26 April 2014

Qitapet e Qatipët e demokracisë- nga Kolec Traboini



QITAPËT E QATIPËT E DEMOKRACISË
(Vazhdimi i shkrimit “Hëna verdhane e Ben Blushit” tashmë në festivalin merre-lëre të librave)

Nga KOLEC TRABOINI

Në festivalin e merre-lëre të librave në Tiranë, ku do të jepet çmimi i ri në fshat të vjetër “A. Klosi”, që ditën e parë u vu re se një libër, anipse pak më shumë se 100 faqe, që po sillej si ato mallrat që i lëvizin nëpër porte me elektrokarro.
Se vërtet ishin barrë e rëndë ato mijëra libra të bëra dëng e me të njëjtin emër “Hëna e Shqipërisë” kur në të vërtetë në kopertinë nuk duket askund Shqipëria, por fytyra plot shkëlqim e mirëqënie e deputetit të partisë në pushtet Ben Blushi. Një marramendje kjo kur shkrimtarët, sado të mira t’i kenë veprat e tyre, nuk pretendojnë të shesin më shumë se dhjetë libra e jo më t’i transportojnë me vinça. Llogaria është bërë që botuesi i Hënës së verdheme të Ben Blushit të nxjerrë fitime financiare, por edhe politike. Henri Çili, sejmeni i përunjur i kryeministrit të djeshëm, boton e pompon librin e deputetit socialist Ben Blushi, kësisoj kemi aleancat e atyre që ndërrojnë kolltukët e bëjnë sikur janë kundërshtarë veç për të ndërsyer popullin.
Ndërkohë autori bashkë me fitimin ka edhe një show mediatik për t’ia patur zili edhe nobelistët. Kësisoj fryrje tollumbacore kemi parë në kohën e veprave të Enver Hoxhës, por më pas përsëritur hareshëm nga beniaminët e politikës. Ndaj sapo pashë ngarkesën si në hapësirat portuale të Durrësit më shkoi mendje tek vepra “Shënime për Lindjen e Mesme”, ku diktatori kishte shkruar edhe një kapitull të madh për konfliktet fetare, konflikte të cilat tani i analizon deputeti Ben Blushi në terrenin shqiptar.
Sa bukur dinë t’i bëjnë punët qatipët e politikës mendova. Shkruajnë dhe qitape dhe është e detyruar ta lexojë tërë kazaja. Jemi a nuk jemi ende në kohën e qoftëlargut?
Shembujt që sjell Ben Blushi në libërthin e tij janë mbresa filmash(“në Shqipëri lulet i hanë gomerët”) apo informacione të vonuara mbi incidentet në Mexhlisin e perandorisë osmane, referenca me të cilat merren historianët, osmanologët e jo ata që flasin në emër të sovranit për punët e hallet që ka sot Shqipëria, çfarë të bën të mendosh se ende ka njerëz që shkruajnë me mendësinë e qatipit e të qitapit. Pra duke sjellë ca thënie a episode parashekullore e duke i aktualizuar si në kohën e mereqepit, sikur për 100 vjet të kishim mbetur aty ku kemi qenë e asgjë nuk ka lëvizur në mentalitetin e shqiptarit.
Në parlamentin turk vërtet kanë ndodhur kësisoj ndeshjesh e grindjesh  siç citon Beni në libërthin e vet, sepse kanë qenë edhe në perandori forca politike kundërshtare. Ka pasë opozitë edhe në Mexhlisin otoman.  Ismail Qemalin nuk e kanë rrahur vençe si të rrahin (apo vrasin sot)  por i nxehur Dervish beu nga Serezi i Maqedonisë, i ra me shpullë Ismail Qemalit. Hasan Prishtinës i erdhi aq keq, saqë i kërkoi dyluftim deputetit të Maqedonisë. Mirëpo, ndërhyri Ismail Qemali:Biro! Ti i duhesh Shqipërisë” kështu thotë historia për duelin që nuk u bë kurrë. Kësisoj  autori i Hënës rrënuese nuk ka asgjë të re në shembujt që sjell. Ka një libër Hasan Prishtina botuar këtu afro 93 vjet, në vitin 1921,  "Shkurtim kujtimesh për kryengritjet e vitit 1912" që tregojnë shkaqet e kryengritjes që sollën pavarësinë e jo për ca grindje në mexhlisin turk ku na paska vepruar inati personal më shumë se ndjesia kombëtare.
Se ku po shkojmë, pyetja që e rrënqeth deputetin e Elbasanit (anipse nga babai është prej Korçe) me rezidencë në Tiranë, Ben Blushin, në fakt duhet populli të pyesë parlamentarët e jo të pyesë deputeti popullin. Këtu në Shqipëri dëgjon mrekullira me Nastradin. Ky deputet me listë, kur u sajua gurguleja me kimikatet e Sirisë, doli në publik në nahi të Elbasanit si një adoleshent e tha se unë jam kundra nëse qeveria merr një vendim të tillë, sikur të mos kishte forume partia e tij, doli pra përkrah të pizmosurve me frymë antiamerikane, sikur Amerika do të hidhte bomba kimike në Shqipëri. Në fakt u përzie me mediokritetin e turmës thjesht për t’i bërë  karshillëk Edi Ramës. Në të vërtetë këtë lojë antiramë e bëri  me koshiencë sepse dëshiron të vijë në krye, mirëpo i ka të gjitha gjasat që në zgjedhjet e ardhshme jo të ngjitet më lart por të mos jetë as deputet e kjo e tmerron autorin e librin “Hëna e Shqipërisë”.
Ajo çfarë e intrigon Ben Blushin, deputetin e partisë në pushtet, është mendësia e shqiptarëve të cilët i sheh nga maja e Pikaloit. I duken të vegjël, i duken mizantropë, i duken injorantë nga ata që i japin të hajë gomarit lule, kryekrejet i sheh shqiptarët si një specie në zhdukje me ca llogari fantazore se të varfërit zhduken duke mos u riprodhuar, ndërsa të pasurit mbijetojnë e Shqipëria shkon në një milion e gjysëm e asnjë çik më tepër. Kështu thotë Ben Blushi duke na bërë mësime maltiusiane, pse jo edhe neomarksiste që kapitalizmi i bën varrin vetes.
Në aspektin tjetër se si janë shqiptarët e kanë thënë udhëtarët e ndryshëm që në kohën e Skënderbeut e më pas Mevla Çelebiu e nuk ka mbetur ta shkokolisë a ta kullandrisë këtë muhabet Ben Blushi që ngroh vezët në parlament. Nuk është asgjë e re edhe kjo. Por në një shtet provincial si Shqipëria çdo person publik kur flet e konsideron se kjo është hera e parë që shtrohet e zgjidhet një çështje. Ai e vetëm ai është i pari dhe i fundit. Duke e parë këtë mani, tashmë në modë në Tiranë,  kam qenë e mbetem kundër beniaminëve të politikës që i përkëdhelin sedrën vetes, shkruajnë ca përsiatje për dy muaj dhe ja libri, shoqëruar me kokorisje.
Po le të shkojmë më përtej faqeve të libërthit, Hëna e gremisur, mos vallë e pamë deputet Benin të thojë një fjalë të vetme në parlament? Përse është Parlamenti, për sojllitë ëndrrimtarë apo njerëz praktikë që zgjidhin probleme. Nëse merr paratë e popullit, shpërbleja me mund e sakrificë këtij populli, fol në emër të interesave të tij e mos rri nën hije. Të qëndruarit në hije e dalja me ca libërtha për t’i shitur e bërë bujë dhe për fituar para del në prioritet, kësisoj  meqënëse Median e kanë në dorë e vërtisin si topsheqeri, gjejnë frymën e mirëkuptimit, të interesit  dhe kështu puqen sejmenët e kryeqeveritarit të djeshëm me deputetin e partisë në pushtet. Për këtë nuk flet as Beni e as askush. Edhe Media hesht për këtë.
Nuk kundërshtojmë faktin se ka një mentalitet turqeli në administratën shqiptare, por është në zero influencë kushdo që mendon se i di të gjitha, i jep mend njerëzve ndërkohë nuk e lozin as qimen për të ndryshuar gjendjen. Këtij vendi nuk i bëjnë punë as teorizimet e as llafeeollogjitë, por prakticiteti, anzhazhimi qytetar për t’i lëvizur gjërat në kahjen e duhur. Llafet le t’ua lënë atyre që kanë veç çelësat e kashtës. Ben Blush- deputeti, duhet të lëvizë, të flasë atje ku është për të folur, sepse për atë e paguan populli si deputet. Deputeti Ben Blushi në Kuvend hesht, e heshtja e tij  është irrituese më shumë sesa llomotitjet e opozitës e cila mesa po shihet ka arritur ta stepë pozitën apo më e keqja, ka gjetur mirëkuptimin e saj për të mos u dënuar për veprimet shkatërrimtare e vjedhjet spektakolare që i është bërë shtetit shqiptar nga kastat e politikës.  E në këtë pozitë  anemike është edhe Ben Blushi me qitapët e tij.
Guzhina universitare e Çilit del e jep njoftimin se janë shitur deri më tani 3000 kopje të librit me përçartje “Hëna....” e Blushit. Guzhina po guxhinë, por do të këshilloja lexuesit të mos nguten të blejnë të tillë libra politikanësh me prognoza mjerane, të cilët edhe vetë si politikanë-autorë veprojnë si personazhe letrare, ta zëmë Obllomovi me papuçet e tij që nuk doli e nuk doli kurrë deri tek dera e oborrit. Lërini pra të bëhen stok me qitapë e me qatipë e asesi të mos ndihmoni të dhjamoset politika që nuk bën asgjë tjetër veç ushqehet me djersën e popullit dhe ngroh vezët e veta në parlament. Dhe kësisoj, njerëzit që janë në pikë të hallit të detyrohen të paguajnë dyfish, edhe për qitapin, edhe për qatipin, s’e dinë si t’i molloisin punët e veta qafirët e demokracisë. Në mbyllje do të thosha se këta politiko-shkrimtarë që janë bërë një tufë tashmë e pompohen llahtarshëm nga Media,  po shfaqen gjithnjë e më shumë  tipikë si “Çabytha” personazhi i romanit ironik i sapobotuar i shkrimtarit Agim Gjakova “Rrëfimet”. Sukses i padyshimtë i demokracisë edhe ky, që personalitetet politike në Tiranë kanë ambicjen e shfrenuar Orwelliane, t’ju ngjajnë personazheve groteske në Prishtinë.