26 July 2014

🟱 "E vĂ«rteta"... e pavĂ«rtetĂ« e prof. Emil Lafe - nga Kolec Traboini



“E VËRTETA”... E PAVËRTETË E PROF. EMIL LAFE
Gjuha Shqipe si tipar themelor i kombit kĂ«rkon 
bashkim e jo ndarje.

Nga KOLEC TRABOINI

Shkaku pĂ«r tĂ« cilin ka pasur nderin tĂ« dalĂ« nĂ« opinionin publik prof. Emil Lafe nĂ« “GazetĂ«n Shqiptare” mĂ« 20 korrik 2014, Ă«shtĂ« se kĂ«rkon tĂ« shumĂ«zojĂ« me zero njĂ« shkrim mjaft serioz e konstruktiv tĂ« botuar nĂ« gazetĂ«n “Tirana Observer” tĂ« datĂ«s 7 qershor 2014 “ShqetĂ«suese janĂ« rrĂ«njĂ«t e gjuhĂ«s shqipe” shkruar nga prof. dr. Luftulla Peza, kryetar i ShoqatĂ«s “Qendra e Studimeve Pellazgjike” TiranĂ« – PrishtinĂ«.
Që në krye prof. Emil Lafe shpalos platformën e vet kundërshtuese duke përmbledhur së pari në 9 pika problematikat që shtron prof. Peza, për të pasur kësisoj më të lehtë në kundërshtimin dhe minimizimin e vlerave të shkrimit në fjalë. Po cilat janë pikat e dobëta të artikullit të prof. dr. Luftulla Pezës që sipas prof. Emil Lafe, u dashkan të konsiderohen si probleme të paqena. Ja dhe esenca e shkrimit të prof. dr. Luftulla Peza që u bë shkak i kësaj polemike në mes dy profesorësh të nderuar:
“1) standardi i sotĂ«m i shqipes i vendosur nĂ« kohĂ«n e regjimit totalitar Ă«shtĂ« i vjetruar, i plakur dhe duhet tĂ« ecĂ« pĂ«rpara me shoqĂ«rinĂ«; 2) ruajtja e kĂ«tij standardi mbyll shtigjet e hulumtimit drejt lashtĂ«sisĂ« pellazge; 3) kur u vendos standardi u shkelĂ«n mjaft rregulla tĂ« gjuhĂ«s shqipe, sepse vendosi politika; 4) gjuhĂ«tarĂ«t dhe historianĂ«t shqiptarĂ«, duke shkelur tĂ« gjitha rregullat shkencore, i kanĂ« prerĂ« rrugĂ«n gjuhĂ«s shqipe drejt gjuhĂ«s pellazge dhe ilire me tĂ« cilat ajo lidhet dhe ka vazhdimĂ«si tĂ« plotĂ«; veprat qĂ« e lidhin gjuhĂ«n e lashtĂ« pellazge me gjuhĂ«n shqipe as analizohen, as kundĂ«rshtohen dhe as pranohen; 5) Homeri dhe Hesiodi, qĂ« kanĂ« jetuar para shek. VIII para erĂ«s sĂ« re, i pĂ«rkasin racĂ«s pellazge, qĂ« e pĂ«rshkruajnĂ« me dashuri dhe madhĂ«shti (d.m.th. nuk janĂ« grekĂ«); 6) gjuhĂ«tarĂ«t shqiptarĂ« njohin vetĂ«m standardin tĂ« bazuar nĂ« toskĂ«rishten dhe e kanĂ« shpĂ«rfillur gegĂ«rishten, prandaj nuk e pĂ«rmendin lidhjen e fjalĂ«s sĂ« parĂ« tĂ« “IliadĂ«s” menin, me fjalĂ«n e gegĂ«rishtes mĂ«ni (toskĂ«risht mĂ«ri), qĂ« ka po atĂ« kuptim, por Ă«shtĂ« jashtĂ« standardit; 7) duke mohuar pellazgĂ«t si stĂ«rgjyshĂ«rit tanĂ«, historianĂ«t dhe gjuhĂ«tarĂ«t shqiptarĂ« nuk mund tĂ« vĂ«rtetojnĂ« autoktoninĂ« tonĂ«; 8) qindra mbishkrime me shkrimin ilir dhe nĂ« gjuhĂ«n ilire janĂ« nĂ« muzetĂ« e DurrĂ«sit dhe tĂ« ApolonisĂ«, por padrejtĂ«sisht gjuhĂ«tarĂ«t shqiptarĂ« nuk i pranojnĂ« si tĂ« gjuhĂ«s shqipe; 9) shqipja e njĂ«suar Ă«shtĂ« arritje e madhe e kulturĂ«s sonĂ«, duhet mbĂ«shtetur, por edhe do pasuruar dita-ditĂ«s. Disa nga kĂ«to nĂ«ntĂ« pika kanĂ« tĂ« bĂ«jnĂ« me gjuhĂ«n e sotme, me shqipen standarde, ndĂ«rsa tĂ« tjerat me lidhjet shqiptaro-pellazge.”
Prof. Emil Lafe pasi ka cituar objeksionet e mĂ«sipĂ«rme tĂ« prof. dr. Luftulla PezĂ«s pĂ«rpiqet lodhshĂ«m tĂ« hedhĂ« poshtĂ« kĂ«to 9 pika, madje duke dashur ta bĂ«jĂ« kĂ«tĂ« gjĂ« zellshĂ«m, nĂ« vend tĂ« pĂ«rdorĂ« argumentin gjuhĂ«sor si profesionist qĂ« Ă«shtĂ« , i lĂ«shohet trajtimin rutinĂ« si nĂ« shkrimet e rĂ«ndomta tĂ« gazetave tĂ« pĂ«rditshme. Duke harruar argumentin gjuhĂ«sor bie sa nĂ« ca kujtime tĂ« hershme fĂ«minore aq edhe tek nostalgjitĂ« e studimeve e hulumtimeve tĂ« kohĂ«s sĂ« komunizmit, por pa harruar t’i dalĂ« punĂ« edhe me varrosjen, bashkĂ« me dialektet veriore tĂ« shqipes, edhe tĂ« problemit pellazgjik, qĂ« shqiptarĂ«t e kanĂ« pĂ«r zemĂ«r por qĂ« prof. Lafes nuk i pĂ«lqen. “MĂ« kujtohet – shkruan prof. Lafe,- mĂ«suesi im i gjuhĂ«s dhe i letĂ«rsisĂ« nĂ« gjimnazin e DurrĂ«sit (1951-52), shkrimtari Bedri Rama, qĂ« mĂ« qortonte: Mos ngatĂ«rro dialektet! – kur unĂ«, qĂ« vija nga 7-vjeçarja e LushnjĂ«s, pĂ«rpiqesha t’i shkruaja hartimet pak “durrsakçe”, si shokĂ«t.” Duke dashur tĂ« tallet me problemin e paskajores si tipar themelor i dialektit tĂ« gegnishtes (dhe jo gegĂ«rishtes siç e pĂ«rdor rĂ«ndom), prof Lafe merr ca citate tĂ« Enver HoxhĂ«s psonisur nĂ« traktet e luftĂ«s ku qenka pĂ«rdorur paskajorja jo siç duhet, ndaj, mendon e konkludon Prof. Lafe, nuk shtrohet si problem i pranueshĂ«m paskajorja sepse krijoka ilaritet nĂ« tĂ« shkruar.
Paskajorja Ă«shtĂ« punĂ« e kryeme pĂ«r gjuhĂ«tarin e nderuar nga Lushnja qĂ« bĂ«n fole nĂ« Institutin Albanologjik nĂ« GjuhĂ«si dhe mbron gjithçka qĂ« Ă«shtĂ« bĂ«rĂ« nĂ« kohĂ« tĂ« komunizmit. Ja dhe pĂ«rsiatja me stilistikĂ«n e Enverit qĂ« na e sjell si argument pĂ«r ilaritetin qĂ« sillka paskajorja nĂ« traktet e luftĂ«s: “Apo Ă«shtĂ« fjala pĂ«r tĂ« “shartuar” nĂ« standard paskajoren, siç ka bĂ«rĂ« ndĂ«r tĂ« tjerĂ« edhe Enver Hoxha nĂ« shkrimet e viteve tĂ« luftĂ«s, kur shkruante p.sh.: ... pĂ«rpiqet me mish e me shpirt me e shpĂ«rnda frontin e gjerĂ« tĂ« popullit tonĂ«; ... po shkelin vatrat tona pĂ«r me gjuejtĂ« patriotĂ«t; ... ta gĂ«njejĂ« popullin, t’i hedhĂ« hi syve pĂ«r me muejtĂ« mĂ« mirĂ« me ja mbĂ«rritĂ« qĂ«llimeve tĂ« tija; ... u pĂ«rpoqĂ«n ta mobilizojnĂ« popullin pĂ«r me e çue tĂ« vritet nĂ« Libi; Fashizmi e ruante kĂ«tĂ« spiun tĂ« vjetĂ«r (Mustafa MerlikĂ«n) pĂ«r me e qitĂ« kur ta shihte pisk ... etj. Ky lloj shartimi, qĂ« pasqyron nĂ« gjuhĂ«n e shkrimit pĂ«rzierje dialektore tĂ« rastit, nuk pati (e nuk mund tĂ« kishte) sukses dhe u la mĂ«njanĂ«.”
PĂ«r gjuhtarin Emil Lafe nuk ekziston asnjĂ« shembull i mirĂ« e i dobishĂ«m i pĂ«rdorimit tĂ« paskajores, nuk i gjen kĂ«tĂ« as tek Pashko Vasa, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Migjeni po shkon e mbĂ«shtetet nĂ« frazeologjinĂ« politike tĂ« Enver HoxhĂ«s shkruar nĂ« kushte ilegaliteti gjatĂ« viteve tĂ« luftĂ«s. E drejtĂ« e tij kujt i referohet. Po ky ka harruar pa cituar edhe Mehmet Shehun se edhe ai ka mbajtur njĂ« fjalim programor mjaft te gjatĂ« e tĂ« mĂ«rzitshĂ«m pĂ«r punĂ«t e gjuhĂ«s, apo Mehmeti nuk u marrka nĂ« konsideratĂ« se ka qĂ«nĂ« poliagjent dhe armik i popullit siç e cilĂ«sonte ish miku i tij pĂ«r kokĂ« diktatori Hoxha. Madje pĂ«r tĂ« qĂ«nĂ« bindĂ«s nĂ« kundĂ«rshtitĂ« e veta profesori specialist i gjuhĂ«s, thĂ«rret nĂ« ndihmĂ« krahas tĂ« tjerave edhe kujtimet e tij personale pĂ«r dy dhĂ«ndurĂ«t e prof. AleksandĂ«r Xhuvanit, Ramiz Alia dhe Bilbil Klosi, pa arritur tĂ« na bindĂ« se çfarĂ« lidhje e funksion kanĂ« kĂ«to dy emra nĂ« njĂ« pĂ«rsiatje pĂ«r GjuhĂ«n Letrare. Inkursionet e prof. Emil Lafes nĂ« shkrimin e tij mjerisht vetĂ«m gjuhĂ«si nuk shprehin. ËshtĂ« vĂ«rtetĂ« i marramendshĂ«m sepse kur i fut njĂ« tĂ«harrje problematike nĂ« brigjet italiane, shkon thellĂ« nĂ« histori pĂ«r tĂ« na treguar si u bĂ« standardi pĂ«rtej Adriatikut qĂ« nisi me 3 pĂ«r qind( sipas tij) e tani na lulĂ«zoka lumturisht me 100 pĂ«r qind. Ky lloj tregimi me shifra pĂ«rqindjesh mĂ« kujton shkrimet e “ZĂ«rit tĂ« Popullit” pĂ«r rendimentin pĂ«r hektarĂ« tĂ« produkteve bujqĂ«sore, me statistika strikte, por qĂ« njĂ« herĂ« nga pakujdesia e tipografeve titulli na doli i shtypur jangllĂ«sh, kĂ«sisoj bathĂ«t na dolĂ«n bythĂ« shifrore nĂ« rendimentet pĂ«r hektarĂ«. I kanĂ« germat kĂ«to rreziqe, kur nuk i pĂ«rdor si duhet tĂ« bĂ«jnĂ« gjĂ«mĂ«n.
Por profesor Lafe vazhdon dhe me tutje përsiatjen e tij sikur të ishim ende në shekullin e kaluar. Madje përveç Enverit na sjell në kujtesë edhe një lugat tjetër me përmasa botërore, na kujton edhe programin e punës së vet në Kongresin e Drejtshkrimit ku, siç pohon jo pa krenari, ka pasur si busull orientuese në Gjuhësinë shqiptare mësimet e Josif Visiarionoviç Stalinit. Që të mos duket sikur po sajojmë përralla me Stalin e luftë klasash, po paraqesim retorikën e të nderuarit gjuhëtarin tonë luftëtarit të ashpër kundër gegnishtes.
CitojmĂ«: “MĂ« takon tĂ« jap kĂ«tu nja dy sqarime tĂ« shkurtra, edhe si dĂ«shmitar i punĂ«ve. Pas botimit tĂ« librit tĂ« Stalinit “Marksizmi dhe çështje tĂ« gjuhĂ«sisĂ«â€ gjuhĂ«tarĂ«t nuk u rrezikuan nga ndĂ«rhyrja e politikĂ«s. Pse? Sepse Stalini sqaroi nĂ« atĂ« libĂ«r se gjuha Ă«shtĂ« njĂ« fenomen shoqĂ«ror i njĂ« tipi tĂ« veçantĂ«, nuk Ă«shtĂ« as pjesĂ« e bazĂ«s, as pjesĂ« e superstrukturĂ«s sĂ« shoqĂ«risĂ«, se gjuha nuk ka karakter klasor, nuk Ă«shtĂ« ideologji, ajo u shĂ«rben njĂ«soj si klasave shfrytĂ«zuese, ashtu edhe klasave tĂ« shfrytĂ«zuara. NĂ« atĂ« libĂ«r Stalini kĂ«rkon qĂ« çështjet e gjuhĂ«s tĂ« zgjidhen nĂ«pĂ«rmjet diskutimesh shkencore dhe ka formuluar atĂ« thĂ«nien e njohur: “GjithĂ« bota e di se asnjĂ« shkencĂ« nuk mund tĂ« zhvillohet dhe tĂ« vejĂ« mbarĂ« pa luftĂ« mendimesh, pa liri kritike.” Ky citat, i shkruar me shkronja tĂ« mĂ«dha dhe me emrin e Stalinit poshtĂ«, ka qenĂ« njĂ« lloj embleme nĂ« veprimtari tĂ« ndryshme shkencore tĂ« asaj kohe.” TĂ« lumtĂ« profesor Emil Lafe. MĂ« bukur nuk ka si thuhet. Programi stalinist u jepte liri tĂ« plotĂ« intelektualeve madje edhe liri kritike. I denjĂ« ky konsiderim pĂ«r rrugĂ«n dhe ideologjinĂ« staliniste, krenar pĂ«r lugatin tonĂ« qĂ« rrinte nĂ« Kongresin e Drejtshkrimit si njĂ« faraon pĂ«rpara tĂ« cilit drithĂ«ronte vetĂ« vdekja. TĂ« lumtĂ« qĂ« na e solle nĂ« kujtesĂ« Stalinin qĂ« ne mĂ«katarĂ«t e kĂ«saj bote tĂ« shekullit XXI mjerisht e kishim harruar. I nderuar profesor Lafe vazhdo nĂ« llogoren e luftĂ«s kundĂ«r dialekteve, vazhdo ekzekutimin e gegnishtes siç Enver Hoxha pushkatonte intelektualĂ«t veriorĂ« veç pĂ«r dy shkaqe, se ishin gegĂ« dhe katolikĂ«.
Nuk ka nevojĂ« tĂ« bĂ«het gjykimi i thellĂ« i Kongresit tĂ« Drejtshkrimit mjafton tĂ« lexojnĂ« broçkulla tĂ« tilla pĂ«r tĂ« kuptuar nĂ« çfarĂ« bataku kishte rĂ«nĂ« gjuhĂ«sia shqiptare nĂ« kazanin e shtrigave tĂ« komunizmit. Dua tĂ« sjell nĂ« kujtesĂ« tĂ« Profesor Lafes njĂ« emĂ«r shqiptari, studiuesi, shqipĂ«ruesi, profesor i gjimnazit tĂ« ShkodrĂ«s NikollĂ« Daka, njĂ« pinjoll nga Hoti i burrave kreshnikĂ«, nĂ« kohĂ«n kur mblidhej Kongresi i Drejtshkrimit 1972 nĂ« TiranĂ«, ai pikllueshĂ«m shkruante pĂ«r tragjedinĂ« qĂ« po ndodhte me tĂ« bukurĂ«n gegnishte dhe krijonte kĂ«sisoj nĂ« ShkodĂ«r poemĂ«n “Koineja e GjuhĂ«s Shqipe”. ËshtĂ« shkruar bash atĂ« ditĂ« kur vendoste Kongresi, dhe stigmatizonte tĂ«rĂ« atĂ« teatĂ«r kukllash ku dijetarĂ«t vinin me shumĂ« si servant se sa si shkencĂ«tar sepse nuk kishte asnjĂ« zĂ« kundĂ«rshtues nĂ« atĂ« sallĂ«. Dhe e dini çfarĂ« u bĂ« me kĂ«tĂ« tĂ« vetmin zĂ« kundĂ«rshtues nĂ« ShqipĂ«ri pikĂ«risht kur ndahej me sopatĂ« gegnishtja prej trungut kombĂ«tar, u burgos dy herĂ« dhe tĂ«rĂ« jetĂ«n e kalbĂ«n nĂ« burg, sa kur doli nga burgu i dytĂ« nuk shkoi gjatĂ« dhe vdiq. NjĂ« atdhetar i madh, pĂ«rkthyesi i madh i latinishtĂ«s, siç e cilĂ«sonte vetĂ« albanologu i paharruar Norbert Jokli, pasi kishte lexoi pĂ«rkthimet e tij. Ju profesor Emil Lafe mund tĂ« vazhdoni e shkruani e botoni nĂ«pĂ«r gazetat e TiranĂ«s, tĂ« na flisni deri nĂ« ekstazĂ« e stĂ«rlodhje pĂ«r Enverin e Stalinin qĂ« paskan u dhĂ«nĂ« liri tĂ« plotĂ« pĂ«r zhvillimet gjuhĂ«sore nĂ« ShqipĂ«ri, por mjerisht fjalĂ«t nuk e fshehin dot synimin tuaj pĂ«r mbylljen e gjuhĂ«s shqipe dhe bjerrjen e pasurive gjuhĂ«sore dialektale, ato pasuri tĂ« paçmuara qĂ« ende falĂ« Zotit mbahen gjallĂ«. Ju kĂ«sisoj rrĂ«noni tĂ«rĂ« pasurinĂ« e letĂ«rsisĂ« shqipe qĂ« shpejt do tĂ« konsiderohet njĂ« minoritet. Kam pasur e ruaj mendimin qĂ« kushdo qĂ« kĂ«rkon tĂ« shkatĂ«rrojĂ« dhe jo tĂ« pasurojĂ« atĂ« çfarĂ« kemi ndĂ«rtuar nĂ« GjuhĂ«si, por dhe e kundĂ«rta, siç po bĂ«ni ju dhe kolegĂ«t tuaj konservatore qĂ« dĂ«rgoni dhe peticione nĂ« qeveri, qĂ« mbroni deri me histerizĂ«m çfarĂ« keni ndĂ«rtuar keq me shmangien mizore tĂ« gegnishtes, u them me plot gojĂ« se i keni hipur kalit mbrapsht dhe po kalĂ«roni tĂ« gjithĂ« nĂ« qorrollisje.
Gjuha është një trase e madhe, gjigante, që nis prej historisë dhe vjen prej të gjitha skajeve të trojeve dhe shqiptarisë e ku mund të ecim të gjithë shqiptarët pa pasur aspak nevojë të shtyjmë, të anashkalojmë apo dhe shtypim e shkelim njëri-tjetrin, çfarë në komunizëm mjerisht është bërë. Ndaj le të guxojmë të bëjmë atë që kërkon koha dhe e drejta: Hapjen e arkapijave të gjuhës, heqjen e brakeshave të fanatizmit akademik mediokër dhe bashkimin e natyrshëm gjuhësor nëpërmjet pasurimit të saj nga çdo burim i kthjelltë dialektor (ashtu siç lumenjtë krijohen nga burimet), për më tepër ashtu siç kërkohet dhe bashkimi kombëtar, sepse me ndarje e përçarje nuk shkohet kurrkund.

TRABOINI ART STUDIO CHANNEL