17 May 2014

Vasil Josif Pani- ne krye të taborit të shqiptarizmes- nga K.Traboini

Josif Pani me të birin Vasilin


VASIL JOSIF PANI
"Kurdoherë në krye të taborit të shqiptarizmës"  - F. Noli

Nga KOLEC TRABOINI

Kur vinte për në Amerikë, Vasil Pani nga Dardha e Korçës ku edhe kish lindur në vitin 1895, ai ishte vetëm 12 vjeç. Ishte viti 1907 kur ky shqiptar i vogël kapërceu Atllantikun bashke me të atin, patriotin e mirënjohur dhe publicistin Josif Pani.
Ndonëse në moshë të re, ai menjëherë iu afrua lëvizjes kombëtare. Në gazetën “Dielli”, më 26. 11. 1911, për të shkruhet: “Vasil Pani, djaloshi 15 vjeçar, dha ndihmë 1 dollar,… veprimi i patriotit të ri u prit me duartrokitje të gjata” (shënojmë se 1 dollar në atë kohë vlente sa 50 dollarë sot). Ndërsa, disa ditë më pas, po në "Dielli” do të shkruhej letra që Vasil Pani i dërgonte gazetës: “Që kur këndova tek “Dielli” se shoqëria “Besa-Besë” kërkon ndihmë për Shkollën Normale, dëshirova edhe unë të marr pjesë në këtë punë patriotike, që vëllezërit e mi, djalëria shqiptare, të mësojnë dhe të ndriten. Pesësh me pesësh, mblodha 1 dollar dhe ja ku po jua dërgoj që ta shtoni në ndihmat e tjera. Rroftë Shqipëria”. Ne i përgjigjemi, shkruan gazeta, “Rroftë ky djalë shqiptar me ndjenja kaq të bukura dhe gjet’të shokë shumë.”.
Në vitin 1912, bashkë me disa shokë, shkoi vullnetar në Shqipëri, në luftë kundër grekëve dhe disa turmave shqiptare që luftonin kundër vendit të tyre. Bashkë me Themistokli Gërmenjin dhe forcat e tij, Vasili luftoi me armë në dorë kundër armiqve të Shqipërisë. Në vitin 1914 kthehet në Amerikë dhe vendoset në Boston duke marrë pjesë aktive në veprimtarinë e “Vatrës” në fillim si arkëtar i komisionit dhe më pas sekretar. Në periudhën 1929 – 1947, ai i e udhëhoqi Federatën Pan shqiptare “Vatra” për rreth 16 vjet si kryetar i saj.
Tërë jetën e tij prej patrioti të kulluar, Vasil Pani ka çmuar më tepër se çdo gjë pasurinë morale që vjen nga miqësia dhe vllazërimi mes shqiptarëve. Duke parë këto virtyte, kur u hap fushata për të ndihmuar shqiptarët e dëmtuar nga tërmeti në Shqipëri më 1931, Vasilin e zgjodhën arkëtar të përgjithshëm.Vite me radhë ka qenë edhe kryetar i shoqatës dardhare “Mbleta”në Amerikë, e cila dha ndihma për fshatin duke ndërtuar në Dardhë një shkollë model.
 Vasili kishte trashëguar nga i ati dhuntinë e të shkruarit, prandaj e shohim në kolonat e shtypit të kohës edhe si publiçist dhe autor i mjaft artikujve. Në një prej artikujve të tij botuar pas kthimit nga Atdheu, më 29 maj 1936, Vasil Pani shkruante:
“Qeveritarët tanë që vijnë nëpër pozita të larta, lipset të zgjidhin sa më parë çështjen e rojtjes së popullit, sepse ndryshe, këtë popull kaq të urtë do ta zemërojnë dhe kur zemërohet populli shqiptar, ki mendjen!”. Këto mësime janë të mënçura dhe aktuale edhe sot e kësaj dite për qeveritarët shqiptarë.
Një miqësi e ngushtë e lidhte atë me Faik Konicën i cili, shkruan gazeta “Dielli”, e kishte bërë si shtëpinë e tij Court-Hause-Lanc, siç quhej në atë kohë restoranti i Vasilit në East, Cambridge Mass. Gazeta shkon më tej duke shkruar se ky restorant kishte marrë vlerat e një Instituti Kombëtar, se aty, kushedi sa herë ishte biseduar për fatin e lëvizjes kombëtare dhe fatin e Shqipërisë. E thënë më thjeshtë, restoranti i Vasil Panit ishte një udhëkryq ku piqeshin udhët e tërë vatranëve.
 Ka një vlerësim të madh të punës dhe veprës së tij patriotike në shtypin bashkëkohës të Diasporës Shqiptare në Amerikë. Në shtator 1936, në gazetën “Dielli” shkruhej se “për zotin Vasil Pani ka qenë një fe mbi të cilën është falur që në kohën që erdhi në moshë për të kuptuar. Dëshira dhe ambicjet e Vasil Panit kanë qenë “t’i shërbejë atdheut, të bëjë sakrifica, dhe të qënurit gati për të mbrojtur çështjen Shqiptare”.
Në një artikull të tij, autori Shefqet Bënça, më 26 shkurt 1937, në “Dielli” shkruante midis të tjerash se zoti Vasil Pani njihej prej vatranëve si “një njeri i urtë, i kuptuar, serioz dhe shqiptar i rrallë e burrë me karakter të fortë… për cilësitë e rralla që ka, nderohet dhe adhurohet prej të gjithë atyre që e njohin. Shërbimet e vyera që ka bërë për shoqërinë “Vatra” - vazhdon autori - do të jenë një kujtim i paharruar në zemrat e vatranëve me sedër dhe ndjenjë kombëtare të vërtetë.
Këto shkrime dhe vlerësime u bënë që në të gjallë të Vasil Panit, i cili kishte arritur të bëhej figura qëndrore e “Vatrës” dhe një organizator i rrallë i komunitetit shqiptar të Amerikës.
Vdekja e tij krejt e papritur, më 11 dhjetor 1947, shkaktoi një dhimbje të madhe tek të gjithë anëtarët e “Vatrës”, shokët dhe miqtë e shumtë. Vdekja e tij krijoi një plagë të madhe tek familja dhe fëmijët e tij atje larg në Shqipërinë mëmë.
 Në gazetën “Dielli” më 12 dhjetor 1947, gjejmë konsideratat më të larta për figurën e kryetarit të Federatës Panshqiptare “Vatra” e cila, thuhet në një artikull, po të mos kish qënë Vasil Pani mund të kishte vdekur me kohë. Këtë e thonë miqtë e Vasilit dhe e pranojnë kundërshtarët e “Vatrës.”
Ndërsa 2 ditë më pas, në të do të shkruhej për Vasil Panin si “luftëtar i lirisë, njeri i urtë e i matur, njeri pa ambicje personale, njeriu që ia kishte dedikuar jetën e vet çështjes shqiptare dhe “Vatrës”.
Në tërë jetën tonë, nënvizon gazeta “Dielli”, s’kemi takuar ndonjë njeri më të urtë dhe me gjykim natyral si Vasil Pani, çdo gjë e zgjidhnim me urtësi dhe vllazërisht.
Vend të veçantë ze dhe vlerësimi i Fan Nolit, i cili më 14 dhjetor 1947, në kishën e Shën Gjergjit, ditën e varrimit të këtij patrioti të madh, midis të tjerash tha: “Vasil Pani kish qëndruar kurdoherë në krye të taborrit të shqiptarizmës, kurdoherë i pari në kishën kombëtare që në krijimin e saj si dhe në Vatrën... Nuk e fitoi shqiptarizmën si shumë nga neve, këtu në Amerikë. Vasili e trashëgoi nga babai, i ndjeri Josif Pani. Vasil Pani, që kur u njoh me Faik Konicën u bë miku i tij besnik deri në fund” - deklaroi imzot Noli, - shkruante “Dielli” në numrin e 24 dhjetorit 1947. Vetëm pak muaj më pas, më 7 Prill 1948, po kjo gazetë boton fjalën që mbajti Fan S.Noli në meshën memoriale të 28 Marsit, ku e tërë jeta e këtij patrioti të flaktë sintetizohet në tre cilësi themelore: Vasil Pani patriot, besnik, shpirtmirë. Vasil Pani, deklaroi Noli, ka qënë tërë jetën nga të parët në fushën patriotike. Patriotizmin, Vasili e trashëgoi nga i ati, i ndjeri Josif Pani, dhe këtë trashëgim ai e vazhdoi deri sa dha shpirt. Përveç patriotizmës, Vasili kishte një virtyt tjetër shumë të rallë, virtytin e besnikërisë. Vasili, tek miqtë shihte vetëm anët dhe cilësitë e mira. Vasil Pani, shtoi Noli, ishte shumë shpirtmirë, kurdoherë mendja e Vasilit, nuk pengohej nëpër shkretirat e keq bërjes dhe ligësitë.
Në gazetën “Dielli” gjenden dhe vlerësimet e individëve të ndryshëm si Xhimi Keko, Hulusi Kavo e Petraq Kolonja. Në vitin 1992, Vasil Pani është dekoruar për veprimtari patriotike.