24 January 2020

🔴 Vajtim për robëri të shqiptarëvet -nga Faik Konica

Poezi e botur më 1901 nga FAIK KONICA
Faik Konica 1937, foto e zbuluar në Boston nga K. P. Traboini 2007.


Këtë vjershe e shkroi Faik Konica në vitin 1901 për robëri të shqiptarëve nën turqit e sulltanëve, mirëpo pse duhet të jetë aktuale edhe sot? Spjegim i thjeshtë. Ikën turko-osmanët që e shfrytëzonin e shtypnin shqiptarin, por mbeten në Shqipëri një skotë barbarësh që sillen me popullin e vet më keq se sa vetë sulltanët,  ndaj ndjehemi të pushtuar, po kësaj radhe jo nga të huajt, por nga të përbrëndshmit, nga plehrat, mizorët, flliqanët, përversët, mafiozet, nga pjella monstruoze që për baba kanë djallin e për nënë kanë shpellat e egra para njerëzore. Kjo skotë e poshtër i bën të gjitha, nuk ka të ngopur me mizoritë e veta e paturpësisht i thotë popullit të vet të mjeruar "Nuk ke parë gjë akoma!". O Zot çfarë sadizmi cinik e barbar. Po çfarë duhet të shoh akoma ky popull? Nuk e dimë.

Por më mirë se kushdo e dinte i madhi Faik Konica.

VAJTIM PËR ROBËRI
TË SHQIPTARËVET

O të humbur shqipëtarë,

Seç qenkeni për të qarë!
Për të qar’ e për të sharë,
Për të shar’ e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!
Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.

As bukë, as brekë s’ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!
Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.
I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?

Shërbëtorë t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.
Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!

O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur
Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,

Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,
Ti frikësoni zuzarët
Ç’i shuan shqipëtarët,

E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!

 

TRABOINI STUDIO VIDEO YOU TUBE

 

🔵 Një brez që nuk e lexon nuk e kupton Itakën- nga K.P.Traboini

NJË BREZ QË NUK LEXON NUK E KUPTON ITAKËN
Ikja nga Atdheu me demostrim publik tregon se shkaqet i ke tek vetja.

Nga K.P.Traboini

Lexova recitimet adoloshente pesimiste të një vajze që kërkon të ik nga Shqipëria, Silvana Begaj (ca thonë pedagoge), me alibinë se Atdheu nuk i jep kurrgjë, e dua ti them dy fjalë poetikisht nga poezia ime për Anita Bitrin, që vdiq aksidentalisht në Amerikë bashkë me të bijën Sibora dhe nënën e saj: "Gjithë bota është e njeriut!". Por ikjet tashmë kanë shkaqe personale. Kur dikush ikën nuk ka nevojë të bejë deklarata publike që ngjallin panik dhe vdesin shpresën. Këta janë hartime adoloshentësh qaramanë, që presin gjithçka tua japin. Dhe harrojne, a bëjnë kinse harrojnë se siç ka ikje, ka edhe kthime. Edhe unë jam i ikur. I ikur dhe i ardhur njëkohësisht. Ikjet e ardhjet në Atdhe janë si gjaku në trupin e njeriut, sa më shumë të lëvizë aq më i fuqishëm bëhet trupi.
Një herë na ndaluan qarkullimin për pësdhjetë vjet dhe desh u mbytëm të gjithë në ujë të ndenjur.
Atdheu percjell - Atdheu pret!
Moskthimet janë gjysmëm-vdekje
morale për njeriun.
Lexoni "Itakën" e Kavafis e mençurohuni sadopak.


KONSTANDIN KAVAFIS
ITAKA

Kur të marrësh rrugën për Itakë
shpreso që shtegtimi yt të jetë i gjatë,
plot aventura e plot zbulime.
Lastrigonëve, Ciklopëve,
Poseidonit të zemëruar - mos ua ki frikën:
kurrë nuk do t`i kesh ata në udhën tënde
sa kohë që mendja jote të jetë e kthjellët,
sa kohë që ti nuk do të kesh tundime
që të trazojnë shpirtin edhe trupin.

Lastrigonëve, Ciklopëve
e të rrëmujshmit Poseidon- mos u vër rëndësi,
sa kohë që ti s’u bën strehë në shpirt,
sa kohë dhe shpirti s ‘t’i sjell para sysh.

Shpreso që udhëtimi yt të jetë i gjatë.
Të kesh atje shumë mëngjese vere
plot kënaqësi të shijosh,
të hysh nëpër gjire që s`i ke parë kurrë;
në portet fenikase për t’u ndalur
gjëra të çmuara për të blerë,
perla e korale, qelibar e dru abanozi,
parfume epshore të çdo lloji,
sa më shumë parfume që të mundesh.
Të vizitosh qytete egjiptiane
të ushtrohesh e marrësh mësime prej shkollarëve.

Mbaje Itakën gjithnjë në mendjen tënde.
Mbërritja atje është ajo që dëshiron.
Mos u ngut t’i bësh shumë shpejt udhëtimet.
E mira është në fund, pas shumë vitesh,
kur të jesh plakur të gjendesh prapë në ishull,
me plot kamje që vure në udhën tënde,
se Itaka s’të bën dot të pasur.

Itaka të dha një udhëtim të mahnitshëm.
Po të mos ishte ajo, nuk do të shkoje kurrkund.
Ajo nuk ka më çfarë të japë tani.
Në e gjen të varfër, s’të bëri të pa mençur.
Nga mënyra si ke ardhur, plot përvoja jete,
do të kesh kuptuar çdo të thotë Itakë.

1911

Shqipëroi: Kolec P. Traboini
nga libri “World Poetica” 2019

19 January 2020

🔵 Prenkë Gjoni - Gojçaj i Hotit dhe djemt e tij


PRENKË GJONI - GOJÇAJ I HOTIT DHE DJEMT E TIJ

Familja e Prenkë Gojçajt në vitin 1981 dhe i biri Kolë Gojçaj në Detroit

Ishte një ndër familjet e fisit Gojçaj nder më të nderuara të Malësisë së Hotit, e rritur me tradita malësore dhe e brumosur me ndjenja patriotike shqiptare.
Ngjarjet e vitit 1981, si shumicën e malësorëve, e tronditen rëndë këtë familje, sidomos aksionet që ndërmori sigurimi malazez ndaj shqiptarëve në Mal të Zi. Bijtë e bijat e Malësisë ishin aktivistet më të shquar për mbrojtjen e çështjes kombëtare në diasporë. Kështu edhe i biri i tyre Kolë Gojçaj, i cili jetonte në Detroit të SHBA-së, ishte një ndër veprimtarët e shquar të çështjes shqiptare.
Në vitin 1981 kur ai me një grup shokësh vizitoj Shqipërinë, nuk ngurroj që Radio Televizionit Shqiptar ti japë një intervistë.
Në të ai foli edhe për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi si dhe keqtrajtimet e regjimit jugosllav ndaj tyre. Paraqitja e Kolës në Televizionin Shqiptar e irritoj pa masë UDB-në malazeze. Ajo e dinte se nuk mund ti hakmerrej Kolës, i cili ndodhej në listën e zezë dhe nuk guxonte të hynë në Jugosllavi. Por ajo kishte një mundësi tjetër, të hakmerrej ndaj prindërve dhe vëllezërve të Kolës që jetonin në Malësi.
Jo shumë kohë mbas kësaj ngjarje sipas skenarit të UDB-së, inspektorët e sigurimit bastisën shtëpinë e familjes Gojçaj. Sipas thënieve të tyre, kërkonin gjoja materiale propagandistike sepse ishin të informuar se familja Gojçaj merrej me veprimtari armiqësore kundër shtetit dhe vëllazërim-bashkimit. Në shtëpinë e Prenkë Gojçajt, inspektorët e sigurimit morën disa kaseta magnetofonit me këngë popullore patriotike dhe disa numra të revistës  “Shqipëria e re”, të cilat më vonë i përdoren si dëshmi kundër Prenkës dhe dy djemve të tij, Dodës dhe Lucës.
Në bazë të akuzës nga UDB-ja, me 8 shtatorë 1981 u arrestuan Prenkë Gojçaj dhe tre djemtë e tij, dhe i dërguan në burgun hetues të Shpuzës.

Kush ishte Prenkë Gojçaj

Ishte një burrë malësor, i cili megjithëse ishte në moshë të thyer 76-vjeçarë, për asnjë moment nuk u përkulë por qëndroj me atë krenarinë tipike malësore, e cila i karakterizon shumë burra të Malësisë.
Duke e parë në moshë të thyer, sigurimi i shtetit ofroj që të bëjë një deklaratë publike kundër intervistës së djalit të tij, Kolës, në këmbim që ta lironin nga burgu. Por si shumë herë të tjera, intriga e UDB-së nuk u pranua as nga Prenka, i cili ishte i vetëdijshëm se qarqet shoviniste malaze do ta dënonin me burg. Kështu edhe ndodhi. Gjyqi Komunal i Titogradit e dënoj Prenkën me 1 vit e 8 muaj burg, të cilat i bëri në burgun e Shpuzës.
Siç tregojnë të burgosurit, të cilët e kanë vuajtur dënimin së bashku me të, Prenka vërtetë ishte krenarë dhe kurrë nuk ankohej, prandaj ai u bë burim frymëzimi dhe simbol qëndrese edhe për të burgosurit e tjerë shqiptarë në Mal të zi.

Dodë Prenkë Gojçaj

Është djali i Prenkës, i cili u arrestua të njëjtën kohë dhe me të njëjtën motivacion. Ai para inspektoreve të sigurimit dhe gjatë procesit hetues kishte deklarua se gazetat dhe kasetat ishin të tij, mbasi ai ishte mësues. Prandaj kërkoj ta lironin babain, Prenken, sepse ai ishte analfabet dhe nuk dinte as shkrim, as lexim.
Ai kërkoj po ashtu lirimin e vëllait të tij, Lucës, sepse ai nuk dinte as një gjë, sepse posa ishte kthyer nga shërbimi ushtarak. Por UDB-së nuk i interesonin se të kujt ishin kasetat, sepse ata kishin në plan që të hakmerreshin ndaj tyre familjarisht. Kështu i njëjti Gjyq i Titogradit, e dënoj Dodë Prenkë Gojçajn me 2 vjet burg, të cilat i vuajti në burgun e Shpuzës.

Lucë Prenkë Gojçaj

Luca është djali i tretë i Prenkës ndaj të cilit sigurimi malazez donte të hakmerrej. Pavarësisht faktit se ai ishte i ri, i posa kthyer nga shërbimi ushtarak e personalisht nuk i kishin gjetur asgjë, e arrestuan në të njëjtën ditë me babain dhe dy vëllezërit e tij. Luca kishte deklaruar se pavarësisht fakteve është në gjendje të marrë përgjegjësinë dhe të vuaj dënimin për të tërë familjen me kusht që të lironin babën dhe të dy vëllezërit e tij.
Si për të gjithë të persekutuarit politikë shqiptarë, në Mal te Zi, gjykata ishin të detyruar të zbatojnë urdhërat e UDB-së, prandaj me të njëjtën procedurë, Gjyqi Komunal i Titogradit e dënoj Lucën me 18 muaj burg, të cilat i bëri në burgun e Shpuzës në Mal të Zi.
Në të njëjtën kohë, UDB-ja e arrestoj dhe djalin tjetër të Prenkës, Dedën, i cili jetonte në SHBA dhe bashkë me gruan dhe pesë fëmijët e tij gjendej për vizitë pranë familjes së vet. Ai e kishte biletën për tu kthyer në SHBA me 9 shtator 1981, ndërsa policia malazeze e arrestoi një ditë përpara, me 8 shtator. Në gjykimin familjar me 28 nëntor 1981, e liruan për mungesë faktesh, por nuk ja kthyen pasaportën, që ia kishin marrë me rastin e arrestimit. Pas 3 muaj e 12 ditësh, sigurimi ia ktheu pasaportën dhe ai u largua në SHBA ku e priste familja e tij.


"Pishtarët e Lirisë"

Gjylaver Avdiu