04 June 2018

Makthi i ekstremeve i një ish kryeministri- nga Kolec Traboini

MAKTHI I EKSTREMEVE I NJË ISH KRYEMINISTRI

Nga KOLEC TRABOINI

Gjykimi që paraqet Aleksandër Meksi në revistën "Leka", i marrë shkas nga rasti i gazetares Eva Herman të televizionit gjerman ARD, për 18 vite, që u pushua nga puna sepse gjatë një emisioni promovimi të një libri të saj, (citojmë Meksin) "shprehu një gjykimi personal për familjen naziste", është vërtetë një gjykim i cungët i ish kryeministrit të Shqipërisë, i cili pushtetëroi në një nga periudhat më të mbrapshta, konfuze e gjakderdhëse në jetës e shqiptarëve.
 Së pari zoti Meksi bën një lapsus që nuk i lejohen një njeriu të rangut të tij, jo vetëm si ish kryeministër por as edhe si historian mesjetar. Sistemet janë sisteme, diktatorët janë diktatorë dhe shtypës, por nuk mund që, kur vjen puna për jetën e një populli që e vuan atë sistem ti vëmë një diçiturë të zezë, t’ia nxijmë fytyrën një populli që e pati atë fatkeqësi e që e pagoi shtrenjtë me gjakun e lirinë e vet. Gjermania nuk ka pasur "familje naziste" siç përgjithëson gabueshëm z. Meksi, (nuk është fjala për familjet e hierarkive por mbarë Gjermanisë), nuk ka pas popull nazist. Po e thellojmë mendimin për të shkuar edhe më tej, familja shqiptare në vitet 1924-1939 nuk ka qenë zogiste, në vitet 1944 e deri që erdhi Meksi në pushtet në 1992, nuk ka qenë familje komuniste. Të pranosh që diktaturat arrijnë që familjen ta shpërfytyrojnë e ti japin frymën e vet të fanatizmit ideologjik, është një absurditet. Sepse po të shkonim edhe më tej me kësisoj gjykim të mbrapshtë, atëherë, meqë sistemi i instaluar nga Meksi e co. që mori simbolin e urryer të piramidave e korrupsionit më të egër të njohur ndonjëherë nga shqiptarët, atëherë edhe familjen shqiptare të aso kohe të mbrapsht, do ta quanim familja e korrupsionit.
Po jo, o zoti ish-kryeministër. Nuk mund t’ia ngjitësh me zamkë në fytyrë prapësitë e mizoritë e pushtetarëve një populli, kushdo qoftë ai popull.
Ky gjykim i cungët i Meksit tregon se ai vërtetë është shfaqur si antikomunist, por i ka ngelur ora në komunizëm si një nëpunës mjaft i zellshëm i të cilit ka qenë e mjerisht, fare pak ka ndryshuar nga mentaliteti i asaj kohe të trishtë, paçka se me fjalë në publik i lufton me trumbetë komunistët. Kjo, sepse ai vazhdon ti gjykojë familjet dhe qytetarët me një sistem klasifikimi që bënin komunistët, si familje e deklasuar, armike, zogiste, fashiste, naziste a tjetër lloj.
Dihet që diktatura familjen dhe moralin shoqëror përpiqet ta komandojë dhe shpërfytyrojë, ta tjetërsojë, t’u shpëlaje trutë njerëzve me dhunë të pamëshirshme dhe në shtratin e Prokustit ideologjik. Kjo është një aspekt i traumës që pëson shoqëria civile kur në pushtet vinë forcat e errëta që nuk njohin logjikë tjetër veç dhunës. Po nuk ka dhunë as sistem që e shpërfytyron familjen, jetën sociale dhe vetë popullin. Nuk është e lehtë të çrrënjosesh atë traditë, a normë morale qoftë, që është ngulitur në shekuj në jetën e një populli.
Por, veç treguesve sociale, sistemet kanë edhe tregues ekonomike. Ne mund të themi çfarë të duam sot për të djeshmen, si në të djeshmen flisnim për të pardjeshmen, por treguesit, shifrat, statistikat e çdo kohe janë fort të vështira të manipulohen me demagogjitë e reja që zëvendësojnë demagogjitë e vjetra. Statistikat nuk duan të dinë cili është sistemi që sundon. Ato janë apolitike. Nuk i shërbejnë kurrkujt. E vërteta është se në diktaturë janë dënuar njerëz që thoshin se në kohën e Italisë hante qeni petulla. Nuk po i hyjmë asaj të vërtete që, për qëllime propagande, pushtuesit italian sillnin këtej Adriatikut furnizime ushqimore, kur populli italian jetonte zinë e bukës. Mos vallë edhe sot Meksi e Co do të kërkojnë të dënojnë ndonjë që ende thotë se... në kohën e Italisë hante qeni petulla, ndërsa sot lypësit e hajdutët mbushin rrugët. Nuk po i hyjmë faktit se kaq lypës sa ka sot Shqipëria, brenda e jashtë shtetit, nuk ka pasur kurrë, as në kohë lufte e as në kohë paqe, as nën pushtimin fashist e as nën diktaturë.
Sa i përket e jetës në shoqëri e familje, duhet thënë se diktatura çdo tregues të jetës e ka mbajtur nën presion e frikë. Nuk duhet ti hyjmë debatit ishte mirë a keq se kështu gabojmë, biem në gjykimin e Meksit, por të tregojmë ca statistika të ftohta apolitike.
Sa prostituta kishte Shqipëria në kohën e diktaturës dhe sa prostituta ka pasur Shqipëria( se tani mbase janë dyfishuar ) kur ishte për afro 5 vjet në qeverisje i nderuari Aleksandër Meksi? Nuk ka nevojë të shkohet më tej për të parë tablonë e mjerimit të një kohe të palavdishme, kur frynin tamtamet e demagogjisë po aq bujshëm si në vitet meranë të vetmisë moniste të perënduar me turp.
Si nuk i vret ndërgjegjja politikanët e pushtetarët shqiptarë për prapësitë që i sjellin popullit të vet. Si kanë guximin të dalin në opinionin publik, pasi kanë keqpërdorur pushtetin në 8 vjet. Bëjnë të njëjtën gjë si ata që e kanë sunduar për 50 vjet, i kanë pirë gjakun këtij populli dhe dalin në media lugë e lame. Mos vallë pushtetarët mendojnë se kanë të bëjnë me një popull hajvan, që nuk di të gjykojë e të krahasojë sistemet, qeverisjet, demagogjinë, prapësitë e haraçin që ai paguan për këto prapësi qeverisjesh të mbrapshta? Që nuk e dika ky popull, se çfarë është e keqe nën diktaturë dhe çfarë është po ashtu e keqe edhe në demokraci. Sepse e keqja, korrupsioni, prostitucioni, perversiteti institucional, amoraliteti politik, mashtrimi e gënjeshtra nuk kanë pse të jenë pjellë e pronë e vetëm një sistemi, qoftë ky fashizmi, nazizmi, komunizmi apo demokracia kapitaliste. Nuk ka sisteme imune kur vinë në krye të punëve njerëz që e kanë mendjen vetëm për të mbushur xhepat e tyre, ndërsa populli, pa ujë e drita, edhe bukën e merr me listë.
Diktaturat janë të këqija se të privojnë nga liritë. Kjo është themelore. Por nëse dikush thotë, duke sjellë shifra e fakte, se zhvillimi industrial në vitet 1980 kishte këta e ata tregues e që sot janë më të vegjël, se u kthyen uzinat e kombinatet në gërmadha, kjo nuk do të thotë ti hidhemi përsipër se ky na mbroka diktaturën, a zogizmin, a dreqin e të birin.
Veç mediokrit, njerëzit pa vizion mund ta gjykojnë një sistem aq strikt, duke mohuar apriori çdo tregues madje edhe rritjen e popullsisë, se kush e di, mbase mendojnë se në diktaturë njerëzit nuk bëjnë as seks. Çfarë nuk dëgjon nga njerëzit e fanatizuar që jetojnë makthin e ekstremeve bardhë e zi, pa kurrfarë gjykimi tjetër. Nga ky Meks, që është i zoti në studimet e mesjetës, pra për kohët e vdekura e mure kështjellash mesjetare, por krejt i dobët në gjykimet e fenomeneve e problemeve sociale të jetës së përditshme, nuk është çudi të dëgjosh dhe proçka të tilla se pulat në diktaturë i bënin vezët të vogla nga frika, ndërsa sot i bëjnë të mëdha nga liria që u solli Meksi e Berisha në bashkëveprim edhe me Nanon e Ramën, pa arritur të kuptojë ky qeveritar dështak se sot, pulat nuk arrijnë ti bëjnë vezët as të vogla e as të mëdha në qymezin e fshatarit shqiptar sepse ja vjedhin, ja hajdutët, ja qeveritarët batakçinj.
Me gjithë keqardhjen për gjykimet e cungëta që shfaq në median shqiptare, edhe fort nuk është për të ardhur keq për Meksin, kjo për faktin se, falë pozitës së lartë që ka pasur, sot ka një firmë ndërtimesh dhe bashkë me dhëndrin e Enver Hoxhës konsiderohej ndër bosat më të mëdhenj të Tiranës. Ata po e ndërtojnë Tiranën mbrapsht e mbarë duke mos i lënë as dhe një pëllëmbë hapësire të gjelbër kryeqytetit të pluhurit kanceroz, që po gërryen mushkëritë e qytetarëve.
Dhe një gjë nuk e thotë që nuk e thotë i nderuari Meksi, se si duhet të sillet populli shqiptar me minidiktaturën që instaloi ai me shefin e tij në periudhën 1992-1997. Se si nën qeverisjen e tij, në institucionet e shtetit, u zhduk njeriu nga SHIK-u si të ishte në gestapon gjermane. A e vret ndërgjegjja për tregtarin shqiptar nga Kosova, luftëtarin e rezistencës Remzi Hoxha, që jo vetën e vranë gjatë torturave çnjerëzore, por edhe trupin ja zhdukën, e dogjën shik-asit mesa duket, për të mos u gjendur kurrë e për të mbetur edhe pa varr....Ishin ato vite kur shkëlqente në oratori boshe kryeministri hije Aleksander Gabriel Meksi, që sot në vend që të rrëfejë në publik bëmë-gjëmat  e veta piramidale, ku firaksën paratë e popullit, na mban ca leksione në gazetën “Leka” mbi “familjet naziste” në Gjermaninë e mesit të shekullit të perënduar.
Një inkursion fort i përshtatshëm për profilin e vet gërmadha rrëmues.


Gazeta “Ndryshe”, Tiranë - Boston 11 mars 2008