bërë këtë derisa presioni financiar u bë i padurueshëm dhe kur ai nuk mund të përballonte më të ushqehej.
Hemingway ndihmoi Max Ford-in për të redaktuar "Transatlantic Review". Ford ishte i njohur në rrethet letrare (ai kishte qenë mik i mirë me Henry James) dhe ndërtoi një reputacion për arritjet dhe aftësitë editoriale. Ezra Pound rrëfeu se kishte mësuar nga Ford më shumë se kushdo tjetër.
Ford botoi tregimet e hershme të Hemingway-it "Kampi indian", "Doktori dhe gruaja e doktorit" dhe "Bora e kryqëzuar". Nga fundi i viteve 1920, Hemingway filloi të botonte shkrimet e tij. Në vitin 1926, Charles Scribner's Sons botoi "Përrenjtë e Pranverës" dhe "Dielli lind përsëri" Në vitin 1927, ai botoi një përmbledhje tregimesh, "Burrat pa gra".
Të gjitha këto në Paris.

Përg. Kol Kol Shkodrani
🔰Pantheon Info ®️