Po se mos është vetëm Lazarati. Mirë thonë, më mirë të dalë syri se nami. Kudo mbillet Kanabisi dhe nuk ka aq polic Shqipëria sa ta ndalojë mbjelljen e trafikimin e saj. Edhe sikur tërë policia e Italisë të vijë këtu për ndihmë, prap e njëjta gjë do të ndodh sepse njerëzit nuk kanë asnjë alternativë tjetër për të mbijetuar.
Nga Kolec TRABOINI
Dje ishte diktaturë me plot kuptimin e fjalës,
sot emrohet demokraci në minimumin e kuptimit të fjalës, dje ka qënë diktatura
e Proletariatit, kulti i një personi dhe një partie, sot është diktatura e
Mafias politike, e bosave e VIP-ave e parasë, ndërkohë që populli del nga breshëri
e hyn në shi. Në çdo hap që hedh
shqiptari në këtë mëmëdhe të raskapitur paguan taksa që të mbajë mbi
zverrk ata që as nuk e çajnë kokën për të, ata që ja kanë shaluar sovranit( se
kështu i thonë e i përkedhelin sedren
sovran fakir fukarait popull), të cilit, sos varfëria e papunësia por edhe
ushqimet jetike u taksohen deri në 20 përqind, kur amerikanët anipse në një
standart të lartë jetese nuk paguajnë asnjë cent në tregun e ushqimeve.
Demagogjia në Shqipëri është në kulm, gënjeshtra
në stil, mashtrimi metodë pune, korrupsioni një normalitet, padrejtësia një
legjimitet, gjyqësia një mjet për të mbushur xhepat e gjyqtarëve që ua a marrin
qyqarëve. Flitet për shumçka në Media por
vetëm për punë nuk flitet. Janë duke u punësuar ca zyrtarë si nënpunës të
zyrave të punës që të presin, të regjistrojnë e nëse ke mbaruar Universitetin të
këshillojnë të futesh në ndonjë kurs për marangoz. Vetëm fasonet shkelqejnë(
krahu i punës i botës së tretë), për të kujdeset shteti, pushteti, politika,
pozita e opozita e nëpër gojë flitet se bosi i tërë fasoneve është një figurë e
madhe e politikës, por shët!!!, mos e zër në gojë të thonë. Mos folë, të këshillojnë,
sepse këta bosët e sotëm i kanë tentakulat e gjata dhe këshilluesit, nuk mungojnë të kujtojnë me gjysëm zëri Kostë
Trebickën dhe Sokol Olldashin. Papunësia
ndërkohë është bërë fataliteti në jetën e këtij populli, por politika nuk po
ndjehet fare sepse dihet që në këtë Zulullandin tonë nuk ka kalorës që ja qan
hallin këmbësorit.
Qeverisja e re plot ambicje por me halle,
opozita bën trazovaçin duke i fut shkopinj nën rrota, nuk ka punë tjetër opozita
veç të përgjojë e përgojojë telefonat e kryeministrit e të ministrit të brëndshëm.Turpi
i botës. Shtet rrumpallë. Ta deklaron
tjetri në Parlament mesazhin telefonik
personal që i ke dërguar vartësit, a mikut e shokut, a gruas, a të
dashurës a dreqit e te birit dhe gjëmb në këmbë nuk i hyn. Se është deputet
tjetri, e deputetët mund të bëjnë çfarë të duan në këtë vend dhe nuk pyesin për
ligjin, se ligjet, or babam, janë bërë nga
hajdutët e mëdhenj për hajdutët e vegjël, për fakirët e varfër që për të nxjerr
bukën e gojës e janë katandisur të merren madje edhe me kanabis duke rrezikuar
jetën dhe lirin e vet. Po u mbushën dhe burgjet de...Ku ti çojnë këta fakirë
fukarenj? Sos vend për varre nuk kemi por tani nuk kemi as ndërtesa për burgje.
Na ndihmo moj Europë. Europa e lodhur me korrupsionin e OJQ-ve, ka nis të
mbledh dorën se edhe milionat e eurove që dhanë për romët i fshiu e i përfshiu
ekipi i ish ministrit Ksera, që edhe atyre rrufjanëve ferr në këmbe nuk po i
hyn. Po kur nuk u dënuan ata të bombës atomike të Gërdecit me Mediun në krye, ç’ne mua me ca miliona, ja logjika e një ish
ministri dhe qehajajve të tij që kanë ikur prej Shqipërie e kush e di ku
ndodhen tashmë duke ngrënë milionat e vjedhur.
Po drejtësia çfarë bën. Përse i paguan populli
gjithë këto zabitë prokurorë e gjykatës. Mirë që nuk kanë turp e janë bërë lëvere në sy
të botës, po këta nuk kanë as frikë. Pa le edhe kur i mbrojnë që nga kupola e
shtetit e thonë mos i prekni gjyqtarët. Çfarë po ndodh në këtë vend. Si është e
mundur që nga 300 nënpunës të lartë të korruptuar
apo shkelës të ligjit në mosdeklarimin e pasurive, prokuroria ua mbyll dosjet,
ndërkohë që ca fakir të vegjël që kanë vjedhur ndonjë pulë gjëkundi i ndjek dhe
u vënë prangat e dënimin ua japin të rreptë. Kështu janë punët sot në këtë mëmëdheun
tonë që e prishën dhe e shprishen dallkaukët. E ankohen pastaj se Lazarati po
ua prish biografinë shqiptarëve se na mbillkan kanabis. Po pse o njerëz, çfarë
do të bëjë Lazarati, të rrijë me duar drejtuar qiellit e të vdesin urije. A mos
vall i shkuan popullit të Lazaratit e u
premtuan që të mos mbjellin më kanabis sepse do tu ndërtojnë një fabrikë të
madhe ku të punësohen të gjithë e kësisoj të rrojnë për së mbari, që edhe
policia të mos lëshohet lart e poshtë për të kërkuar trafikantët e kanabisit se
u telekos e shkreta.
Po se mos është vetëm Lazarati. Mirë thonë, më
mirë të dalë syri se nami. Kudo mbillet
Kanabisi dhe nuk ka aq polic Shqipëria sa ta ndalojë mbjelljen e trafikimin e
saj. Edhe sikur tërë policia e Italisë të vijë këtu për ndihmë, prap e njëjta
gjë do të ndodh sepse njerëzit nuk kanë asnjë alternativë tjetër për të
mbijetuar.
Sa i përket sigurisë duhet thënë se më parë në
monizëm ishte frika nga sistemi, nga sigurimi nga Gazi 69, pushkatimi pa varr, nga
spiuni që të shfaqej si shok e si mik, ndërsa sot nuk e di nga të vjen frika sepse
ajo është kudo e në çdo send, edhe në ajrin që marrin. Dua të kujtoj, kur
flitet për punën e sigurisë e të pasigurisë në sistemet e diktaturave, se ajo çfarë ka ngjarë në Permet ca vite të
shkuara( tipike për demokracinë e djajve që kemi ndërtuar në Shqipëri), çka nuk
mund të ndodh në asnjë diktaturë të botës.
Të vijë tjetri në shtëpi e ti thotë babait kam ardhur ta marr vajzën se do ta çoj prostitutë
në Itali. E meqë babai nuk e lejoi ai horri nxorri pistoletën dhe ja rrasi në
gjoks duke e lënë babain të vdekur në prak të shtëpisë së vet e në sy të së
bijes. Demokracia jonë ndërkohë i jep shansin viktimës të ketë një varr... Po
kujt i duhet varri përpara jetës së humbur. Pale, pale, më nuk flitet as nga
Media, as nga shteti, as nga deputetët, as nga pozita e opozita për ato mijra
vajza e gra shqiptare prostituta në Itali e qytete të tjera europiane, por ato aty janë, aty e tregtojnë trupin e tyre
për turpin e këtij mjerimi me emrin Mëmëdhe.
Dhe ky Lazarati, që e tregojnë me gisht si gjëmë shqiptare, të paktën për mua, nuk është kurrgjë përpara trafikimit të qënieve njerëzore sikur të ishim në kohët e errta të skllavërisë. Por
europianëve u pelqen mishi i bardhë i shqiptarkave(edhe moldaveve sigurisht) tregtuar nën semaforët e Romës,
Milanos, Triestes, Londrës dhe nuk u duhet prishur oreksi me kritika gazetash
apo reportazhe televizive - kjo është, mesa duket, mëndësia e këtyre palo politikanëve që kemi mbjellur
në kazanë e Tiranës, por që është shumë herë më i dëmshëm për shëndetin e shtetit dhe dinjitetin e
shqiptarëve se sa kanabisi i Lazaratit.
Më thoni tani me logjikë e pa pasione të sëmura
pro e anti, në cilin shtet tjetër europian ndodh kjo rrumpallë e katraurë përveç në këtë demokracinë tonë korruptive që
kemi ndërtuar kaq ligsht.
Diktatura e madhe u metamorfua në diktaturen e
vogël e të përditëshme me të cilat përplasemi në çdo hap që hedhim. Kishim një
e tani na u bënë me qindra e qindra diktatorucë. Pa harruar tritolin që të dërgon
ekspres në parajsë a në ferr, kush po e di. Ajo që e dimë mirë është se për një prestigj falls në sy të botës, detyrimisht duhet të
pohojmë se jemi të lumtur me shkakun se
“lamë borë e gjetëm shi”, anipse kjo demokraci mutsihane vjen erë e keqe e kundërbon, mo Zot
ma keq.
© k.p. traboini
14 prill 2014
14 prill 2014
NEXT: HËNA VERDHANE E BEN BLUSHITNë këtë link:
http://traboini1.blogspot.com/2014/04/hena-verdhane-e-ben-blushit-nga-kolec.html