16 April 2014

Drejtësia zë laraska në Pogradec- nga Kolec Traboini



DREJTËSIA ZË LARASKA NË POGRADEC

Grotesk në prag të Pashkëve, arrestohet në korrupsion kafenesh “Qytetari i Nderit” të Pogradecit poeti Dhimitër Pojanaku. Kësisoj çnderohet qyteti dhe poeti por nuk shfajsohet drejtësia dhe shteti.

 Nga KOLEC TRABOINI

Ndërkohë që miqtë tanë Amerikane dhe Europianë janë të alarmuar me shkallën siprore të korrupsionit dhe mosdënimit të atyre që shfrytëzojnë pushtetin për të zhvatur, kur aferat e zyrtarëve të lartë të shtetit  janë jashtë çdo lloj llogjike prej nënpunësi, kur  ministrat hyn në zyra si varfanjakë e na u bënë milionerë (në këto 23 vjet hajni publike), kur gjithçka në këtë vend është një kaos i organizuar nga kupolat e politikës, na u gjënd pra një zgjidhje si prerje e artë. Eureka! Në një cep të Ilirisë,  në nahi të Pogradecit, në një kafene buzë liqenit,  u kap një njeri që për rushfet të vogël, punë para birre, të hiqte dorë nga gjykimi i një çeshtje.
Mesa duket kjo ishte një mirëorganizim brenda çorganizimit të makthshëm që kemi,   për të mbërthyer  një poet gjyqtar, i vetmi poet që punon në Shqipëri, se të tjerët janë pa punë e varavingo e thurin vargje kafeneve duke kruar xhepat. Qyqar të thuash edhe për këtë poet për profesionin që ka zgjedhur si gjyqtar, për më tepër edhe si i mikluar e i gudulisur nën sqetull  si “Qytetar Nderi i Pogradecit”, ky pra si të ishte thembra e Akilit të drejtësisë shqiptare, u gjend të  arrestohet në një lokal se i premtoi një zonje, që denoncoi (duket si skenaret e Filipit në Fix Fare),  për të mos e marr çeshtjen e saj në dorë, pra ta anashkalojë. Padyshim që drejtësi duhet të ketë për të gjithë në këtë vend,  veç lind një pyetje krejt natyrshëm, po Dhimitër Pojanakun gjetën ta bëjnë shëmbull në Shqipërinë e padrejtësive  se gjoja këtu luftohet korrupsioni. Po kujt ja shesin këto dokrra.  Po nuk jemi more në kohën kur populli nën udhëheqjen e Partisë kishte zgjedhur alternativën e barit se nuk kish rrugë tjetër dhe ishin bërë njerëzit si budallenj . Po qesharake do ta ktheni kauzën e luftës kundër korrupsionit?! Teatra do bëni,  o shtet, o polici, o prokurorë e gjyqtarë, o ministra, o qeveri, o opozite, o lesh me qime.  Jo kështu jo vetëm që nuk luftohet korrupsioni por kështu stimulohet korrupsioni i atyre që nëpër duar nuk kalojnë para sa për një birrë, dy qofte e një panine pogradeci por me miliona e jo para, por euro-dollarë. Janë 300 çeshtje-dosje  korruptive ku përfshihen edhe nënpunës të lartë të shtetit që prokuroria shqiptare i ka mbyllur sepse bosat e korrupsionit i ka lali xhan.  Po si nuk u arrestua ta zëmë një deputet, a ministër a ish ministër, a nënpunës i lartë, flasim per kapot pra.  Dhe ja me një Modus Vivedi, një konsensus në mes të hallkave për një shou mediatik, dhe çeshtja u zgjidh, një arrestim në Pogradec i një gjyqtar-qyqari që edhe në kohë të gjykimit niste e meditonte( turbulluar fare)  për ca vargje të rimuara, për fjali pa folje,  për ca dashuriçka fshati, për ca zogj pa fole, ndaj dhe i turbulluar fare ra në grackën e vogël që i kishin ngritur duke i vënë përballë një zonjë që të turbullohej akoma ma mirë si Khajam i dehur.  I kishte harruar poet- gjyqtar-qyqari fjalët e Shekspirit, se “shfaqja është gracka ku shpirti i mbretit zihet si laraska”.  
Natyrish ai dënimin e meriton  plotësisht, por, nuk e bën dot kurrë shëmbëllesen Krishtit edhe pse është orthodoks gjyqtar-qyqar-poeti.
 Krishti  kur shkoi e u gozhdua në kryq( jemi dhë ne prag Pashke de) mori mbi shpatulla tërë fajet e mëkatet e njerëzimit, mirëpo nuk mendojne se ky Dhimitër Pojanaku, megjithë dëshirën e madhe të kastave të politikës dhe shtetit (ky Ponc Pilat modern thuaj), mund te na jap pra një shfaqje kësisoji,  madje as edhe në plan grotesk të sakrifikimit për të tjerë si lloji i vet me togën e gjyqtarëve.
I ka shpatullat fort të vogla gjyqtar-qyqar-poeti ndaj nuk i merr dot përsipër tërë fajet e mëkatet e banditëve në shtet e pushtet, në politikë e në çdo hallkë të këtij kaosi ku jetojmë, në këtë papunësi gjigande dhe korrupsion që e ka kthyer këtë shtet në gërmadhë e rrumpallë,  pra nuk është e mundur të sakrifikohet ai për të mbuluar e humbur gjurmët tërë banda e hajdutëve që na kanë drejtuar e poshtruar prej një çerek shekulli pa ju hyr ferr në këmbë.
Populli do në bankën e të akuzuarve bosat e korrupsionit në shtet, pushtet e politikë e jo minjtë vegjël të vrimave, që rendin pas thërrimeve që lë sofra e madhe e korrupsionit politik e institucional shqiptar.
Gazeta "SOT", 18 prill 2014 f.16
NEXT-------> DEMOKRACIA E RRUMPALLES:
http://traboini1.blogspot.com/2014/04/demokracia-e-rrumpalles-nga-kolec.html