KUR NJERKA SHKON NË BALLO
-Një ditë tragjike e keqpërdorur si festë-
Nga KOLEC TRABOINI
Në Pallatin e Kongreseve
më 20 maj ditën e jetimeve, disa shoqata dhe fondacione të huaja,
transparencën e qëllimet e të cilave nuk i kemi fort të qarta, organizuan një
festim në të cilën u shfaqën në paradë drejtuesit më të lartë të shtetit, duke
përfshirë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit e kuptohet se gjithë vargani i
qeveritarëve do t’u vinte pas. Për çudinë tonë të madhe nuk mungoi edhe
ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu.
Duke qënë shpirtërisht e realisht i lidhur me kategorinë e
këtyre fëmijëve që fatkeqesia i ka goditur që në vegjëli, nuk mund të jem
indiferent e të hiqem në një anë e të mos shpreh indinjatën time kur shoh këtë
spekullim publik me jetimët. Them kështu sepse jam i bindur se cilindo nga
pjesmarrësit apo edhe organizatorët po t’i pyesësh se çfarë shpreh kjo datë, si
u caktua si ditë jetimësh e për çfarë shkaku, asnjë prej tyre, duke përfshirë
dhe ambasadorin amerikan nuk do të dinte të përgjigjej. Kjo ndodh sepse në të
tilla tubime rroftë sebepi për t’u dukur, të tjerat nuk kanë rëndësi. Mjerë
jetimët tek kush i kane varur shpresat!
Në sfondin e skenës qe shkruar me gërma kapitale
marramëndese “Festojnë jetimët”. Po cilët jetimë festonin? Ku ishin jetimët apo
konsiderohen jetimë gjitha ata burra e gra, nënpunësa hijerëndë, zyrtarë, rrogtarë
thuaj, ajo tufë bodyguardësh që mbushën
sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve.
Gjithçka për t’u dukur. Ishte e
njëjta skenë groteske si dy vjet më parë, por atëbotë situatën në dore e kishte
Jozefina Topalli, me po ato shoqata e drejtues komikë, të cilëve një emision “Fiks fare” ua nxorri
kallajin publikisht. Sepse ishin mbledhur të gjithë nxënësit e shkollave të
Tiranës e asnjë jetim nuk gjëndej në sallë. Tani që kalit të pushtetit ja kanë
shaluar të tjerë purpurantë, mjerisht shohim të njëjtin koncept, të njëjtën
eufori e paradë pushtetarësh.
Konstatojmë se kauza e fëmijëve jetimë kësisoj është veç një
fasadë, për të mos thënë akoma më keq një spekullim i turpshëm, sepse kjo
shoqëri hipokrite gjithçka e shfrytëzon deri dhe fatkeqësitë njerëzore. Dhe kësisoj në ekranin televiziv pamë kryeministrin, kryetarin e kuvendit, por
edhe ambasadorin amerikan, dhe kur këta burra të mëdhenj festojnë, pse të mos
gëzojnë fëmijët jetimë? Madje duan apo nuk duan jetimët shqiptarë detyrimisht
duhet të jenë të lumtur e të gëzojnë,
madje t’u bien tam-tameve. Reminishencë e gjallë kjo e kohës së
diktaturës me një glorifikim të neveritshëm.
Ndërkohë nëpër rrugët kryesore të Tiranës dalin e mbledhin
ndihma ndër qytetarë me dhjetra grupe të shoqatave fantazmë që i fusin paratë
në xhepat e vet, sepse kur i pyet se të kujt shoqate jeni, a keni një adresë, a
telefon ata ngrejnë supet dhe të shohin vëngër sikur po u prek në privatësinë e
interesat e biznesit të tyre.
Kështu bëhet tabloja e një realiteti më glorioz. Brenda e
jashtë Pallatit të Kongreseve të gjithë e gjithçka për jetimët. Çfarë
mashtrimi! A më mirë të themi çfarë vetëmashtrimi social e politik. A thua nuk e dinë këta njerëz, pushtetarë a
ambasadorë qofshin, se jetimët në Shqipëri janë në pikë të hallit. Përralla në
Pallat të Kongreseve do të na tregojnë?
Nuk është fjala për
ata në jetimoret, por për ata që pas jetimores nisin kalvarin e vuajtjeve,
sepse nuk gjejnë dot një strehë, janë të papunë dhe u duhet të rrojnë veç me
tre mijë lekë në muaj, pra diç më pak se një dollar në ditë.
E megjithatë, të mbetur pa strehë, pa ushqim e veshmbathje,
të mbetur madje për shkak të varfërisë edhe të pamartuar. Por edhe të martuar
qofshin, me fëmijë nëpër geto, u dashkërka
edhe këta të festojnë.
Po le t’i kthehemi datës 20 maj që aq shumë po spekullohet
sikur kjo të ishte festa e 1 qershorit. Së pari, e gjithë kjo masë njerëzish që
na u shfaqën me pompë në Pallat të Kongreseve duhet ta dinë një herë e mirë se
20 maji nuk është ditë feste. Nuk ka si të jetë ditë feste dita e mortit të një
fëmije jetim. E për të hedhur dritë mbi këtë ditë dhëmbje, që po na e kthejnë
në ditë tam-tamesh qeveritare, na vjen në ndihmë Ilir Çumani, drejtor i
përgjithshëm i Institutit të Integrimit të Jetimeve Shqiptarë, i cili është
edhe nisiatori i caktimit të kësaj dite për jetimët shqiptarë, madje me
dëshirën të kthehet edhe në ditë ndërkombëtare të jetimëve. Jo dite festimesh
me bujë kurrsesi, por një ditë reflektimi ku shoqëria, shteti, institucionet e
mediat të reflektojnë se çfarë kanë bërë
e çfarë më shumë duhet të bëjnë për jetën e kësaj kategorie për të cilët shteti
duhet të kryeje rolin e prindit e jo të njerkës që shkon në ballo.
Në Shtëpinë e Fëmijës Sarandë më 20 maj 1979, një vajzë e
vogël 12 - vjeçare me emrin Xhuliana
Luli për shkak se e kishin dënuar
pangrënë dhe nga mugesa e vëmëndjes dhe
përkujdesjes ndaj saj, doli në rrugë,
hipën në një pishë që të hajë frutat e boçave, por bie nga lartësitë me një
fund tragjik. Jeta e saj nuk mundi të shpëtohej. Varrimi i vogëlushes u bë më
30 maj nën një pikëllim të pashoq të bashkmoshatarëve e bashkjetimëve, por edhe
të qytetarëve sarandiotë. Prekur prej kësaj ngjarje tragjike në fëmijëri, Ilir
Çumani arriti që para 11 vjetëve ta kthente këtë ditë përkujtimore zie, në një ditë për kthimin e vëmëndjes së
shoqërisë e shtetit tek jetimët për t’ju bërë atyre mbështetje. Pra, kuptimi i
kësaj dite tragjike nuk është festë, por shoqëria e shteti të reflektojnë, t’ju
gjënden pranë, t’ju qajnë hallet, t’i pyesin e bashkbisedojnë me jetimët për ta
bërë shoqërinë më të ndjeshme.
Do të doja të pyesja dhe do të desha një përgjigje publike.
A mundet që ditët e vdekjes së prindërve apo të afërmeve tuaj ti ktheni në një
ditë feste të nderuar kryeministër, kryetar i kuvendit dhe i nderuari ambasador?
Nuk besoj. Prandaj nuk mund ta ktheni në festë me lajle e lule, bashkrënduar me
ca shoqata fantazmagorike a ndonjë fondacion turko-arab, vdekjen tragjike të
jetimes Xhuliana Luli.
Larg euforisë e glorifikimit të gjithçkaje, sepse ajo ishte
tipar i kohës së monizmit, diktaturës,
ku gjithçka edhe pse e përgjakur dhe e mundimshme kthehej në delir, asaj shoqëria hipokrite që,
kur i prekeshin interesat, kur një jetim shprehte aspiratën e lirisë, nuk
ngurronte ta ekzekutonte siç bëri me jetimin 22 - vjeçar Skënder Daja, në
përkujtimin e të cilit as kryeministri i vendit , as kryetari i parlamentit,
por mjerisht as ambasadori amerikan nuk dënjoi të vinte vetë apo të dërgonte
një përfaqësues.
Fëmijët jetimë duan dashuri e përkujdesje, ta reduktosh këtë
dashuri e përkujdesje në një shfaqje në Pallat të Kongreseve me lulka e
tollumbace, ca fjalime me retorikë shterpë,
tregon se sa e papërgjegjëshme, e
pandjeshme dhe hipokrite është shoqëria shqiptare ndaj njerëzve në nevojë.
Ky koncept e kjo mënyrë pune padyshim se duhet ndryshuar, po
si mund të bëhet kjo nëse organet e pushtetit mbështesin ca organizime
spekulative dhe ca shoqata fantazmë që përfitojnë prej fatkeqësive të fëmijëve
jetimë !?
Xhuliana Luli e para majtas, me fjongo, duke lexuar. |
Shtëpia e Fëmijës Sarandë në vitet 1970, në mes të cileve edhe Xhuliana Luli. |
Fasada ku dita e vdekjes së Xhuliana Lulit u kthye në festë shoqatash fantazmë.
|