28 July 2014

đŸŸȘ Rrota e Kapllan Resulit - nga Kolec Traboini


RROTA E KAPLLAN RESULIT

nga  KOLEC                TRABOINI

Pas aq vitesh nĂ« mĂ«rgim, qĂ« nĂ« 90-tĂ«n e pĂ«rkĂ«tej , nĂ« shtator 2005 mĂ« sĂ« fundi u gjenda pĂ«r njĂ« kohĂ« tĂ« gjatĂ« nĂ« TiranĂ«n time. KĂ«shtu mĂ« pelqen ti them kryeqytetit ku kam strehĂ«zĂ«n-shtĂ«pi qĂ« “as nuk e shes e as nuk e fali”, paçka se edhe Shkodra e imja Ă«shtĂ«. NjĂ« jetĂ« e ndarĂ« pĂ«rgjysĂ«m nĂ« mes tĂ« TiranĂ«s e ShkodrĂ«s, nuk e pĂ«rgjysmon dashurinĂ«, nĂ« tĂ« kundĂ«rt e dyfishon atĂ«.
PĂ«rmasat e kryeqytetit tonĂ« asokohe, ende pa marrĂ« udhĂ«t ne ikanaket, kanĂ« qĂ«nĂ« tĂ« tilla sa tĂ« gjithĂ« thuajse e njihnin njĂ«ri-tjetrin.ThonĂ« se nĂ« Nju Jork proabiliteti Ă«shtĂ« qĂ« njeriun qĂ« sheh nĂ« njĂ« ditĂ« kalimtare, do tĂ« mund ta shohĂ«sh sĂ«risht vetĂ«m pas 100 vjetĂ«sh, ndersa nĂ« TiranĂ«n tonĂ« tĂ« para 20 vjetĂ«ve mund ta shihje njĂ« njeri thuajse pĂ«rditĂ«, se aty mblidheshim, rreth e qark Pallatit tĂ« KulturĂ«s, tek Lidhja e ShkrimtarĂ«ve, tek 15 katshi mĂ« rallĂ«, ndersa tek "Dajti" hiç fare se ishte plot fuksa. Por edhe uleshim ndonjĂ«herĂ« pasditeve tek shkallĂ«t e Teatrit e Operas dhe Baletit, apo te borduret rreth monumentit tĂ« Skenderbeut, ku ndodhte qĂ« edhe tĂ« mos gjeje vend tek ajo qĂ« ne quanim me shaka "Kafe Gjirokastra", sepse kishte ’’klientele„ tĂ« madhe, nga se prej aty soditej "xhiroja" e kryeqytetasve, me sĂ« shumti vajzave, pa nxjerrĂ« asnjĂ« lekĂ« nga xhepat tanĂ« gjysĂ«m tĂ« grisur. Eh, krenari boshe e kohĂ«s sĂ« vdekur, rob tĂ« sĂ« cilĂ«s, mesa duket, ende dhe sot kemi mbetur...
Isha ende me këto ndjesi tek qendroja para Bibliotekës Kombëtare me botuesin Petraq Risto, i cili kishte në shtypshkrojë dy librat e mi. Sapo ishim ndarë me pedagogun tonë të letersisë në universitet, poetin Fatos Arapi. Botuesi e miku im poet, pasi takoi një burrë të moshuar, por fort të mbajtur e disi shulak, me flokë të zi e disi të harlisur nga era, më thotë:
- TĂ« njoh me shkrimtarin Kapllan Resuli!
Nuk e prisja këtë takim e këtë njohje kur e dija se Kapllan Resuli nuk para shkonte në Shqipëri, të cilën e kishte mohuar e duhej të ishtë diku në Zvicer a në Maqedoni, ndaj i shpreha kënaqësinë që u takuam e u njohëm fizikisht, për më tepër se isha lexuesi i librit të tij të kahershëm "Tradhëtia".
Sa e mori vesh emrin tim,(akademiku, se kështu nënshkruan me tituj të lartë), picërroi sytë e më tha:
- A je ti Traboini që jeton në Amerikë?
- Vetë jam, o Kapllan Resuli, po ti ku po më njeh. Po më befason.
- Unë kam shkruar për ty e të kam kritikuar rëndë.
- Po pse o Kapllan - i thashë me buzëgaz.
- Se ti ke shkruar për mua ca rrjeshta në një shkrim që ke botuar tek revista "ARS" e Irhan Jubicës këtu në Tiranë.
- Po ndonjë gjë të rëndë nuk kam thënë, thjeshtë se vepra jote "Tradhëtia" mbetet gjithnjë me vlerë, pavarësisht se autori mund të ketë luhatje për përkatësinë e vet kombëtare.
Me kĂ«tĂ« desha t’i thosha nĂ« mĂ«nyrĂ« tĂ« zbutur se ai kish bĂ«rĂ« disa deklarata ku e quante vehten malazez a boshnjak a maqedonas, serb, dreqi po e di, punĂ« e tij, por jo shqiptar e, seç kishte shprehur ca fjalĂ« pĂ«rbuzĂ«se pĂ«r shqiptarĂ«t. FjalĂ« qĂ« njĂ« shqiptar pĂ«r kombin e vet nuk mund t’i thotĂ« pa qĂ«nĂ« atdhemohues.
-Mirë, mirë -vazhdoi.- Unë të kam kritikuar në librin tim me polemika që sapo kam nxjerrë nga shtypi. Quhet "Rrota e historisë".
- Nuk ka gjë - i thashë. - Pastaj shtova, - Si ta gjej atë librin me polemika ku ti më ke vënë në rrotën e historisë...
Ai mĂ« shikoi drejtĂ« nĂ« sy. Kur e pa se isha fort i qetĂ« e miqĂ«sor, hapi çantĂ«n kinse pĂ«r tĂ« parĂ« ç’kish brenda, ndĂ«rkohĂ« mĂ« tha se nuk i kishte mbetur asnjĂ« kopje, e duke mĂ« treguar librarinĂ« pranĂ« BibliotekĂ«s KombĂ«tare, shtoi: Atje i gjen. Pastaj na dha dorĂ«n se, siç tha, nxitonte. Kish ardhur nga Maqedonia pĂ«r nĂ« TiranĂ« veç pĂ«r atĂ« ditĂ« e duhej tĂ« mbaronte ca punĂ« (mesa duket tĂ« shpĂ«rndante broshura nĂ«pĂ«r librari) dhe tĂ« ikte pas dite. Gjithashtu nuk donte ta merrnin vesh se kishte ardhur. Thua se e ndjente vehten ilegal nĂ« ShqipĂ«ri?!
Kapllan Resuli, me çantën e rëndë të profesorit në dorë mori rrugën për nga qëndra e Tiranës, ndërsa unë me botuesin tim në të kundërt, drejt e tek libraria që na tregoi akademiku. Hyra në librari dhe e pyeta shitësen se, a e kishte librin "Rrota".
Enkas nuk i thashë titullin e plotë.
Ajo më tha se nuk kishte libër me titull të tillë...veç....dhe hodhi vështrimin me dyshim nga raftet... - "Rrota" e Kapllan Resulit, - saktësova për ta ndihmuar.
- Oh, po ashtu mĂ« thuaj!- tha shitsja.- Kapllan Resuli sapo mĂ« solli disa libra tĂ« vegjĂ«l dhe unĂ« i kam vĂ«nĂ« kĂ«tu poshtĂ«, se janĂ« mĂ« shumĂ« si broshura e vĂ«shtirĂ« tĂ« shiten. Ndoshta vjen e i merr prap i zoti. 
- S'ka gjë, mi jep ti shoh- i thashë kurioz.
I mora ato libra nĂ« dorĂ«.VertetĂ« ishin si broshura, jo vetĂ«m tĂ« vegjĂ«l por edhe me kopertinĂ« tĂ« hollĂ« dhe krejt tĂ« bardhĂ« si tĂ« ishin faqe e brendĂ«shme e jo mbĂ«shtjellje libri. MĂ« kujtohet, si pasionant librash qĂ« gjithmonĂ« kam qĂ«nĂ«, se libra tĂ« kĂ«saj natyre nĂ« ShqipĂ«ri mbanin vitin e botimit 1950, madje kisha ruajtur deri vonĂ« njĂ« libĂ«r me format tĂ« tillĂ« qĂ« mĂ« kish rĂ«nĂ« nĂ« dorĂ« nĂ« vite tĂ« mĂ«vonĂ«shme. Ishte njĂ« vĂ«llim me tregime tĂ« shkurtĂ«ra tĂ« “DitĂ« tĂ« mvrejtura“ i shkrimtarit tĂ« njohur grek Minelaos Ludemis.
Në kapakun e libërthit që kisha në dorë shënohej titulli "Rrota e historisë" dhe emri i autorit Kapllan Resul Buroviç. Profesor, akademik e të tjera siprore si këto në formë tirande shënoheshin në hyrjen spjeguese. I ktheva librares librat e tjerë dhe mbajta vetëm librërthin "Rrota e historisë", ku një prej polemikave më drejtohej e gjitha mua madje duke më cituar si "nacionalist ekstremist".
E lexova në këmbë aty në trotuar, ndërkohë që botuesi e poeti Petraq Risto qeshte dhe me humor më tha: - Ta ka ngopur keq, ë... me siguri do ti përgjigjesh.
- Jo! - ja ktheva mikut tim.- Nuk kam pĂ«r t’iu pĂ«rgjigjur nĂ« kĂ«sisoj polemikash se, nuk ia vlen tĂ« vĂ«rtitesh nĂ« njĂ« vorbull fjalĂ«sh pakuptim. Por gjithĂ«sesi le t’ja lĂ«mĂ« kohĂ«s, mbase ajo do ti japĂ« Kapllan Kallush Resul Buroviçit tĂ« drejtĂ«.
Si e nxorra kuriozitetin me broshurĂ«n “Rrota e historisĂ«”, ia kalova Petraqit, i cili ma ktheu prap pa e shfletuar:
- E kam lexuar tek revista "ARS". E ka botuar më parë atje, por nuk të thashë duke menduar se do të mërziteshe.
Desha ti thosha se jo merzi që nuk kisha por, më vinte për të qeshur se çfarë nacionalisti ekstremist qënkësha unë, kur,... çfarë të shoh, që nga sheshi në drejtimin tonë vura re të vinte si i hallakatur duke lëvizur duart në ajr, Akademik- Profesori polemist që pak çaste më parë ishte ndarë nga ne.
-Mor, - i thashë Petraqit - ky që na bën me dorë nga larg a është Kapllan Resuli apo më bëjnë sytë?
- Ai është, - ma ktheu Petraqi e shtoi- Shiko, mesa duket ka vënë re librin e tij në dorën tënde dhe të jep të kuptosh se, mirë e paske gjetur po a e lexove.
Vertetë ashtu ishte. Kapllani kur u afrua, me një frymë më pyeti:
- E bleve, e. Po, a e lexove.
- E lexova -ia ktheva pa e bërë vehten.
- Si t’u duk- mĂ« tha me njĂ« vĂ«shtrim tĂ« vĂ«ngĂ«rruar…
- Polemika kundër meje?
- Po, për atë të pyes.
- Shumë e mirë - i thashë.
- Ashtu?
E pashë që priste që të më vinte keq, apo të hidhërohesha, mirëpo unë që isha në atdhe pas kaq vitesh e kisha mallë edhe për ajrin, rrugët, pemët, lumin e Lanës e lumin e njerëzve të Tiranës, përpara asaj që ndjeja, nuk më hynte në sy jo vetëm polemika vetanake e Kapllan Resulit, por as pesëmbëdhjet a më shumë artikujt denigrues që kishte shkruar në prill vitit 2000 Abdi Baleta tek gazeta Mazrrekut "Bota sot" në Zvicër e që m'i kishte dërguar nga Parisi në Boston bashkatdhetari emigrant, njeriu i mirë Nikoll Daka . Madje, as ato që Baleta kishte shkruar pafund tek "Rimbëkëmbja" në aleancë me atë që sot e konsideron si kundërshtarin më të egër, Kastriot (Kaç) Myftarin.
U ndamĂ« pĂ«r tĂ« dytĂ«n herĂ« pa arritur tĂ« pimĂ« bashkĂ« mĂ« tĂ« as dhe njĂ« kafe a llallĂ« tĂ« freskĂ«t Tirane, megjithĂ«se e ftova, sepse polemisti, siç kishte ardhur vertik nga Maqedonia, shkonte prap vertik nĂ« Maqedoni pĂ«rmes QafĂ«s sĂ« ThanĂ«s sepse atje pĂ«rtej kishte edhe hajen edhe pijen. Mbase edhe nga frika se mos i punonin ndonjĂ« rreng shqiptarĂ«t, tĂ« cilĂ«t e konsideronin si Hamza Kastrioti, kish qendruar ne TiranĂ« sa pĂ«r tĂ« shpĂ«rndarĂ« nĂ«pĂ«r pika shitje libĂ«rthat e vet, ndĂ«r tĂ« cilĂ«t edhe atĂ« ku gjĂ«ndem edhe unĂ« nĂ« tehun e kritikĂ«s resuljane, atĂ« libĂ«r qĂ« unĂ« tashmĂ« e kujtoj si "Rrota e Kapllan Resulit”.
Jam i bindur se nĂ«se Kapllan Kallush Resul Buroviçi e lexon kĂ«tĂ« fejton mbi takimin tonĂ« nĂ« TiranĂ« vjeshtĂ«n qĂ« shkoi, me siguri do t’i vĂ«rĂ« libĂ«rthit tĂ« vet tĂ« polemikavĂ« edhe njĂ« rrotĂ« tĂ« re... mullirit kallushian. E gjasat pĂ«r kĂ«tĂ« janĂ« sepse mokrra e shkrimtarit kĂ«rkon tĂ« bluajĂ«. Nuk flĂ« mokrra por mokrarĂ«t, thotĂ« njĂ« fjalĂ« me hoka.
Tek e mbramja, kĂ«to shĂ«nime pĂ«r shkrimtarin polemist qĂ« vĂ«rtitet hapsirave ballkanike pa nda, do ta mbyll me njĂ« shprehje alegorike e gazmore qĂ« ja atribuojnĂ« mĂ« sĂ« shumti oratorisĂ« sĂ« profesorĂ«ve dhe akademikĂ«ve tĂ« hallakatun e flokĂ«shpupurishun, tĂ« cilĂ«ve s’u merret vesh se çfarĂ« thonĂ« e çfarĂ« bĂ«jnĂ«: “QĂ« Ă«shtĂ« mulli me erĂ« e shoh, po uji nga i vjen?!".
­- Eh, - thashĂ« me vehte,- Kapllan Resuli bĂ«ri ç’bĂ«ri dhe e shiti njĂ« libĂ«r, e nxorri bilieten e kthimit pĂ«r TetovĂ«, po ti a derĂ«zi e punĂ«zi, pse je kĂ«shtu kurioz si njĂ« harabel vjeshte, qĂ« bie nĂ« grackĂ«n mĂ« tĂ« parĂ« tĂ« Kapllan maçokĂ«ve panballkanike.

Nga libri "Bukuri Shkodrane"-esĂš 2007.