Të
jesh shqiptar nuk është vetëm një fjalë...
-Apologjia ime-
Nga
KOLEC TRABOINI
Në një shkrim të fundit për çfarë me 1 shtator 2017
ngjau në sheshin “Skënderbej” ku u mbulua shtatorja e heroi tonë kombëtar
Gjergj Kastrioti, shpreha mendimin se nuk është mirë të ndodh kështu dhe
se demonstrimet tendencioze fetare nuk shërbejnë për asgjë të mirë.
Papritmas kundër meje nisën anatemimet, u hap barku për të nxjerrë të
gjitha të këqijat që mbajnë brenda njerëz të fanatizuar që veç rastin presin të
shfryjnë me arsye të humbur. Kam një pyetje për të gjitha ata që nuk dinë
tjetër veç të shajnë si njerëz ordiner, pa pikë etike dhe mungesë kulture, apo
që kërcënojnë duke treguar dhunën si mjet dominimi fetar, pse kështu? Kush ju
frymëzon e nxit të bëni shantazhe dhe ofendime të tilla publike Më vjen keq për
ta me të vërtetë. Nuk ka dritë në botë ti kërkojë mëshirë errësirës,
përkundrazi njerëzit përpiqen që natën sa të jetë e mundur ta ndriçojnë. Kështu
funksionon edhe për mendjet e errëta të mbushura skajshëm me fanatizëm
fetar.
E ka thënë bukur e thellësisht të ndjerë i madhi
Naim Frashëri tek “Fjalët e qiririt”:
“Unë zjarrit nuk i druhem
Dhe kurrë s'dua të shuhem,
Po të digjem me dëshirë,
Sa të munt t'u ndrinj më mirë.”
Qëllimi im pra nuk ka qenë tjetër veç ndriçimi i
tollovive që po ndodhin me keqpërdorimin e figurave e simboleve që përbëjnë
identitetin tonë kombëtar si shqiptar, dhe jo ofendimi në atë që ndokush beson
në të drejtën e tij të patjetërsueshme. Duke reaguar ligsht disa po tregojnë se
dinë të shkruajnë po nuk dinë të lexojnë. Nuk dinë të perceptojnë mesazhin e
një shkrimi të përcjellë në mediat sociale. Ja thelbi i asaj që kam shkruar ”Shqiptarë
pa Gjergj Kastriotin nuk ka e as ka për të pasur kurrë!”
Pse ky keqpërdorim i asaj çfarë unë kam theksuar në
shkrimin tim se qëndrimi ndaj Gjergj Kastriotit përcakton identitetin e atyre
që janë apo duan të jenë shqiptar. Jua përsëris sepse e shoh se ka shumë
mishmash fjalësh e të shara prej njerëzish hakmarrës e inatçorë që nuk kursejnë
as të gjallë e as të vdekur. As kjo nuk mendoj se është tipike shqiptare.
Gjithsesi ta keni kuptuar mesazhin tim, them hapur e pa drojë se në pikëpamje
studimi apo shkrimi nuk më intereson asnjë fe. Pra pse e anashkalojnë problemin
dhe përqendrohet tek feja. Sa për dijeni të atyre që nuk dinë tjetër veç të
shajnë e mallkojnë duke vënë soj-soj epitetesh, në fëmijërinë time të hershme,
im atë mësues, çdo festë Bajrami me merrte e shkonim tek nxënësit e tij
në Postribë të Shkodrës, që ishin shqiptarë mysliman e që babai im u kishte
mësuar të donin Shqipërinë dhe të nderonin Gjergj Kastriotin. Prandaj
antimyslimanin shkoni e gjejeni diku tjetër.
Në fokus kam pasur e kam mendimin se identiteti ynë
si komb buron nga Gjergj Kastrioti, ai është e mbetet At-Themeluesi i
kombit shqiptar. Dhe është krejt i natyrshëm arsyetimi se ata që nuk e pranojnë
apo e dhunojnë figurën e Gjergj Kastriotit, flamurin e tij që është flamuri ynë
kombëtar, nuk ka mundësi të jenë shqiptar. Sepse të jesh shqiptar do të thotë
të kesh disa atribute dhe principe që përmbajnë krenari dhe detyrime. Nëse
ndokush pretendon se at-komb formuesi i kombit të tij është Sulltan Murati që e
ka tyrben në Prishtinë, dhe atë e ka hero kombëtar, me falni por ai ndokushi
nuk ka se si të jete shqiptar, por turk, selçuk, arab, mongol apo diç tjetër.
Prandaj flisni për thelbin e problemit sepse unë nuk ja mohoj fenë askujt dhe
as që më intereson të diskutoj punë feje. Përkatësia fetare është një gjë
personale dhe duhet të mbahet personale. Mburrja në publik për përkatësinë
fetare dhe demonstrimi i tejskajshëm në një vend me pluralizëm fetar e
kompromenton besimin. Gjithësesi nuk pranoj të hyj në asnjë debat të karakterit
fetar por vetëm kombëtar.
Kombi është mbi politikën apo religjionet. Kushdo
që ndjehet krenar për identitetin e tij si shqiptar është miku dhe vëllai im,
kujtdo feje ti përkasë në besim, por feja të shkojë e të rrijë nëpër tempuj se
atje e ka vendin.
Të gjithë ata që janë të fiksuar pas
ideve fetare deri në marramendje e errësim të logjikës, i këshilloj të mos i
lexojnë shkrimet e mia. Unë shkruaj për mendje të kthjellëta dhe për shqiptarë
të vërtetë e jo patriotë me bateri që thonë jam shqiptar e mendjen e kanë
Erdogan e Arabi. Gjithçka që shkruaj, e përsëris, e fokusoj në planin kombëtar.
E në i doni mendimet e mia hapur e me sinqeritet, mua më vjen fort keq kur shoh
që intelektualë shqiptar të besimit mysliman, njerëz shumë të mirë e të
kulturuar, të heshtin para të tilla mynxyrave kur u kish dashtë që ata të
flisnin të parët, pa na lënë atë barrë neve. Por nëse ata heshtin unë nuk mund
te hesht. Pyetja ime nuk i është drejtuar gjithkujt por atyre myslimaneve që
ishin në atë shesh me emrin “Skënderbej” në Tiranë me 1 shtator 2017 ku u
përdhos figura e heroit tonë kombëtar duke e mbuluar, dhe kryekreje u drejtohet
atyre që shajnë dhe e përbuzin Gjergj Kastriotin. Jam fort dyshues se mund të
këtë shqiptarë të vërtetë që e dhunojnë imazhin e At-Themeluesit të Kombit te
tyre.
Gjergj Kastrioti para se në një monument në sheshet
që mbajnë emrin e tij në kryeqytetet arbërore, është në zemër të shqiptarëve
dhe atje nuk mund ta prek kush në jetë të jetëve. Ai është i përjetshëm në
zemrat tona e, siç na mbrojti nga hordhitë barbare osmane, ashtu dhe ne
shqiptarët që kemi genin e tij, do ta mbrojmë deri në fund Atin e Kombit,
Gjergj Kastrioti!
Ata që tallen me emrin e tij e vërtetojnë
katërçipërisht se janë pjellë bastardë ngecur si mish i huaj në trojet
shqiptare. Nuk ka asnjë arsye tjetër kjo sfidë e tyre e inspiruar nga qarqe
antishqiptare të cilat financojnë miliona euro-dollarë për të prishur
ekuilibrin social në trojet shqiptare. Projekti i fshehtë për të krijuar
shtetin neo-otoman në Ballkan nuk është përrallë dhe as një imagjinatë
libreske, por një realitet për të cilin punojnë agjendat lindore. Keqardhje
është se për të përballuar këtë rrezik, qarqe të caktuara në Europë nxisin
krijimin e Jugosllavisë së re. Shqiptarët nuk duhet të bien viktimë e asnjërit
krah, por të shohin zhvillimin e forcimin e shteteve të veta nëpërmjet një
kordimini ndërshqiptar.
Ajo çfarë dua të theksoj është se dëmin më të madh
drejtuesit e Komunitetit Fetar Mysliman të Shqipërisë, duke e mbuluar
monumentin e Gjergj Kastriotit e duke bërë ceremoni masive fetare në sheshin që
mban emrin e tij, ja kanë bërë shqiptarëve të besimit mysliman. Duke i
paraqitur besimtarët myslimanë me pa të drejtë si anti Skënderbe dhe duke i
shfaqur në publik si një copëz e kulturës arabe, çfarë në të vërtetë nuk janë.
Nuk kanë pse mërziten nga pyetja ime
ata që vënë kombin para fesë, sepse për ata nuk kam asnjë pyetje janë
vëllezërit e mi të një gjaku dhe të një ideali kombëtar çfarëdo besimi ti
përkasin.
Kam bindjen që Gjergj Kastrioti nuk është simbol
fetar kristian, por prijës dhe hero kombëtar i shqiptarëve. Edhe sikur Papati
të kërkonte ta bënte shenjtor të katolicizmit, unë i pari do të thosha
publikisht jo. Ai është gur themeli i kombit tonë, atdheut tonë, ku duhet të
jetojnë në harmoni të gjithë besimet, por si një shtet modern laik ku shteti
dhe feja janë të ndara dhe gjithmonë me prioritet shqiptarinë.
Të jesh shqiptar nuk është vetëm një fjalë, është
edhe një vepër, e bashkë me të një përkushtim e nderim për kombin të cilit i
përkasim.
3 shtator 2017