Në dhjetor të vitit 1958, në Shtëpinë e Fëmijës
në Shkodër, ku kishim gjetur strehë ne jetimët, erdhën dy malësorë, hijerëndë,
dhe kërkuan Gegë Sokolin. Gega ishte disa vjet më i rritur se ne, i datëlindjes
11 mars 1939, por duke qenë një djalë i urtë, i sjellshëm dhe i çiltër, e
kishin mbajtur në konvikt si kujdestar gjatë orëve të studimit sepse me
mbarimin e gjimnazit nuk kishte ku të shkonte. Ai do të vazhdonte studimet e
larta sepse ishte nxenës i shkëlqyer. Çdo problem që kishim na e zgjidhte Gega.
Zakonisht më të rriturit tregoheshin disi mospërfillës e autoritar me ne të
vegjëlit. Por Gega ishte ndryshe. Ai ishte i gjatë, apo kështu na dukej ne, me
flokë të bardhë, vështrim të butë, i përqëndruar dhe pasionuar pas lojrave të
shahut. Kur luante Gega, ne mblidheshim rreth tryezës dhe dëshironim të fitonte
ai. Dhe gjithëherë fitonte. Na mësoi dhe ne të vegjëlve të luanim. Tek dera e
oborrit të Shtëpisë së Fëmijës, që dikur kishte qenë konsullatë e huaj, bënim
çdo ditë roje. Ishim kurioz të dinim kush hynte e kush dilte. Kur dy malësorët
pyetën për Gegën, ne fëmijët vrapuam duke thirrur “Gegë, Gegë!”. Për ne ardhja
e çdo njeriu që donte të takonte fëmijët, përbënte ngjarje. Gega shkoi të
porta, u përqafua me dy malësorët, njeri duhet të ketë qenë Mark Qerimi, i mori
me vete dhe shkuan tek zyra e drejtoreshës në katin e parë. Ata kërkuan ta
marrin Gegën për një javë në Nikaj Mërtur se pak ditë e vinte festa e
Shënkollit, e do ta kthenin prap. Drejtoresha Persa Grabova që e dinte
historinë e jetës e të familjes së Gegë Sokolit, gjakun që i kërkohej për
vrasjen që kish bërë i ati kur Gega akoma nuk kishte lindur, megjithëse i ati
vetë qe vrarë në burgun e Shkodrës në përpjekje për të ikur, ndaj ajo në fillim
kundërshtoi. Por ata e bindën se donin ta shpëtonin e jo ta lëndonin këtë djalë
malësor. Drejtoresha pyeti edhe Gegën dhe ai pranoi, madje me kënaqësi se do
shkonte të takonte edhe nanën. E përcollëm me sy ndërsa ikte në mes të dy
malësorëve e ne na dukej se po fluturonte. Të vegjël asokohe nuk e dinim se Gega
jonë i mirë atë fluturim po e bënte nën rrezikun e vdekjes, sepse gjithmonë
pëllumbat që kanë një butësi të pambrojtur e kanë rrezikun më afer. Me se mund
të mbrohet një pëllumb. Kaloi festa e Shënkollit e mbas një jave Gega u kthye.
Ndoshta ai ishte më shumë se i gëzuar, i ngrysur për atë që përjetoi në
Nikaj-Mërtur, por nuk e jepte veten e fjalëpakë siç ishte ne nuk kuptonim
asgjë. Nuk shkoi shumë dhe drejtoresha Persa Grabova, që bënte kujdes për
jetimët që ata të shkolloheshin, arriti të siguronte një bursë studimi për Gegë
Sokolin. Në Rumani ku kishte shkuar së pari me studime, kishte qëndruar vetëm
një vit. Prishja e marrdhënieve me kampin socialist ndërpreu studimet e shumë
shqiptarëve. Mbas mbarimit të studimeve universitare në Tiranë, Gegë Sokoli
punoi në rrethet e Veriut, në Pukë, Kukës e Tropojë si inxhinjer specialist por
edhe drejtues në sektorin e pyjeve për mjaft vite duke lënë kudo përshtypjet më
të mira. Ky afirmim në rradhët e specialistëve të kësaj fushe u bë shkak ta
merrnin në trupën mësimore të Institutit të Kamzës. U martua me Marien, vajza e
dy prindërve që punonin në Shtëpinë e Fëmijës Shkodër, dhe duke qenë pinjoll i
vetëm i familjes së vet, fati e solli t’i vinin në jetë katër djem. Gjatë
viteve rasti më kishte sjellë ta takoj në Tiranë te Biblioteka Kombetare. Kjo
ishte gjithçka dija për Gegë Sokolin deri në vitin 1990. Jeta e gjatë në
mërgim, në fillim në Greqi e më pas në Amerikë më shkëputi nga shumë ngjarje që
ndodhnin në atdhe, por nuk kishin jehonë jashtë. Tepër vonë do të vinin ato
ndërlidhje informative që janë sot, kur unë në Washington DC të shoh rreth
10-12 kanale televizive shqiptare. Në vitin 2013 në bashkëpunim me veprimtarin
e kauzes së jetimëve shqiptar Ilir Çumani, morëm përsipër të realizonim një
film dokumentar për ish jetimin Skendër Daja i ekzekutuar nga diktatura pas
revoltës në burgun e Spaçit. Një miku ynë i përbashkët, që kishte jetuar dhe ai
shumë vite në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër, Filip Gazulli, erdhi nga New Yorku
ku jetonte dhe dha ndihmesën e vet për këtë film. Kishim kujtime të përbashkëta
nga jeta në shtëpinë e fëmijës në Shkodër dhe natyrshëm bisedonim e përmendnim
edhe emrat e mjaft prej fëmijëve të asaj kohe. Fjala ra edhe për Gegë Sokolin.
Në fakt e përmenda unë në kuptimin se ishte nga jetimët më të suksesshëm të
brezit tonë. Filipi u pre në fytyrë. “Pse a nuk e di?”- më tha. Pastaj shtoi:
Gegën e kanë vra për gjakmarrje në vendlindje, në Mërtur. Më pas duke lexuar
edhe disa shkrime, ndër të tjera atë të ndjerit Murat Gecaj, mësova rrethanat tragjike
të vrasjes së pedagogut Gegë Sokoli. Në vitin 1991 njerëzit ndjeheshin pak më
të lirshëm se diktaturës po i binte ora fatale. Rinisën të festohen ngjarjet e
kalendarëve fetarë. Vendlindja e tij do të festonte mbas mbi 20 vjetëve ndalesë
festen e vet, Natën e Zojës të Mërturit. Ka që thonë se shkak u bënë disa
studentë të tij nga vendlindja që afruan mbështetje e siguri që nuk mund të
ndodhte gjë dhe gjakmarrja në malësi ishte diçka e harruar. Miku i tij, Murat
Gecaj e këshilloi të mos shkonte, por Gegë Sokoli i tha se donte të takonte
nënën. E kish ndarë mendjen, por kishte edhe besim se gjërat kishin ndryshuar
edhe në vendlindje. Dhe u nis. Në shtëpi la gruan me katër fëmijë. Shkoi i
gjallë dhe u kthye i vdekur. E vranë për gjak, madje brenda fisit çfarë ishte
një vëllavrasje. Askush nuk e kuptoi këtë urrejtje shtazore të gjakmarrësve,
për një vrasje që kishte ndodhur në vitin 1933, kur Gegë Sokoli akoma nuk
kushte lindur, dhe i ati që bëri vrasjen qe vrarë dhe ai vetë kur tentoi të
arratisej nga burgu. Mirëpo familja që duhej të merrte gjak nuk e konsideroi
vrasjen e gjaksit në burg si fundi i gjakmarrjes sepse, sipas tyre, nuk e
kishin vrarë ata, por të tjerë. E kështu, në ditën e tretë të festës së Zojes, e
ndodhën me pabesi Gegë Sokolin, i zunë pritëd he vranë. E vranë për turp të
tyre, intelektualin më të shquar të krahinës së tyre, që ishte gjithashtu
specialisti më i shquar i inxhinjerisë së pyjeve në Shqipëri. Kolegu i tij Ilia
Foto e vlerësonte “Fatosi i shkencave mjedisore shqiptare”. Pas këtij fundi
tragjik, e shoqja me katër djemtë iku nga Shqipëria dhe u vendos në Amerikë,
për të ikur larg nga këto hakmarrje të egra, qe të rrënqethin e të kujtojnë
mesjetën. Nuk e di më tej fatin e tyre, por di që ata duan të jetojnë në dritë,
se kështu ishte shëmbëllesa e babait të tyre. Duket se kujtimi për Gegë Sokolin
mbaron këtu pas kësaj pike në rrëfim. Por jo. Ime bijë Denisa në Washington DC
më kishte porositur që kur të vija nga Tirana ti sillja botimin “Rrno për me
tregue” të At Zef Pllumit. E gjeta në librarinë e Kishës Katolike në rrugën e
Kavajës Tiranë. Ishte botimi i Franceskanëve, urdhërit të cilit i përkiste At
Zef Pllumi. E solla në Washington DC nga ku po e shkruaj këtë kujtim tragjik
për Gegë Sokolin. Librin e At Zefit e kisha lexuar pjesërisht. Vendosa ta lexoj
të plotë në tre volumet. Dhe ndodhi ajo që kurrë nuk e mendoja. Në faqen 89 të
volumit të dytë, në episodin “Nata e Shënkollit”, shfaqet Gega. Vetëm me emër
por detajet tregojnë se ai ishte Gegë Sokoli. Paraqitja është mjaft tronditëse.
Një përshkrim dramatik, me skena konfliktesh, me elemente tragjik si dramat
shekspiriane. Dhe aty në qendër të disa fytyrave të murrëtyera prej halleve të
jetes, e një mjedisi të ashpër të dimrit një djalosh, e vetmja fytyrë që
reflektonte dritë, rrethuar nga erresira, do të shkruante At Zef Pëllumi. Por
le ti lidhim fijet e këputura të ngjarjes. Në kishën e Shoshit ku shërbente At
Zefi u shfaq një malësor e i kërkoi të shkojnë me pajtue një gjak në Brisë të
Mërturit, se pa Kryqin e Krishtit e pa frat nuk pajtoheshin gjaqet në Malësi.
Ai duhet të ketë qenë Mark Qerimi që ishte martuar me nënën e Gegës, pas
vrasjes së burrit të saj në burgun e Shkodrës. Marku e donte Gegën, e donte si
djalin e vet. Ai ishte interesuar që ai gjak të mbyllej nëpërmjet faljes edhe
per faktin se gjaksi ishte vra edhe vetë. Rruga do kalonte në Rreth të Brashës,
shkruan At Zef Pllumi në librin e vet, ku do të takonin Dodë Prelën e Salcës me
burrat e Mërturit. Gjatë rrugës malësori i tregoi fratit se pse kjo ngutje. Aty
nga viti 1933,në katundin Brisë kishin lind grindje deri dhe vrasje. Vrasësi
Sokol Zenuni, babai i Gegës,u burgos në burgun e Shkodrës, dhe në momentin kur
Italia fashiste pushtoi Shqiperinë, të burgosurit duke përfituar nga rrëmuja e
krijuar nga ndërrimi i regjimit,tentuen të arratiseshin. Ndër ato ishte edhe
Sokol Zenuni, i cili për fat të keq vritet nga rojet e burgut, duke mos iu
gjetur as varri. Vrasja e Sokol Zenunit la pas gruen e re vejë, e tre fëmijë
jetim, dy vajza, Buten e Filen, dhe djalin e vetëm Gegën. I vetmi mashkull i
mbetur në truallin e Sokol Zenunit ishte Gegë Sokoli. I vetmi qe duhet të
paguante gjakun e babës së vet kur të rritej. Ai ishte një djalë i bukur me
flokë të grunjtë e me fytyrë si drita. Mark Qerimi i cili kujdesej për fëmijtë
e Katrinës (të shoqes) si të ishin fëmijtë e tij, bëri të pa mundurën për ta
larguar Gegën nga fshati. Më 1947 kur ishte 8-vjeç me pretekstin e shkollimit e
dërguan në jetimore në Xhan të Dukagjinit e Theth, por më vonë e zbritën në
Shtëpinë e Fëmijës Shkodër. Ato malësorë të mirë që ju dhimbsej ai djalë
përgatiten rrethanat për faljen e gjakut dhe shpëtimin e tij. Ata zbritën në
Shkodër dhe e sollën Gegë Sokolin, adoleshent tashmë, në Malësi. Kur mbrritën
në Ndreaj të Shoshit, simbas rrefimit të At Zef Pllumit, u bashkuan me një grup
burrash e bashkë me ta ishte djaloshi Gegë për të cilin do kërkohej falja e
gjakut. “Megjithëse ishte rrit në shtëpi fëmije, kishte një sjellje më të
vërtetë fisnike”- shkruan At Zefi, e shton: “Fola gjatë me të. Kishte studjue
mirë dhe, mbi të gjitha, kishte një shpirt fisnik. Më tha se do fillonte
studimet. Mu ba zemra mal….ai meritonte me u shpëtue”. Por gjërat nuk rrodhën
ashtu siç dëshironte zëmra e mirë e At Zefit. Kërkesës së fratit për ta falë
gjakun, plaku 80-vjeçar Nosh Luci ju përgjigj se nuk mund ta bëntë këtë falje
nga që nuk i kishte gjithë burrat e shtëpisë të pranishëm e ai vetë nuk mund ta
merrte një vendim të tillë, por, shtoi se një herë për një herë mund ta lëmë
këtë punë deri në një kohë të gjatë, por të pa caktueme, se nuk mundemi me ja
tha zemrën nuses së shtëpisë, e cila ishte tezja e këtij djali. Pra gjithë
mundimi u shkoi kot. Gega do të vazhdonte të kishte për tërë jeten mbi
shpatulla barrën e rëndë të gjakut të pafalun. Nuk u muar parasysh se Sokol
Zenuni që kishte ba atë vrasje në shpi të Ujk Delisë, ishte vra edhe ai në
burg, kishte lanë gruan Katrinë Palja me tre jetima, Buten, Filen dhe Gegën ,
të cilëve gjaksit ua morën të gjitha, shtëpinë, tokën e pasurinë, e kjo grua
fisnike pa kurrfarë ndihme, e "pa gja mbas shpirti" siç thotë
populli, për të mbijetuar u martua me Mark Qerimin, për te cilin edhe sot e
kesaj dite flasin fjalët më të mira. I rriti jetimët si ti kishte fëmijët e
vet. Duhej të vinte viti 1991 që gjaku i vjetër të merrej në mënyrën më mizore,
prej dorës se atyre që Profesor Gega i kishte ndihmuar sepse ai ishte pishtar
drite dhe donte të shkolloheshin sa më shumë djem e vajza të malësisë. Nana e
Gegë Sokolit, në ditët e festës së Zojës së Mërturit përjetoi në sy të saj
tragjedinë më të tmerrshme që mund t’i ndodhte një nane, masakrimin e të birit
që sapo kishte dalë nga konaku i vjetër për tu nisur tek gruaja e fëmijët e vet
në Tiranë. Sokol djalë, njeriu që shpërndau kudo buzëqeshje
e mirësi, e që të kujton krimin e parë të botës, kur Kaini vrau vëllain e vet
Abelin duke i thënë “Ti duhet të vdesësh se je i mirë!”. I miri Gegë Sokoli u
masakrua si Krisht prej vllaznisë më 10 shtator 1991 në vendlindje, ku gjaku
vrau gjakun e vet.
Washington DC, 13 prill 2022