29 August 2014

Prish e ndreq more Meleq......- nga Kolec Traboini


PRISH E NDREQ, MORE MELEQ...

Nga KOLEC   P. TRABOINI

Me riardhjen e Sali Berishës në 2005, vuri edhe telefona me epitetimin telefonat e stop korrupsionit, denonco. Mirëpo nuk e këndoi gjatë këngën e luftës kundër korrupsionit sepse korrupsioni ja kish marrë kalanë nga brenda prandaj dhe telefonimet qenë të pakuptimta. Ndaj i mbylli duke i lëshuar dritën jeshile ekipit të çakejve të vet për të shqyer krejt pasuritë kombëtare. Bënë katraurën rrufjanët e Sali Berishës sa ja kaluan edhe atyre të Fatos Xhin Nanos, nëse ju kujtohet akoma ky emër, e ferrë në këmbë nuk u hyri as atyre të ekipit tosist  por edhe këtyre të ekipit salist ndoshta prej pamundësisë apo paaftësisë të ekipit edist. Drejtësia e këtij vendi me mentalitet tipik orjantal, i ka xhan hajdutët, pushteti më nuk po i shan e nuk po ua përmënd më katastrofat që fundja populli i pësoi.  Me këtë tarbjatin e ekipit të ri stoprrënimit u mundova të vendos një foto ku tregohet një ndërtimi ri (ndërtimzeza thuaj), jo në bregun e detit te jugut, as në gjirin e Lalzit që e kanë pronësuar politikanët, pra hajdutët legalë,  dhe ku nuk bëhen rrënime për ndërtime pa leje, se marshalla këta derdimenët e politikës janë konform me ligjet.
O i respektojnë këta ligjet që i hartojnë vetë sipas qejfit, o askush, merre me mend, tjetri është dy metër deputet dhe nuk i deklaron pasuritë. Pra bëjnë evazion fiskal pa ju dridh qërpiku, kur në Amerikë për evazion fiskal shkon në burg qofsh edhe guvernator shteti apo kongresmen. Këta tonët hiç fare, nuk u tundet postiqja. Këta e kanë shtetin si rrake-take, lozin me të, popullin e kanë si kaloshinë, duan ja hipin, duan nuk ja hipin. Por që të dalim atje ku e lamë, ka ende një faqe internetike “Stop Rrenimit- dënonco”. Mirë kanë bërë që e kane sajuar por edhe pse u mundova një orë të fus një foto nuk qe e mundur. Unë dërgo ajo spraps, sa desh më bllokoi kompjuterin. Qënka si punë mushke italiane kjo faqe interneti - thashë me vete. Se pse nuk qe e mundur nuk e di. Këta kanë hapur edhe faqe ku thuhet, apliko tani për vend pune dhe aty të del një fushë e bardhë ku nuk mund të shkruash asgjë sepse faqja është jashtë funksionit. Alibia gjëndet lehtë. Linja e superngarkuar sepse aplikon e gjithë Shqipëria. Këtu janë të papunë të gjithë. Rri e mendoj se Stop rrënimit të Durimit do të ishte një kapitull interesant por kush ka durim nga qeveritarët të dëgjojë popullin. Se ja çfarë ndodh. Je në mes të Tiranës dhe sheh si shtrohet në beton lulishtja publike pas Pallatit të Kulturës aty përballë shtëpise ku banon poeti Dritëro Agolli. Ku nis e pyet se çfarë bëhet këtu, shtrohet beton të thonë, a nuk e sheh, plasur i ke. More që është beton e shoh por çfarë do të bëhët këtu. Parking më thonë, e ec më tej e mos na pengo se e do padroni shpejt. Pyes një njeri që rri aty në stol para një ngrehine fantazëm, çfarë do të bëhet kjo kioskë, i them. Ai i karrikes lëviz me nervozizëm, por jo mor zotëri jo kioskë, do të bëhet kafene të rrinë njerëzia, të shlodhën. A do të ketë edhe karrike pra kafene dimërore dhe verore, i them. Pooo, or ti, ma kthen roja. Rri e vështroj atë katraurë që si rrobet e reja të mbretit nuk e sheh askush. E them me vete, po ky kryetari i ynë nuk është ndonjë katundar pa shije që partia e zbriti nga Qafa e Thanës dhe e Partia e bëri kryebashkiak. Po ky është edhe çun Tirane more. Pastaj kthehem për nga nahija tjetër e pushtetit,  po mirë që u mbillka kanabis në skërkat e Dugagjinit ku shkojnë e bitisen 2 elikopterë për 1500 rrënjë bime, po këtë katraurën këtu kush e mbolli. Si e mbollën. Dhe pse nuk e sheh njeri nga ata që çojnë elikopterët në Dukagjin? Mirë e bëri Bashkia se ky kryetari është apo vimë apo shkojmë, pra është i ikur që tani e lëshon leje prej një të papërgjegjëshmi, po pushteti pse nuk e ndalon. Pse hesht. Pse ben sehir me  kryetarin,  mire po i vë pranga kryeplakut se diku në mes të maleve ai nuk i paska parë gjethet e kanabisit dhe nuk i ka denoncuar. Pse nuk e rrasin në burg edhe kryetarin e bashkisë së Tiranës kur kafshon pronën publike si ta kafshonte një simite me pogaçe Elbasani. Me siguri kanë gjetur ndonjë modus vivedi se mbas një çerek shekulli gjoja i ka dalë i zoti. Po kur është një lulishte publike të zotit nuk i lejohet të bëjë ndërtim, dëmshpërblehet ose i kompensohet diku tjetër në një terren të lirë, por jo të ndertojë baraga në qëndër të Tiranës. Po janë rrufjanë more ua gjejnë anën, këta bëjnë të firmosin edhe të vdekurit që janë kalbur këtu e 50 vjet dhe kësisoj del prona e shpifet pronari. Nga varri të ngrenë kur vjen puna të shqyejnë pronën publike.  Ca thonë se në ca gjëra lëkurë përhinjturit kur duan të çajnë kopenë dinë edhe ta ndajnë mes njeri-tjetrit. Për kafshimin bëhet kompromis, ndërsa  kurrë nuk bëhet kompromis për goglat e dushkut parlamentar.  Por  ka edhe ca individë që hanë me dy lugë. Mor ka kudo që hanë me dy lugë, është në modë, madje unë di edhe njërin në ministri të qeverisë së re që hante gjithnjë me lugën e Salës dhe titullari purpurant i ministrisë sa erdhi i dha një dorë. E zboi do thoni ju? Jo more jo,  e ngriti në detyre drejtor drejtorie salistin e kalcifikuar. Sepse ku ka më të bindur se ai soj. Se këta titullarët kanë një mendje të bukur për djallëzira, më mirë marrin si kuadër një salist servil se sa një socialist kryelartë që të nxjerr probleme e nuk të le edhe te fshish sipas qejfit. Kokëuluri rri si pulë,  s’di të shoh, as gëk e as mëk nuk bën, ndaj e kullandrisen si nuse fshati drejtor drejtorie. Nuk e kemi shpikur këtë mesele, është e vërtetë e mbase vjen edhe dita ta themi se kush ministër apo ministreshë punon me këtë lloj stili. Eh, more, sa gjëra ngjasin në këtë vend. Sa dengla shesin në foltore. Çfarë të dëgjosh. Premtime e asgjë. Tollumbace politike. Kanë edhe televizionet e veta ata që kanë uzurpuar Kinostudion ku çajnë defterin politik.  Realiteti është ky: kush ishte pa punë nën Saliun mbeti i papunë edhe me këtë të riun. Po le të vazhdojmë si i bëhet që këta në mes të Tiranës nuk e shohin karabinanë me llamarina, një lokal që të kujton kioskat e qelbura anës Lanës dhe që i zhguli me rrënjë Edi Rama që i lumtë. Po mirë  për lumtën atje, po këtë këtu pse nuk e ndalon, pse nuk i ve ruspat, pse nuk i ve sejmenet ta shoshitin këtë  mesele, kush ja vuri e si na mbiu në mes të Tiranës betoni në lulishte? Por çfarë llogjike është kjo të shtrosh beton në vend të barit, të zhgulësh drurët të bësh parking dhe kafene kioskë(tallave thuaj) që vetëm pisllik do të krijojë. Ua fotografova po ku ta çoj?A thua kanë dëshirë ta shohin. A thua bëjnë sikur nuk kanë parë gjë.  Këta që shohin nga zyra edhe një gjeth kanabisi diku në mes të honeve të Dukagjinit si nuk po e shohin binanë që e kanë tek hunda. E pra këtu nuk ka nevojë për helikopter....mjafton një shetitje aty ku bashkohet rruga e Barikadave me rrugën e Dibrës.
Nëse nuk e prishin por e lënë këtë katraurë kafene parking në lulishte publike, do të thotë se qeverisja e re është katandisur si ato që lyhen e përlyhen, na ruaj Zot, e si  dalin në Pazar,  tundu e shkundu që tua shoh bota sa të bukur e kanë. Mjerisht të gjitha sistemet tona të tilla llazore pazari kanë patur tumllas...

22 August 2014

Kinostudio- në vend të ullinjëve mbollën beton-nga Kolec Traboini

KINOSTUDIO – NË VEND TË ULLINJËVE MBOLLËN BETON

Kolec TRABOINI
Deputeti Koço Kokëdhima ma përmend emrin 5 herë në një polemikë për Kinostudion, por në nëntitull del Mero Baze?!  Eshte fjala për një shkrim  në gazetën  "SOT" 22 gusht 2014 f. 4. Pa harruar ky zotëri ta qëndis emrin tim edhe në gazetën e tij personale"Shekulli", se e kemi deputet me gazetë, pra të gjithëpushtetshëm. Dhe kur të sulmon i gjithpushtetshmi natyrisht që qytetari i pambrojtur ndihet keq.  Por që të mos ketë keqkuptime, që në krye do ta them që  mos pandehni se lakimi i emrit tim në shtyp a nga ndonje deputet a shtetar më krijon komplekse emocionale,  kjo nuk është një gjë e re as për mua por as për shtypin shqiptar. Jo. Kush i ka arkivat e gazetës "Bota Sot" në Zvicër, le të shfletojnë  prillin e vitit 2001 dhe do të gjejnë 15 numura gazetës në të cilën emrin im anatemohet nga islamistët fanatikë që kërkonin ta bënin Shqipërinë çorbë arabe. Madje me gërma të mëdha sa gjithë faqja e gazetës i shkruar emri im, ndaj them nuk është ndonjë sadifaksion i madh kësaj here se këtyre zërave u shtohet edhe një emër tjetër.  Përmëndëm 5 herë por në krye në nëtitull është vënë gazetari Mero Baze, i cili në shkrim është përmëndur  vetem 2 herë. Problemi ështe se mos vallë më ka kursyer në nëntitull deputeti Koço Kokëdhima apo më kanë mbrojtur kolegët e mi të Gazetës "Sot", mbrojtje që unë nuk e kam kërkuar. Kujt pra t’ ja di për nder që nuk më kanë vënë emrin në nëntitull sepse në të vërtetë i tërë shkrim-shpërthimi i deputetit të pushtetit është kundër meje. E drejta e tij.
 Ju njoftoj se në të ardhmen  përgjigja ime do të jetë më e plotë, e denjë për një deputet më pushtet të pakufizuar,  por nuk do të hyj në hollësira sa fije bari ka prishur Koço Kokëdhima në Kinostudio por se Koço Kokëdhima është i pari, një meritë historike  shkatërrimtare kjo, që pati idenë e mbrapsht e tinzare për ti kthyer anekset e Kinostudios në Stacion Televiziv. Kësisoj  në gjurmët e Koço Kokëdhimës do të ecnin më pas të gjithë të tjerët me Klanin e  stacionet e Ndroqit e tërë ajo masë lajmaxhinjësh që bëjnë politikë partish, duke e kthyer Kinostudion, atë oaz të  blertë e pasuri kombëtare në një çerdhe intrigash për të shqyer pasurinë e popullit.
Sa për aperitiv, desha veç ta pyes deputetin në pushtet, Koço Kokëdhima,  a di gjë prej gjëje pse u pushua drejtori i fundit i Alba Filmit që sapo ish emruar në atë detyrë?! Çfarë nuk pranoi të firmoste drejtori që e hoqën dhe a e firmosi drejtoresha e re Xhuljeta Vathi marrëveshjen  që mbahet e fshehtë nga publiku? Kush ka shkuar me letra në dore? Çfarë në thelb ishte ajo marrëveshje?
Në të ardhmen kjo temë meriton  një shkrim më të plotë për gjithçka që ka ndodhur më këtë shkatrrim të një mjedisi për të cilin as shoqata e mbrojtjes së mjedisit nuk pipëtin. Për ministrinë me këtë emër  tashmë butaforik në Shqipëri Mjedis as që bëhet fjalë. Dua ti kujtoj Kryeministrit Rama  se në këtë institucin, që ne e konsiderojmë një tempull arti ka punuar edhe dajua i tij, kolegu e miku ynë Niko Koleka i cili nëse do të qe gjallë sot do të protestonte po kështu si ne.
Personalisht si ish punonjës i Kinostudios për 16 vjet i shpall të gjithë këta një grupim që shkatërruan vlera kombëtare, dëmtues të pasurisë së popullit për të cilën duhet të përgjigjen. Nuk do të përkrah asnjë qeveri apo parti që e konsideron të ligjëshme këtë shkatrrim e nuk lufton për kthimin e Kinostudios në indentitet. Të shporrën të gjitha stacionet televizive politike nga Kinostudio. Të hapet një proces gjyqësor për grabitësit e pronave publike. Të kthehet Kinostudio në indentitet, megjithëse ullinjtë 500 vjeçarë që nga koha e Skënderbeut që ishin në Kinostudio është e pamundur të kthehen,  sepse i shkatrruan ata që në vend të ullinjëve mbollën beton.

22 gusht 2014

Dy kryeministra ma vodhën Mitingun- Traboini
Kinostudio- në vend të ullinjëve mbollën beton- Traboini
Kadare-një mal drite që nuk i shpëton hijes së vet-Traboini
Seks për një vend pune - nga Kolec Traboini

21 August 2014

Na kanë krryer në gazetë...- nga Kol Shkodrani

NA KANË KRRYER NË GAZETË...
 “Shekulli”, 22 gusht 2014

 KOL SHKODRANI


E paska shfrytëzuar deputeti gazetën e vet për t'na sajdisur. Deputeti i Prrallamentit tonë Kombëtar. Oj-oj-oj...  Ky po që është lajm. Që nga kohët biblike një lajm i tillë “i mirë” nuk ish dëgjuar. Mirëpo deputeti i Prrallamentit na krreu. Për këte janë deputetët. Ti krrejnë punët. E çfarë është  berë nuk çbehët më. Palla që del nuk futet prap në mill pa fitore. Kështu janë punët kalorësiake.  Mirë ka bërë. Ky është një lajm e deli lajm për të treguar se si nuk bëhet gazetaria. Kjo tregon fuqinë që kanë ata që kanë pushtetin, kanë paranë, kanë prona të pafundme, janë milionerë e miliarderë kur në vitin 1990 ishin brekëgrisur si të gjithë ne të tjerët.  Për mua është një skandal mediatik. Për mua asnjë deputet që përfaqeson popullin nuk duhet të ketë gazetë personale për të manipuluar opinionin,  për të kundërshtuar e luftuar njerëzit e thjeshtë që nuk kanë asnjë mjet ku të shprehen, ku të mbrohen, që nuk i përkasin asnjë partie, e që mbrojnë interesat e popullit e jo të palikarëve të rinj që ja kanë hipur kalit nga bishti. Na e paska kënduar mirë deputeti. Mirë ka bërë. Ua ka ndezur bajgat dhe ca anonimëve që i bëjnë Hossanna! Rroftë Koço Kokëdhima !- thonë  itharët që i lëpihen kujdo që ka pushtet! Je mal i lartë-  i thonë. Ky  Traboini nuk është gjë përpara teje paçka se ka emër mali. Ky nuk gjen rehat e gricet me të gjithë palikarët e pushtetit, nga Bostoni në Tiranë. Çfarë nuk thonë sejmenet e deputetit. Edhe nëpër nevojtore publike dikur shkruanin më bukur se anonimët  e sotëm, e tani që ska më asnjë nevojtore publike, se i shitën kryetarë-leshët  e Bashkisë së Tiranës për pika karburanti,  laskandraqët nuk kanë ku të shprehin talentin ndaj  shkojnë e shfryhen në kollonat e gazetës së padronit. Bërrrr...tërë qelbësirëlleqët e kësaj bote.
Ani pse nuk kam gazetë, do e këndoj edhe unë këngën time, do e këndoj patjetër. Por mengadalë të na piqet zëri mirë. Pse të ngutemi, siç bën deputeti. Këtu jemi. Ai atje në maj e ne këtu poshtë.  Gazetë nuk kemi vërtetë por kemi Blog Internetik . Rroftë teknologjia amerikane, Rroftë Amerika se për këta faqezinjtë e kombit tim do të ishim sot pa zë fare. Dhe që ta themi hapur unë me Koçon e Qeparoit nuk kam asgjë personale, kemi gjëra që kanë të bëjnë me këndvështrimin dhe pozicionin ku ndodhemi, ai e sheh Atdheun nga lart ( shaluar), nga maja e pikaloit, unë e shoh nga poshtë. Dhe kur gjërat i sheh nga lart të duken të vogla,  e kur i sheh nga poshtë të duken të mëdha. Pastaj edhe ndryshojmë pakëz se pas shpatullave ai ka një rrap të gjysh stërgjyshit, siç e ka shënuar ne Wikipedia, katër breza në një rrap, goxha rrap, në bythë të cilit mund të kullandrisesh  me raki e të molloisësh histori, ndërsa  unë kam gjakun e tim eti atje në shkrepat e Malësisë në vendin që quhet Maja e Haramisë e ku trupi ju bë plagë nga plumbat për Atdheun.  Po këtu ndër palikarët e rinj ka një nëmë e ka një gjëmë,” kush punon për Atdheun e hëngërt dheu!”.
Ndryshojmë shumë vërtetë, prandaj dhe ai ka gjithçka e unë asgjë.
Kaq sa për aperitiv për ata që hanë e pinë nëpër Sheratona e ne jetojmë me 3 dollarë në ditë në këtë Shqipërinë e kusarëve e palikarëve,  krejt njësoj si me tallonat e Enverit. Na mori historia babam. Le tia themi:


ATA HANË NË SHERATONA

Ata hanë në Sheratona
ne na zë nata pa bukë
kjo Shqipëri s’qënka e jona
qënka vetëm për hajdutë
se janë kta që mbronë Fullanin
Cane seksin dhe shejtanin
ca boj-blu ca rjepa-kuq
popull shkreta rri gërmuq
mjer i varfëri, mjer Shqipëria
barkun thatë poshtë e përpjetë
mbet pa punë krejt rinia
por gjen punë kush seksin jep
s’pyet njeri per fukaranë
që prej skamjes vetën vret
rrofsh e qofsh, o deputet
që na krreve në gazetë
ku bën ligjin e Maliqin
vetë kadi, veli dovlet
janë kohë të vështira
plot ngatërresa molloira
që ti thuash do një jetë
do ti themi, mos ki dert:
- Ata hanë në Sheratona
ne na zë nata pa bukë
kjo Shqipëri s’qënka e jona
qënka vetëm për hajdutë
por ne s’ kemi ç’të humbasin
ndaj e ngremë zërin jehonë
s’është Atdheu i kusarëve
është Shqipëria jonë!

KOL SHKODRANI
22 gusht 2014

19 August 2014

Bota në kaos-barbarizmi po e sfidon qytetrimin/ Traboini


 
           FILMI NË KËTË LINK:  http://youtu.be/24Hpwi92OKI 

BOTA NË KAOS- BARBARIZMI PO E SFIDON QYTETRIMIN

 -Duke parë një xhirim real  ku njerëzit i djegin të gjallë-

Nga Kolec TRABOINI

Para se të jesh izraelit, palestinez, gjerman, anglez, irakian, kurd, aziatik, italian, afrikan apo shqiptar, po fundja dhe amerikan, para se të jesh musliman, çifut, jehovai, budist, protestan, orthodoks, katolik a diç tjetër duhet të jesh human.  
Vidio që shfaqim me titull “Apokalips” ka skena barbarie me djegie gjallë të njerëzve në Afrikë. Problemi në paraqitjen e kësaj vidio nuk është feja e atyre që digjen të gjallë apo atyre që djegin të tjerët, por mizoria që fle brenda njeriut injorant, të pa zhvilluar, çfarë ngre edhe një problem të madh mbi ekzistencën e njerëzimit. Me dy fjalë nëse popujt i lëmë të zhyten në injorancë të thellë e në varfëri, i shfrytëzojmë deri të mos t’u ketë mbetur pikë dinjiteti, ata në këtë degradim kanë edhe kundërshtitë e veta, nuk do të pranojnë të njohin asnjë normë e rregull që përcakton një shoqëri njerëzore të kulturuar,  do të bëhen shkatrrues të kulturës  e madje edhe vetë njerëzimit, duke e kthyer atë verbërisht në mesjetë.  Problemi është kompleks, prandaj dhe zërat që thonë se nuk duhet të qarkullojë kjo vidio tmerri ku shihen  njerëz që digjen të gjallë, nuk çojnë në zgjidhjen e  problemit, sepse ndërkohë në Nigeri përditë vazhdojnë të përvëlohen në zjarre njerëz të besimit katolik e larg syve të botës.  
Kriminelët shfaqen me ide islamike ekstremiste, kanë dhe një emër “Boko Haram” dhe janë të lidhur me ekstremistët terrorist islamikë të Al Kaedes, Isisit dhe dreqit e të birit. Emrin nuk po ua vë unë, por ata ashtu vetquhen, islamikë, xhihadista, vehabista, synista, inspirues të Kalifatit të Zi, si ata që djegin po ashtu edhe ata që u presin kokat njerëzve.  Ndër këto prerës kokash mjerisht gjënden edhe shqiptarë që me siguri do të jenë pjellë bastarde e hordhive të egra që kanë vërshuar në Shqipëri nëpër shekuj.
Madje gjatë mizorive të tyre,  duke  u shprehur se veprojnë në emër të profetit të vet dhe citojnë edhe sura ku thuhet - u mëshoni në qafë kafirëve. Pra, e kanë pretekst apo jo lajtmotivin fetar, gjithësesi  ata mbështeten diku për mizoritë e tyre, dhe atë mbështetje ne duhet tua heqim,  prandaj në shtetet laike ku feja lihet e lirë por nuk lejohet të përzihet në punët e shtetit, klerikëve u takon ti reformojnë institucionet e fese, që të mos rrezikohet njerëzimi, të mos rrezikohen edhe ata vetë dhe besimtarët e tyre  tolerant.
Ndaj ai filmim tmerri e masakrash, me skena të papara në shekuj,  të paktën që nga mesjeta e errët,  vlen për tu parë se deri ku shkon e keqja nëse nuk e ndalim, dhe nëse jemi indiferent ndonjë ditë do të na djegin të gjallë edhe ne.

Duhet të dish çfarë është moçali që të mos ndertosh shtepi mbi të. E pafalshme për mendjet njerëzore që të bëjnë rolin e strucit, sikur asnjë rrezik nuk ka dhe asgjë nuk ka ndodhur. Ndaj shihni këtë filmin sado i rëndë që të jetë, këtë mizori e barbari të shekullit të XXI dhe të betoheni në thellësi të shpirtit tuaj se do ta luftoni gjithmonë të keqen, për hir të njerëzimit.
Le ti dalim përballë murtajës së zezë, shkatërrimit e tërbimit të injorancës, për ta zhdukur të keqen nga faqja e dheut. Popujve u duhet paqe e prosperitet sepse mjaft kanë vuajtur nëpër shekuj prej trilleve të tilla barbare.

20 gusht 2014

  FILMI NË KËTË LINK:  http://youtu.be/24Hpwi92OKI