03 September 2017

Të jesh shqiptar nuk është vetëm një fjalë- nga Kolec Traboini






Të jesh shqiptar nuk është vetëm një fjalë...
-Apologjia ime-

Nga KOLEC TRABOINI


Në një shkrim të fundit për çfarë me 1 shtator 2017 ngjau në sheshin “Skënderbej” ku u mbulua shtatorja e heroi tonë kombëtar  Gjergj Kastrioti, shpreha mendimin se nuk është mirë të ndodh kështu dhe se  demonstrimet tendencioze fetare nuk shërbejnë për asgjë të mirë.  Papritmas kundër meje nisën anatemimet,  u hap barku për të nxjerrë të gjitha të këqijat që mbajnë brenda njerëz të fanatizuar që veç rastin presin të shfryjnë me arsye të humbur. Kam një pyetje për të gjitha ata që nuk dinë tjetër veç të shajnë si njerëz ordiner, pa pikë etike dhe mungesë kulture, apo që kërcënojnë duke treguar dhunën si mjet dominimi fetar, pse kështu? Kush ju frymëzon e nxit të bëni shantazhe dhe ofendime të tilla publike Më vjen keq për ta me të vërtetë. Nuk ka dritë në botë ti kërkojë mëshirë errësirës, përkundrazi njerëzit përpiqen që natën sa të jetë e mundur ta ndriçojnë. Kështu funksionon edhe për mendjet e errëta të mbushura skajshëm me fanatizëm fetar. 
E ka thënë bukur e thellësisht të ndjerë i madhi Naim Frashëri tek “Fjalët e qiririt”:

“Unë zjarrit nuk i druhem
Dhe kurrë s'dua të shuhem,
Po të digjem me dëshirë,
Sa të munt t'u ndrinj më mirë.”

Qëllimi im pra nuk ka qenë tjetër veç ndriçimi i tollovive që po ndodhin me keqpërdorimin e figurave e simboleve që përbëjnë identitetin tonë kombëtar si shqiptar, dhe jo ofendimi në atë që ndokush beson në të drejtën e tij të patjetërsueshme. Duke reaguar ligsht disa po tregojnë se dinë të shkruajnë po nuk dinë të lexojnë. Nuk dinë të perceptojnë mesazhin e një shkrimi të përcjellë në mediat sociale. Ja thelbi i asaj që kam shkruar ”Shqiptarë pa Gjergj Kastriotin nuk ka e as ka për të pasur kurrë!” 
Pse ky keqpërdorim i asaj çfarë unë kam theksuar në shkrimin tim se qëndrimi ndaj Gjergj Kastriotit përcakton identitetin e atyre që janë apo duan të jenë shqiptar. Jua përsëris sepse e shoh se ka shumë mishmash fjalësh e të shara prej njerëzish hakmarrës e inatçorë që nuk kursejnë as të gjallë e as të vdekur. As kjo nuk mendoj se është tipike shqiptare.  Gjithsesi ta keni kuptuar mesazhin tim, them hapur e pa drojë se në pikëpamje studimi apo shkrimi nuk më intereson asnjë fe. Pra pse e anashkalojnë problemin dhe përqendrohet tek feja. Sa për dijeni të atyre që nuk dinë tjetër veç të shajnë e mallkojnë duke vënë soj-soj epitetesh, në fëmijërinë time të hershme, im atë mësues, çdo festë Bajrami me  merrte e shkonim tek nxënësit e tij në Postribë të Shkodrës, që ishin shqiptarë mysliman e që babai im u kishte mësuar të donin Shqipërinë dhe të nderonin Gjergj Kastriotin. Prandaj antimyslimanin shkoni e gjejeni diku tjetër.
Në fokus kam pasur e kam mendimin se identiteti ynë si komb buron nga Gjergj Kastrioti,  ai është e mbetet At-Themeluesi i kombit shqiptar. Dhe është krejt i natyrshëm arsyetimi se ata që nuk e pranojnë apo e dhunojnë figurën e Gjergj Kastriotit, flamurin e tij që është flamuri ynë kombëtar, nuk ka mundësi të jenë shqiptar. Sepse të jesh shqiptar do të thotë të kesh disa atribute dhe principe që përmbajnë krenari dhe detyrime. Nëse ndokush pretendon se at-komb formuesi i kombit të tij është Sulltan Murati që e ka tyrben në Prishtinë, dhe atë e ka hero kombëtar, me falni por ai ndokushi nuk ka se si të jete shqiptar, por turk, selçuk, arab, mongol apo diç tjetër. Prandaj flisni për thelbin e problemit sepse unë nuk ja mohoj fenë askujt dhe as që më intereson të diskutoj punë feje. Përkatësia fetare është një gjë personale dhe duhet të mbahet personale. Mburrja në publik për përkatësinë fetare dhe demonstrimi i tejskajshëm në një vend me pluralizëm fetar e kompromenton besimin. Gjithësesi nuk pranoj të hyj në asnjë debat të karakterit fetar por vetëm kombëtar.
Kombi është mbi politikën apo religjionet. Kushdo që ndjehet krenar për identitetin e tij si shqiptar është miku dhe vëllai im, kujtdo feje ti përkasë në besim, por feja të shkojë e të rrijë nëpër tempuj se atje e ka vendin.
Të gjithë ata që janë të fiksuar pas ideve fetare deri në marramendje e errësim të logjikës, i këshilloj të mos i lexojnë shkrimet e mia. Unë shkruaj për mendje të kthjellëta dhe për shqiptarë të vërtetë e jo patriotë me bateri që thonë jam shqiptar e mendjen e kanë Erdogan e Arabi. Gjithçka që shkruaj, e përsëris, e fokusoj në planin kombëtar. E në i doni mendimet e mia hapur e me sinqeritet, mua më vjen fort keq kur shoh që intelektualë shqiptar të besimit mysliman, njerëz shumë të mirë e të kulturuar, të heshtin para të tilla mynxyrave kur u kish dashtë që ata të flisnin të parët, pa na lënë atë barrë neve. Por nëse ata heshtin unë nuk mund te hesht. Pyetja ime nuk i është drejtuar gjithkujt por atyre myslimaneve që ishin në atë shesh me emrin “Skënderbej” në Tiranë me 1 shtator 2017 ku u përdhos figura e heroit tonë kombëtar duke e mbuluar, dhe kryekreje u drejtohet atyre që shajnë dhe e përbuzin Gjergj Kastriotin. Jam fort dyshues se mund të këtë shqiptarë të vërtetë që e dhunojnë imazhin e At-Themeluesit të Kombit te tyre.
Gjergj Kastrioti para se në një monument në sheshet që mbajnë emrin e tij në kryeqytetet arbërore, është në zemër të shqiptarëve dhe atje nuk mund ta prek kush në jetë të jetëve. Ai është i përjetshëm në zemrat tona e, siç na mbrojti nga hordhitë barbare osmane, ashtu dhe ne shqiptarët që kemi genin e tij, do ta mbrojmë deri në fund Atin e Kombit, Gjergj Kastrioti!
Ata që tallen me emrin e tij e vërtetojnë katërçipërisht se janë pjellë bastardë  ngecur si mish i huaj në trojet shqiptare. Nuk ka asnjë arsye tjetër kjo sfidë e tyre e inspiruar nga qarqe antishqiptare të cilat financojnë miliona euro-dollarë  për të prishur ekuilibrin social në trojet shqiptare. Projekti i fshehtë për të krijuar  shtetin neo-otoman në Ballkan nuk është përrallë dhe as një imagjinatë libreske, por një realitet për të cilin punojnë agjendat lindore. Keqardhje është se për të përballuar këtë rrezik, qarqe të caktuara në Europë nxisin krijimin e Jugosllavisë së re. Shqiptarët nuk duhet të bien viktimë e asnjërit krah, por të shohin zhvillimin e forcimin e shteteve të veta nëpërmjet një kordimini ndërshqiptar.
Ajo çfarë dua të theksoj është se dëmin më të madh drejtuesit e Komunitetit Fetar Mysliman të Shqipërisë, duke e mbuluar monumentin e Gjergj Kastriotit e duke bërë ceremoni masive fetare në sheshin që mban emrin e tij,  ja kanë bërë shqiptarëve të besimit mysliman. Duke i paraqitur besimtarët myslimanë me pa të drejtë si anti Skënderbe dhe duke i shfaqur në publik si një copëz e kulturës arabe, çfarë në të vërtetë nuk janë.  
Nuk kanë pse mërziten nga pyetja ime ata që vënë kombin para fesë, sepse për ata nuk kam asnjë pyetje janë vëllezërit e mi të një gjaku dhe të një ideali kombëtar çfarëdo besimi ti përkasin.
Kam bindjen që Gjergj Kastrioti nuk është simbol fetar kristian, por prijës dhe hero kombëtar i shqiptarëve. Edhe sikur Papati të kërkonte ta bënte shenjtor të katolicizmit, unë i pari do të thosha publikisht jo. Ai është gur themeli i kombit tonë, atdheut tonë, ku duhet të jetojnë në harmoni të gjithë besimet, por si një shtet modern laik ku shteti dhe feja janë të ndara dhe gjithmonë me prioritet shqiptarinë.
Të jesh shqiptar nuk është vetëm një fjalë, është edhe një vepër, e bashkë me të një përkushtim e nderim për kombin të cilit i përkasim.

3 shtator 2017

01 September 2017

Janë apo nuk janë shqiptarë?- nga Kolec Traboini



Është koha që myslimanët e Shqipërisë të deklarohen, janë apo nuk janë shqiptarë?
Sepse shqiptarë pa Gjergj Kastriotin as ka pasur e as mund të ketë.

 Nga KOLEC   TRABOINI


Ky revansh i fanatizmit neo-osmano-islamik nuk paska të ndalur. Jo vetëm që dalje masive e myslimanëve në Sheshin "Skënderbe" në kryeqytetin e shqiptarëve të krijon përshtypjen se je në Turqi a vendet arabe, por këta myslimanët shqiptarë kaq  shumë "tolerantë" tregohen sa mbulojnë edhe Gjergj Kastriotin nën futën e zezë, siç bëjnë me gratë e tyre nën burkën e fanatizmit fetar mesjetar. Mos vallë këtë e bëjnë  se nuk e ndjejnë të tyrin Gjergj Kastriotin. Mesa shihen ngjarjet në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të tyrin ata po konsiderojnë vrasësin e shqiptarëve, sulltan Muratin te cilit i falen në Kosovë, dhe kanë bërë të shenjtë tyrbe-varrin e kërrmës së sulltanit të Osmanëve që e ruajnë si sytë e ballit. Këtu nuk po shohim tolerancë. Çfarë tolerance të pretenduar, me të cilin term shiten dengla qeveritare në Europë, na paska Komuniteti Mysliman, kur jo vetëm që del e sfidon masivisht duke u falur në rrugë, por mbulon me burke edhe heroin kombëtar të shqiptarëve dhe një nga herojt më të shquar të kombeve të Europes, Gjergj Kastriotin.
Atëherë Komuniteti musliman kudo ku ndodhet në trojet shqiptare e ka kohën për të folur hapur e për të deklarohen janë apo nuk janë shqiptarë. Shqiptarë pa Gjergj Kastriot nuk ka e as ka për të pasur kurrë. Kjo sfidë e fanatizmit islamik oriental është turpi më i madh dhe çnderimi më i madh që i bëhet heroit kombëtar të shqiptarëve ne Atdheun e vet.
 Dhe shteti hesht dhe bëhet njësh me ata që e mohojnë  dhe e përdhosin zemrën e shqiptarizmës. Dhe për demagogji deklaron se viti 2018 do të jetë viti i Skënderbeut. Ja dhe prologu festiv i qeveritarëve tanë mediokër, e nisin vitin e Skënderbeut duke e futur nën burkën islame.
Dy vjet më parë kemi shkruar, i kemi rënë kambanës për të dëgjuar zërin e arsyes, por siç po shihet revanshi fetar është aq i egër e i vrullshëm sa nuk e përballon dot as Gjergj Kastrioti me figurën e tij madhore, monumentet e të cilit i gjejmë anë e mbanë Europës e deri në Amerikë. Është koha që ky revansh i hordhive të reja  agresive neo osmano- islamike të fanatizmit fetar mesjetar të ndalet.

Çfarë kërkon feja në rrugë?!
E trishtueshme, mijëra njerëz falen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” që i takon gjithë popullit, falen e përfalen me kurriz nga Heroi Kombëtar në bronz,  Gjergj Kastrioti - Skënderbeu. Kurriz më kurriz, për të mos thënë diç tjetër të rëndë.  Po fundja le ta themi përderisa dhëmb aq shumë në shpirtin e atdhetarëve që kanë ideale kombëtare e nuk i zëvendësojnë ato me pasione fetare. Si mund publikisht në prani të mediave t’i kthesh masivisht të prapmen Heroit Kombëtar të gjithë shqiptarëve që është fytyra e dinjiteti i kombit shqiptar?
Pse është zgjedhur pikërisht ky vend, kur xhaminë e Etem Beut e kanë në krah të monumentit? Antagonizëm i shprehur në vizion, të cilin, veç atyre që e kanë sajuar ligsht e me qëllime të mbrapshta mohimi të Gjergj Kastriotit, të mos pandehim se bota e civilizuar nuk di të kuptojë domethënien e mesazhin që përcjell ky kumt. Dhe ky nuk është një kuptim i mirë. Ai e dëmton prestigjin tonë si shqiptarë në sy të mbarë botës. Gjergj Kastrioti mbrojti qytetërimin europian, kulturën evropiane përballë hordhive të lindjes që vinin e shkatërronin çdo gjë shqiptare mbi faqe të dheut. A meriton ai këtë përbuzje publike për hir të interesave të një feje, që në fund të fundi u soll nëpërmjet një pushtimi shumë shekullor dhe tashmë është prezent dhe duhet ta respektojmë për hir të parimeve të lirisë që na e mëson Europa e kulturuar me parimet e saj për lirinë e mendimit dhe besimit.
Gjithsesi, qoftë dalja masive dhe pozante e fesë nëpër rrugë është e frikshme. Cila është domethënia? Kështu nëpër vende publike nuk kanë dalë as në kohë të Ismail Qemalit, as në kohë të Vilhelm Vidit, as në kohë të Sulejman Delvinës, as në kohë të Ahmet Zogut, as në kohë të Enver Hoxhës. A është ky një revansh i qëllimshëm për të kundërshtuar apriori mendimin se raportet e përqindjeve të popullsisë, sa i përket besimeve, janë pothuaj të njëjta dhe shumica nuk është praktikante e rregullt e ritualeve të besimit të trashëguar nga prindërit. Pse duhet të pushtohen rrugët e sheshet që janë të qytetarëve pa dallime fetare. Pse duhet përpunuar lajmi mbi këtë dalje duke thënë se janë gjysmë milioni besimtarë myslimanë në shesh? Kujt i intereson kjo shifër e manipuluar, edhe kjo si gjithçka që manipulohet në këtë vend duke e pesëdhjetëfishuar.  Si qytetar shqiptar nuk dua që asnjë lloj feje të manifestojë nëpër rrugë e vende publike që i takojnë gjithë qytetarëve. Këto pamje nuk e përfaqësojnë Shqipërinë. As të gjithë shqiptarët. Kështu është vepruar vetëm në kohën e Haxhi Qamilit dhe të Musa Qazimit. Kush e di historinë e Shqipërisë i njeh këto persona regresivë e fanatikë ekstremistë fetarë, të cilët i lidhnin atdhetarët e shkollarët shqiptarë me litarë e i hiqnin zvarrë shesheve si të ishin qen.
Kush na paska këto nostalgjira për kohë të perënduara. Çfarë është kjo ndodhi, si të ishim një vend i arab a i Lindjes se Mesme, që kryeministri shtron iftar. Le të shtrojë si e çfarë të dojë në shtëpi të vet e me shpenzimet e veta, por jo në institucionet e shtetit laik e paratë e popullit. Dhe nuk flet askush, vetëm mbllaçiten kameleonët e gazetarisë shqiptare që i lëpihen qeveritarëve. Nuk kanë çfarë duan fetë në punët e shtetit, as në instancat e shtetit. Bëni të paktën atë që bëri Ahmet Zogu, meqë kohën e Enver Hoxhës e mallkojmë të gjithë pa pasur as durimin të gjykojmë me kthjelltësi një epokë sado absurde të ketë qënë. Shteti nuk duhet të japë asnjë qindarkë për fetë. Ato të mbahen nga besimtarët e vet dhe të propagandojnë fenë në institucionet e kultit e jo nëpër rrugë. E frikshme. Ku po vemi kështu? Na sheh bota, na shohin edhe ata të ISIS-it e thonë e kemi terrenin e shtruar ndaj do ta pushtojmë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë. Po a jemi ne në gjendje t’i bëjmë ballë mizorisë?! Nuk besoj. Atëherë pse nuk i ndalojmë këto manifestime nëpër rrugë që të mos u krijojmë edhe të tjerëve iluzione të rreme mbi identitetin tonë si shqiptarë. Pse duam të japim një fytyrë tjetër për kombin, një fytyrë tjetër nga se e kemi.  Nuk jemi shtet fetar. E për më tepër nuk kemi aspak tolerancë, sepse po të ishim tolerantë, nuk do të pushtonim sheshet publike që u takojnë gjithë qytetarëve. Me çfarë po bëjmë, nuk jemi pa rrezik, prandaj i përmblidhni pasionet e fesë brenda vetes dhe institucioneve fetare, objekteve të kultit që janë mbjellë anë e mbanë Shqipërisë.
Ta themi hapur, nuk mund të pranoj si qytetar shqiptar dhe atdhetar, të tilla dalje të çfarëdo feje a besimi nëpër rrugë e sheshe, i konsideroj revanshe madje të frikshme, jo thjesht  për vete personalisht, por për fatin e popullit që aq shumë ka hequr në histori e meriton ndriçim të mendjes e  përparim si kombet e tjerë të Europës, sepse ne nuk jemi Lindje, e për më tepër shumë travajë kemi hequr nga Lindja në histori.  Në jemi Perëndim, ne kemi qenë e mbetemi në zemër të Europës, si një arterie jetëdhënëse.  Kemi luftuar jo sot, por pesë shekuj më parë për kulturën dhe qytetërimin në të cilin edhe ne jemi pjesë e pandarë dhe jo mish i huaj i ngulfatur prej hordhive aziatike. Prandaj të kthjellohemi, asnjë iluzion për rrugë tjetër nuk duhet të ketë për ata që e konsiderojnë veten shqiptarë dhe atdhetarë të vërtetë edhe sikur për mbrojtjen e këtij qëllimi të kërkohet çdo sakrificë. Hoxhallarët e priftërinjtë tanë të nderuar  të mos i ndërsejnë besimtarët e vet për t’i nxjerrë në rrugë, sepse rrugët e sheshet janë të gjithë popullit, në të cilët përfshihen edhe ata, të cilët janë të shumtë ndër ne dhe zotin e vet e quajnë me emrin shkencë.