07 June 2008

Impresion:



DIJA & POEZIA

....e thjeshtë dhe e bukur si zambak Prizreni,
e mistershme si fantazi persiane

Nga KOLEC TRABOINI

Leximi i poezive të Radije Hoxhës - Dijes nga Prishtina( lindur në Shkup) më shpalosi një botë ndjenjash e emocionesh si dhe mendimesh filozofike për kohën e njerëzit, për zjarrin e dashurisë e trishtimin e largimeve të akullta, largime vetmitare që herë herë na i mbushin zgavrrat e gjoksit me zemër akullnajash. Tek lexoja, meditova e u tundova bashkë me të. Shkova nëpër ato vende, vise e popuj pas gjurmëve të saj poetikë, shkova pranë atyre njerëzve, pranë atyre dhëmbjeve e gëzimeve, prane atyre riteve a besytnive, dëshirave në fantazi persiane që ajo i kishte prekur me flatrat e shpirtit. Pastaj u ktheva e u shtrova të pi një kafe me Nexhmije Pagarushen, miken e poetes Dije, bilbileshen e Kosovës, të cilës i putha dorën siç në eter, në rininë time, i kisha puthur zërin, atë zë që këndonte bareshen, zërin që elegjonte Rexhën dhëndërr, i vdekur në grazhd të kalit. Aso kohe kanë qënë kufijtë të mbyllur e shpirtërat e kyçur, kish frikë t’a takonte njeriu njeriun. Por falë Zotit erdhën kohë të tjera, erdhi shekulli i ri, e... Tung Pagarushë e bukur si Dielli! Ja ku të gjeta tek vargjet e Dijes.
U mundova që nëpërmjet poezive të lexoja njeriun. Diç arrita, megjithëse duhet lexuar edhe rrjeshti i fundit për të arritur tek njeriu që i ka filtruar vargjet përmes frymës së gjoksit. Është sa reale aq mistike Radije Hoxha, mjeke nga profesioni, shkrimtare nga pasioni. Dija-poete në strukturat poetike, në tërë qelizat, indet e mishërimin e tyre, bashkon mistiken e finesen Lindjes persiane, nga e ka çuar në mjaft vite udha e fatit dhe e detyrës, me mjeshtrinë e artit modern perendimor. Ndërkohë që është tokësore, e kapshme, e dukshme, aspak hermetike. Mendimet, ndjenjat dhe emocionet e saj janë të drejtpërdrejta, çdo gjë e punuar bukur si filigranë argjendari, deri në detajet më të imta, çfarë tregon se para se të shkoj Dija tek Poezia ka ardhur dhe e ka përqafur Poezia atë. Ndaj i shoh të përqafuar aq perjetësisht të dyja...Lum si ajo, Poezia që ka i ka hedhur krahet një krijese jo vetëm të mënçur, të ndjeshme por edhe të bukur... Por lum edhe si ajo, Dija, në atë dashuri për artin sublim që nuk ka mortje...E thjeshtë dhe e bukur si zambak Prizreni, e mistershme si fantazia persiane. Ndaj të duket, ndoshta jo gabueshem, se vetë Dija është një poezi.
Pas leximit impresionues e ndjeva për detyrë të krijoj një blog internetik prezantues për poeten Dije nga Prishtina, së pari që edhe të tjerët të shijojnë mrekullinë e poezisë së saj, së dyti për të kujtuar se mirënjohja është një nga aspektet e fisnikërisë së shpirtit, që kurrë nuk vdes si cilësi njerëzore. Një lexues duhet të jetë mirënjohës për një poet a poete që i ka shpalosur thellësitë e ndjesive e skutat e mendimit të vet. Tek lexoja librin e saj "Gjeniu pleqnon çmendinë time, u ndjeva mirënjohës, e thashë "të faleminderit Dije! Ma shfaqe shpirtin në duar si një pëllumb".
Këtë lloj komunikimi eteror e sublim ta jep si mundësi vetëm arti, ndaj, për hir të artit të magjisë së frymës e ndjesive, tërë botën le t’a mbjellim me trendafila. Dhe për Dijen nga Prishtina një tufë trendafila të kësaj pranvere lirie, gjithashtu…

Qershor 2008



Poezitë e Dijes nga Prishtina në blogun:

http://www.dija-poezi.blogspot.com

25 April 2008

ROLAND GJOZA - poet, prozator dhe kineast

ROLAND GJOZA - mjeshtër i fjalës e lirik i spikatur.

Roland Gjoza është mjaft i njohur në rrethet artistike në Tiranë e Prishtinë, nder lexuesit e letërsisë dhe amatoret e filmit. Ai është poet lirik, prozator me një stil të veçantë dhe skenarist filmi. Që në vitet e hershme te gjimnazit ai dallohej për talentin e rallë si poet. Në moshën 18 vjeçare botoi librin e parë“Mozaik”, një vëllim lirik që la mbresa në qarqet letrare të kohës për ndjenjat e holla e të brishta, si dhe imazhet e freskëta poetike që sillte. Pas mbarimit të Fakultetit Gjuhë-Letërsi, u emerua mësues në Pukë. Jeta si mësues në një rreth të vështirë të Veriut të Shqipërisë, ku ashpërsisë së natyrës i shtohej dhe varfëria e tejskajshme e malësorëve, e frymëzuan në krijimin e tregimeve dhe novelave mjaft realiste.
Pas disa vitesh në Veri, kaloi skenarist filmi artistik në Kinostudio, Tiranë, ku do të kishte një veprimtari të gjatë e të frytëshme. Disa nga filmat ku ai është skenarist, janë çmuar në festivalet dhe konkurset kombëtare. Filmi dokumentar “Të zhdukurit” me skenar të R.Gjozes, është nderuar me çmim të parë në Vashington. Eshtë autor i rreth 20 librave të gjinive të ndryshme, romane, tregime e novela dhe poezi. Në vitin 2006 ka botuar e në Tiranë vëllimin poetik “Bukë e verë” dhe në Prishtinë librin me tregime “Nord Mort”.
Proza në librin "Nord Mort" ka plot karaktere, situata e skena befasuese që të futin në një botë sa konkrete, aq surrealiste. Në terë tregimet ka një stil të veçantë dhe modern. Realiteti me fantazine nuk dihen ku fillojnë e ku mbarojnë, ku bashkohen e ku ndahen, ato janë emocionuese e tronditëse e të lenë mbresa të pashlyeshme. Nje tjetër dimension të shfaq poezia në librin"Bukë dhe Vere". Poezia e Roland Gjozes është perjetimi i thellë, shpirti i tij është pasqyra ku reflekton jeta me të tera dritë hijet e veta. Që nga mbresat intime në vite të shkuara kur jeta rridhte e qete deri ne mosdukje, e në vazhdim, në kohën e çmendur ku permbysjet sociale sollën shpërftyrimin e njeriut, koh kur dominoi dhuna, perversiteti dhe ligësitë njerëzore shperthyen duke krijuar panik e kaos. Mjerisht, koha jonë në shumë kuptime u shpërftyrua. Poetët që i përkasin një hapsire e një drite hyjnore, por që në ferrin e të gjalleve quhet mallkim, të shituar nga Zana pra, gjithësesi shpirtin nuk ua shiten djallit e as u ka vdekur kurrë, se fryma krijuese mbijeton, ketë e tregojnë edhe lirikat e thella, perjetimet emocionale e mendimet filosofike që e përshkojnë tej e mbanë librin e Roland Gjozes, ofruar për admiruesit e poezise, si në tryezë Krishti u ofronte dishepujve, “Bukë dhe verë”. Poeti e prozatori Roland Gjoza ka disa vite që jeton familjarisht në Nju Jork.

Kolec Traboini
Boston 2008

16 April 2008

🟩 Për Vathin dhe për filmat - nga K. P. Traboini

PËR VATHIN, LONIN, VJERSHAT E MIA TË PARA DHE FILMAT



Kur ke jetuar gjatë larg Atdheut kthehesh me nostalgjinë e miqve. Sheh tek ata lodhjen e jetës, ndryshimin që shpesh herë tek vetja nuk e ndjen, por tek të tjerët i dallon kur i ke lënë të rinj e plot energji, e i gjen të zbardhur, të rrudhur, të plakur. Atëherë e ndjen çfarë janë pesë, dhjetë, apo pesëmbëdhjetë vjet për njeriun... ato pesëmbëdhjetë vjet që brenda vetes kanë rrjedhur shpejt, si lumë... dhe papritur merr lajmin e hidhur se i njohuri, miku, i afërmi... ka ndrruar jetë e kurrë më nuk do ta takosh.
Këto po mendoja kur në Boston mora vesh vdekjen e Vath Koreshit.
...Si një 17 vjeçar i dashuruar pas poezisë i kërkova një këshillë aso kohe mësueses sime kujdestare të klasës Vangjeli Çomora. Isha në vitin e parë të shkollës petagogjike 2-vjeçare në Tiranë. Mësuese Vangjelia, me natyrën e saj të urtë e mirëdashëse më afroi një takim me shkrimtarin Spiro Çomora, i cili ishte i shoqi i saj. I dojtur siç isha, pas fjaleve inkurajuese që më dha Spiro Çomora, ndoqa këshillën e tij. Më tha të shkoj të takoj ndonjë nga redaksia e gazetës "Zëri i Rinisë". E kështu, një ditë me vjershat e mia që buçisnin euforinë e kohës, u gjenda përpara dy burrave ndër të cilët, njëri ishte i gjatë e tjetri i shkurtër e disi zeshkan. Ju drejtova atij që ishte më i gjatë, se mu duk me serioz dhe i vura në dorë tufëzën e poezive. Ai i mori mirëpo u gjend ngusht, sepse siç tha, do të shkonte në një takim pune dhe u drejtua nga zeshkani duke ju drejtuar me emrin Loni. Mirë Vathi, i tha Loni dhe nga kjo unë mora vesh emrat e redaktorëve të gazetës. Me Lonin e zeshkët ndenja rreth dhjetë minuta, kohë kjo e mjaftueshme për të më bindur se euforia me të cilën kisha shkruar duhej harruar. Loni më tha t'i përpunoja e të shkoja përsëri, por nuk më bëhej më të shkoja, sepse më dukej shumë më e vështirë se të jepja një provim.
Emrin e Vath Koreshit më pas e kam lexuar në tregimet e faqes letrare të gazetës "Zeri i Rinise", por ai emër mu bë më i pranishëm kur u gjenda ushtar për dy vjet në Kam të Tropojes. Minatorët e minierës së Kamit, për të cilët shkruaja e botoja ndonjë përshkrim a reportazh, më flisnin gjithnjë me admirim për Vath Koreshin. Disa vite më parë kishte qenë teknik në këtë minierë dhe kishte lënë mbresa të jashtëzakonshme. Në atë minierë në vitin 1958 kish shkruar dhe tregimin e tij lirik, "Kur zunë shirat e vjeshtës", që ishte vendosur si subjekt diku në Stanbobo të Devollit. Ndoshta motivet e Kamit, minierës me një jetë të zymtë ku vdekja u rrinte minatorëve çdo çast mbi kokë, do të duheshin vite që të ngjizeshin në ndonjë vepër. Kohë më vonë, kur lexova një roman të Vath Koreshit, aty ndjeva, indirekt natyrisht, jetën e egër të minierës së Kamit, ku kromi nxirrej jo me djersë, por me gjak.
Në vitin 1977 Vath Koreshi u prezantua në kolektivin tonë krijues si përgjegjësi i ri i redaksisë së filmit artistik. Ishte kohë tepër e vështirë për Kinostudion, për vetë faktin se partia shtet kërkonte të bënte sfida aventuroze me kinematografinë me qëllime propogande dy planëshe, si për publikun shqiptar, ashtu dhe atë të huaj, qoftë nëpër festivale apo shfaqje për "miqtë" marksistë-leninistë nëpër ambasada.
Ministra si Tefta Cami, apo estetë të partishëm si Alfred Uçi që drejtonte Komitetin e Kultures edhe Arteve, mbështetur edhe nga urdhëruesi i rreptë që vinte nga Komiteti Qëndror, shkrimtari i puseve të naftës si Anastas Kondo nuk pranonin asnjë arsyetim veç prodhimit të 14-15 filmave artistike e 50 filmave dokumentarë në vit, e çdo mosrealizim ishte kundërshtim i vijës së partisë. Aso kohe isha përgjegjës i redaksisë së filmit dokumentar dhe ky urdhër na binte si çekan në kokë çdo ditë. Nuk guxoje të thoje një realitet, që, në kushtet e një teknologjie relativisht të prapambetur ishte e pamundur të realizoheshin aq shumë filma. Mirëpo partia i kish vënë në program. Enver Hoxha i lexonte në kongrese si suksese të partisë. Ec e mos i bëj. Vath Koreshi ishte ndër ata që me kurajo e përcillte mendimin e kolektivit krijues në ministri, për pamundësinë e realizimit të këtij plani të fryrë, e jo real. Ish-titullari i lartë Alfred Uçi e pohoi kohët e fundit në një kujtim për Vath Koreshin se çfarë Vathi i kish thënë, por natyrisht në atë shkrim ish-titullari nuk thotë se çfarë fjalimesh mbante në analizat e ministrisë, apo të Kinostudios, se si ja jepte tonin fjalës urdhëruese "Të bëhen!" Tani në Shqipëri janë demokratë të gjithë, jo vetëm ata që ishin të internuar baltrave të Myzeqesë, por edhe ata, të cilët nga dikasteret e ministritë jepnin urdhëra të verbër, sikur të kishin parasysh shata, lopata, kazma, makina, e jo njerëz. Sot edhe një ish ministër i diktaturës e ka fort të lehtë të shfaqet në publik si një njeri me shpirt demokrati. Të gjithe lugë e lame…
Fliste Vath Koreshi, fliste arsyeshëm e urtë regjisori Gëzim Erebara, i maturi e profesionali Dhimitër Anagnosti, fliste edhe Kujtim Çashku, ndërkohë që Rikard Ljarja edhe pse guxonte, mblidhte supet nga halli se ja kishin nxirë kartelën personale në zyrën e kuadrit për një dajë…. që na paskesh qenë diku e dikur në radio BBC.
Po dale, thoshnin Piro Milkani e Esat Mysliu, vërtetë, a mund t’i bëjmë këto 14-15 filma? Ministresha, mësuese fshati që nuk e kishte idenë e filmit, ngrihej e ikte pa dëgjuar kurrfarë arsyetimi, titullari estet ua linte telashin në derë drejtorit Vangjush Zallëmi dhe udhëheqësit artistik, regjisorit Kristaq Dhamo.
Anastas Kondo, i cili ishte këmbora e madhe e Komitetit Qëndror për Artet mbyllte sytë tek mbante fjalime të merzitëshme para kolektivit të Kinostudios në analizat vjetore, e recitonte fjalë si, " Si mund t'i themi partisë e shokut Enver që Kinostudio nuk i bën filmat?!" dhe rrinte e tororiste ca shprehje që salla e mbushur plot me krijues dhe punonjës të tjerë nuk i mirrte vesh.
Si për gjithë kolektivin edhe për Vath Koreshin ka qenë një punë e stërmundimshme, sepse veç skenarëve lindnin shumë probleme krijuese, për të cilat ishte i detyruar të shkonte edhe pranë grupeve të xhirimit. Pas gjashtë vjet pune të lodhshme, Vath Koreshi kërkoi të dalë në krijimtari të lirë dhe u largua nga Kinostudio.



Autori i shkrimit gjatë diskutimit në festivalin e filmit 1986




13 April 2008

DOLCE OBAMA



DOLCE OBAMA


Shënim për shkrimin "Rama si Obama"
të gazetares televizive Ilva Tare, News 24



Nga KOLEC TRABOINI 
 
Perpara bukurisë e hijeshisë së një gazetarje të mirënjohur tashmë nga telespektatori shqiptar nepërmjet ekranit, si zonja Ilva Tare, tek e cila bashkohet edhe talenti në të shkruar, njeriu duhet të jetë delikat dhe elekuent në të shprehur e, sa me pak vrejtje të bëjë aq më mirë do të ishte. E megjithatë për hir të vertetave që duhet ti afrohen lexuesve, jam i detyruar ta thyej këtë rregull. Lexova shkrimin e saj “Rama si Obama” dhe megjithëse më pelqeu gjetja e këndveshtrimi në trajtimin e problemit, disa fakte që sjell rreth senatorit Obama, (me aq sa kam njohje, meqë jetoj e punoj në Amerikë dhe i ndjek në shtyp e TV të gjitha veprimtaritë në kuadrin e fushatës presidenciale), gazetarja Tare nuk i sjell plotësisht të sakta. Nuk e di se në cilin burim informativ e ka gjetur shprehjen “Obama është zemra që flet”. Ndoshta nga ndonjë eufori e ndonjë ithtari të marrosur pas Obamës, bërë tashmë mode si Dolce Gabbana, nga ata që edhe qënushit i varin në trup një shirit me emrin Obama. Mirëpo keqinformohet publiku nëse paraqitet vetëm një aspekt dhe një mendim i absolutizuar, sepse në të vertetë Obama nuk është zemra por është magjia e fjalëve të trëndafilta, mirazhe për të sugjestionuar publikun, fantazia e ndezur që e kanë shumë të spikatur afrikanët dhe e shprehin në gojdhënat. Dhe deri diku mund të themi se ja ka arritur qëllimit ta shesë endërrimin për të vertetë, kjo edhe pse qytetarët amerikanë, të lodhur tashmë nga lufta e ekonomia në rënie, janë të prirur drejt të rejav, qofshin këto dhe të panjohurave, mjafton të jenë diçka që më parë nuk e kanë parë apo takuar. E verteta është se oratori ka një dhunti natyrore për tu shfaqur si i sinqertë e i plotbesueshëm në publik, diçka aktoriale fshihet në këtë shfaqje, madje si për ta theksuar këtë dhunti, ai ne mjaft fjalime ka reminishenca, si aktorët që përsërisin para spektatorëve fjalët e mendimet e shkrimtarëve. Senator Obama pra, ka përsëritur tekstualisht, pa kurrfarë ndryshimi fjalimet e Patrik Deval, guvernator i Massachusets, afro-amerikan si Obama, por edhe fjalimet e personaliteteve të tjerë. Gazetat amerikane kanë shkruar gjatë për këto reminishenca që kundërshtarët i quajnë plagjiatura dhe konsiderojne si një mashtrim e falsitet. Ai flet fjalë të bukura që kurrë nuk mund të realizohen e nuk paraqet një plan konkret, nuk përdor as një shifër, dhe kur flet për largimin e trupave amerikane nga Iraku vendos një afat të pamundur në kushtet reale të një ushtria me mbi njëqindmijë trupa e teknikë të rëndë luftarake, dhe e gjithë kjo kjo brenda një viti. Ushtarakët e karierës, gjeneralat, ngrejnë supet. Ushtria nuk është një karvan me kuklla. Madje për këto mendime euforike, ka ndodhur që pjestarë të ekipit të tij elektoral, të shprehen për shtypin kanadez se, ato që thotë Obama nuk i ka seriozisht, ta zëmë për kundershtimin në çeshtjen NAFTA, të marrveshjes së tregtisë së lirë në mes të Amerikës, Meksikës dhe Kanadas. Duhet thënë se ato çfarë thotë Obama janë më shumë “dream”, endërrime siç e ka dhe titullin e librit autobiografik “Endërrime nga babai im” 1995, ku ndër të tjera shkruan edhe për vitet në shkollën e mesme, ku përdorte, siç thotë tekstualisht, alkolin, drogën dhe mariuanën. A është ky modeli i një presidenti të ardhshëm? Populli që e zgjedh e di.
Edhe ata që kanë nisur të bëjnë tregti me emrin Obama dicka dinë. Ka fitim kjo punë. "Hop Obama" nëpër barrelat e birrës janë shfaqur tashmë. Si të thuash birra e shpresës. Shpresë qëë ngjallet pasi të jesh bërë tap. Por ka edhe gjetje të tjera si "Obama Alle" një pije freskuese qëërpiqet të konkurojë tradicionalen kanadezo-amerikane" Ginger Alle". Ca kohë më parë kur fushata sa ishte ndezur, një tregtar trikotazhesh kishte krijuar një tip bluze "Obama Osama" me shpresë të fitonte shuma përrallore, por i ngeci ëndërrimi sepse një gjykatës e urdhëroi ta bllokonte mallin dhe ta asgjësonte. Ka plot histori të tilla me lakimin e emrin Obama. Madje ca shkojnë me tej e merren me priftin e tij, prej të cilit është frymëzuar gjithmonë, por i cili ka shpallur një lufte të hapur me qeverinë amerikane duke e akuzuar si organizatore të 11 shtatorit 2001 e duke e perifrazuar shprehjen "Zoti e bekoftë Amerikën" në "Turpi i Amerikes". Të gjitha këto ngarkesa emocionale lidhen me emrin Obama, shtuar kësaj se financuesi më i madh i fushatës së tij elektorale, një bisnesmen i madh në Ilinois që sot është në burg për korrupsion. Stacionet televizive si Foks Njuz Hjuston, japin edhe aspekte të tjera si në foton shoqëruese të këtij shkrimi ku paraqitet një nga zyrat e fushatës zgjedhore të Obames në Teksas, në sfond nuk qëndron flamuri i Amerikës, por... flamuri i shtetit komunist të Kubës dhe simboli i luftës antiamerikane Çe Guevara!!! Marrëzitë nuk njohin kufi, nuk pranojnë gjykim dhe nuk kanë nevojë për koment.

Ndërsa për ato që thuhen në shkrimin e Ilva Tares “Rama si Obama” për Hillari Klintonin, janë plotësisht të verteta, por Hillari nuk është vetëm arsyeja, siç thuhet aty kur bëhet përqasja me Obamën, është edhe sinqeriteti dhe e verteta bindëse, dinjiteti e personaliteti i një gruaje model. Do të ishte fatkeqësi që të humbiste garën kjo zonjë e rallë për nga inteligjenca, njohëse e shkelqyer e mekanizmit të pushtetit dhe ekonomisë, humaniste me reputacion ndërkombëtar. Shqiptarët e Kosovës, veçmas gratë e fëmijët e terrorizuar nga makina ushtarake serbe, e kanë njohur humanizmin e Hillari Klintonit, që kur vajti e i takoi në Bllacë të Maqedonisë në qershor 1999.
Një fakt tjetër që sillet gabueshëm është ai ku thuhet se babai i Obamës ka qënë një bari në Kenia. Jo vetëm babai por as gjyshi i Obamës nuk ka qënë bari në Kenia. Gjyshi i tij ka qënë ushtarak me trupat britanike, me të cilat ka lëvizur në shumë vende të Europës dhe Afrikës. Nga kristian ai është kthyer në Islam dhe ka marrë emrin Hysein.
Babai i Obamës, biri i nje ushtaraku pra, pasi që ka mbaruar shkollën, në moshën 18 vjeçare ka bërë një martesë tribale me një keniane me emrin Kezie, me të cilën, edhe pse me pas është martuar edhe dy herë të tjera në ciklin martese-divorc, kurrë nuk është ndarë. Barak Hysein Obama Sr.( i vjetri, babai i senatorit të sotëm me të njëjtin emër) la Kezien me dy fëmijë në Kenia dhe erdhi për studime në Amerikë. Në Universitetin e Havait në Manoa, u njoh me amerikanen bashkëstudente Ann Dunham, me të cilen u martua në Honolulu e linden Barak Obamen( i riu) ne vitin 1961 dhe një vajzë. Pas dy viteve prindërit u ndanë. Barak Obama Sr. ( i vjetri) ndoqi studimet në Universitetin e famshem Harvard të Bostonit, ku shkojnë më së shumti bijtë e milionerëve nga gjithë bota. Këtu u martua sërisht me një bashkëstudente dhe mbasi mbaroi studimet për ekonomi, shkoi në Kenia. Në atdheun e vet Barak Hysein Obama Sr.( i vjetri) punoi ekonomist për qeverinë e Xhomo Keniata, presidenti i parë i shtetit të Kenias, pas fitimit të pavarësisë nga Anglia. Atje pësoi një pas një dy aksidente automobilistike, në të dytin mbeti i vrarë në moshën 46 vjeç, në vitin 1982.
Barak Obama (i riu), është rritur në fillim me familjen e njerkut në Indonezi, sepse nëna ju martua me një indonezian, prej të cilit me pas u nda. Ann Dunham ka vdekur në vitin 1995.
E mbyll këtë shënim me perifrazimin e shprehjes se, një 47 vjeçar, Baraku pra, nuk po i jep zemër amerikanëve, siç shkruan gazetarja televizive, veç po u ndez fantazinë me ca delire flurore, rezellitëse por kalimtare, kur ekonomia amerikane po bie poshtë e më poshtë e para se një solucion të trendafiltë, ajo do një dorë e mendje të fortë për ta ringritur, do nje Franklin Rusvelt. Amerikanët e thjeshtë me koshiencë po pranojnë të vetgenjehen prej fjalëve të bukura, për tu zhgënjyer më pas, çfarë po ndjehet edhe në media, që e velur tashmë me fenominin Obamizmi, ka nis e bën hoka me sloganët e Obamës me shprehjen "të ndryshojmë"... për të ndryshuar, por se çfarë kurrkush nuk e di, as ata që rendin pas tymnajave të trendafilta të slloganeve politike që janë aq larg realitetit amerikan që sot është jo fort euforik, por mbase nuk e di as vete... Dolce Obama.


mars 2005

Hillari & Bill Klinton



23 March 2008

LARASKAT E DIPLOMACISË- nga Kolec Traboini

LARASKAT E DIPLOMACISË
E gjithe kjo bandë horrash politikë e konsiderojnë atdheun si një lopë hollandeze, që prodhon qumësh për një batalion husarësh që lukurojnë nën hijen e një qeverimi idiotësh në Zululland.
 
KOLEC TRABOINI
Boston

Është e dyta herë që mbetëm i zhgënjyer e thuaj i shokuar nga diskursionet e z. Kreshnik Çollaku, zevëndësambasador i Shqipërisë në Amerikë, së pari se këto diskursione janë me tepër gricje ordinere, aspak etike, por krye kreje fort të squllta edhe në pikpamje diplomatike, siç e kërkon sëra e lartë e përfaqesuesve të qeverisjes së sotme, madje diç më e lart, për nga ofiqi edhe se vetë Konica i madh, që fundja ishte thjeshtë një konsull e jo ambasador, anipse për një kolos të mendimit e atdhetarizmës ishte fort e vogel karrika i një konsulli. Më dërgon ky titullar i lartë një letër ordinere, sa thua diplomacia ka rënë në duar të njerëzeve që nuk dinë as të hartojnë një kartë të thjeshtë, të mirë e bukur në gjuhën shqipe, e sa për finesë diplomatike, lëre mos e nga, se diplomacia jonë shqiptare, vetëm emrin e ka të bukur, se ja, fjala diplomat, diplomaci, me rrënjë në fjale të huaj e që tingllojnë gjithësesi moderne, janë të lakmueshme, paçka se gjykimi e punët, mentaliteti në përgjithesi, janë si në kohën e hyqymetit osmanlli. Se edhe atëhere ka patur diplomaci. Nuk ka filluar diplomacia në vitin 1992. 
Duke u përpjekur ti spjegohem për llogarinë që më kërkon, diplomati ynë i lartë, mbi botimin e shkrimit tim "Diplomacia e frikës" në gazetën "Ndryshe" në Tiranë, dua t'i sjell me dije se, si person, në asnjë rast nuk kam vënë dorë në korespondencen tij private, siç diplomati pretendon e çfarë, po të qe e vertetë, është e natyrshme që do të përbënte një incident diplomatik!!!. Aq më tepër për faktin se unë jam, jo vetëm shtetas shqiptar, por edhe qytetar amerikan, e jetoj në këtë vend prej 13 vjetësh, e mund të ndodhte që SHISH-SHIU alios SHIKU, e qeveritarët e sotëm, që kanë qënë po ashtu qeveritar-mjeranët e djeshëm, do të hapnin dosjet e 97-tës e do të riakuzonin amerikanët se po merren me spiunazhe ndaj ambasadave të tyre. Se edhe për Gerdecin qeveria e diplomatit tonë Çollaku, të gjitha anatemat i drejtoi pertej oqeanit, sikur ua ndezi bombat luftarake (me kapacitet sa gjysma e bombës atomike që u hodh në Hiroshima) Amerika. Harrojnë këta memurrë se bombat luftarake i detonoi bomba e korrupsionit, që u fry e u fry në mënyre aq monstruoze në pangopsinë e fitimit, sa nuk mund të mos pëlciste, por veç, nuk i vrau bomba qeveritarët honxho-bonxho siç shkruante Mihal Grameno, por vrau e masakroi fshatarët e thjeshtë, gratë e fëmijët, njerëzit që punonin për një çapë buke. E këtë bombë korrupsioni e perkedhelte me dashuri ministri ynë i Mbrojtjes… kundër korrupsionit, “i ndershmi e i urti” me xhepa të mufatun Fatmir Mediu, miku i pronarit të Ferrit të gjallëve, Delijorgji. E për të gjitha këto i ka fajet Amerika…Na ruaj zot mendjen e kokës, oj diplomaci. Megjithatë le ta lëmë aktualitetin tragjik korruptiv e vrasës, për të vazhduar me apologjine time përpara diplomacisë tartare. Kurrë pra nuk jam marrë me zbulime sekretesh diplomatike, as me spiunazhe. 
As në diktaturë e as në demokraci. Fakti që nuk më kanë afruar kurrfarë funksioni a nënpunësimi, sado të vogël, asnjëra nga partitë, verteton katërcipërisht pastërtinë time. Sepse nuk ka mbetur spiun sigurimi pa marrë një kolltuk a një funksion diplomatik. Këto ditë, mbas 17 vjetësh demokraci, na doli se edhe Qemal Sakajeva, këshilltari e miku i kryeministrit Berisha që në kohën kur kanë qënë të dy komunistë të Enver Hoxhës, na paska qënë në mënyrë të dokumentuar, agjent sigurimi. Një spiun i fëlliqur pra, çfarë e bën pleh reputacionin publik të qeveritarëve të sotëm, ku ka gjetë fole edhe spiuni i dokumentuar në shtypin e Tiranës, Eqerem Spahia, i cili paturpësisht e si faqezi, qëndron si zevëndës ministër. Çfarë turpi! Thuaj pastaj që Shqiperine nuk e sundojnë spiunët e mafia. Aq më tepër ky problem ndërlikohet, kur peshorja e spiunazhit rëndon më tepër nga krahu diplomacisë se sa i shoqërisë civile. 
Është si rregull i pa shkruar që tre të katërtët e nënpunësve të ambasadave janë spiunë sherbimesh sekrete, ashtu si në Shqiperi të paktën gjysma e pushtetarëve, politikanëve dhe të funksionarëve, duke përfshirë edhe deputetët kanë qënë agjentë të sigurimit gjakatar komunist, ose më e pakta janë bij kriminelësh të diktaturës. Shtoj se nuk jam marrë a merrem as me afera partish politike mafioze, të cilat e kanë kapluar shtetin e sillen me popullin e vet, as më pak e as më shumë, por si të ishte një popull i huaj e këta qeveritarë janë gjeneralat që e kanë pushtuar e robëruar atë. 
Nga ky vend lirie ku jetoj e ku pushtetarët e politikanët janë fort të miresjellë me popullin e vet, kam mësuar mjaft gjëra të dobishme, ndër të cilat të respektoj jeten personale të njerëzve, të merrem vetëm me veset e cilësitë negative që e dëmtojnë një shoqëri e një popull, por kurrë në aspekte intime të jeteve njerëzore, madje as të atyre që janë persona publik, si rasti i sërës të nderuarit diplomat të lartë të qeverisë, Kreshnik Çollaku. Të jetë i qetë ky diplomat me angazhimet e mëdha që ka, e, edhe më tej të vazhdojë të ushtrojë të drejtën e vet për të shkruar privatisht çfarë të dojë e kujt të dojë, se kjo “privaci” tij, siç shkruan në letrën që më dergoi, në asnjë rast nuk do të përbëjë interesimin tim. Edhe sikur rastësisht të dërgojë i nderuari diplomat, "vrong uej", tek adrese-maili im një letër, le të fantazojmë një letër flirt, me ndonjë bukuroshe diplomatike në Uashingtoni apo Nju Jorku, të jetë i bindur se do ta asgjësoj, madje pa e lexuar. Nuk i lejoj vehtës një luks të tillë që të hyj në intimitetin e tjetërkujt, kushdo qoftë ai e për çdo shkak, qoftë ky dhe armiku im. Ajo çfarë më intereson në rastin e një diplomati shqiptar në Amerikë, nuk është çfarë bën ai pas pune e me kë drekohet e darkohet, por vetëm mendimi dhe veprimtaria e tij dhe e çdo diplomati tjetër si persona në funksion publik. Kjo sepse janë përfaqesues te atdheut, që fundja nuk është vetëm atdheu i atyre që e mjelin si të babëzitur nga karrriket e pushtetit, por edhe atyre që e duan atdheun pa përfitim. Nuk besoj se është nevoja ti kujtoj një personi që paguhet për të bërë punën e diplomatit, thënien e Xhon Kenedit, se jo të pyesim çfarë na jep atdheu, por çfarë unë i dhashë atdheut sot. Pretendimet e funksionarit të lartë të ambasades shqiptare në Amerikë dhe akuza që më bën nga pozita zyrtare, mua si gazetar për një “krim moral”, tregon se në çfarë mjedisi rrojnë e çfarë mentaliteti kanë punojnësit e diplomacisë, që mjerisht si në kohën e Hoxhës edhe sot e kësaj dite, ambasadat janë kthyer në fole pëllumbash për farë e fisin e miqtë e lëng stërlëngun e qeveritare të Tiranës, të cilët darovisin pa hesap tarafin e vet sapo marrin pushtetin, sikur ta kishin atë mall të babait. Sqaroj opinionin publik se letra e zëvëndësambasadorit shqiptar, që unë e quaj një manual ordiner këshillash foshnjore, ka qarkulluar në internet, dhe unë nuk kam rëndur pas asaj letre, nuk ka qënë e nevojshme ta bëj këtë gjë, sepse më ka ardhur prej forumit publik ku unë marr pjesë me diskutimet e shkrimet e mia. Alibia e tij se gjoja nuk e di se si ja kane grabitur arkivin “privaci”, pra leter-mesazhin që i ka dërguar një zonje, nje mikje, është një gjë që i takon atij ta zgjidh e ti shkojë punës deri në fund, sepse mua nuk më intereson se kë ka mike, kujt i shkruan e çfarë i shkruan diplomati yne. Ajo çfarë di është se letra ka një përcjellje me shënimin se i bëhet publik komunitetit shqiptar, via internet, me lejen e z. Çollaku. Nëse kërkon ky zotëri origjinalin e letres, bashkë me shënimin shoqërues të mikës së tij, mund ta gjejë fare lehtë duke klikuar në Google( gugëll), por a duhet unë, një mergimtar prej 17 vjetësh, ti kujtoj një diplomati të lartë të vendit tim se në botën moderne të internetit ka edhe kërkues që të sjellin informacione të pafundme. A duhet ti them unë gjithashtu se kush jam, se kështu më shkruan, “nuk të njoh” kur të paktën që nga viti 1995 e këtej në komunitetin shqiptar, unë jam një prej zërave më aktiv dhe, në gazetën shqiptaro amerikane“Illyria” në Nju Jork, por edhe në shtypin shqiptar, kam botuar me qindra shkrime. Si nuk i paska rënë në sy këtij dipomati të paktën shkrimi im i fundit botuar në Shqipëri e internet e që pati jehonë “Noli përballë Janullatosit” ku ngre problemin e kthetrave greke që po zgjaten gjithandej në jetën shqiptare, nuk e di diplomati se është bërë festimi i 100 vjetorit të Kishës Shqiptare të cilën e provokoi dhe fëlliqi me praninë e tij agjenti i rafinuar grek, që më shumë se zotit, i është përkushtuar linjave e grupimeve antishqiptare. Apo është jashtë interesave e vemëndjes së tij lëvizja e Kalit të Trojes greke me veladon, si dhe jeta e komunitetit shqiptar. A nuk e lexon ai, diplomati i lartë të vetmen gazetë të shqiptarëve në Amerikë?! Apo më keq, mos o zot, ai njeh vetëm picaxhitë dhe pronarët e restoranteve në hapsirën Nju Jork, Uashington, ku shumë diplomatë shqiptarë, të paktën që këtu e 17 vjet, shtrohen nëpër dreka e darka, ku ka edhe koncerte folklorike, pa patur ndonjë detyrim për të futur ndonjëherë dorën në xhep. Mjerisht një diplomat shprehet as më pak e as më shumë, por si një personazh i dramës “Cuca e maleve”, i cili, kur hetuesi e pyeste në qeli, duke qënë se çfarë kish thënë deri atëherë nuk ja kishin marrë për të vertetë, më së fundi hoqi dorë nga mbrojtja e i mjeri fshatar thoshte vetëm dy fjalë “ Nga padija z.Hetues”. Ka mbetur proverbiale kjo shprehje. Nga padija. Për të mos lënë përshtypje jo te mirë tek lexuesi, ishtë e mira, si diplomat titullar që është, ta krehte sadopak jo vetem shkrimin por edhe qendrimin e vet aspak diplomatik e diturak. Po perpiqeni tia plotesojme "mos njohjen". I nderuari diplomat, letren dytë, ku tekstualisht shkruan "ju kryeni nje krim etik" dhe "mos i futni hundët në komunikimet private", ja ka derguar një gazetari e kineasti më përvojë mbi 30 vjeçare, me një gazetë shqiptare të themeluar në Athinë, “Egnatia”1993-95, një autori me 13 libra të botuar, një pjesmarrsi aktiv në lëvizjen për demokraci, lëvizje që mjerisht është manipuluar e monopolizuar, pra nisiatorit dhe organizatorit të metingut që u kthye në demonstratë para stadiumit "Qemal Stafa" në fillim të vitin 1991, e që sot, për shkak të mjerimit social e varfërisë totale që i ka sjellë politika mendjeçalë popullit shqiptar, për këtë shkak pra, e ngrys jetën jashtë atdheut duke e nxjerrë bukën e gojës me punëra dosi do. 
"Dru me pre" shkruante Migjeni. Pra, le të presim dru deri në fund të jetës ne mërgimtarët, i nderuari diplomat i lartë i vendit tim, sa kohë që fati na e ka taksur këtë gurë Sizifi mbi shpatull, të kemi një Atdhe në duar satrapësh e kasapësh, hajdutësh e kopukësh. E, anipse për një kohë të gjatë punëtor i mendjes, shkatrrimi që sollën të pamënçurit e politikës, ma hoqi atë privilegj moral të ushtroj profesionin e pasionin tim në Atdhe, e sot vuaj për çfarë ndodh, stigmatizoj prapësitë e s’pushoj së shkruari, që gjërat të bëhen më mirë, duke përdorur si moto thenien e Dostojevskit "E bukura do ta shpëtojë botën". Vertetë do ta shpëtojë por, kjo do të ndodh nëse këtë të bukur e lëmë të lulëzojë dhe herë pas here ja pastrojmë vendin përreth nga barërat e këqija që i zënë frymën, e mbrojme pra, e këtë mision fisnik mbrojtës e kanë gazetarët, poetët dhe inteligjenca e popullit shqiptar, të cilit kam dinjitetin ti përkas. Anipse “ i panjohur” nga kryediplomati i vendit tim këtu në Amerikën e Xhorxh Uashingtonit, për të cilin, le ta vërë në vemëndje dipolmati ynë këtë fakt, im atë mësues, gazetar, kryengritës i pavarësisë, sekretar i Ded Gjo Lulit e flamurtar i tij, ka shkruar me admirim në një shkrim që mban datën 18 nëntor 1907 me titull “Të thoni gjithmonë të vertetën”, një episod nga fëminija e Uashingtonit, pra mbase është i pari shqiptar që ka shkruar në Atdhe për këtë gjeni amerikan. E megjithtë edhe im atë është po aq i panjohur si plot të tjerë atdhetarë, nga padija e atyre që e konsiderojnë atdheun si një lopë hollandeze, që prodhon qumësh për një batalion husarësh që lukurojnë nën hijen e një qeverimi idiotësh në Zululland.
Dua ta mbyll këtë reagim apologji para diplomacisë tartare, me një shprehje që Asdreni ynë i madh, nga Bukureshti, pas një përplasje që pati me kasnecët honxhobonxho diplomatikë të Qeverisë së Zogut( edhe këta që qeverisin në kohë të reja zogj janë ), i shkruante një bashkëfshatari të tij në Drenovë "Nuk dua dëshmi patriotike nga laraskat!" E pse ti donte ato dëshmi njohje a mirënjohje nga laraskat e diplomacisë, Asdreni?! Edhe pa to, Asdreni ishte e mbeti Asdren. Konica, anipse gjysëm shekulli i mohuar, gjithashtu. I zura në gojë se këta të dy kanë dhënë kontribut në fushë të diplomacisë shqiptare. Kryekreje ishin punëtorë të mendjes e puna e mendjes e anashkalon çdo qeverisje apo parade sharlatane nënpunësish që perjetësisht janë të destinuar të shuhen në mosdije e me pas mosnjohje e... harrim. 

Boston, 24 mars 2008

16 March 2008

Dallkauket me Flamur



Dallkauket me Flamur

"Posi.... u ba Shqipnija. Dalin te marret e vikasin rrnofte Shqypnia! Ti i mencem pergjigje tue bertit ne kupe te qielles : Rrnofte, po, e shpejt me porosite flamuj. Na shkyeju rrnofte, e ti shit, ban pare tue tregtue mbi ndiesit tona." (Ernest Koliqi: Tregtar flamujsh).

Nga Kolec Traboini

Ka nje dallgedisje e tollovi te madhe neper festa kombetare. Paraqiten ne krye te festimeve ca njerez per te cilet cfare te flasesh, nje tufe megallomanesh qe atdhetarine e kane si disingtiv. Po kjo jo vetem ne Shqiperi ku parallijte, qe i kane mbushur xhepat me para droge, prostitucioni, kontrabande e korrupsioni e kane dyqane e hotele ne cdo skute, por edhe ne Diaspore, ku emigrantet e nxjerrin jetesen me djerse e mundime, shfaqen ca individ qe mbahen si te ishin bej katundi ne kohe te Tanzimatit. Me bej nene qe te ngjaj, tepke si ne Shqiperi. Kur shoh se si spekullohet, se si organizojne ca darka me nga 70-80 e 100 e kusur dollare per nje kembe pule ne tryeze, sepse tre te katertat e bilietes ja hedhin xhepit, me vjen te peshtire, me kujtohet ai krijimi qe s'ka vdekje i Ernest Koliqit "Tregtare flamujsh" e u them sikter darkave me ahenxhe si ne kohe te Turqise se vjeter. Me mire pi nje gote vere ne familje, ve flamurin ne balkon te shtepise time qe eshte buze nje bulevardi ne Boston dhe jam me i kenaqur edhe une , edhe flamuri, por edhe bostonianet qe kalojne perketej dhe e perkedhelin me sy.
Me vine nje dite nentori me vranesira ca honxho bonxho, sic thoshte i madhi Mihal Grameno, qe i kam quajtur perndryshe edhe takem i ri ne qytet te vjeter, patriot me bateri sic thone ne Prishtine, e me thone keta vurcanjare qe te vish ne qender te Bostonit se do te ngreme Flamurin.
Une ne fakt mbaja nje flamur te madh ne dore e do ta vija ne balkonin e shtepise sime, sic bej pervit, sic ben edhe miku im Sotir, qe ngre Flamurin njeqindvjecar te gjyshit te vet, te madhit Josif Pani nga Dardha, mikut me te mire te Faik Konices ne Amerike. Mesa duket menduan se isha i pergatitur te shkoj pas tyre e te beja rrumba tumba ne Copley Square ne mes te Bostonit.
- Po cilin Flamur?- i pyeta- Se Flamurin e ngre Bashkia, kryetari, italiani Tomas Menino sic ben per te gjithe komunitetet. Ju pse po doni ta personalizoni sikur e ngrini ju, si te ishit Ismail Qemalat e Amerikes?!
Ata nuk m'u pergjigjen vec rrinin si guake, se mendjeshkurter jane. Ju ka ba mendja dollare. Ju ktheva:
- Shkojeni e ngrijeni se une vije pak me vone se nuk me pelqejne rremujat. Sa te ngre kete Famurin tim ketu ne ballkon.
- Te ndihmojme ne - u nguten, e zgjaten duart te me rrembenin Flamurin.
Por nuk i lashe. Saken se ma prekni Flamurin me ato duart tuaja te felliqura, u thashe e bera per me tutje.
- Ikni, se e ngre vete, - vazhdova jo pa shpoti.- Ne shtepine time Ismail Qemal jam une e jo ju!
Thartuan fytyren.
Kur e pashe se po ikin me bisht nder shale dhe sec mermerisnin kunder meje, me hipi ne koke e u thirra:
- Une nuk vij fare!
Ne fillim u fandaksen. Si te mos veja fare kur ata ngrinin Flamurin. Bah! Pastaj si hilanjoz qe jane, menduan se me zune si miu ne dhokan.
- Turp!-me thane .- Je dhe bir patrioti qe ka derdh gjak per kete Flamur, qe ka luftuar krah per krah me Ded Gjo Lulin. Po ti paske qene tradhtare i babes tend, more, po ne te dinim per atdhetar te madh, ndaj erdhem.
Menduan se me groposen se gjalli dhe i lane duart me mua.
- Po dale bre, mos u ngutni,- ua ktheva. - Une nuk thashe qe nuk vij fare ne Copley Square.
- Atehere do te vish? - ndrruan ceren atdhetaret me bateri duke u qetesuar.
- Do te vij per ta ulur!
Sikur ra bomba. U hodhen perpjete sikur t'i kish pickuar zekthi ne te prapme .
- Ti qenke cmendur fare - m'u hakerryen.- Ke rrjedhur!
- Nuk jam cmendur e as kam rrjedhur ore, jo. Por sikur une te mos e ul, cfare do ngrini ju vitin tjeter, pa me thoni!... Se Flamurin do ta grise era, do t'a kalbe shiu e bora, se rrobe eshte de, jo shajak per gune bariu. As per darken qindollareshe qe keni sajuar mos me prisni, se nuk kam ndermend te cpoj xhepat e mi per te mbushur te tuajat.
U skuqen si spec i kuq djeges e mu be se Flamuri im qe kisha ne duar, u zverdh nga qe nuk i duronte dot ata dallkauke e delenxhinj qe shtiren si flamurtar. Pa le kur do te shkruanin ne gazeten e komunitetit se Dadani me Kamkamin e Zejnepja me Peqe Lepen e kane ngritur Flamurin ne Boston, ne Nju Jork, ne Detroit, ne Cikago e kah mos. Por edhe ne Vikipedia do te shkruajne pa hesap qe ta dije historia e brezat qe do vine se kush jane Flamur- tartaret e Diaspores shqiptare te ketij fillim shekulli. Ja keshtu shkruhet e pershkruhet historia nga llaskandraqet e etur per lavdi. Keshtu shkruhen e pershkruhen edhe meselete me Flamurin.
E kush e di cfare dhembje ndjen i shkreti Flamur, kur bie ne dore banditesh, zuzaresh, mashtruesish, megallomanesh, ne duart e kacabujve te atdhetarizmit, qe gelojne si brumbuj bajge, qe kane krijuar tarafe, qe e quajne njeri tjetrin "burra te medhej", cfare Nolit e Konices me kursim ua thone.
E po nuk bere si thone e si duan ata, egoistet lavdimedhenj, te bejne gjemen, te gozhdojne si Krishti ne ca hartime moralistike ne gazeten e komunitetit, te shpallin armik, te nxjerrin edhe nga ato paloshoqatat te shpifura rapsodike qe ka me vandake ne Amerike, apo nga ca lista pseudogazetaresh ku neveritshem i perkedhelin bishtin njeri tjetrit...
A nuk bente edhe Enver Hoxha keshtu?! Por Enver Qafiri i bente bemat e veta ne Shqiperi ku nuk kish liri e as drejtesi, po keta kallam-kusur-kallamaret tane i bejne ne Amerike.
Lum si kombi yne qe i ka lindur, por lum edhe Amerika, te ciles i polli groshi me dallkauket, shoqatamaniaket dhe mashtruesit me flamur.

12 March 2008

DIPLOMACIA E FRIKËS- nga Kolec Traboini

DIPLOMACIA E FRIKËS
Dashuria që buron nga frika është hipokrizi.

nga KOLEC TRABOINI
Boston


Nuk besoj se është ndonjë gjeder i madh që në një forum interneti, madje edhe në shtypin e përditshëm a periodik, të flasim e shprehim mendime se përse jemi për këtë apo atë kandidat për president në Amerikën ku jetojnë e gëzojmë statusin e qytetarit, ku punojmë e paguajmë taksa, me të cilat mbahet në këmbë shteti dhe administrata, prandaj ndërhyrja e zëvëndësambasadorit shqiptar Kreshnik Çollaku me një manual këshillash që më shumë shprehin frikë se sa orjentojnë, na u shfaq si rrufe në qiell të kthjellët. Demokracia ku jetojmë e krijon hapsirën e meditimit dhe të shprehjes publike, ndaj nuk e shohim me vend kurrfarë shqetësimi. Duke qënë votues, nëse si shqiptar shprehim një mendim, që aksh kandidat nuk na pelqen, ky deklarim qoftë dhe publik, nuk mund të konceptohet në mënyrë absurde si frymë antiamerikane, as antishqiptare siç e komentojnë disa individ në debatet e internetit. Gjithashtu preferenca e hapur për një parti a një tjetër nuk ka pse të cilësohet si dashuri idiote. Kushdo që kerkon të imponojë e jo të bashkëbisedojë, bie në dashuri me intolerancen. Këtë duhet t’a kuptojmë si një prej elementeve të demokracisë ku jetojmë e që konsiston tek toleranca për mendimin e tjetrit, për mendimin ndryshe... Këtu ka senatorë demokratë si Xhon Kerri që është nga shteti i Masachusets, që doli publikisht mbështetës i Barak Obamës nderkohe që ky shtet me shumicë votoi për Hillari Klintonin. Pra senatori doli zbuluar përpara votuesve të vet dhe e ka problem rizgjedhjen në Senat, sepse në elektorat ka humbur mjaft pikë, e megjithë nuk ngurroi të dalë në kahjen tjetër të opinionit. Deri këtu konformë demokracisë jemi. Prandaj nuk ka pse të druhemi që të flasim për gjëra që na pelqejmë, në një forum të lirë interneti apo qoftë dhe gazetë. Komuniteti shqiptar nuk është qeveria shqiptare apo parlamenti që nxjerr rezoluta, prandaj dhe nuk e kuptoj fare këshillën e dërguar me shkrim via internet, disi si kambanë alarmi, që funksionari i Ambasadës Shqiptare në Amerikë, ka formuluar e përcjellur në internet duke dhënë këshilla “mençurie” se si duhet të sillet komuniteti shqiptar në zgjedhjet presidenciale. Të lë pa mend kjo ndërhyrje. Shyqyr që shtypi amerikan nuk i kushton pikë rëndësie kësisoj vogëlimave se ndryshe do të bëheshim për faqe të zezë. Ç’punë ka një zevëndësambasador të mësoj votuesit amerikan me origjinë shqiptare se si duhet të sillen. Kush e njeh për mësues të komunitetit? A i di ai detyrat e veta, apo mbasi i ka kryer detyrat e shtëpisë të ngarkuar nga shefat e vet në Tiranë, bën edhe punë vullnetare nëpër linjat e internetit. Ja fjalë për fjalë një shprehje, me gërma të vogla e të mëdha, sipas origjinalit qe ka percjellë diplomati i lartë i qeverisë së Tiranës:
mendoj se eshte apsolutisht e PAPRANUESHME, qe ne BLLOK diaspora shqiptare ne SHBA te shfaqet pro apo kundra nje kandidati …Kjo mund te jete nje veprim emocional ,i pamotivuar dhe JASHTEZAKONISHT NAIV DHE IRRACIONAL,e mbase edhe i DEMSHEM per ceshtjen shqiptare ,e cila ka nevoje per miq te medhenj si SHBA.”
Çfarë shpreh ky panik i z. Çollaku?! Si u rrezikokan mardhëniat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në tërësi nëse komuniteti en-bloc voton për një kandidat. Kjo jo vetëm që është e pamundur dhe është një shqetësim krejt bosh, sepse njerëzit kanë bindje e preferenca të ndryshme madje edhe brënda një familje, por edhe sikur hipotikisht të ndodh fantazia e frikeshme e diplomatit tonë, cili është ai president i zgjedhur i Amerikës që paska kohë të merret me hollësira të tilla banale se si ka votuar ky apo ai komunitet. Si mund të hamendsohet hakmarrës një president i Amerikës? Si mund të dëmtojë ai çeshtjen kombëtare të shqiptarëve? Si mund ai të çbëjë politikën e Amerikës në një ditë të bukur me diell? Si nuk e di zevëndësambasadori ynë që pavarësisht se shefat e Shtëpisë së Bardhë ndrrohen, politika afatgjate amerikane nuk pëson devijime të thella. Dihen interesat e Amerikës në Ballkan, dihet raporti me ruset dhe problemi i përballimit të ekspansionit të tyre në Ballkan. Amerika ka njëbaze ushtarake në Kosovë prej të cilës zor se largohen ndonjëherë ushtarët amerikanë. Ballkani gjithmonë e ka rrezikuar paqen e Europës, aleates së Amerikës ndaj kjo e fundit nuk mund ta lërë jashtë vemendje këtë rajon, pavarësisht se kush vjen president në Shtepinë e Bardhë, republikan apo demokrat qofte ai.
Më poshte zoti Çollaku shkruan i kapluar nga frika diplomatike, sa nuk ka arritur as të respektojë rregullat e gjuhës letrare shqipe, të detyrueshme për zyrtarët e rangut të tij:  

Me thuaj c mund te ndodhe nese kandidati ne fjale behet president i SHBA??? E ne rast se behet publik fakti qe shqiptaret e amerikes kane qene agresive kundra tij ???? Kjo e ndihmon apo demton ceshtjen shqiptare???”
 
Çfarë ka ndodhur që e detyron një diplomat të lartë të shkruaj në panik, me një të shprehur aspak diplomatike e tepër konfuze?
Veprimtari shqiptaro-amerikan Garry Kokalari, paradokohe përcillte opinionin e vet se kush nga kandidatët republikanë apo demokratë është më i ndjeshëm në çeshtjen shqiptare. Kjo në bazë të deklaratave të tyre të herëshme apo dhe gjatë fushatës partiake. Zotit Kokalari, në raport me bindjet e veta i rezultonte se kandidati me pranë interesave të shqiptarëve është Xhon Mekejn, po ashtu në një plan edhe Hillari Klinton, ndërkohë që kandidatin Barak Obama e cilësonte si të vakët në çeshtjen shqiptare, kjo për faktin se përflitet se kandidati afroamerikan, me baba nga Kenia, ka lidhje me Guvernatorin e Ilinoisit që ka origjinë serbe. Por për të qënë të saktë duhet vënë në dukje se për çeshtjën e Kosovës, Barak Obama ka një deklarim konform politikës aktuale amerikane, por gjithësesi shfaqet i përmbajtur, e jo aq entusiast si Hillari Klinton e Xhon Mekejn.
Ky gjykim i Kokalarit nuk ka pse të ngjallë shqetësimin e askujt, sepse në Amerikë, çdo votues bën llogaritë e veta, se përse e për kë duhet ta hedh votën. Kështu është e natyrshme të gjykojnë edhe shqiptarët që kanë qytetarinë amerikane. Kjo dihet. Edhe kandidatet të cilët luftojnë qofte edhe për një votë të vetme në elektrorat, e dinë këtë, prandaj dhe gjejne rast e bëjnë premtime. Kush premton më shumë, është e natyrshme të marrë më shumë vota. Është e natyrshme gjithashtu që edhe ne shqiptarët me njeri-tjetrin të hyjmë në diskutime se kush është me i dobishën aktualisht për ne. Këto mendime madje i shprehim edhe në forumet e internetit pa drojë. Se fundja kështu bëjnë të gjithë. Edhe vetë amerikanët. Në radio, gazeta e kudo. Këtu deklarohen edhe kongresmenët, e guvernatorët e shteteve të Amerikës si ai i Kalifornias Shvarceneker që doli në përkrahje të Mekejnit. Atëherë pse ti hyjë paniku diplomacisë naive shqiptare se çfarë diskutojnë nder vedi shqiptarët e Amerikës. Çfarë i hyn në hesap ambasadorit apo vetë shtetit shqiptar nëse unë, ta zëmë, shkruaj se nuk e jap votën për Obamën për disa arsye, por kryesorja sepse ai mbështetët tek oratoria, fjalët e bukura, zëri elekuent, por realisht nuk thotë kurrgjë. Nuk sjell as dhe një fakt real se çfarë do të jetë ndryshimi për të cilin trumbeton me të madhe ai dhe në fillim edhe media. Aq bajate është bërë shprehja të ndryshojmë, sa amerikanët kanë nisur të qeshin “të ndryshojmë për hir të ndryshimit…”. Pra së pari nuk e përkrah sepse nuk më pelqen demagogjia. Fjalet e mëdha e gurët në trastë siç thotë populli ynë.Mos i shiko gunën por punën. Koncepti im mbi ndryshimin nuk qëndron tek fjala, as tek ndrrimi i ngjyrës a racës presidenciale, por në ndryshimin e konceptit, sepse së pari duhet ndryshuar fytyra e shtetit amerikan në botë. Sot në botë e urrejnë Amerikën shumë më tepër se para dy luftrave të fundit. Lufta në Kosovë e ngriti emrin e Amerikës lart, i dha dinjitet në mbarë botën, sepse ishte e para luftë që u bë për humanizëm dhe pa kurrfarë interesi, ndërsa ajo e Afganistanit më pak, lufta e Irakut më shumeë zbehu këtë prestigj. Ndoshta me ardhjen e një presidenti grua dhe përfundimi i luftës në Irak, prestigji i Amerikës rritet, portreti i saj bëhet më paqësor dhe më i dashur. Diplomacia predominon mbi forcën e dhuna në botë nis e zbutet. Pertej kësaj, dihet se në kohën e Bill Klintonit ekonomia amerikane ishte e fortë. Ka shumë që shpresojnë se me Klintonët sërisht në Shtëpinë e Bardhë, ekonomia në rënie përmirësohet. Kushdo që shkon nga Amerika në Shqipëri dhe vende të tjera, e ndjen në xhepin e vet zgërlaqjen e dollarit në raport me euron e Bashkimit Europian.
P
ër bindjet individuale nuk besoj se duhet marrë leje ndokujt që ti afishojmë apo ti mbajmë në xhepin e vogël të brëndshëm të xhaketës, siç na këshillojnë edhe ca shqiptarë që bëjnë të zgjuarin, tek gjënden në mbështetje të diplomacisë së frikës të diplomatit shqiptar. E tërë kjo frikë absurde konsiston në fantazinë se mos kush do të zgjidhet president, do të hakmerret ndaj Shqipërisë e Kosovës e shqiptareve në përgjithësi. Këto njerëz vazhdojnë të jetojnë me dy mentalitete të ngulitura nga koha e diktaturave komuniste, mentalitin e frikës prej atij që vjen në krye të punëve të shtetit më të madh të botës dhe dyta mentalitetin e kultit të individit, se gjoja ai që vjen në krye mund të bëjë çdo gjë, madje edhe gjëmen. Harrojnë këta se Amerika ka një politikë solide në linjat ndërkombëtare, kur i mbron shqiptarët nuk besoj se niset nga sentimentet, por nga interesat e saj rajonale. Pavarësisht nga krahu politik, ai që zgjidhet, bëhet president i tërë amerikanëve, edhe atyre që e zgjedhin, por edhe atyre që ishin kundra, pra mbron interesat e Amerikës e jo të partive në politikën ndërkombëtare.
Tetë vjet më parë diplomacia e shqiptare në Uashington u kaplua prej të njëjtës frikë e panik, sepse mjaft shqiptaro-amerikane ishin fort aktivë me demokratët në fushatën presidenciale pro kandidatit Al Gore që përballohej me Xhorxh Bushin e ri, i cili, ky i fundit, i fitoi të dy zgjedhjet përballë kundërshtarëve demokratë. Po a ndryshoi ndonjë gjë nga politika amerikane e mëparshme e kohës së Bill Klintonit, për të cilin shqiptarët kanë admirimin të madh. Nuk ndryshoi asgjë. Madje presidenti Bush, për të cilin mjaft shqiptarë votuan kundra, duke përfshirë dhe autorin e këtij shkrimi, u bë po aq i dashur për Shqipërinë, Kosovën e të gjithë shqiptarët pa përjashtim. Presidenti Bush jo vetëm vizitoi Shqipërinë, ku u prit si mik i madh por ishte dhe faktori detreminant për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kështu që frika diplomatike e asaj dhe e kësaj kohe, janë vec tundime ireale që burojnë prej një pasigurie zyrtaresh që pak janë të lidhur me realitetin politik dhe bëjnë një punë të mbyllur larg vizioneve moderne.
Ndoshta është vëndi për të thënë se, të dëmshëm për një shoqëri apo apo një mjedis nuk janë ata që shfaqin mendimet hapur, qofshin pro apo kundra, por ata individ apo instanca që e ndalojnë të shfaqet, kur individi dëshëron dhe e ndjen si një nevojë të brëndëshme ta bëjë një shfaqje të tillë.
Pikërisht për këtë Amerika është vendi ku njeriu e ndjen lirinë deri në indet e veta dhe në çdo volum fllad ajri që thith në mushkëri. Kuintesenca e lirisë; e drejta dhe krenaria, dinjiteti për tu shfaqur ai që je e që të nderon e të respekton në mes të barabartëve.
Nuk gjen udhëheqës më të thjeshtë në botë se sa ai që drejton shtetin më të madh e me të lirë të botës, pra Amerikën. Kjo sepse ai udheheq një popull të lirë, ku çdo individ ka dinjitetin e një presidenti e këtë e pohon nga mënyra se si thotë "Jam amerikan!" A mund të dalim në shqiptarët para shtetarëve tanë të një shtetit me pak milion banorë, e tu themi me krenari m’i kthe pronat e marruna me përdhunë se "Jam shqiptar". E themi ne, por çfarë mendojnë ata, qeveritarët dhe nënpunësit. Me cilin bisht syri na shohin?!Ndoshta duke e patur një mik të madh si Amerika, do të mund të mësojme diçka të mirë e të dobishme prej saj. Të mësojmë të duam atdheun e Statujës së Lirisë, të Uashingtonit, Tomas Xhefersonit dhe Linkolnit nga thellësia e shpirtit e kurrësesi nga frika, sepse dashuria që buron nga frika nuk është kurrgjë tjetër veç hipokrizi.

Mars 2008
Vazhdimi i polemikes:

07 March 2008

NOLI PËRBALLË JANULLATOS

NOLI PËRBALLË JANULLATOS
Në 100 vjetorin e ngritjes së meshës së parë shqipe nga Fan Noli, greku Janullatos me bukëshkalësit e autoqefalisë
drejtojnë festimet në Boston.

Nga KOLEC TRABOINI
Në të vertetë duhet thënë Anastas Janullatos përballë Fan Nolit, se greku me raso dalë boje, po tundohet në pleqërinë e tij të thellë reomatizmale, të zhgulet nga strehëza ku ka zënë vend si zogu i qyqes greke në Kishën Orthodokse Shqiptare në Tiranë, të kalojë Atllantikun e të na shfaqet këto ditë të ftohta e me ngrica marsi, në Boston, tek Kisha e Shën Gjergjit, ku orthodoksët e mbarë komuniteti shqiptar feston 100 vjetorin e meshës së parë në gjuhën shqipe, të ngritur nga Fan Noli në 1908, që shënon krijimin e Kishës Orthodokse Shqiptare të Amerikës. Çfarë kërkon Janullatos dhe kush janë puthadorët i tij pritës në Boston?
Vertetë çfarë kërkon greku gjallë Janullatos tek shqiptari i vdekur Fan Noli. Dihet prej shkencave kriminalogjike se ai që e ka bërë një krim, nuk i qëndron dot tundimit pa u kthyer e pa e parë sërisht e sërisht vëndin e bëmëzezës së vet. Shkuar pas këtij instikti barbar, vrasësi i autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare, Janullatos nuk mund ta përballonte tundimin pa ardhur me një delir triumfues në Boston e të shkelë me këmbë në shkallaret e në altarin ku dikur ngrinte meshë Noli ynë i madh, atdhetari ynë i kulluar, krijuesi i kësaj kishe që është para së një faltore besimi, një relike kombëtarë për shqiptarët, ku vinë plot veneracion jo vetëm orthodoksët por edhe besimtarët katolikë e musliman, që i prekin me duar që u drithërojnë muret, kolonat, parmakët e këtij tempulli histori.
E dimë që Janullatos e ka një fole të vetën, ku e ndjen vetën ngrohtë këtu në Boston, tek Kisha e vogël e Shën Trinisë me një grusht besimtarësh, që dikur ka qënë edhe foleja e grenxave të agjentit të partiarkanës greke Mark Lipa. Por, se do të vinte dita që të shkelte me këmbë edhe në Katedralen e Shën Gjergjit të Fan Nolit, kjo nuk ka qënë menduar kurrë madje as nga vetë grekofonët e as nga grekomadhi Nikolla Gaxojani që jeton këtu në Boston e thur intriga antishqiptare.
Por Odiseja grek i kohrave moderne Janullatos ka arritur, mesa duket, të fusë kalin e vet të Trojës nën rraso prifti edhe në këtë faltore të shënjtë të shqiptarizmës dhe nuk e ka të vështirë të zbatojë skenarin e vet të vjetër në frymën e Patriarkanës greke.
Mirë kryeprifti i Kishës së Shën Gjergjit që e ka mirëseardhur, për interesa e lidhje që kush se di ku fshihen, po si mund orthodoksët shqiptarë të marrin pjesë e të dëgjojnë meshen e ngritur prej Janullatos në altarin e Fan Nolit? A nuk kanë frikë se prej tmerrit a prej dhimbjes mund të dridhen themelet e altarit të shqiptarizmës? Më mirë ti thonit dheut, hapu të futemi brenda se sa të përdhosim me turp faltoren e Nolit të madh.
Padyshim ky është një triumf i grekëve mbi shqiptarët. Kjo është gjëma më e zezë që ka parë ndonjë herë kjo katedrale ku Noli ynë ka dhënë meshë me frymë atdhetare deri sa i erdhi çasti i fundit. Dihet çfarë luftë titanike ka bërë Fan Noli për ta shpëtuar kishen shqiptare nga kthetrat e çapojt e grekërve, të cilët nuk janë më pak se sa vrasës të Papa Kristo Negovanit, At Stath Melanit vetëm e vetëm se këta kanë patur guximin të ngrinin meshë në gjuhën shqipe.
Janë greket ata banditë me raso që nuk pranuan të varrosnin një shqiptar të ri mërgimtar, Kristaq Dishnicën, para një shekulli, çfarë u bë shkak që Noli të vishte rason e priftit, ta krijonte dhe udhëhiqte Kishën Shqiptare, duke e bërë një vatër të zjarrtë atdhedashurie. Noli kështu u bë armiku më i madh i megaloidhesë greke dhe Patriarkanës së Stambollit që punonin për shkatrrimin e çdo gjëje shqiptare.
Pse duhet festuar ky 100 vjetor me një thikë pas shpinës së shqiptarizmës. Në kohën kur orthodoksët shqiptarë me të drejtë kërkojnë vendosjen në krye të Kishës Orthodokse Autoqefale një prift me gjak e kombësi shqiptare, Janullatos jo vetëm që nuk i dëgjon ato zëra, por bën edhe sfidën më të madhe e më të paturpëshme.
Natyrisht ai tani nuk e ka të vështirë që pasi të ngrejë meshë, në katedralen e Shën Gjergjit, të drekojë me bukëshkalsit shqiptarë të autoqefalisë në Pier 4 tashmë që Anthoni Athanasi ka vdekur, sepse po të ishte ende gjallë ai mik besnik i Fan Nolit, nuk do të mund të shkelte këmba e Janullatosit në atë restorant ku mblidheshin me shqiptarët me Nolin e Konicën në ditët e festave kombetare.
I shoqëruar nga bukëshkalësit e autoqefalisë dhe shqiptarizmës, nuk e ka të vështire greku Janullatos të bëjë edhe veprimin cinik më djallëzor, të shkojë tek varri i Fan Nolit, për ti thënë mesa duket “Ta mora kishën e Shën Gjergjit, edhe varrin ta shkela. Shkoi i humbur qëllimi yt.Ku i ke shqiptarët e tu? Ja këtu pas b…sime”.
Eshtë e natyrshme që kjo të ndodh kur një antishqiptar me raso, që e shoqeron grekun Anastas Janullatos në këto proçesione turpi, e shet lëkurën e vet fare lirë. Me kohë e ka shitur, por është përpjekur ta mbajë vehten me demagogji derisa erdhi koha për tu shfaqur si mbreti lakuriq. Me së fundi u puqen. Kishin kohë që bënin flirte prifti i Greqisë me bukëshkalin e Shqipërisë.
Na thoshte i ndjeri, Piter Minari në vitin 1996 një histori që kish dëgjuar nga goja e vetë Nolit, por ne nuk e besonim e nuk ja vinim veshin, derisa një ditë i thashë, nuk e besoj po ma jep me shkrim. Piter Minari mori një copë letër të verdhë dhe me laps karboini, në praninë time e të një miku tim shkodran shkroi:
“Sa të jem gjallë unë, Fan Noli, bijtë e Lolos së Boboshticës nuk i lë të bëhën priftërinj.”
Por ja që Noli vdiq. U bënë priftërinj ata që mundën të bëheshin. Dhe erdhi koha që ti bëhëshin krah grekut Janullatos, për ta përmbysur në varr për së vdekuri Nolin tonë të madh.
Por më kot rrekën zogjtë e qyqeve të Greqisë dhe zgërbonjat e Shqipërisë që i bëjnë jatak.
Idealizma, fryma e Fan Nolit dhe shqiptarizma, kurrë nuk vdesin.

Boston 6 mars 2008







 

02 March 2008

Jehonë krijuese nga Selaniku





"DEGA E BLERTË" E PAQËS DHE SHOQATA-MANJAKËT E LUFTËS


Nga KOLEC TRABOINI

Padyshim që dëshira për të qënë pranë njeri-tjetrit, ndër krijuesit e letërsisë është krejt e natyrshme, është kompensim i vetmisë së proçesit krijues, ndaj grupimin e sapo krijuar me emrin "Dega e blertë", njeriu ndjen kënaqesi ta urojë me gjithë zemër. Le të bëhet ky grupim një vatër e ngrohtë ku të zotërojë fryma e mirëkuptimit dhe e harmonisë në mes të krijuesve emigrantë shqiptarë e pse jo edhe në bashkëpunim me shkrimtarët e krijuesit vendas në qytetin e bukur të Selanikut.
Meqë lidhjet e shoqatat janë një fenomen i shumuar ndër shqiptarët emigrantë shpërndarë në Europë dhe Amerikë, do të desha të shpreh një mendim, që gjatë 18 vjetëve në mërgim në këto dy hapsira kontinentale më ka shqetësuar.
Po krijojmë më shumë shoqata se shqiptarë, janë të panumurta këto shoqata që shpesh u vemë emra të mëdhej kur antarësia është fort e vogël dhe veprimtaria
po aq e pakët. Në fakt emri që kanë zgjedhur krijuesit emigrantë shqiptarë të Selanikut "Dega e blertë" më duket sa modestë aq dhe poetike, por fjalën më tepër e kam për ata që shfaqen me pretendime shpesh herë marramëndëse e tymnajore. Këta njerëz të shoqatamanive gjithpërfshirëse duhet të kuptojnë se sot është e vështire të krijohen shoqata të mëdha. Fakti që u shua edhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërise, tregon mjaft. Nuk po i hymë analizës së thellë se pse u shkatrrua ajo krijesë e një sistemi të falimentuar. Mjafton të themi se heqja e bazës materiale, ndërtesës së Lidhjes, ishte një preteks, por kurrësesi shkaku i vertetë… Them kështu sepse shoqatën, disa e shihnin si një lopë për ta mjelur. Një shoqatë nuk duhet të krijohet e as të shikohet mbi baza të tilla interesash materiale se pastaj shumë shpejt bie viktimë e egoistëve dhe karieristëve që nuk janë të pakët. Është mbase koha e grupimeve të vogla, që i bashkon jo thjeshtë dëshira për të shkruar por edhe platforma estetike.Në botë grupimet shpesh janë bërë pikërisht mbi bazen e platformave e të ideve, stileve, gjinive letrare. Këto gjithmonë kanë qënë më të qëndrueshme, me të efektshme dhe kanë bërë emër madje edhe në historinë e letërsisë. Ta zëmë "Beat Generation", që u formua në 1950, për një dhjetëvjeçar i dha tonin letërsisë amerikane duke ndikuar edhe në artet e tjera. Ata konsideroheshin bohemian e hedonist, lëvizja e hipive nga ata është frymëzuar paçka se nuk kishin të bënin me artin e letërsinë por me konceptin e jetesës dhe dëshirën për aventura. Allen Ginsberg poet e Zhak Kerauk, shkrimtar, ishin udhëheqësit e këtij grupimi që nuk ishte më i madh se ta zeme gishtat e dy duarve të bashkuara.

Kerouak, Ginsberg, Orlovski në këmbë ,
nd
ërsa ulur Korso dhe vellai i Orlovskit,
Lafkadio gjat
ë një udhëtimi në Meksikë .

Krijimi i grupimeve letrare e artistike nuk mendoj se duhet te bëhet pa një synim të caktuar, jo thjeshtë për tu takuar e pirë një kafe, por në bazën e një platforme. Ai duhet të jetë një mjedis ku të gëlojne idetë e mendimet, shqetësimet, të zgjoje artistët e vertetë nga letargjia, që punët e letërsisë, të poezisë në veçanti, ti marrin ata qe i janë përkushtuar asaj. Pra për ti thënë mediokritetit e përdhosjes që i është bërë deri më tani poezisë e në tërësi letërsisë...mjaftë më!
Vetëm këtu i shoh vlerat e krijimit të grupimeve të krijuesve, e jo shoqatave të mëdha ku hyjnë të gjithë, madje edhe ata që vazhdojne ti bien ziles së mushkave në letërsi si qëmoti, që i mbajnë vargjet e rilindasve si model i të gjitha kohrave, kur letërsia ka ikur një shekull larg prej kohës së tyre,
apo aq më keq kur shoqatat aklimatizohen si çajtore fjalamanësh, ku i krrehin bishtin njëri tjetrit për çdo vargëzim banal prej injoranteve të letërsisë.
Pra në afirmimin e vlerave, në daljen me një platformë krijuese, në të thënit publik se deri më tash kushdo është mbiquar poet, por poet e shkrimtar të bën puna e jo mburrja, të bën përpjekja individuale e jo shoqatat ku mund të dalin në krye madje edhe ata që nuk dinë të shkruajnë as gjuhën shqipe. Aq më tepër shoqatat nuk duhet të krijohen për karrshillek, fudullëk, se, e bëre ti ja e bëj edhe unë. O zot çfarë mëndësie krijon njeriu, çfarë nuk po na dëgjojnë veshët, ku nuk të çoka deliri. Bëhemi dëshmitarë por akoma më keq edhe viktima të një lloj mediokrriteti të ligjëruar madje edhe në masmedia. Ja t’ju rrëfehem që të bindeni se sa mekanizma të verbëra bëhen shoqatat. Vetëm pse pata guximin ta kritikoj kryetarin e praktikat e tij si në kohën e kultit, kryetari i radhës i shoqatës (së shkrimtarëve i thënçin), këtu në Amerikë pra, mblodhi tre servilat e kryesisë dhe e pashë vetën jashtë unë që kisha kontribuar për ta krijuar. Por natyrisht synime e mia ishin krejt të tjera, ndryshe nga se u përdor kjo paloshoqatë, që sot është kthyer në një hije edhe për faktin se kanë ardhur në kryesi njerëz anonime në letërsi...Se çfarë kualitetesh ka kryesia mjafton t’ju sjell një shëmbull të freskët. Këto ditë një antar i kryesisë së ashtquajtur shkrimtarëve, ka paraqitur në internet si të vetin nje tregim që nuk është kurrgjë tjetër veçse përkthim i keq i një tregimi të një autori amerikan. Këta janë shkrimtarët e drejtuesit e shoqatës së shkrimtareve Shashka e shqipove të Amerikës. Ky vertetë është një subjekt për letërsi satirike, diçka si shoku Zylo.Sepse Zylot vazhdojnë në demokraci, madje deri edhe në Amerikë kanë gjetur shtigje të çajnë ferrën,
kanë marrë revan edhe si estetë. Duke mos pas gjë në torbë por as dhe gjë prej gjëje në kokë, sjellin receta se si duhet bërë letërsia madje edhe kritika. Këto njerëz i dinë të gjitha. I dinë të gjitha e nuk dinë kurrgjë. Jo, jo, kësisoj shoqatash e kësisoj mëndësi të njerëzve shtërp në talent por mjeshtra në djallëzi, u duhet qëndruar larg.Më mirë të mos krijohen, të shpëtojmë nga shabllonizmi bolshevik, ku shoqatat letrare ishin kthyer si koperativa bujqësore.
Shihni se si përfundoi edhe çerdhja e grenxave shkrimtare në Tiranë. Nuk ka më shoqatë shkrimtarësh tip bolshevik, ku mund të manipulohet e spekullohet e ku antivlerat shitën si vlera e drejtuesit fryhen si gjela. Po jep frymë një kohe fodulle paçka se viruset e antivlerave nuk mund te shkoqen lehtë.


Dhe një problem është se shpesh kryetarët kthehen nga shkrimtarë në funksionarë, që e përdorin shoqatën si një instrument për vetshkelqim personal. Mendoj se grupimet mbi baza platformash estetike e interesash krijuese nuk kanë nevojë për president as të përjetshëm e as të përkohshëm, nuk lind nevoja as për rregullore të gjata, por vetëm katër pesë pika si platformë dhe pa kryetar, por një njeri që zgjidhet çdo një ase në dy vite si kordinator.Kush është ai poet i vertetë që pranon të ketë mbi kokë një kryetar. Unë, për veten time, nuk pranoj kurrfarë kryetari apo kryetareshe. Ata që duan president, kryetar, nënkryetar, sekretar apo zëdhënëse, të shkojnë tek shoqata e mallrave me shumicë, tek GABI i letrave shqipo-amerikane ku drejtojnë njerëz me kollaro e papion edhe në mes të gushtit, pra tek shashka e plagjiaturistëve që i hedhin grepat në internet si peshkatarë të zellshëm. Në asisoj shoqatash mediokrre, çdo njeri me një sy e ndjen veten mbreti i qorrave. Do të pranoja të grupohesha vetëm në një listë autoresh shqiptaro amerikanë apo me gjërë, të cilët i vlerësoj si kualitete letrare, pena të përkushtuara, kallij kokëulur e bukëplotë. Të tjerët nuk më interesojnë, paçka se mund të jenë edhe pronarë restorantesh. Ja vlen të merresh vetëm me njerëz të cilët poezinë por edhe artin në përgjithësi e kanë qëllim të jetës e me punë të përkushtuar kanë krijuar vlera të dukshme dhe kanë individualitet e dinjitet artistik. A jemi të zotë të krijojmë një klub të tille poetik, eja ta krijojmë por vetëm e vetem me vlera. Mbi këtë bazë mendoj se ja vlen të bashkohesh me krijues të tjerë, në mos tërhiqu në një qoshe sepse vetmia është fort e dobishmë se bashkësia e atyre që mungesen e talentit e kompensojnë me intriga e ligësi.Ky lloj grupimi estetik , mendoj unë, nuk do të kishte protokolle, as mbledhje e as zgjedhje. Dhe kryetar nderi mbetet të jetë më i vjetri në moshe, një lloj dekani, sepse çdo poet është i barabartë në mes të barabartëve. Tërë qëllimi është të kordinohen veprime për të afirmuar vlera qoftë brenda dhe jashtë grupit, natyrisht do të ftoheshin në pjesmarrje e veprimtari plot të tjerë pasionantë të letërsisë, gjithnjë duke patur prioritet kualitete letrare, ata që artin poetik para së gjithash e kanë përkushtim deri në dhëmbje. Fakti që edhe me rastin e krijimit të "Degës së blertë" ndokush po përpiqet të afishoj vetën ende pa u krijuar ky grupim, në përpjekje mesaduket për ta tërhequr pas kalit të vet, e për ta kundërvënë ndaj të tjerëve, shoqata a individë qofshin, nuk është shënjë e mirë. Kjo tregon se mbahemi me mish e me shpirt në mentalitetin e shoqatave të cilat tek njera-tjetra shohin kundërshtarë, madje dhe armiq. Dhe këta njerëz me frymë luftënxitëse quhen a vetquhen shkrimtarë?.... Ndoshta edhe janë! Por veç si shumë talent po shpenzojnë me makinacione e fjalomani publike.
Gjithësesi, "Dega e blertë" e krijuesve të Selanikut qoftë një klub miqësh, një grupim i hapur, që të mos hezitojë të bashkpunojë me krijues e grupime të tjera sepse klubet e shkrimtareve nuk janë shtabe lufte por forume paqeje. Le të jetë kjo vath në vesh për ca ish miq krijues të Athinës, që edhe pse në mërgimin e halleve, po shkrijnë plorët për të bërë shpata. Në ardhtë puna deri këtu, mjerë letërsia që krijojmë! Mos o Zot!

2 mars 2008.