19 January 2020

🔵 Prenkë Gjoni - Gojçaj i Hotit dhe djemt e tij


PRENKË GJONI - GOJÇAJ I HOTIT DHE DJEMT E TIJ

Familja e Prenkë Gojçajt në vitin 1981 dhe i biri Kolë Gojçaj në Detroit

Ishte një ndër familjet e fisit Gojçaj nder më të nderuara të Malësisë së Hotit, e rritur me tradita malësore dhe e brumosur me ndjenja patriotike shqiptare.
Ngjarjet e vitit 1981, si shumicën e malësorëve, e tronditen rëndë këtë familje, sidomos aksionet që ndërmori sigurimi malazez ndaj shqiptarëve në Mal të Zi. Bijtë e bijat e Malësisë ishin aktivistet më të shquar për mbrojtjen e çështjes kombëtare në diasporë. Kështu edhe i biri i tyre Kolë Gojçaj, i cili jetonte në Detroit të SHBA-së, ishte një ndër veprimtarët e shquar të çështjes shqiptare.
Në vitin 1981 kur ai me një grup shokësh vizitoj Shqipërinë, nuk ngurroj që Radio Televizionit Shqiptar ti japë një intervistë.
Në të ai foli edhe për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi si dhe keqtrajtimet e regjimit jugosllav ndaj tyre. Paraqitja e Kolës në Televizionin Shqiptar e irritoj pa masë UDB-në malazeze. Ajo e dinte se nuk mund ti hakmerrej Kolës, i cili ndodhej në listën e zezë dhe nuk guxonte të hynë në Jugosllavi. Por ajo kishte një mundësi tjetër, të hakmerrej ndaj prindërve dhe vëllezërve të Kolës që jetonin në Malësi.
Jo shumë kohë mbas kësaj ngjarje sipas skenarit të UDB-së, inspektorët e sigurimit bastisën shtëpinë e familjes Gojçaj. Sipas thënieve të tyre, kërkonin gjoja materiale propagandistike sepse ishin të informuar se familja Gojçaj merrej me veprimtari armiqësore kundër shtetit dhe vëllazërim-bashkimit. Në shtëpinë e Prenkë Gojçajt, inspektorët e sigurimit morën disa kaseta magnetofonit me këngë popullore patriotike dhe disa numra të revistës  “Shqipëria e re”, të cilat më vonë i përdoren si dëshmi kundër Prenkës dhe dy djemve të tij, Dodës dhe Lucës.
Në bazë të akuzës nga UDB-ja, me 8 shtatorë 1981 u arrestuan Prenkë Gojçaj dhe tre djemtë e tij, dhe i dërguan në burgun hetues të Shpuzës.

Kush ishte Prenkë Gojçaj

Ishte një burrë malësor, i cili megjithëse ishte në moshë të thyer 76-vjeçarë, për asnjë moment nuk u përkulë por qëndroj me atë krenarinë tipike malësore, e cila i karakterizon shumë burra të Malësisë.
Duke e parë në moshë të thyer, sigurimi i shtetit ofroj që të bëjë një deklaratë publike kundër intervistës së djalit të tij, Kolës, në këmbim që ta lironin nga burgu. Por si shumë herë të tjera, intriga e UDB-së nuk u pranua as nga Prenka, i cili ishte i vetëdijshëm se qarqet shoviniste malaze do ta dënonin me burg. Kështu edhe ndodhi. Gjyqi Komunal i Titogradit e dënoj Prenkën me 1 vit e 8 muaj burg, të cilat i bëri në burgun e Shpuzës.
Siç tregojnë të burgosurit, të cilët e kanë vuajtur dënimin së bashku me të, Prenka vërtetë ishte krenarë dhe kurrë nuk ankohej, prandaj ai u bë burim frymëzimi dhe simbol qëndrese edhe për të burgosurit e tjerë shqiptarë në Mal të zi.

Dodë Prenkë Gojçaj

Është djali i Prenkës, i cili u arrestua të njëjtën kohë dhe me të njëjtën motivacion. Ai para inspektoreve të sigurimit dhe gjatë procesit hetues kishte deklarua se gazetat dhe kasetat ishin të tij, mbasi ai ishte mësues. Prandaj kërkoj ta lironin babain, Prenken, sepse ai ishte analfabet dhe nuk dinte as shkrim, as lexim.
Ai kërkoj po ashtu lirimin e vëllait të tij, Lucës, sepse ai nuk dinte as një gjë, sepse posa ishte kthyer nga shërbimi ushtarak. Por UDB-së nuk i interesonin se të kujt ishin kasetat, sepse ata kishin në plan që të hakmerreshin ndaj tyre familjarisht. Kështu i njëjti Gjyq i Titogradit, e dënoj Dodë Prenkë Gojçajn me 2 vjet burg, të cilat i vuajti në burgun e Shpuzës.

Lucë Prenkë Gojçaj

Luca është djali i tretë i Prenkës ndaj të cilit sigurimi malazez donte të hakmerrej. Pavarësisht faktit se ai ishte i ri, i posa kthyer nga shërbimi ushtarak e personalisht nuk i kishin gjetur asgjë, e arrestuan në të njëjtën ditë me babain dhe dy vëllezërit e tij. Luca kishte deklaruar se pavarësisht fakteve është në gjendje të marrë përgjegjësinë dhe të vuaj dënimin për të tërë familjen me kusht që të lironin babën dhe të dy vëllezërit e tij.
Si për të gjithë të persekutuarit politikë shqiptarë, në Mal te Zi, gjykata ishin të detyruar të zbatojnë urdhërat e UDB-së, prandaj me të njëjtën procedurë, Gjyqi Komunal i Titogradit e dënoj Lucën me 18 muaj burg, të cilat i bëri në burgun e Shpuzës në Mal të Zi.
Në të njëjtën kohë, UDB-ja e arrestoj dhe djalin tjetër të Prenkës, Dedën, i cili jetonte në SHBA dhe bashkë me gruan dhe pesë fëmijët e tij gjendej për vizitë pranë familjes së vet. Ai e kishte biletën për tu kthyer në SHBA me 9 shtator 1981, ndërsa policia malazeze e arrestoi një ditë përpara, me 8 shtator. Në gjykimin familjar me 28 nëntor 1981, e liruan për mungesë faktesh, por nuk ja kthyen pasaportën, që ia kishin marrë me rastin e arrestimit. Pas 3 muaj e 12 ditësh, sigurimi ia ktheu pasaportën dhe ai u largua në SHBA ku e priste familja e tij.


"Pishtarët e Lirisë"

Gjylaver Avdiu