06 June 2018

🟢 Këshillat tinëzare të Ambasadorit Ryerson- nga Kolec Traboini



KËSHILLAT TINËZARE 
TË AMBASADORIT RYERSON
Dialog në Ambasadën Amerikane më 28 korrik 1994 në mes të ambasadorit amerikan William Ryerson dhe kryetarit të shoqatës të burgosurve politikë Kurt Kola:

Nga KOLEC TRABOINI

Kurt Kola, ish i burgosur politik dhe kryetar i shoqatës të përndjekurve mjaft vite, në një koment të tij me 5 qershor 2018, shkruan për një fenomen që ka qenë ka i ditur por ne shihnim vetëm pjesën e sipërme të ajsbergut dhe mbi atë gjykonim dhe kritikonim, por kjo që lexojmë sot i zbulon me së miri se ku e merrnin fuqinë e përkrahjen për shkatërrimin e ekonomisë dhe industrisë shqiptare nga qeveria që erdhi pas vendosjes së pluralizmit. Pasuri që nuk ishte komuniste, uzinat, fabrikat, makineritë, tornot e hekurat nuk kanë ideologji siç i cilësonte ambasadori Rayerson “llamarinat e komunizmit”, por pasuri e popullit. Aq sa ishte. Siç janë edhe sot hidrocentralet të cilët lumturisht nuk patën idenë e marrë ti shkatërronin si “llamarina të komunizmit”  se edhe sot e kësaj dite do të ishim në errësirë dhe ish ambasadori Ryerson do të na mbante bishtukun. Padyshim duhet një gjyq i posaçëm për të vënë në bangat e të akuzuarve shkatërrimtarët e viteve 1992-1997 me gjithë paçavuren e tyre “terapi e shockut”, por kush ta bëjë? Gjykatësit salistë të plepave apo vemjet e PPSH të pasuruar tashmë sipas këshillës tinëzare të Rayersonit, të riformatuar në soj - soj aliazhesh politike. Më poshtë keni dialogun William Ryerson – Kurt Kola më 28 korrik 1994 në Ambasadën Amerikane në Tiranë, një ditë para fillimit të grevës së urisë të përndjekurve politikë që u mbyll pastaj me forcë, dhunë e të rrahura nga policia e Sali Berishës, 25 vjet ish komunist, kumbara i të cilit ishte ambasadori Ryerson. Gjatë 9 ditëve të Grevës së Urisë, siç pohon Kurt Kola, policia e Sali Berishës ushtroi një dhunë të egër, me rrahje me shkop gome, me tërheqje për flokësh gra e plaka, duke shkelë me çizme mbi grevistë të shtrirë pa fuqi mbi dyshemenë prej  çimento, ambasadori Ryerson bëri veshin shurdh e syrin qorr. Shkruan për grevën e urisë të ish të dënuarve e të përndjekurve politike atë kohë gazetat e Romës, të Londrës e të vendeve të tjera perëndimore, sigurish nga të dhënat nga ambasadat e tyre në Tiranë. Sali Berisha në shumë vite vendosi mbi gjithçka pushtetin e tij autokrat me ndihmën e mikut të tij Ryerson, i cili me këshilla tinëzare i jepte demokracisë shqiptare një kaheje të gabuar që si pasojë të vijmë në këtë kaos politiko-social në të cilin ndodhet sot Shqipëria. Kulmi i hipokrizisë së beniaminit politik të Ryersonit, Sali Berisha, ka viti 1997 kur doli kundër amerikanëve ndërsa me tipiku në qeverisjen e brendshme veç piramidave financiare, ka qenë viti 2012 kur ndërroi jetë Lirak Bejko, që u dogj me benzinë gjatë grevës së urisë të ish të dënuarve dhe përndjekurve politikë, vet sakrifikimin e të cilit sot mjerisht e kanë harruar. 

Ambasadori William Ryerson: Z. Kola, mos e bëj Grevën e Urisë!
Kurt Kola:  Përse?
Ambasadori William Ryerson:   Nuk ka qeveria para t' u jap juve!
Kurt Kola:  Jepjani ju qeverisë dhe me kohë ua lajnë taksapaguesit shqiptarë.
Ambasadori William Ryerson:   Ne nuk japim para në këtë mënyrë....
Kurt Kola:  Mendova se më keni thirrur për të na përkrahur ne miqve realë të Amerikës, jo se jeni në mbrojtje të qeverisë që është kundër të burgosurve të diktaturës!
Ambasadori William Ryerson:   Z. Kola, ne komunizmin e kemi pasur një tigër të zgjidhur, tani sapo e kemi lidhur, por kemi frikë se na këput zinxhirët dhe do jemi të sigurt kur ta fusim në kafaz!!
Kurt Kola: (heshtje) …..
Ambasadori William Ryerson:  Çfarë kafazi mendon ti z. Kola?
Kurt Kola: Kafaz çeliku.
Ambasadori William Ryerson:  Jo z. Kola, ne amerikanët kemi një kafaz më të fortë!
Kurt Kola:  Çfarë kafazi paskeni ju?!
Ambasadori William Ryerson:  Ne, komunistët nga sekretari i partisë të një ndërmarrje deri te sekretari i Komitetit Qëndror (të PPSH) do t'i bëjmë milionerë e miliarderë, jo me parat tona, por me parat e Shqipërisë, Rusisë e vendeve të tyre, atëherë ata do të jenë më antikomunistë se ti dhe unë, se do të mbrojnë pasurinë nga komunizmi!
Kurt Kola kujton “Mbeta i shushatur nga mendja dhe memec nga goja. Kaluan goxha minuta për të bërë pyetjen”: Pse kjo është politika amerikane, z. Rayerson?!!
Ambasadori William Ryerson:   Po z. Kola!
Kurt Kola:  Po pse thoni nuk para qeveria të na jap ne për vuajtjen e pafajshme, kur për kuadrot e lartë komunistë paska miliona e miljarda?! (Ambasadori mbase nuk priti kete pyetje dhe i zene ngushte, ndryshoj teme):
Ambasadori William Ryerson:   Ne nuk bëjmë marrëveshje me shoqata e parti politike, por me qeveritë.
Kurt Kola:  Ju paskeni humbur se nuk keni bërë marreveshje me diktatorin Enver Hoxha!
Ambasadori William Ryerson:   Po, por nuk donte ai...
Kurt Kola:  Paskesha qënë në qiell, ju më ulët në tokë! Më kanë rrahur policët në burg shpesh se më gjenin ndonjë shkrim për demokracinë tuaj... Eh, “Me Amerikën je ti?!” Hekurat në duar, në birucë dhe dru.... Ju më bëtë t'u jap të drejtë sot këtu!! Politikën e mora vesh, por edhe një pyetje për ekonominë: Keni sugjeruar ju në shkatërrimin e uzinave, fabrikave e të tjera që u bënë këtu?
Ambasadori William Ryerson:   Z. Kola, ne nuk merremi me llamarinat e komunizmit!
Kurt Kola:  Si e keni zakon ju në Amerikë, e prishni shtëpinë e vjetër, para se të bëni të renë?
Ambasadori William Ryerson:   Jo, pasi bëjmë të renë!
Kurt Kola:  Po na i linit këto vjetrat neve, mos të dilnin 800 mijë punëtorë në asistencë, derisa të na bënit ju të rejat....
Ambasadori William Ryerson:   (Heshti)
Kurt Kola: …Apo duheshin para për të pasuruar shefat komunistë që të bëhen antikomunistë, u shitën badihava pasuria e 50 vjetëve të popullit shqiptar për skllavopronarët e tyre.
Ambasadori William Ryerson:   Takimi mbaroi, z. Kola
Dhe brofi në këmbë!

Në foto ambasadori Alexander A. Arvizu dhe Kolec Traboini, në plan të dytë ish-ambasadori  William Ryerson


04 June 2018

Makthi i ekstremeve i një ish kryeministri- nga Kolec Traboini

MAKTHI I EKSTREMEVE I NJË ISH KRYEMINISTRI

Nga KOLEC TRABOINI

Gjykimi që paraqet Aleksandër Meksi në revistën "Leka", i marrë shkas nga rasti i gazetares Eva Herman të televizionit gjerman ARD, për 18 vite, që u pushua nga puna sepse gjatë një emisioni promovimi të një libri të saj, (citojmë Meksin) "shprehu një gjykimi personal për familjen naziste", është vërtetë një gjykim i cungët i ish kryeministrit të Shqipërisë, i cili pushtetëroi në një nga periudhat më të mbrapshta, konfuze e gjakderdhëse në jetës e shqiptarëve.
 Së pari zoti Meksi bën një lapsus që nuk i lejohen një njeriu të rangut të tij, jo vetëm si ish kryeministër por as edhe si historian mesjetar. Sistemet janë sisteme, diktatorët janë diktatorë dhe shtypës, por nuk mund që, kur vjen puna për jetën e një populli që e vuan atë sistem ti vëmë një diçiturë të zezë, t’ia nxijmë fytyrën një populli që e pati atë fatkeqësi e që e pagoi shtrenjtë me gjakun e lirinë e vet. Gjermania nuk ka pasur "familje naziste" siç përgjithëson gabueshëm z. Meksi, (nuk është fjala për familjet e hierarkive por mbarë Gjermanisë), nuk ka pas popull nazist. Po e thellojmë mendimin për të shkuar edhe më tej, familja shqiptare në vitet 1924-1939 nuk ka qenë zogiste, në vitet 1944 e deri që erdhi Meksi në pushtet në 1992, nuk ka qenë familje komuniste. Të pranosh që diktaturat arrijnë që familjen ta shpërfytyrojnë e ti japin frymën e vet të fanatizmit ideologjik, është një absurditet. Sepse po të shkonim edhe më tej me kësisoj gjykim të mbrapshtë, atëherë, meqë sistemi i instaluar nga Meksi e co. që mori simbolin e urryer të piramidave e korrupsionit më të egër të njohur ndonjëherë nga shqiptarët, atëherë edhe familjen shqiptare të aso kohe të mbrapsht, do ta quanim familja e korrupsionit.
Po jo, o zoti ish-kryeministër. Nuk mund t’ia ngjitësh me zamkë në fytyrë prapësitë e mizoritë e pushtetarëve një populli, kushdo qoftë ai popull.
Ky gjykim i cungët i Meksit tregon se ai vërtetë është shfaqur si antikomunist, por i ka ngelur ora në komunizëm si një nëpunës mjaft i zellshëm i të cilit ka qenë e mjerisht, fare pak ka ndryshuar nga mentaliteti i asaj kohe të trishtë, paçka se me fjalë në publik i lufton me trumbetë komunistët. Kjo, sepse ai vazhdon ti gjykojë familjet dhe qytetarët me një sistem klasifikimi që bënin komunistët, si familje e deklasuar, armike, zogiste, fashiste, naziste a tjetër lloj.
Dihet që diktatura familjen dhe moralin shoqëror përpiqet ta komandojë dhe shpërfytyrojë, ta tjetërsojë, t’u shpëlaje trutë njerëzve me dhunë të pamëshirshme dhe në shtratin e Prokustit ideologjik. Kjo është një aspekt i traumës që pëson shoqëria civile kur në pushtet vinë forcat e errëta që nuk njohin logjikë tjetër veç dhunës. Po nuk ka dhunë as sistem që e shpërfytyron familjen, jetën sociale dhe vetë popullin. Nuk është e lehtë të çrrënjosesh atë traditë, a normë morale qoftë, që është ngulitur në shekuj në jetën e një populli.
Por, veç treguesve sociale, sistemet kanë edhe tregues ekonomike. Ne mund të themi çfarë të duam sot për të djeshmen, si në të djeshmen flisnim për të pardjeshmen, por treguesit, shifrat, statistikat e çdo kohe janë fort të vështira të manipulohen me demagogjitë e reja që zëvendësojnë demagogjitë e vjetra. Statistikat nuk duan të dinë cili është sistemi që sundon. Ato janë apolitike. Nuk i shërbejnë kurrkujt. E vërteta është se në diktaturë janë dënuar njerëz që thoshin se në kohën e Italisë hante qeni petulla. Nuk po i hyjmë asaj të vërtete që, për qëllime propagande, pushtuesit italian sillnin këtej Adriatikut furnizime ushqimore, kur populli italian jetonte zinë e bukës. Mos vallë edhe sot Meksi e Co do të kërkojnë të dënojnë ndonjë që ende thotë se... në kohën e Italisë hante qeni petulla, ndërsa sot lypësit e hajdutët mbushin rrugët. Nuk po i hyjmë faktit se kaq lypës sa ka sot Shqipëria, brenda e jashtë shtetit, nuk ka pasur kurrë, as në kohë lufte e as në kohë paqe, as nën pushtimin fashist e as nën diktaturë.
Sa i përket e jetës në shoqëri e familje, duhet thënë se diktatura çdo tregues të jetës e ka mbajtur nën presion e frikë. Nuk duhet ti hyjmë debatit ishte mirë a keq se kështu gabojmë, biem në gjykimin e Meksit, por të tregojmë ca statistika të ftohta apolitike.
Sa prostituta kishte Shqipëria në kohën e diktaturës dhe sa prostituta ka pasur Shqipëria( se tani mbase janë dyfishuar ) kur ishte për afro 5 vjet në qeverisje i nderuari Aleksandër Meksi? Nuk ka nevojë të shkohet më tej për të parë tablonë e mjerimit të një kohe të palavdishme, kur frynin tamtamet e demagogjisë po aq bujshëm si në vitet meranë të vetmisë moniste të perënduar me turp.
Si nuk i vret ndërgjegjja politikanët e pushtetarët shqiptarë për prapësitë që i sjellin popullit të vet. Si kanë guximin të dalin në opinionin publik, pasi kanë keqpërdorur pushtetin në 8 vjet. Bëjnë të njëjtën gjë si ata që e kanë sunduar për 50 vjet, i kanë pirë gjakun këtij populli dhe dalin në media lugë e lame. Mos vallë pushtetarët mendojnë se kanë të bëjnë me një popull hajvan, që nuk di të gjykojë e të krahasojë sistemet, qeverisjet, demagogjinë, prapësitë e haraçin që ai paguan për këto prapësi qeverisjesh të mbrapshta? Që nuk e dika ky popull, se çfarë është e keqe nën diktaturë dhe çfarë është po ashtu e keqe edhe në demokraci. Sepse e keqja, korrupsioni, prostitucioni, perversiteti institucional, amoraliteti politik, mashtrimi e gënjeshtra nuk kanë pse të jenë pjellë e pronë e vetëm një sistemi, qoftë ky fashizmi, nazizmi, komunizmi apo demokracia kapitaliste. Nuk ka sisteme imune kur vinë në krye të punëve njerëz që e kanë mendjen vetëm për të mbushur xhepat e tyre, ndërsa populli, pa ujë e drita, edhe bukën e merr me listë.
Diktaturat janë të këqija se të privojnë nga liritë. Kjo është themelore. Por nëse dikush thotë, duke sjellë shifra e fakte, se zhvillimi industrial në vitet 1980 kishte këta e ata tregues e që sot janë më të vegjël, se u kthyen uzinat e kombinatet në gërmadha, kjo nuk do të thotë ti hidhemi përsipër se ky na mbroka diktaturën, a zogizmin, a dreqin e të birin.
Veç mediokrit, njerëzit pa vizion mund ta gjykojnë një sistem aq strikt, duke mohuar apriori çdo tregues madje edhe rritjen e popullsisë, se kush e di, mbase mendojnë se në diktaturë njerëzit nuk bëjnë as seks. Çfarë nuk dëgjon nga njerëzit e fanatizuar që jetojnë makthin e ekstremeve bardhë e zi, pa kurrfarë gjykimi tjetër. Nga ky Meks, që është i zoti në studimet e mesjetës, pra për kohët e vdekura e mure kështjellash mesjetare, por krejt i dobët në gjykimet e fenomeneve e problemeve sociale të jetës së përditshme, nuk është çudi të dëgjosh dhe proçka të tilla se pulat në diktaturë i bënin vezët të vogla nga frika, ndërsa sot i bëjnë të mëdha nga liria që u solli Meksi e Berisha në bashkëveprim edhe me Nanon e Ramën, pa arritur të kuptojë ky qeveritar dështak se sot, pulat nuk arrijnë ti bëjnë vezët as të vogla e as të mëdha në qymezin e fshatarit shqiptar sepse ja vjedhin, ja hajdutët, ja qeveritarët batakçinj.
Me gjithë keqardhjen për gjykimet e cungëta që shfaq në median shqiptare, edhe fort nuk është për të ardhur keq për Meksin, kjo për faktin se, falë pozitës së lartë që ka pasur, sot ka një firmë ndërtimesh dhe bashkë me dhëndrin e Enver Hoxhës konsiderohej ndër bosat më të mëdhenj të Tiranës. Ata po e ndërtojnë Tiranën mbrapsht e mbarë duke mos i lënë as dhe një pëllëmbë hapësire të gjelbër kryeqytetit të pluhurit kanceroz, që po gërryen mushkëritë e qytetarëve.
Dhe një gjë nuk e thotë që nuk e thotë i nderuari Meksi, se si duhet të sillet populli shqiptar me minidiktaturën që instaloi ai me shefin e tij në periudhën 1992-1997. Se si nën qeverisjen e tij, në institucionet e shtetit, u zhduk njeriu nga SHIK-u si të ishte në gestapon gjermane. A e vret ndërgjegjja për tregtarin shqiptar nga Kosova, luftëtarin e rezistencës Remzi Hoxha, që jo vetën e vranë gjatë torturave çnjerëzore, por edhe trupin ja zhdukën, e dogjën shik-asit mesa duket, për të mos u gjendur kurrë e për të mbetur edhe pa varr....Ishin ato vite kur shkëlqente në oratori boshe kryeministri hije Aleksander Gabriel Meksi, që sot në vend që të rrëfejë në publik bëmë-gjëmat  e veta piramidale, ku firaksën paratë e popullit, na mban ca leksione në gazetën “Leka” mbi “familjet naziste” në Gjermaninë e mesit të shekullit të perënduar.
Një inkursion fort i përshtatshëm për profilin e vet gërmadha rrëmues.


Gazeta “Ndryshe”, Tiranë - Boston 11 mars 2008