03 October 2018

🔴Si e bëjnë xhufkë-kuqët historinë e Shqipërisë - nga Kolec Traboini


SI E BËJNË XHUFKË-KUQËT HISTORINË E SHQIPËRISË

Nga KOLEC TRABOINI


Nacionalist do të thotë, sipas meje, ndryshe nga çfarë nënkuptojnë xhufkë-kuqët e monizmit, së pari të vesh interesat e kombit mbi interesat e ngushta të grupeve apo individëve që e shfrytëzojnë pushtetin për të mira vetjake, të jesh kundër vjedhjeve e shpërdorimeve të pasurive kombëtare, pra të jesh së pari idealist kombëtar. Mos i ngatërroni nocionet me shëmbëllesat e këqija kalimtare të historisë. Shëmbëllesa të këqija ka kudo, por ato nuk mund ti përdhosin idealet e miliona njerëzve që e duan atdheun e tyre e janë gati të sakrifikojnë për atë. Të tillë në Shqipëri sot janë pak, shumë pak. Pikërisht për këtë jemi në ngecje sepse njerëzit e kësaj kategorie, idealistët kombëtar, i mbajnë larg qeverisjes së vendit, sepse ata pengojnë pushtetarët të vjedhin pasuritë kombëtare. Nuk kam asnjë mundësi tjetër ta shpjegoj këtë nocion nëse ndokush nuk dëshiron ta kuptojë kthjelltësish atë çfarë parashkrova.
Disa miq të mi, se ku kanë gjetur një intervistë të historianit Pëllumb Xhufi dhënë gazetares Monika Shoshori Stafa, ku ky historian vazhdon mjerueshëm të anatemojë (si Enveri në kohë të qepës) nacionalistët shqiptarë nga pozita e një komunisti të kallur;  po më kërkojnë pra mendimin tim për këto pallavra diskutimesh historike se kush e ka shitur Shqipërinë. Dhe si gjithherë ai thotë nacionalistët.  Bash kur komunistët  e Pëllumb Xhufit e kanë shitur jo pak por tre herë të mjerën Shqipëri; e shitën së pari te jugosllavët, pastaj te rusët, më pastaj tek kinezët deri sa e shkatërruan fare. Këto mesele tradhtish të interesave kombëtare, këto bëmë-gjëma historike, këta Xhufkat e kuq të komunizmit bëjnë kinse nuk i dinë.  Aq më tepër kur bijtë e tyre pas vitit 1990 e kanë nxjerr Shqipërinë në ankand si një copë rreckë të vjetër. Ja pra, po ua them shkurt e shul shqip mendimin tim për Xhufkat e kuq të komunizmit, që nuk kanë avaz tjetër më bajat veç të llomotisin kundër nacionalizmit shqiptar, sepse e kane shit  të shkreten prapanicë tek internacionalizmi proletar, i ngordhur tashmë falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që e zgërlaqen sistemin komunist në Europë dhe shpëtuan popujt nga murtaja e kuqe.  Në të vërtetë jam duke u marrë me ca punë ma të dobishme se sa përballje a dërdëllitjeve të Xhufkave të kuq, dhëndurë të familjes së diktatorit Enver Hoxha, “jo po  nacionalistët - jo po komunistët”, apo dhe më keq kur thotë (a thonë) se ai kampi i Tepelenës,  ku vdiqën nga kushtet e tmerrshme 300 fëmijë nacionalistësh, nuk ishte kush e di se çfarë. Mirë kur nuk tha  ky Xhufkua i kuq në bisedë televizive, se ai kamp  na ishte një diçka si puna konvaleshence ku thekeshin në diell kuadrovikët e PPSH. Mohimi i krimeve të diktaturës është një prej agjendave të atyre që janë të lidhur me njëqind fije me eksponentët e diktaturës komuniste. Ajo çfarë mund të them, meqë e mora fjalën dhe e prekim këtë teme, është se nacionalistët e viteve të luftës (e jo të mëparshëm apo të mëvonshëm) kanë bërë vërtetë gabime, madje edhe të pafalshme në tolerancën me pushtuesit, që ndaj shqiptareve përdornin demagogjinë se jemi në kalim e ju vetëqeveriseni këtë vend, apo bashkimi i Kosovës e trojeve shqiptare me Shqipërinë (tundim i madh shekullor për ne shqiptarët kjo alternativë) por, e kjo do theksuar mjaftueshëm, komunistët kanë bërë krime të përbindshme që mund të mendohen ndaj popullit shqiptar. Kaq shumë sa Enveri e komunistët masakruan në 40 vjet, kanë vrarë vetëm pushtuesit turq, serbe e grek. Masakrat që kanë bërë komunistët e satanit Enver Hoxha në Malësinë e Madhe nuk ka mundur ta bëjë asnjë lloj pushtuesi. Prandaj emri i Enver Hoxhës në Veri,  barabitet me atë të gjeneralit mizor Shefqet Turgut Pasha. Prandaj malësorët e Veriut dhe qyteti i Shkodrës, ardhjen e komunistëve në pushtet e kanë quajtur gjithmonë pushtim e asnjëherë çlirim.
Por xhufkë-kuqët edhe kur janë historianë mbetën të kuq.
Llapaqentë që mbrojnë komunizmin e djeshëm, apo që mbrojnë mbrapshtitë e qeverive të sotme, që motivojnë poshtërsitë që bëhen në kurriz të popullit shqiptar,  as më kanë pëlqyer e as më pëlqejnë kurrë, sepse janë thjeshte ca qenie të pa shije, të zbërdhultë e pa shtyllë kurrizore, njerëz pa personalitet dhe nuk kanë mendimin e vet veç përsërisin neveritshëm mendimet e pushtave të politikës e të pushtetit. E kur them këtë nuk kam parasysh kahen e politikës, sepse të dy palët ja kanë bërë nënën këtij vendi. Unë me qelbësirat e pusht-politikës, qofshin pjella të komunizmit apo të sojeve e gjirizeve të tjera nuk kam qasje, ata kanë si privilegj vetëm neveritjen time sepse edhe pështyma me dhimbet me ua hedh fytyrave të tyre të pista.
Tash po vazhdoj me punët e mia, që gjithsesi e modestish,  janë ma të dobishme se sa me fol për kësisoj plehrash që kërkojnë të rikthejnë ngordhjet historike ndër shqiptarë. Por njerëzit e dinë mirë tashmë, me lëtyrat e komunizmit nuk bëhet historia.

3 tetor 2018

WORLD POETICA CHANNEL

02 October 2018

🔵 Degradimi i opozitës shqiptare dhe fashitja e popullit - nga K. P. Traboini


DEGRADIMI I OPOZITËS SHQIPTARE DHE FASHITJA E POPULLIT

Nga Kolec P. Traboini

Nga që janë të pazotë ti zgjidhni punët me këtë merhumin që na ka pllakosur në kokë me marrëzitë e tij, të denja për një pacient në çmendi, opozitarët po kërkojnë nga viktima, një vajze fshatare e dhunuar dhe e përdhunuar nga biri një prej atyre që kanë pushtetin,  të bëjë heroinën, pra po kërkojnë të nxjerrin dhjamë nga pleshti. O të marrë! Viktima është viktimë, nuk e përballon dot tërë këtë ngrehinë shtetërore dhe banditësh që të zhdukin nga faqja e dheut pa e marrë vesh ku je e çfarë bëhet. Shikoni në tjetër kahje. Por edhe tek popullin mos mbani shpresë.
Ky popull është fashitur. Secili shikon bythën e vet. Edhe diktaturë e monarki tu vesh mbi kokë, edhe fashizëm edhe nazizëm tu vesh mbi koke, ai nuk lëviz më.
Ju mendoni se në 1997 populli u ngrit për të përmbys sistemin e autokrat të Berishës? Çfarë shakaje. Humbën parat e mbeten trokë,  prandaj u ngritën.
Nuk ka më ideale në këtë vend. Idealistët kanë vdekur. Dhe ata që ishin më guximtarët ikën jashtë.  Nuk lëviz më njeri në këtë vend. Pastaj pse te lëvizin? Që të ikin një palë sundimtarë bukë-shkalë e të vijnë një palë tjetër.  Të ikin ca hajdutë e të vijnë ca të tjerë. Për këtë duhet të ngrihet populli?
Harrojeni. Shpirti luftarak i popullit ka marrë fund. Harro mushkë  Valarenë se Ali Pashain e prenë! Sepse e keni bërë ju të marrë fund besimi se Shqipëria mund e duhet të bëhet. Për  një çerek shekulli e mashtruat dhe e grabitet mizorisht. Pa le kur e futet në Konferencën e Vendeve Islamike si të ishin një vend arab e jo europian. Po ju i keni harruar bëmë gjëmat e tramvajet që i sollët këtij populli gjatë sundimit tuaj dhe dilni e flisni pa bërë asnjë lloj Mea Culpra të paktën, sa për sy e faqe. Jo, se keni një krenari idiote. Apo se keni ende mbi krye gjëmëzezën e këtij populli? Gjithsesi, nëse keni ambicie për pushtet, lëvizni bythën ju që keni marrë përsipër të jeni  kinse opozitarë e jo te nxirrni gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve. Aq më tepër te ndonjë prej viktimave të shumta që po krijon ky pushtet pushtash të papërgjegjshëm. Se nuk po e tundni fare si opozitë. Jeni bërë më keq se ata që nuk duan të dinë çfarë bëhet në këtë vend.
 Populli ju sheh. Populli e kupton se ju jeni  zgërlaqur aq shumë sa nuk ju ka mbetur veç lehja. Dhe për të lehur lehni mirë. Po pa bereqet se nuk ju beson më njeri. E bëtë si puna e atij bariut që vuri kujën se ra ujku, veç për të bërë shaka me fshatin, por kur i ra ujku vërtetë, askush nga fshati nuk lëvizi ti vinte në ndihmë.  Edhe ju, që sot kinse jeni në opozitë, e mbajtët pushtetin dy herë me nga 8 vjet. Por çfarë keni bërë a nuk na thoni? Kë futet në burg për shkatërrimin e ekonomisë shqiptare. Po kë të fusnit? Se ju e shkatërruar vetë. Dini ti thoni popullit çfarë keni bërë. Një të madh...E dini ju se çfarë keni bërë. E di gjithkush. Merrini erë tani asaj që bërë.
Rrini nën hijen e këtij të gjatit që mësoi nga ju dhe po e çon kauzën tuaj të shkatërrimit dhe të hajdutërisë edhe më tej - edhe më lart. Pse mendoni se nuk lëviz populli? Sepse e di mire se ju grindeni sepse,  ai i gjati në pushtet e mban tepsinë për vete e miqtë e vet (ata miq që deri dje ishin miqtë tuaj për kokë,  bashkë-hajdutë e oligarkë) e nuk i ndan darovitë e pushtetit me ju.
E kinse nuk e dini se përmbysjet e mëdha kërkojnë sakrifica të mëdha. Po ju nuk doni te bëni asnjë sakrificë. E doni tortën në pjatë. Se keni parti familjare. Parti klani. Parti për te mbush xhepat tuaj e jo ato të popullit. Asnjë ndryshim nuk keni nga partia që sot sundon mbi ju e që ju kinse i bëni opozitë. I njëjti veprim, i njëjti qëllim, i njëjti stil për të rrjepur popullin e për të zabarisë klanin e strukturuar politik.
Rrini se mire jeni. Beni sa të doni llap-llap pa bërë asgjë, si këshill ndrikullash, e atë trapin e gjatë do ta keni njëzet vjet mbi kokë. Në fakt ju e meritoni, po kusuret i ha populli.
WORLD POETICA CHANNEL