10 February 2019

Aromë Shkodre - nga Kolec Traboini


AROMË SHKODRE
Përsiatje vetjake duke lexuar rrëfimet e jetës të muzikantit Karlo Radoja.

Duke e lexuar librin e Karlo Radojës, me të cilin jam moshatar, le e rrit në të njëjtin qytet, ve re se rrethanat e jetës na kanë vu disa herë në të njëjtën hulli pa u njohur nga afër. Karlo ka qenë në Liceun Artistik Tiranë, e në atë konvikt të liceut të vjetër ku një vit ma vonë kam shkuar edhe unë, atbotë në Shkollën Pedagogjike "Ndrec Ndue Gjoka". Kemi qenë në një kohë në shkollë në Tiranë e shumë njerëz që përmend në kujtimet e veta kanë qenë miqtë e koleget e mi, si ta zëmë muzikanti Robert Radoja, apo këngëtari i paharruar Tonin Tershana. Ky i fundit në atë kohë ishte në Shkollën e Kulturës, flitet për vitin 1964, tek kazermat e Ali Rizait, Qyteti i Nxënësve. Banonim në të njëjtin konvikt me Toninin, deri sa një ditë më takoi e me tha, po iki nga shkolla e u kthye në Shkodër.
Në librin me kujtime të Karl Radojës e gjeta Tonin Tershanën në kohën kur ishte në Estradën e Ushtarit, ndërsa Karlo në Orkestrën e Ansamblit të Ushtrisë. Rrethanat e kanë dërguar Karl Radojën mësues muzike në Tropojë, pikërisht në atë kohë, 1967, unë kam qenë ushtar në atë vend. Ka punuar në Fabrikën e Cigareve ndërsa unë përballë, tek Kombinati i Drurit, krejt saktë Fabrika e Fibrës ku kishim inxhinier të paharruarin Bujar Bedalli.
Shumë nga njerëzit që përshkruan Karlo në rrëfimet e jetës së tij, po e përsëris, i kam njohur, dhe ve re ka arritur me vërtetësi të përcjellë jetën e atyre viteve, veçmas 1970-1990. Janë ngjarje të shumta, e për shkak të shkollimit si muzikant i ka qëlluar të jetë shumë afër në gëzimet e njerëzve, në dasmat e shkodranëve. Jeta e tij me kujton jetën e Kol Idromenos në rini, kur bashkë me motrën Tone shkonte nëpër dasma e gëzimet e familjeve shkodrane; ai, Kola, si instrumentist dhe e motra si këngëtare. Kësisoj jeta qytetare (më vjen ndërmend në këtë çast njeri ndër muzikantët popullore më pikantë, Pjetër Gjini, që përmendet me admirim në këtë libër),  vinte pra me një ripërtëritje nëpër breza duke krijuar një traditë të mrekullueshme në familjet shkodrane. Ndoshta si askund tjetër
Ka ngjarje, kujtime personale e familjare por edhe marrëdhënie me njerëz të tjerë në kushtet e jetës e privimeve së asaj kohe. Mënyra e përshkrimit më pëlqen sepse nuk ka asnjë stisje letrare. I qëndron të vërtetës, janë kujtime të thjeshta e jo biografi e letrarizuara; këtu qëndron merita dhe e bukura në këtë libër.
Ishte e natyrshme që njerëzit që e kanë rrethuar në ato vite të vështira, nuk e kanë pas të gjithë në të mirë, se kemi pas rreth nesh edhe njerëz që, me dashje apo pa dashje, mund të na kenë bërë ndoshta keq. Autori ka shënuar gjithçka që ka parë e ka ndjerë, si ka vepruar dhe çfarë ka pësuar. Kemi në faqet e librit të Karlo Radojes “I biri i Carmeles dhe i Ndocit” një regjistrim nga këndvështrimi i përjetimeve të thella personale. I përpiktë, me ngjarje e emra reale. Dhe mirë ka bërë në këtë drejtim. E kujt i vlejnë kujtimet ku gjithçka mund të duket e mirë dhe e bukur, kur jeta në të vërtetë mund të ketë qenë një ferr plot travajë. Po kjo natyrisht që nxjerr probleme. Se, kur unë shkrova një copëz kujtim mbi kohën e rinisë kur u ktheva nga ushtria, krejt troke e pa strehe, pa asnjë mjet jetese,  një drejtor ndërmarrje me gjithë rekomandimet që kisha nga Zina Franja - të cilës i kërkova ndihmë se të gjitha dyert e jetës i kisha të mbyllura, - ai drejtor pra, nuk më pranoi në punë. Më tregoi derën. Shko ku të duash po jo në ndërmarrjen time. I biri, që bashkë me babain, drejtorin e komunizmit tashmë jeton në Kanada, u ngrit e më kërkoi llogari me pretendimin se, “nuk ka qenë babai im kështu. E respekton gjithë Shkodra “- tha. Po mor zotni, Shkodra e respekton, por pa punë e pa strehë isha unë e jo ti. Pikërisht për këtë hezitojnë të shkruajnë kujtimet e veta artistët apo edhe njerëzit e thjeshtë.
Edhe sikur unë, autori i këtij shënimi,  ti kisha bërë ndonjë të keqe Karlo Radojës, të isha rrahur me të, ta zëmë, si bashkëmoshatarë rrugicash de, e ta shkruante në libër, nuk ka pse të më mbetej qejfi. Them kështu sepse po shoh ndonjë reagim të nxituar që e tejkalon dashamirësinë në leximin e një libri me kujtime personale të Karlo Radojës. Po marr një shembull edhe nga jeta ime, për të treguar se kujtimet nuk shkruhen për ti bërë qejfin këtij apo atij personi, i afërt apo i largët qoftë,  por për të thënë çfarë i ka ndodhur në jetë njeriut, çfarë është përvoja e një jete. E në jetë ndodhin gjëra të bukura e të pabukura. Në faqet e librit lexova se mësuesi i letërsisë Ndrek Beni i ka futur një shpullë nxënësit Karlo Radoja, dhe ky i fundit ka shkruar për këtë. Ngjarje shkollash sigurisht. Mësuesit tanë kanë qenë të mirë (edhe unë e kam pas babanë Palok Traboini mësues e krenohem për këtë), ata kanë qenë vërtetë të drejtë e parimorë, por edhe të rrepte dhe e kanë pas dorën e gjatë. Përdornin edhe vizoren, si mësuesi im i pa harrur Kol Alimhilli. Ne i duam dhe e nderojmë kujtimin e tyre, por ashtu siç kanë qenë e jo të sheqerosur nëpër kujtime bajate. A duhet, ta zëmë, ti thonë autorit, pse ke shkruar për këtë apo atë ngjarje apo person në kujtimet e tua? Thashë me lart po zë një shembull edhe nga vetja ime. Krejt ngjashëm me ndodhinë e  nxënësit Karlo Radoja me mësuesin Ndrek Beni më ka ndodhur edhe mua me mësuesen e bukur e admiruar Gita Shllaku. 
Mësuesja, për të cilën ende në Shkodër këndohet kënga e Gac Çunit  “Kaçurrelat e tua”,  kur isha në klasë të gjashtë më dha një paravesh, saktësoj, aspak për fajin tim, por të një nxënësi pas meje që me shqetësonte pas kurrizit me një maj pene. Po mësuese Gita nuk e pa atë, ndjeu reagimin tim kur po i thoja trazovaçit pas meje më lër rehat. Pse flet më tha, mësuesja, dil përpara klasës e me futi atë shpullën që me djeg edhe sot. Më tha ulu në bankë por unë dola nga klasa e nuk u ktheva kurrë më në shkollën ku ishte mësuese Gita. Ndoshta Lek Jana apo Luan Burgia, që përmendën në këtë libër, të cilët i kisha shokë klase disa vjet e mbajnë mend. Kjo është histori e vjetër dhe ka vlerë vetëm për kujtimet e mia personale të cilat nuk ka pse të mos i shkruaj. Më vonë kur isha rritur e kam takuar mësuesen në Gjuhadol, e plakur por mrekullisht ende e bukur.  Me pyeti e i thashë se kisha mbaruar Universitetin e tashme punoja ne Kinostudio e jetoja në Tiranë. Mbeti pa mend. Pastaj kemi qeshë të dy dhe më tha se ajo shpulla ime të paska dhanë të mbaren. Tani a duhet ndokush nga të afërmit e mësueses sime të më thotë pse ma përmende njeriun tim? Jo, se janë kujtime personale, e ato nuk kanë qëllim për të denigruar askënd, por për thanë të vërtetën sado vetjake, që fundja nuk i bëjnë dëm askujt.
Kështu edhe me kujtimet e Karlo Radojës, që në disa vende është e hidhur por kjo hidhësi nuk buron nga ai, as nga shpirti i tij, por nga ata që i kishte afër e ndonjë prej tyre ja kishte me të keq. Kam shkruar e botuar mbi tridhjetë libra, nuk më mungon përvoja, por them të drejtën më pëlqen shumë mënyra se si i ka shkruar kujtimet e veta muzikanti Karlo Radoja në librin "I biri i Carmeles dhe i Ndocit".
Prej çdo libri, sado i thjeshtë e pa pretendime të jetë, mëson diçka, diçka që të nevojitët në jetë, kryekreje për të qenë vetvetja e jo të sheqerosësh realitetin, sepse kujtimet e jetës nuk shkruhen për të bubulluar, as për të çuditur të tjerët apo mikluar njerëz, por për të hyrë thellë në shpirtin e njeriut e për ta zbuluar atë në dritë të diellit. Do të përdorja një shprehje proverbiale latine, mbase e dalë nga goja e Jul Cesarit “Erdha, pashe, fitova!” - kështu ndodh kur lexon një libër të mirë me rrëfimet e jetës së një artisti.
Pasi lexova librin me kujtime të Simon Rrotës, bashkë me librin e Karlo Radojës, u mbusha me Shkodrën time të shekullit që shkoi, plot ngjarje e njerëz që, ani pse kurrë ma nuk kthehen, më erdhën aq pranë e nuk do të ikin prej meje kurrsesi. Kësisoj ndodh kur, një piktor i madh dhe një muzikant i njohur, që dinë çfarë është harmonia e ngjyrave dhe e tingujve, dinë njëjtësisht të përbashkojnë atë harmoni edhe me fjalën e shkruar në kujtimet e jetës së tyre me aromë Shkodre.

10 Shkurt 2019

27 December 2018

Krishti është dashuri - nga Kolec P. Traboini

KRISHTI ËSHTË DASHURI
- Reflektim –

Nga Kolec TRABOINI

Ky shtjellim është një bisedë me një mike që është më pranë engjëjve të qiellit se sa unë mëkatari i dashurisë tokësore, që ndjek më së shumti atë udhë të Hyjit që quhet revolta hyjnore e Jezu Krishti ndaj sarafëve dhe mashtruesve në tempuj.
Fjala besim është shumë planesh. Nuk ka vetëm kuptimin e bindjes së verbër. Nuk ka vetëm kuptimin e mosvënies në dyshim të koncepteve që kemi trashëguar brez pas brezi, por ka edhe kuptimin e humbjes së baraspeshës të emocionit e mendimit brenda vetes, ku ti nuk flet me priftin, por flet në një intimitet të thellë me Atë që në çdo hall e nevojë i drejtohemi me fjalën, "O Zot!". E kam lexuar Biblën me mendje të kthjellët. Atje veç mësimit të besimit e përkushtimit, ka edhe katrahurën njerëzore, dënimet që Zoti, para se të trupëzohej e shfaqej si Krisht, i jepte njerëzimit sepse ai , njerëzimi, kish shkuar tepër larg e në tjetër shteg e jo në atë që krijuesi kish parathënë, ndaj më duket mbrapshti tinëzare kur për çdo marrëzi e ligësi që bëjnë njerëzit të themi "Kështu desh Zoti."
Jo ashtu nuk desh Zoti i vërtetë, por zoti i rremë, vetë njeriu, sepse Zoti i vërtetë, sipas asaj që kam lexuar e kuptuar, ka hequr dorë prej njeriut me shkakun se mori udhë për skajore që nga momenti i ngjizjes. Sepse Zoti e ka krijuar njeriun për ta bërë botën të bukur brenda dhe jashtë tij! E ne që tashmë e lexojmë historinë ungjillore të botës, e dimë se ndër dy pinjollët e parë që lindën në këtë dhè, Abeli dhe Kaini, ndodhi një vëllavrasje. I dyti e vrau të parin pa dhembje e pa mëshirë. Pas mëkatit të prindërve Adam dhe Evë, ndodhi krimi i parë i botës që do të për shumohej me një vrasi marramendëse deri në ditët e vona.
Ndaj për ta ndaluar rrjedhën e gjakut u shfaq Krishti, fryma e Zotit e mishëruar në trajtë njeriu, se ndoshta kështu do t’i bindte të ndërronte udhën që kish marrë drejt greminave të shpirtit. U shfaq për ta shpëtuar njerëzimin. Por ndodhi ajo çfarë nuk mund të mendohej. Njeriu kish shkuar aq larg në shtigjet e errëta të së mbrapshtës sa ishte gati të vriste vetë Krijuesin brenda trupëzimit si Krisht. Dhe e vrau trupin, por në të vërtetë njerëzimi bëri vetëvrasjen më të madhe në tërë historinë e ekzistencës së vet, mëkat që nuk është shlyer kurrë , ndaj dhe të gjithë qeniet njerëzore konsiderohen si pjesëz e botës mëkatare. E kështu na quajnë, madje edhe ne vetë, vetëquhemi mëkatarë.
Që nga momenti që u shfaq në tokën e Izraelit, Krishti është Zot për ne katolikët, tek ai sendëzohet gjithçka, me atë ne e perceptojmë jetën në cikle të ripërtërira në breza të pafundmë. Misioni ynë ndaj tij është para se devocioni, ripërtëritja, çfarë nënkuptoj se popujt janë grigja e Krishti, pasuria e vetme e tij si Zot, sepse çdo gjë tjetër e gjithësisë që shkon në skaje të pa matshme e të pafundme, është veç gur, zjarr e shtjella gazi e yjesh, vrima të zeza thithëse të gjithësisë që përpijnë e shuajnë planetë. Misioni i çdo ardhësi në këtë botë është devocioni e ripërtëritja, të cilat mishërohen në atë që quhet dashuri. Çdo lloj dashurie së pari lind të Krishti, tek dashuria e sakrifica e tij për njerëzit, e pastaj kjo dashuri e madhe e zemrës së tij shumohet në miliona njerëz që përfytyrohen si një pishtar që kurrë nuk duhet shuar. Këtë pishtar e mban gjallë dashuria. Ajo që vret është urrejtja, smira, ligësia, pasioni i egër për karriere, egoja për lavdi tokësore. Ajo çfarë në dukje ndodh në jetën e përditshme e marrëdhëniet njerëzore, dashuria, martesa, lindja, është vetëm një shkak për të mbajtur ndezur pishtarin e Zotit në tokë. Ndaj gjithnjë kam thënë e them se Krishti është dashuri. Ndjej ta dua Krishtin shumë e shumë më tepër se ekipet e kuadruara e të veshur bukur të klerikëve, të cilët vërtetë përkushtohen, por më së shumti këtë e bëjnë për interesa vetjake profesionale apo sepse janë me profesionin klerik dhe është një lloj përkushtimi i kushtëzuar. Mbetëm me mendimin se Krishti është dashuri, e kurrsesi allçi, parafinë, statuja të rëndomta nga artistë gjysmakë nëpër hije e skuta monastiresh, të cilat të largojnë aq shumë nga e vërteta hyjnore, trupëzojnë hyjninë në objekte materiale e fare pak e shpirtëzojnë atë tek qeniet njerëzore, mesa duket shpesh e harrojnë se Krishti është pjesë e jetës dhe jo e vdekjes. Kalvari dhe vdekja në kryq nuk shënon largimin e Zotit nga njeriu, braktisjen e tij, por shënon katarsis, mësimin nga mëkati, çfarë do të thotë se që nga shfaqja e Krishtit e përkëtej, Zoti më shumë ka hyrë tek njeriu. Përjashto këtu shfaqjet e rrema, kur njeriut i duket vetja si zot, vendos pushtetin e tij të egër mbi të tjerët, kur në të vërtetë ai është një Luciferr a Kryedreq.
Sa më përket mua mund të them se, i përqasem asaj pjese të grigjës që ndjek me dëshirë e vullnet e pa ndikimin e askujt udhën e Hyjit, në aspektin që quhet revolta hyjnore e Jezu Krishtit ndaj sarafëve dhe mashtruesve në tempuj. Të jesh në paqe e harmoni me vetën dhe hyjninë, nënkuptoj të shfaqësh bukurinë njerëzore të shpirtit e cilësive të larta të mirësisë e dashurisë, sepse për këtë shfaqje në eterniti e ka krijuar Zoti njeriut.
Krishti është dashuri!
Dashuri dhe dritë! Love & Light! Amen!

08 December 2018

Shenasi Rama: Mbi protestën e studentëve:qorrsokaku dhe rrugëzgjidhja


MBI PROTESTËN E STUDENTËVE TË UNIVERSITETEVE SHTETËRORE: QORRSOKAKU DHE RRUGËZGJIDHJA

Nga SHENASI RAMA

Ka shumë kohë që kam ikur nga rrjetet shoqërore dhe nuk kisha asnjë dëshirë që të kthehem e të humb kohën me politikën shqiptare. Atë që kam pasur për ta thënë e kam thënë në kohën e në vendin e duhur. Kur më është dhënë mundësia kam bërë atë që është dashur. Mirëpo, këto ditë kam ndjerë shumë presion që të shprehem në lidhje me atë që po ndodh me studentët në Tiranë. Dhe mendoj se, pavarësisht se nuk kam asnjë dëshirë me u marrë me këtë punë, duhet folur sepse nuk kemi kushte për të përsëritur gabimet e mëparshme dhe për të shkarë në qorrsokakun e pritshëm dhe në kurthin që ka përgatitur paria e Tiranës.
Studentët e Universiteteve Shtetërore në Tiranë kanë lëvizur dhe po protestojnë. Protestat e tyre janë intensifikuar këto ditë dhe duket se do të ketë vazhdimësi edhe në ditët e ardhshme. Pavarësisht heshtjes formale qeveritare, thashethemnajës së ndyrë militanteske, dhe bashkëfajësisë së mediave të shkruara dhe pamore që janë shndërruar në vegla të hapura të parisë së Tiranës, jehona e protestave studentore është e jashtëzakonshme. Prandaj, kjo ngjarje duhet trajtuar me seriozitetin e duhur dhe me vëmendjen që meriton. Në këtë kontekst duhen përmendur dhjetë elementë shumë të rëndësishëm që do të përcaktojnë në se do të shkohet në qorrsokakun e pritshëm apo në një rrugëzgjidhje të dobishme për të gjithë shoqërinë.

SË PARI, gradualiteti në rritjen e kërkesave tregon praninë e mendjeve të matura dhe që dinë se cfarë duan e cfarë mund të merret. Teknika e organizimit të protestave të tilla është që duhet shkuar nga një lëshim i pushtetarëve në një lëshim tjetër. Kërkesat nuk mund të jenë maksimaliste që në fillim. Protesta të tilla thyhen dhe e humbin fuqinë kur kërkohet e pamundura. Suksesi krijon mbështetje dhe e rrit fuqinë dhe kohezionin e masës. Prandaj, kërkesat që u paraqiten sot tregojnë se mund të shkohet në qorrsokak duke kërkuar përfaqësim vendosës në përzgjedhje dekanati e rektorati (interes i qartë pedagogëve), apo financim të doktoratës (interes i asistentëve). Rrugëzgjidhja do të ishte formulimi i kërkesave që janë jetike për studentët sic janë, bie fjala, kushtet e jetesës, garancia e punësimit përmes konkurimit, praktika profesionale, mbështetja për të varfërit por edhe të talentuarit, eleminimi i korrupsionit universitar, krijimi i një sistemi anonim vlerësimi të profesoratit nga studentët, e me radhë. Pra, kështu si është nisur puna, mund të shkohet në qorrsokak, dhe po u bënë gjërat e duhura, mund të shkohet në rrugëzgjidhjen e duhur.

SË DYTI, të gjithë ne që merremi me problemet shqiptare, të paktën në kohën tonë të lirë, e dimë që rinia studentore është përdorur sistematikisht për të ncjerrë nga zjarri gështenjat e një pale ose të një pale tjetër të parisë. Për Lëvizjen Studentore Shqiptare, mund të them se kam qenë nga të vetmit që nuk e kam lejuar këtë gjë me ndodhë ashtu si deshën udhëheqësit e parisë. Por mbas nesh, rinia studentore u përdor nga PS (FRESSH) në periudhën 1992-1994, nga PD (në protestat e vitit 1998), nga të huajt me MJAFT, dhe ky është një moment tejet kritik në këtë vazhdimësi. Problemi është se po u përdor për qëllime jo fisnike rinia studentore atëherë edhe një brez i tërë diskreditohet bashkë me lëvizjet e gabuara. Prandaj, të gjithë ata që merren me ketë protestë duhet të jenë të vetëdijshëm se çfarë barre kanë marrë përsipër. Në se nuk bëjnë gjënë e duhur, ata do ta zgjasin agoninë edhe një brez, por po bënë gjënë e duhur, e afrojnë zgjidhjen me një brez.

SË TRETI, është problemi ideologjik që lidhet direkt me zgjidhjen e duhur. Ideologjia të tregon ku je, pse duhet ndryshuar dhe ku duhet të shkohet e pse. Në kushtet dhe në momentet e tanishme, ka vetëm e vetëm një zgjidhje që iu shërben shqiptarëve: ndërtimi i shtetit-komb. Dalja në krye të protestave e shumë vetëve që identifikohen ose si anarkistë, ose si marksistë në vetvete nuk është problem. Ne shqiptarët, dhe pakicat që jetojnë me ne, gjatë viteve të sundimit të shtetit nga Enver Hoxha, kemi zhvilluar një varësi të madhe nga shteti dhe një vetëdije të thellë për natyrën e sistemit kapitalist që aq shumë u propagandua në shtetin shqiptar. Mirëpo në këtë pikë, si për shqiptarët, ashtu edhe për pakicat që jetojnë me ne, zgjidhja e vetme që mbron popullin nga egërsia e sistemit është shteti. Enver Hoxha e coi këtë konceptim në ekstrem, por në thelb kuptimi i rolit qëndror të shtetit si mbrojtës i të varfërve e të pamundurve ishte relativisht i saktë. Prandaj, ndryshe nga ideologjitë që lindin, si kundërvënie e sistemit oligarkik që sundon në Tiranë, ajo që duhet është një vetëdije e thellë kombëtare në këto protesta. Marksizmi është I dobishëm sa kohë që formulohet si demokraci shoqërore, me një shtet solidar, në shërbim të shoqërisë që e mban gjallë.

SË KATËRTI, është udhëheqësia dhe problemi i saj. Deri në këtë pikë, duket se pedagogët dhe profesorati luajnë një rol më të madh se sa duhet e se sa është e dobishme në këto protesta. Këto janë momentet kur të rinjtë e të rejat formësohen si udhëheqës dhe si karaktere. Dhe në këtë farkë përplasjeje me pushtetin do të lindin ata që mund të bëjnë ndryshimin sot dhe nesër. Pedagogët duhet të mbështesin studentët e tyre dhe të ndihmojnë ne ngjizjen e karaktereve që do të jenë drejtuesit e ardhshëm të shoqërisë. Herët ose vonë, edhe ky brez do të gjejë vendin e vet në konstelacionin e politikës shqiptare. Nuk duhet që ky brez të mendojë se janë përdorur si mish për top për interesat e pedagogëve apo të atyre që i financojnë apo që fshihen mbas tyre.

SË PESTI, rinia universitare e universiteteve shtetrore nuk duhet të ndahet nga katër elementë që janë jetikë për atë vetë: a- studentët e universiteteve private; b- universitetet jashtë Tiranës; c- të shkolluarit jashtë; dhe d- qytetarët e gjithë shtetit shqiptar. Korrupsioni, paaftësia, krimi moral dhe ekonomik, qelbësia njerëzore dhe të tjera dukuri të errëta dhe të papëlqyeshme ndikojnë njëlloj në të gjithë këto shtresa. Prandaj, me kujdes, por me këmbëngulje, kushdo që del në krye të protestatve duhet të mbajë parasysh se lufta bëhet për të gjithë e jo vetëm për ata që janë në universitetet shtetërore.

SË GJASHTI, ndyrësia politike ka shkuar thellë shumë thellë, dhe për një kafshatë buke njerëzit janë gati të bëjnë cdo gjë. Prandaj ruajtja nga provokimet e partive të oligarkisë së parisë dhe të rinjve që militojnë në to, ose që kanë qënë në akademitë e kampet e frikshme ku i rekrutojnë (PS, LSI, PD, PDIU e me radhë) është një domosdoshmëri. Nuk ka asnjë dyshim që këto ndyrësira të të gjithë kohëve që kanë bërë krime të pallogaritshme do të kërkojnë të ndyejnë edhe këto protesta. Vetë do të kisha thënë se zgjidhja është parashtrimi i kërkesave të duhura duke shmangur këto vegla të parisë politike dhe ekonomike. Vetëm e vetëm në se bëhen pjesë e strukturës si individë atëherë edhe mund të ndryshojnë.

SË SHTATI, duhet kërkuar ndihmë materiale e financiare, jo nga të huajt, por nga shqiptarët. Nuk ka pse pritet që materialet, sic janë kërkesat të shkruhen me dorë, kur me pak lekë edhe shtypen kudo. Anteu mori forcë nga dheu, edhe studentët nuk duhet të kenë fare frikë të kërkojnë mbështetjen nga njerëzit. Dje një nën shpërndau bukë. Nesër shqiptarët do ju mbrojnë me jetë. Kush e humb besimin tek populli i vet nuk e arrin kurrë atë që duhet në politikë. Hapni zemrat për njerëzit dhe njerëzit do ju kenë në zemrat e tyre.

SË TETI, është domosdoshmëri krijimi i një strukture authoritative e drejtuese që të jetë si përbashkuese ashtu edhe e mencur deri në atë pikë sa të mund të vendosë për ecurinë e proceseve dhe të protestës. Le të jenë një pjesë profesorë e pedagogë, por mbi të gjitha, le të jenë studentë e studente, të pastra e pa të shkuar të dyshimtë. Këta do të jenë e ardhmja dhe e ardhmja është e tyre. Ata që e kanë pasur shansin në jetë duhet të jenë themeli mbi të cilin duhet të ngrihen brezat e rinj, ashtu si na duhen e me mendësinë që duhet.

SË NËNTI, pushteti në Tiranë është në dorën e një grupimi tejet të korruptuar që nuk njeh as komb, as atdhe, as fe, as njerëzi e as ndershmëri. Kjo pari kaq kozmopolitane dhe globaliste do të bëjë çdo gjë që të shkatërrojë edhe me tej kombin shqiptar. Le të mos ketë kush dyshim se ata do të bëjnë çdo gjë që të shkatërrojnë studentët deri në fund e pamëshirë, duke përdorur çdo instrument në duart e tyre. Shteti ka shumë instrumente dhe shumë prej tyre, që nga dhuna tek zvetënimi janë shumë efikase në arritjen e qëllimeve të parisë që sundon. Dhe kjo pari që sundon nuk ka asnjë moral, asnjë vlerë, as ndjenjë apo besim, përveç parasë. Dhe ka shumë skllevër që janë të shitur për bukën e gojës.

SË DHJETI, ruhuni nga të huajt e nga veglat e tyre të shumta. Ai shtet që na duhet ne, ku studentët të mund të jenë qytetarë normale e njerëz si duhet, nuk është ai shtet që iu duhet atyre. Ka zgjidhje që iu shërbejnë shqiptarëve e vetëm shqiptarëve dhe ka zgjidhje që iu shërbejnë atyre që nuk ua duan të mirën shqiptarëve. Vorbulla e pastron ujin e lumit, por edhe të mbyt prandaj edhe duhet pasur kujdes kur njeriu e dëshiron një gjë të tillë.
Në përfundim, do të thoja se po të kisha mundësinë me u folë studentëve të këtij brezi do të këmbëngulja se vetëm ata që e kuptojnë si duhet përgjegjësinë historike e bëjnë ndryshimin që duhet. Me një komb të shtrirë përtokë, me një shoqëri të rrjepur e të vjedhur deri në palce, me një pari të degjeneruar deri në ekstrem, me një oligarki kriminale e mafioze, me një shtet të kapur nga mafia e sindikata ndërkombëtare e krimit, me një administratë të korruptuar e pa karakter, me çdo parametër moral, njerëzor e kombëtar në nivelin më të ulët, është detyrë e juaja, e të gjithë atyre që duan të jenë shqiptarë që të kërkojnë që të nxjerrin kombin e tyre e tyre nga llumi ku po vdes dhe të kërkojë me ia dhanë atë dinjitet që meriton midis kombeve të tjera. Në çdo shoqëri këtë detyrë fisnike, dhe në dukje të paarritshme e marrin përsipër ata që kanë rini e dëshirë, vullnet e pastërti, studentët si ju.
Pyetja për mue shtrohet, a do të jeni ju në atë nivel vetëdije politike e qytetarie, kombëtarizmi e morali ku kam qenë unë por edhe ata pak shokë të mi që, pa u thye, dhe me karakter, ndërruam pa mendue dy herë për jetën një sistem që dukej i pathyeshëm?? Koha ka me e tregue, por ju keni me ia tregue si kohës, ashtu edhe ne shqiptarëve se sa vleni si brez, si studentë si njerëz, dhe për ata që janë shqiptarë, çfarë lloj shqiptarësh jeni ju sot. Sepse ashtu si të silleni ju sot, do të jetë edhe brezi i ardhshëm nesër. Dhe kombet nuk kanë kurrë luksin me humbë një brez studentor pa bërë atë që duhet në shërbim të kombit, të shtetit, dhe të atyre që nuk kanë as mendjen, as fuqinë, as guximin me e luftue të keqen pa asnjë kompromis.