Nga KOLEC TRABOINI
Dhora Leka (1923-2006) |
Nuk i besoj çdo lajmi bombë që hedhin gazetat në mënyrë të paprinciptë.
- Së pari se është e vdekur Dhora Leka e nuk mund ti kthehet kufoma përmbys pa patur një shpirt kriminal si reminishence e diktaturës.
- Së dyti nuk është e moralshme që të merremi me një të vdekur, femër kjo, kur ne i kemi patur edhe ministrat burra agjentë e spiun sigurimi të fëlliqur dhe i kemi toleruar; mbushur partitë, qeveritë e parlamenti me burra spiunë për 23 vjet.
- Së treti nuk mund të përdoret fatkeqësia e tjetrit si savalxhente që të marrim një Nobel (turpi në këtë rast).
- Së katerti: kaq halle kemi si popull sa kush po e çan me nderën për kësisoj zbulimesh që janë të gjitha të porositura. Veç një naiv e beson se u gjet rastësisht në një libër njëfarë letre sekrete( që mund të jetë edhe e sajuar) nga një gazetare( pika kësaj lloj gazetarie), sikur nuk e dimë se si ka punuar skenari për të ardhur deri këtu.
- Së pesti e gjithë kjo ishte një fëlliqësirë dhe asgjë tjetër. Sikur edhe e vërtetë të ketë qënë kur nuk po hapen dosjet për të gjithë burrërinë spiunore, pse merremi me cironka. Kë do ngopim me këto?Kush e bëri porosine? Kujt i intereson roli i viktimës?!
- Së gjashti shoqëria shqiptare është kthyer si një i dehur që bredh lokal në lokal, tap topi dhe ku pijeshitës janë gazetarucët që u shërbejnë deri në lapërdhosje politikës së interesave dhe interesave të politikës.
- Së shtati - një shtyp me dinjitet nuk merret me autopsitë e kufomave sepse faqet e saj nuk janë pavione morgu por institucion ku duhet ti shërbehet jetës.
- Se teti, kaq shumë po hedhin gurë këta njerez të ndërkyer a thua se asnjë prej tyre nuk ka bërë ndonjëherë ndonjëmekat?!
Mëkatet në Shqiperi i bëkan vetëm gratë, Mari Madalenat, ndërsa Judat fërkojnë duart në prapaskenë.Hosanna Baraba!
Poezi nga DHORA LEKA ( 1923-2006)
MALLI MË KA MARRË
-Për Diellin malli më ka marrë
Edhe për Hënën dritëzbehtë
Sa koh’ u bë që s’i kam parë
Sa koh’ u bë që unë jam vetë!
Edhe për malet mall’ un’ kam,
Për lumn’ e fushn’ e detn’ e gjerë,
Për lulet, pemët, gjith sa jan,
Të lulëzuar në kët’ pranverë!
Për këngën malli më ka marrë,
T’ia them me zjarr si një herë,
Herë me gaz, herë me të qarë,
Ashtu si zemra ma ka ndjerë!
Edhe për ty, sa mall un’ kam
Të t’shoh, të puth, të ledhatoj,
Por ti e di q’e ndrydhur jam:
E s’kam ç’të bëj, veç të ëndërroj.
Dhora Leka
(Izolim Burgu i Vjetër/ Prill 1958)