Është koha që myslimanët e Shqipërisë të deklarohen, janë apo nuk janë
shqiptarë?
Sepse shqiptarë pa Gjergj Kastriotin as ka pasur e as mund të ketë.
Sepse shqiptarë pa Gjergj Kastriotin as ka pasur e as mund të ketë.
Nga KOLEC TRABOINI
Ky revansh i fanatizmit neo-osmano-islamik nuk paska të ndalur.
Jo vetëm që dalje masive e
myslimanëve në Sheshin "Skënderbe" në kryeqytetin e shqiptarëve të
krijon përshtypjen se je në Turqi a vendet arabe, por këta myslimanët shqiptarë
kaq shumë "tolerantë" tregohen sa mbulojnë edhe Gjergj
Kastriotin nën futën e zezë, siç bëjnë me gratë e tyre nën burkën e fanatizmit
fetar mesjetar. Mos vallë këtë e bëjnë se nuk e ndjejnë të tyrin Gjergj
Kastriotin. Mesa shihen ngjarjet në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të tyrin ata po
konsiderojnë vrasësin e shqiptarëve, sulltan Muratin te cilit i falen në
Kosovë, dhe kanë bërë të shenjtë tyrbe-varrin e kërrmës së sulltanit të
Osmanëve që e ruajnë si sytë e ballit. Këtu nuk po shohim tolerancë. Çfarë
tolerance të pretenduar, me të cilin term shiten dengla qeveritare në Europë,
na paska Komuniteti Mysliman, kur jo vetëm që del e sfidon masivisht duke u
falur në rrugë, por mbulon me burke edhe heroin kombëtar të shqiptarëve dhe një
nga herojt më të shquar të kombeve të Europes, Gjergj Kastriotin.
Atëherë Komuniteti musliman kudo ku ndodhet në trojet shqiptare e ka kohën
për të folur hapur e për të deklarohen janë apo nuk janë shqiptarë. Shqiptarë
pa Gjergj Kastriot nuk ka e as ka për të pasur kurrë. Kjo sfidë e fanatizmit
islamik oriental është turpi më i madh dhe çnderimi më i madh që i bëhet heroit
kombëtar të shqiptarëve ne Atdheun e vet.
Dhe shteti hesht dhe bëhet njësh me ata që e mohojnë dhe e
përdhosin zemrën e shqiptarizmës. Dhe për demagogji deklaron se viti 2018 do të
jetë viti i Skënderbeut. Ja dhe prologu festiv i qeveritarëve tanë mediokër, e
nisin vitin e Skënderbeut duke e futur nën burkën islame.
Dy vjet më parë kemi shkruar, i kemi rënë kambanës për të dëgjuar zërin e
arsyes, por siç po shihet revanshi fetar është aq i egër e i vrullshëm sa nuk e
përballon dot as Gjergj Kastrioti me figurën e tij madhore, monumentet e të
cilit i gjejmë anë e mbanë Europës e deri në Amerikë. Është koha që ky revansh
i hordhive të reja agresive neo osmano- islamike të fanatizmit fetar
mesjetar të ndalet.
Çfarë kërkon feja në rrugë?!
E trishtueshme, mijëra njerëz falen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” që i
takon gjithë popullit, falen e përfalen me kurriz nga Heroi Kombëtar në bronz,
Gjergj Kastrioti - Skënderbeu. Kurriz më kurriz, për të mos thënë diç
tjetër të rëndë. Po fundja le ta themi përderisa dhëmb aq shumë në
shpirtin e atdhetarëve që kanë ideale kombëtare e nuk i zëvendësojnë ato me
pasione fetare. Si mund publikisht në prani të mediave t’i kthesh masivisht të
prapmen Heroit Kombëtar të gjithë shqiptarëve që është fytyra e dinjiteti i
kombit shqiptar?
Pse është zgjedhur pikërisht ky vend, kur xhaminë e Etem Beut e kanë në
krah të monumentit? Antagonizëm i shprehur në vizion, të cilin, veç atyre që e
kanë sajuar ligsht e me qëllime të mbrapshta mohimi të Gjergj Kastriotit, të
mos pandehim se bota e civilizuar nuk di të kuptojë domethënien e mesazhin që
përcjell ky kumt. Dhe ky nuk është një kuptim i mirë. Ai e dëmton prestigjin
tonë si shqiptarë në sy të mbarë botës. Gjergj Kastrioti mbrojti qytetërimin
europian, kulturën evropiane përballë hordhive të lindjes që vinin e
shkatërronin çdo gjë shqiptare mbi faqe të dheut. A meriton ai këtë përbuzje
publike për hir të interesave të një feje, që në fund të fundi u soll nëpërmjet
një pushtimi shumë shekullor dhe tashmë është prezent dhe duhet ta respektojmë
për hir të parimeve të lirisë që na e mëson Europa e kulturuar me parimet e saj
për lirinë e mendimit dhe besimit.
Gjithsesi, qoftë dalja masive dhe pozante e fesë nëpër rrugë është e
frikshme. Cila është domethënia? Kështu nëpër vende publike nuk kanë dalë as në
kohë të Ismail Qemalit, as në kohë të Vilhelm Vidit, as në kohë të Sulejman
Delvinës, as në kohë të Ahmet Zogut, as në kohë të Enver Hoxhës. A është ky një
revansh i qëllimshëm për të kundërshtuar apriori mendimin se raportet e
përqindjeve të popullsisë, sa i përket besimeve, janë pothuaj të njëjta dhe
shumica nuk është praktikante e rregullt e ritualeve të besimit të trashëguar
nga prindërit. Pse duhet të pushtohen rrugët e sheshet që janë të qytetarëve pa
dallime fetare. Pse duhet përpunuar lajmi mbi këtë dalje duke thënë se janë
gjysmë milioni besimtarë myslimanë në shesh? Kujt i intereson kjo shifër e
manipuluar, edhe kjo si gjithçka që manipulohet në këtë vend duke e
pesëdhjetëfishuar. Si qytetar shqiptar nuk dua që asnjë lloj feje të
manifestojë nëpër rrugë e vende publike që i takojnë gjithë qytetarëve. Këto
pamje nuk e përfaqësojnë Shqipërinë. As të gjithë shqiptarët. Kështu është vepruar
vetëm në kohën e Haxhi Qamilit dhe të Musa Qazimit. Kush e di historinë e
Shqipërisë i njeh këto persona regresivë e fanatikë ekstremistë fetarë, të
cilët i lidhnin atdhetarët e shkollarët shqiptarë me litarë e i hiqnin zvarrë
shesheve si të ishin qen.
Kush na paska këto nostalgjira për kohë të perënduara. Çfarë është kjo
ndodhi, si të ishim një vend i arab a i Lindjes se Mesme, që kryeministri
shtron iftar. Le të shtrojë si e çfarë të dojë në shtëpi të vet e me shpenzimet
e veta, por jo në institucionet e shtetit laik e paratë e popullit. Dhe nuk
flet askush, vetëm mbllaçiten kameleonët e gazetarisë shqiptare që i lëpihen
qeveritarëve. Nuk kanë çfarë duan fetë në punët e shtetit, as në instancat e
shtetit. Bëni të paktën atë që bëri Ahmet Zogu, meqë kohën e Enver Hoxhës e
mallkojmë të gjithë pa pasur as durimin të gjykojmë me kthjelltësi një epokë
sado absurde të ketë qënë. Shteti nuk duhet të japë asnjë qindarkë për fetë.
Ato të mbahen nga besimtarët e vet dhe të propagandojnë fenë në institucionet e
kultit e jo nëpër rrugë. E frikshme. Ku po vemi kështu? Na sheh bota, na shohin
edhe ata të ISIS-it e thonë e kemi terrenin e shtruar ndaj do ta pushtojmë
Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë. Po a jemi ne në gjendje t’i bëjmë ballë
mizorisë?! Nuk besoj. Atëherë pse nuk i ndalojmë këto manifestime nëpër rrugë
që të mos u krijojmë edhe të tjerëve iluzione të rreme mbi identitetin tonë si
shqiptarë. Pse duam të japim një fytyrë tjetër për kombin, një fytyrë tjetër
nga se e kemi. Nuk jemi shtet fetar. E për më tepër nuk kemi aspak
tolerancë, sepse po të ishim tolerantë, nuk do të pushtonim sheshet publike që
u takojnë gjithë qytetarëve. Me çfarë po bëjmë, nuk jemi pa rrezik, prandaj i
përmblidhni pasionet e fesë brenda vetes dhe institucioneve fetare, objekteve të
kultit që janë mbjellë anë e mbanë Shqipërisë.
Ta themi hapur, nuk mund të pranoj si qytetar shqiptar dhe atdhetar, të
tilla dalje të çfarëdo feje a besimi nëpër rrugë e sheshe, i konsideroj
revanshe madje të frikshme, jo thjesht për vete personalisht, por për
fatin e popullit që aq shumë ka hequr në histori e meriton ndriçim të mendjes
e përparim si kombet e tjerë të Europës, sepse ne nuk jemi Lindje, e për
më tepër shumë travajë kemi hequr nga Lindja në histori. Në jemi
Perëndim, ne kemi qenë e mbetemi në zemër të Europës, si një arterie
jetëdhënëse. Kemi luftuar jo sot, por pesë shekuj më parë për kulturën
dhe qytetërimin në të cilin edhe ne jemi pjesë e pandarë dhe jo mish i huaj i
ngulfatur prej hordhive aziatike. Prandaj të kthjellohemi, asnjë iluzion për
rrugë tjetër nuk duhet të ketë për ata që e konsiderojnë veten shqiptarë dhe
atdhetarë të vërtetë edhe sikur për mbrojtjen e këtij qëllimi të kërkohet çdo
sakrificë. Hoxhallarët e priftërinjtë tanë të nderuar të mos i ndërsejnë
besimtarët e vet për t’i nxjerrë në rrugë, sepse rrugët e sheshet janë të
gjithë popullit, në të cilët përfshihen edhe ata, të cilët janë të shumtë ndër
ne dhe zotin e vet e quajnë me emrin shkencë.