04 April 2020

Ra ky mort e hiç s'u pamë - nga K.P.Traboini


RA KY MORT E HIÇ S’U PAMË

Nga K. P. Traboini


Kisha në plan të udhëtoja për në Amerikë në fillim të Marsit, por që në shkurt kur mora njoftim se në Bergamo, Itali, vdiqën dy vetë, hoqa dorë se e parandjeva që linjat e avionëve ishin bërë çerdhe shpërndarje virusesh e askush nuk po u thoshte ndal linjave ajrore. E ma merr mendja se as i kanë dezinfektuar para apo pas çdo fluturimi. Më ka ndodhur jo pak herë që pas çdo udhëtimi për në Amerikë të kem probleme me shëndetin, në formë gripi apo diç tjetër. Nuk besoj në pastërtinë e mjedisit të avionëve të pasagjerëve. Ani pse biznes i madh. Para e madhe në xhepat e kompanive shumëkombëshe që në janar-shkurt, kur Vuhani po përvëlohej nga epidemia, as po e vrisnin mendjen se si të ndalohej përhapja e kësaj sëmundje të rrezikshme për njerëzimin. Të paktën ata të mos bëheshin mbartësit e saj nga një shtet në një tjetër. Nga një kontinent në një tjetër. Erdhi koha që u bë ndalimi por tepër vonë. Tërë bota u vonua. Tërë bota u infektua. Mungese përgjegjësie totale. Të mjerët italian e pësuan sepse nuk e imagjinuan stuhinë e vdekjes që po vinte në ketë vend të begatë njerëzish punëtorë duarartë, të gëzuar e jetëgjatë. Fati u solli të derdhnin më shume lot se askund tjetër ne Europën e lodhur e të përgjumur. Brenda një muaji, falë linjave të avionëve, tërë botës ju vu flaka, ju pllakosi vdekjen, duke krijuar një gjendje që askush nuk e di se si e kur do përfundojë e sa sa vdekje do te ketë akoma. Asnjeri nga ne nuk e di si do bëhet me veten tonë, do të jemi të gjallë apo të vdekur deri në stinën tjetër. Falë ndryshimeve të mirëqenies, nivelit të pastërtisë e përkujdesjes në raport me brezat e mëparshëm, mendonim se ishim jetë gjatë fatlumë, por krejt pa pritur stuhia e zezë që fryu nga Vuhani na kujtoi se mund të bëhemi edhe jetëshkurtër madje duke numëruar ditët. Këto përsiatje, herë me shpresë e herë pa pikë besimi se do na gjejë stina tjetër. Gjithnjë kur bluaja me vete, arrija në mendimin se duhet të jemi më të butë. Me të mirë e më të mirë kuptueshëm. Asnjë egërsi a mllef nuk na shpëton. Politikanët le të bëjnë ende si të marrë. Punë e tyre.  Milionerët le të rrinë të fshehur pa nxjerre zë, sikur deri dje mos të ishin të zhurmshëm, me shpenzimet e tyre marramendëse, me mburrjet e tyre për gardëroba milion-dollarësh.  Vrima e miut 300 grosh është sot për këto milionerë mburravecë që e kanë harruar krejt çfarë është altruizmi, bujaria e humanizmi. Mbledhësit e milionave nuk do ishte keq të kishin dhënë gjysmën e pasurive të tyre për të shpëtuar njerëzimin, por siç po shihet nuk po e bëjnë. Nuk mjafton që e shohim që një pjesë e botës është zhytur në mjerim, por këta bëjnë kinse nuk janë këtu, por në një planet tjetër. Po këta nuk kanë as mëshirë, as bujari, as humanizëm. Ku janë listat e milionerëve të revistës FORBES. Deri para epidemisë botoheshin emra të mburrur për pasuri përrallore. Paratë atyre ua ka dhënë populli, duke parë koncertet e tyre, filmat e tyre, duke blerë mallrat e tyre,  duke punuar për ata, mirëpo milionerucët tani janë fshehur e numërojnë të vdekurit nëpër lajmet e botës, pa e vrarë mendjen se shpëtimi vjen nga shkenca, e shkenca që të zhvillohet për të mirën e njerëzimit do para, e paratë janë të ndara shumë keq, por jo për faj të tyre sigurisht, por të indiferencës së shtetit që si rregullator lë pa përkujdesje një garë të shfrenuar shoqërore dhe ekonomike ku i pasuri vazhdon të pasurohet pafundësisht e i varfëri të varfërohet tmerrësisht. E pra të dy palët paguajnë taksa. Të dy palët e mbajnë mbi shpatulla shtetin. Veç njëri mbret i pangopur në përfitime e tjetri Sizif kryelartë e fatkeq. Mirë është që njerëzimi ti thërrasë mendjes e shumë gjëra, siç thotë këto ditë edhe politologu amerikan Henry Kisinger, pas pandemisë bota të nisë ti bëjë ndryshe. E kjo nuk ka të bëjë me ide socialiste, siç mund të thotë ndokush (mos e thëntë Zoti rrafshimin e vlerave), por me funksionin rregullator të shtetit para të cilit të gjithë qytetarët janë të bababartë e meritojnë të njëjtën përkujdesje. Kësisoj shteti të ndjekë parimin se të gjitha gishtat e dorës dhëmbin njësoj. Një reformim i madh duhet veçmas në fushën e shëndetit publik, se jemi në luftë, armatimet e bombat nëpër depo flenë, por na mungojnë instrumentat mjeksore, që janë padyshim arma më efikase e kësaj lufte që duhet me çdo kusht ta fitojmë.
Jemi në një botë morti dhe unë kam hequr dorë e i shmangëm çdo vështrimi politik në problematikat që na dalin përpara. Sepse jemi në kohë të mbijetesës. Nuk di askush çfarë është e nesërmja. E di se mjaft pasionantë që përqendrohen zellshëm nën ombrellën e konflikteve partiake politike, mund të mos kenë të njëjtin mendim e të më thonë se po i shërben këtij apo atij protagonisti politik e aspak karizmatik. Por gjithsesi dëshiroj të shprehem, të them se i gjithë përqendrimi duhet të jetë, sipas meje, për të ruajtur ekzistencën si popull, Ky është imediati historik i këtyre ditëve. Nuk ka pikë rëndësie kush është në qeveri e sundon e  kush është në opozitë e turfullon. Se aty-aty  janë. Një okë e pak, një okë pa pak, siç thotë populli. Rëndësi ka të organizohemi mirë. Të jemi më homogjen e më të  ndërgjegjshëm se jemi përballë një katastrofe. Përpara një zinxhiri vrasës që me vullnet të mirë e fare pak sakrifica mund ta përballojmë. Duhet ta këpusim atë zinxhir fatal, ta këpusë secili nga ne duke u shmangur nga infektimi. Se shumë kush me moskokëçarje mund të bëhet një hallkë e linjës vrastare e t’ia çojë njeriut të vet të dashur. Duhet të gjithë bashkë të punojnë në një qëllim. Nëse dështojmë të gjithë bashkë, a veç e veç, pasojat e përgjegjësit do të jenë të mëdha për ne të gjithë. Nuk i shmanget gjyqit të ndërgjegjes askush. Ne kemi qeshur me formulime të tilla si “një për gjithë e të gjithë për një”, por erdhi koha ta vlerësojmë këtë shprehje se është një praktikë shpëtimtare. Çfarë e shtyu mjekun Dhimitër Kraja të lerë qetësinë e pensionistit e të kthehet në frontin e luftës për mbrojtjen e jetës së njerëzve, atje ku punoi 48 vjet? Pikërisht kjo ndjesi. U infektua, u rrezikua, por  mrekullisht shpëtoi. Por gjithsesi ja vlejti sakrifica se na e konkretizoi humanizmin, e bëri më të pranishëm mes nesh, sepse për humanizmin flasim shumë, por e gjejmë në praktikë fare pak. Dhe të mos harrojmë se pas çdo lufte janë bërë gjyqe të atyre që i çuan popujt në katastrofë. E kurrsesi nuk dua të besoj se, shkaktarët e kësaj gjëme, pandemie, por edhe ata që e nënvleftësuan, nuk do të jenë pa pasoja e pa gjyqin moral publik.
Shteti që është rregullatori i jetës së qytetarëve duhet të jetë me kapacitete të plota, me ekonomi të fortë e më i pasur e të mos vidhet, por gjithashtu të shpenzojë me shumë për nevojat e shërbimit publik. Si ka mundësi që ne nuk kemi veç dy-tre spitale shtetrore në Tiranën që i afrohen 1 milion banorëve, gati gjysma e popullsisë së shtetit përqendruar në një qytet. Si ka mundësi të kemi makina ambulance në gjendje të tillë që nuk transportohet as bostanet, specat e domatet e jo më njerëzit, ndërsa qeveritarët porosisin makina të reja milionëshe? Pse nuk vihen makinat e qeverisë në dispozicion të spitaleve e urgjencave në këto ditë pandemia e shtetrrethimi? O Zot sa pyetje mund të bëhen në këtë vend. Por askush nuk zoritet të jap një përgjigje. Madje as Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni që mesa shihet mbahet kot, para të humbura,  sepse nuk kemi asnjë veprim të fortë denoncues për korrupsion, kur këtu paratë villen me galop e me thasë. Pse shteti ti japi koncesione spitaleve private, të cilat punojnë me çmime të kripura mbi aftësitë paguese të qytetarëve, të punësuar qofshin apo pensionistë. Po sa para nxirren nga kromi, nga nafta, nga pasurit tjera minerare. Ku shkojnë këto para. Pse nuk bëhen publike shpenzimet e shtetit. Po të ishin te dhënat publike a do të kishte mundësi të kaparoheshin nga duar e zgjatura të korrupsionit që gjenden ngado. Pse duhet të bëjmë Check Up shëndetësor te një person privat, që qytetarët as nuk e bëjnë fare, por ai (ajo) merr miliona euro. Me ato para mund të ndërtoheshin edhe tre a katër spitale moderne. Ka diçka që nuk shkon në këtë vend. Asnjë parti që vjen në pushtet nuk jep llogari e as mban përgjegjësi për veprimet e veta financiare që e dëmtojnë mirëqenien e popullit e punojnë në favor të klaneve, oligarkëve, quajini si ti doni, por janë brejtës të pasurive kombëtare e shkaku kryesor për varfërimin e popullit. Për frymë të popullsisë, në bazë të pasurive natyrore, jemi populli më i pasur në Ballkan e më gjerë. Por në të vërtetë realisht jemi më të varfërit e Europës. Pse? Kush duhet ti përgjigjet kësaj pyetje. A mund të përgjigjen sadopak ata të kinse Kontrollit të Lartë të Shtetit që ngrohin vezët nëpër zyra shteti. SPAK-u duhet të mbaj shënim për gjithçka që ndodh në këtë vend dhe kur kjo furtunë e zezë të ketë kaluar, të verë përgjegjësit e zullumeve me shpatulla pas muri. Edhe ai apo ajo që ka marrë miliona me këto Check Up-et fiktive, që dreqit nuk i duhen gjë, ti kthejë një për një paratë e popullit. Ka ardhur koha që gjërat ti shohim ndryshe, të luftojmë si bashkësi që asnjë lek i popullit të mos shpërdorohet, por të ketë efikasitet e të shkojë në shërbim të tij. Ka ardhur gjendja aty ku më nuk mban. Fatkeqësi pas fatkeqësie. Varfëri pas varfërie. Duhet kaluar kjo furtunë e zezë që na gjeti të papërgatitur e të vjedhur njëkohësisht, që të nisim gjithçka me një mendësi të re. Të mos jemi indiferent ndaj fenomeneve të tilla që në Shqipëri të gjithë pushtetarët e të gjitha partive mjerisht e poshtërsisht, kanë guxuar ti bëjnë pa u hyre ferrë në këmbë.
Për çfarë parashtrova nuk ka të bëjë me politikën në kuptimin e përkatësisë se krahëve të dallaveraxhinjve që kanë veshur petkun e politikanit, por këndvështrimi i problemeve në interes të popullit e të përparimit kombëtar.
Zoti i shpëtoftë njerëzit e pafajshëm nga kjo gjëmë e zezë që ka pllakosur botën, por edhe nga politikanët e papërgjegjshëm që e vjedhin dhe e rrjepin popullin si të ishte një popull i huaj nën pushtimin e barbarëve!

5 prill 2020

Helin Bolek, këngëtarja 28 vjeçare turke, vdiq pas 288 ditë greve urie

HELIN BOLEK, KËNGËTARJA 28 VJEÇARE TURKE, VDIQ
PAS 288 DITË GREVË URIE.



Gazeta italiane “La Republica”,njofton për vdekjen e këngëtares së famshme turke Helin Bolek, 28 vjeçare, pas 288 ditë grevë urie. Ajo  filloi të dënoncojë përndjekjen politike në Turqi dhe ndalimin prej qeverisë të koncerteve të grupit muzikor “Grup Yorum” ku ajo ishte soliste. Aktivistja dhe këngëtarja turke Helin Bolek ka vdekur. "Ju vratë një grua 28-vjeçare," tha Ibrahim Gokcek, kitaristi i grupit i cili dhe ai po vazhdon grevën e urisë. Fjalët e tij iu degjuan në një video të publikuar në mediat sociale ku ai shfaqet shumë i dobësuar.
Akuzuar se i përket një organizate terroriste, Grup Yorum  që ka nxjerrë 25 albume muzikore me mbi dy milion kopje të shitura, nuk ka përformuar për vite me radhë. Nga burgu ku ishim mbyllur nga qeveria, ata kërkuan të lirohen, që emrat e tyre të hiqen nga lista e personave të kërkuar në Ministrinë e Brendshme Turke, që proceset gjyqësore të ngritura kundër tyre të mbyllen.
Njoftimi për vdekjen e këngëtares u bë në profilin e Twitter të grupit.
"Ata nuk ishin kërkesa shumë të vështira për t'u përmbushur. Fashizmi i partisë A.K.P shkaktoi vdekjen e saj," shkruan grupi në Twitter, duke cituar kështu partinë e Presidentit Rexhep Taip Erdogan.
Themeluar në vitin 1985 nga 4 studentë të Universitetit të Marmarasë, Grup Yorum e kishte gjithnjë kishte gjetur mbështetje si nga publiku turk edhe për ai ndërkombëtare në luftën për drejtësi dhe liri, duke shprehur protestën me këngët mbështetur  në meloditë tradicionale . Këngët u interpretuan në turqisht, kurdisht, arabisht dhe çerkazian, në thelb në të gjitha gjuhët e folura në Anadoll. Ata u burgosën për angazhimin e tyre ndaj demokracisë dhe lirisë së shtypit.
Më 11 mars, të dy këngëtarja Bolek dhe kitarrisiti i grupit Gokcek ishin dërguar në spital kundër vullnetit të tyre. Didem Ünsal, një avokat, tha që të dy nuk kishin pranuar ndonjë ndërhyrje mjekësore.
Grupi muzikor Yorum
Këngëtarja Helin Bolek dhe kitaristi Ibrahim Gokcek gjatë grevës së urisë
Në vitin 2015 u ndalua koncerti vjetor i grupit "Turqia e Pavarur". Banda arriti të zhvillojë një koncert në internet në 1 korrik 2018. Pastaj filluan bastisjet. Qendra kulturore “Idil” në Okmejdan, në Stamboll, ku banda përformonte, u vu në shënjestër të policisë turke, "Tetë herë në dy vitet e fundit", bandën e kishin denoncuar prej kohësh. Duke sqaruar se gjatë bastisjeve, instrumentet e të gjithë anëtarëve të “Grupit Yorum” ishin shkatërruar ose rrëmbyer dhe si rezultatet edhe disqet dhe librat e tyre muzikorë ishin shkatrruar.
Sipas deklaratës së bërë nga grupi, gjithsej 30 persona u arrestuan në këto sulme (tetor dhe nëntor 2016, si dhe në maj dhe shtator 2017 ashtu dhe në tetor dhe nëntor 2018). Më 14 korrik 2018, Selma Altin dhe Inan Altin kishin arritur te iknin nga burgu të vendosur të vazhdonin luftën e tyre në mërgim, në Francë. Në fillim të marsit gjashtë anëtarë të bandës ishin akoma të ndaluar.
Grup muzikor Yorum e ka filluar grevën e urisë në vitin 2019 për të kundërshtuar masat gjithnjë e më shtrënguese, gjithashtu në fushën kulturore, të qeverisë Erdogan. Si shumë aktivistë pranë platformës majtiste, ata u gjendën në rrethin Armutlu, në lartësitë e Stambollit. Këtu janë të ashtuquajturat "shtëpitë e vdekjes", të cilat aktivistë të shtëpisë dhe veçanërisht gratë që synojnë të kryejnë grevën e urisë deri sa të vdesin. Disa javë më parë, ekipet e policisë hynë në Armutlu duke marrë kengetare Helin Bolek dhe kitaristin Ibrahim Gokcek dhe duke i futur ata në një spital ku pacientët ushqehen me forcë. Dhe kjo është një masë që shpesh përdoret edhe në burgjet turke. Por Helin Bolek që ishte dobësuar jashtë mase nuk pranoi të ushqehej.
Disa organizata si ajo e Mjekëve të Stambollit, Asamblea e Artistëve dhe Iniciativa e Artistëve - kishin venë alarmin më 20 janar, për të tërhequr vëmendjen në grevën e urisë që anëtarët e bandës kishin filluar në 16 maj 2019. Dy anëtarët e tjerë të grupit , Bahar Kurt dhe Baris Yüksel, e kishin mbyllur grevën e tyre të urisë pas 190 ditësh. Bahar Kurt dhe Helin Bolek ishin liruar në fund të vitit 2019, por Helin Bolek kishte vazhduar serish grevën e urisë deri sa këto dite vdiq. I akuzuar për terrorizëm kitaristi Ibrahim Gokcek që vazhdon grevën e urisë,  është burgosur në bazë të deklaratave të një "dëshmitari sekret" dhe rrezikon rrezikon një dënim me burgim të përjetshëm.

Përgatiti: Traboini Art Studio 2020



05 March 2020

🟦 Sovran i zgërlaqun



🔵 Shqipëria në ankand, populli në greminë - nga K.P.Traboini



SHQIPËRIA NË ANKAND, POPULLI NË GREMINË

Nga Kolec P. Traboini


Pyetja ime për Mimoza Koçiun që po lë gazetarinë në televizion për një post, "të pavarur", siç shkruan ajo, në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, do të ishte: Po a më thua, ku vallë ka institucione të pavarura sot në Shqipëri që na qenka ky ILD ku po shkon të punësohesh si e “pavarur” e në liri mendimi? Shumëçka të kam besuar në komentet politike në ABC News, por këtë nuk ta besoj as për hatrin tënd. Këtu çdo gjë është kapur nga Kryeqeveritari, siç u kap në vitin 1992 dhe na çoi në 1997, për ta gremisur më shumë Shqipërinë se sa pushtetin autokratik të një njeriu delirant me kastën e vet që ishte po aq hajdute sa e sotmja. Çfarë kanë pasur më shumë se Kryeqeveritari ynë autokrat sot, që sundon me një kastë hajdutësh, jo vetëm të votave por edhe të parave të shqiptarëve (afera Damiani me 40 milionë euro është thjeshtë qershia mbi tortë dhe askush nuk dënohet nga kjo lloj Drejtësie që sillet si kurvë në tregun e seksit); se sa kishte pushtet Musolini me 10 qershor 1924 në Itali kur vrau deputetin Matteoti, po Hitleri, po Stalini, po Franko? Çfarë pushteti ka pasur më shumë Ahmet Zogu në 1927, kur u gjend i vetëshpallur mbret?! Çfarë kishte më shumë Enveri me çobanët e vet të hurit e të litarit, si Toger Baba vrasësi e Haznedari i zi më 1945 e deri kur ngordhi. Aspak më pak pushtet se dredhaniku i sotëm. Shqipërinë Enver Hoxha e mbylli, ky sot po e dhjet.
 Pyetjen retorike e bëra sepse dua ti them opinionit publik: mos u gënjeni nga mediatikët. Në Shqipëri nuk ka organe të pavarura. Jeni popull i pambrojtur. Me ju po eksperimentohet fatalisht me një dëshire demoniake të zëvendësohet raca e shqiptarit.
Mirë se vini 30 mijë arabë! Kjo është toka juaj e premtuar nga tradhtarët shqipfolës, siç bëri Dhimitër Fari kur ua dorëzoi Ilirinë romakëve.
Njëzet shekuj asgjë nuk ka ndryshuar në trojet shqiptare në shitblerje e tradhti, duke arritur deri në atë zgrip ekzistence sa po kërkojnë ta tjetërsojnë edhe si popull. Është koha e ringjalljes së së fantazmës së lugatit Esat Toptani, që edhe varrin ia ruajnë vrasësit e shqiptarëve.
Pyetja ime retorike është për gazetaren e politikës, por përgjigjen ta japë Populli. Populli që po fle. Gjumë të ëmbël sovran i zgërlaqun! Të shpresojmë që të mos jetë tragjik zgjimi i vonë e të mos ta shohësh veten si Promete i lidhur në hekura duke ta çarë zemrën skifterët e satrapëve.
Amen!

29 February 2020

🔴 Fenomeni Çili dhe vemjet intelektuale që mbante me bukë - nga K. P. Traboini


FENOMENI ÇILI DHE VEMJET INTELEKTUALE QË MBANTE ME BUKË

Nga Kolec P. Traboini

Le të paraqesim një vështrim ndryshe nga mediokriteti mediatik dhe kastat sunduese, të cilat pompojnë mediat me gërvima si teneqe të prishura për rastin e një arrestimi të bujshëm që më kujton shprehjen “Moj këmborë e madhe, qumështi gjysmë okare!”
Rasti Henry Çili, pronar i Universitetit Europian të Tiranës dhe botues i gazetës MAPO (në mjaft raste kritike e veprimeve të qeverisë socialiste), i arrestuar nga policia për tentativa korrupsioni të zyrtarëve të lartë të drejtësisë, pastrim parash e tjera llogje prokurorësh provincialë, është krejt ngjashëm si në një roman të famshëm të Honore De Balzakut “Iluzionet e humbura”. Një provincial me emrin Lysien Shardon kërkon të sfidojë qarqet e larta e shoqërinë mondane parazite në Paris; por krimbat parisienë e shfrytëzuan, e hëngrën, e varfëruan dhe e bënë për gijotinë.
Henri Çili, ky emër ndërruar për lavdi, që ëndërronte të futej në rrethin e fisnikërisë intelektuale, ky Lysien Shardon shqiptar,  ato 750 mijë euro që do merrte nga një fshatar fatkeq nga Lazarati (që kërkonte të lehtësonte sadopak dy djemtë e vet në burg për vrasje),  nuk i donte për vete. Çili mbante një profesorat me bukë, ndër ta deputetë e njerëz të politikës së lartë, funksionarë partish, kalemxhi gazetash e portalesh, sofistë, deri dhe ish ministra, të cilëve ua botonte librat dhe u jepte para nga ai thesi,  që policia e quan në daljet e veta publike “para të pista”. Gruri i pistë pra paskan bërë bukë të bardhë për llafeologët e Tiranës. E këta e morën në qafë. A e dini sa thjeshtë vishej Çili? E keni parë nëpër Tiranë, apo në veprimtari kur bënte ato konkurset e letërsisë? Ashtu siç vishen sot në të gjithë fshatrat, apo njerëzit e thjeshtë në qytet, pa asnjë tendence për tu dukur, kur, ata që mbante me bukë, pedagogë-demagogët pra, pispilloseshin, ngrefoseshin e kakarisnin si gjeli mbi mullar të bajgave, veçmas nëpër panelet televizive, ku i jepet mend gjithë botës nën shembullin e ndritur të gjithologut tonë lavdimadh e mendjengecur. Ambicia e Henry Çilit nuk qe pasuria, por hyrja në rrethin e të zgjedhurve, në hollet e famës të këtij kryeqyteti këtu në një provincë të Europës, ku populli rron në breg të detit e në kulm të mjerimit. E ka thënë Noli aq mirë... Pra atij i duheshin parat për tu bërë i zgjedhuri i shoqërisë së lartë, i vip-rripave të Tiranës,  ku nuk mund të hysh aq lehtë nëse nuk je në agjendën e kryeujqërve të këtij vendi. Çili punoi e gaboi (nëse vërtetohet korrupsioni) për tu siguruar mirëqenie vemjeve intelektuale, të cilat dhe po e groposin sepse Çilit i mbaruan paratë. Kish kohë që thoshin është trokë. Mbyll gazetën e hap gazetën. Kësisoj lëkura e tij vlente vetëm për propagandë leshiste, kinse luftohet krimi në këtë vend, ku regjistrohen deputetë e ministra në bashkëpunim me njerëzit e hurit e litarit në vjedhje votash. Ku kriminelët, kryetar bandash, që kanë vrarë me dhjetëra njerëz, të dënuar për krimet me burgim të përjetshëm, lirohen dhe i punësojnë në Bashki. Hajt pra se po dënohet Çili. Të zërë vendin e atij kryekriminelit që u lirua nga burgimi i përjetshëm për vrasje të shumëfishtë dhe u punësua në Bashki.  E nga kush do dënohet? Nga vetë kriminelët aspak më të mirë se Çili që e anatemojnë pasi e ropën
Pyetjen se me kë po e bënte aferën e korrupsionit në drejtësi Henry-Naim Çili, mos e bëni se ai ( emri i të cilit nuk thuhet), po punon natë e ditë për reformën në drejtësi, ky yll karvani që kurrë s’po ndrin.
“Jalla shofero,  ku je tue shkue?!” thotë populli i thjeshtë në një këngë të vjetër vulgare mejhanesh. Gjithologu në timon nuk përgjigjet se mban mbi supe peshën e rëndë të gjithë globit, si Anteu...maje plehut.