19 July 2014

Zhvillimi letërsisë shqipe në Mal të Zi- nga Rrok Gjolaj

ZHVILLIMI I LETËRSISË SHQIPE NË MAL TË ZI

Mr. RROK GJOLAJ
Këshillëtar në Ministrinë e Arsimit në Mal të Zi
Abstrakt
Rrok Gjolaj
Letërsia shqipe që krijohet në Mal të Zi është pjesë përbërse e trungut kombëtar në krijimtarinë letrare në përgjithësi. Zhvillimi i letërsisë shqipe që krijohet në Mal të Zi, mund të thuhet se kryesisht u zhillua në gjysmën e dytë të shekulli XX. Fillimet e letërsisë në këtë rajon mund të kërkohen që nga vepra e parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut dhe do të vazhdojnë disa shekuj më vonë, pikërisht nga fundi i shekullit të XIX, me paraqitjen në skenën tonë letrare të rilindasve: Nikollë Ivanaj, Palokë Traboini etj. dhe të Hafiz Ali Ulqinakut (që vazhdoi të shkruajë në traditën e letërsisë së bejtexhinjëve).
Po theksojmë se në rrethin e Ulqinit u përkthye Bibla në gjuhën shqipe, për herë të parë në tërësi, nga dom Simon Filipaj,që u botua në Kosovë nga fundi i shekullit XX.
Letërsia shqipe në Mal të Zi, kryesisht krijohet në dy qendra kryesore: në Ulqin dhe në Malësi. Një grup autorësh që kanë lindur në Mal të Zi, krijimtarinë e tyre në tërësi e kanë realizuar në Kosovë, siç janë: Esad Mekuli, Rexhep Qosja, Mehmet Kraja, Basri Çapriqi, Anton Berishaj etj. Këta kanë arritur nivele të larta letraro-artistike në nivelin e letërsisë mbarëkombëtare. Një grup tjetër, krijimtarinë e vet e ka filluar në Mal të Zi dhe e vazhdon në diasporë, si në Zvicër, SHBA, Australi etj., siç janë: Nokë Sinishtaj, Lulash Palushaj, Mira Lekoçaj, Jaho Kollari etj., kurse në Shqipëri: Palokë Traboini, Gjokë Dabaj, Kolec Traboini ( sot në SHBA ) etj.
Zhanret letrare që u zhvilluan në letërsinë shqipe në Mal të Zi janë: proza, poezia, drama (më defiticitare). Në fushën e prozës u shkruan tregime, novela dhe romane. Në prozë figurat kryesore janë: Anton Gojçaj, Asllan Bisha, Fran Camaj, Anton Gjuravçaj etj., kurse në fushën e poezisë numri është më i madh dhe shquhen këta autorë: Nol Berishaj, Haxhi Shabani, Ibrahim Berjashi, Anton Berishaj, Ferhat Dinosha, patër Pashko Gojçaj, Zef Gjuravçaj, Hajredin Kovaçi etj. Drama dhe llojet e saj në letërsinë e këtij rajoni është zhvilluar shumë pak.
Përfaqësues të shquar të kësaj gjinie janë: Ali Llunji dhe Shaban Osmanaj.
Mund të themi se krahas zhvillimit të letërsisë, po zhvillohet edhe studimi i saj. Kjo bëhet në formë kritikash, vështimesh ose përmbledhje të studimeve të botuara në libra të veçantë etj. Në këtë drejtim shquhen: Anton Gojçaj, Ruzhdi Ushaku, Fran Camaj, Dimitrov Popoviq, Hajro Ulqinaku, Pjetër Dreshaj etj.
Gjatë kësaj periudhe të zhvillimit të letërsisë sonë iu kushtua një kujdes i veçantë edhe mbledhjes, botimit dhe studimit të letërsisë popullore. Në këtë drejtim shquhen patër Vinçenc Malaj, dom Simon Filipaj, mr. Ismail Doda, mr. Ali M. Ahmeti, pater Zef Jankaj, patër Kolë Berishaj, dr. Bahri Brisku, dr. Pjeter Gjuravçaj, Gjergj Hasanaj etj.
Kohëve të fundit, hov të madh ka marrë edhe përkthimi i veprave të krijuasve tanë në gjuhën malazeze ose përkthimi i disa autorve nga letërsia malazeze në gjuhën shqipe. Në këtë drejtim shquhen: Qazim Muja, Hajro Ulqinaku, Zarija Brajoviq, Gjergj Gjokaj, Pjetër Dreshaj, Dimitrov  Popoviq,Diana Rexha, Anton Berishaj, Anton Gojçaj, Pjeter Lucaj etj. 
Nga “Libri i Abstrakteve”  nga Konferenca vjetore e shkencës” Java e Shkencës 2013”.